A ka më të drejtë Brehti?

/Arlind Qori/

 

Në vitet ’30 të shekullit të shkuar, Gjermania, një ndërthurje kontradiktore ultrakonservatorizmi dhe revolucionarizmi, ra në duart e nazistëve. Si shumë shkrimtarë e intelektualë radikalë dhe demokratikë, dramaturgu dhe poeti i madh gjerman Bertolt Breht mori rrugët e emigracionit politik, prej ku shkruan edhe “Frikën e madhe dhe mjerimin në Rajhun e Tretë”, e përbërë me copëzash poetike që shpërfaqin jetën e klasave dhe shtresave të ndryshme shoqërore gjermane nën nazizmin. Në pjesën “Në punë”, Brehti rrëfen raportin midis një punëtori dhe studenti në një kamp pune, raport i cili në pamje të parë i afron dy subjektet shoqërore, për t’i ndarë paskëtaj pakthyeshëm si rezultat i marrëdhënieve të ndryshme që kanë me pushtetin nazist. Nëse guximi punëtor, i atyre që “s’kanë ç’humbin veç prangave”, shkon deri në ironinë e rrezikshme ndaj propagandës naziste që kërkon t’u mësojë punëtorëve si të punojnë – “Përgjegjësi i grupit thoshte se do të mësonim se ç’do të thotë të punosh, kurse ai tha me zë të ulët se donte gjithashtu të mësonte se ç’do të thotë të paguhesh. Ata ia morën për ters.” – oportunizmi i studentit i nënshtrohet autoritetit. Madje në fund, ai e tradhton besimin e bashkëmoshatarit të tij punëtor duke u sjellë si matrapaz çikërrimash.

Po si është e mundur që një autor revolucionar si Brehti na e shpërfaq studentin jo si subjektin revolucionar me të cilin jemi mësuar katër-pesë dekadat e fundit, por si një qenie shoqërore sa meskine, aq edhe të nënshtruar ndaj autoritetit? Përgjigjja gjendet në transformimin e thellë të shtrirjes, funksionit dhe efekteve shoqërore të subjektit studentor pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos në vendet e modernizuara. Deri përpara luftës, zhvillimi i ekonomisë moderne kapitaliste mbështetej më tepër në punën fizike të gjysmëkualifikuar të punëtorëve, dhe dijes së përparuar teknike i njihte më së shumti rol kontrollues dhe organizues. Fordizmi dhe tejlorizmi kishin nevojë për pak inxhinierë dhe mbikëqyrës në terma ekonomikë, të cilëve do t’u shtoheshin anëtarët e burokracisë së aparateve shtetërore dhe ideologjike. Kjo i bënte universitetet e kohës, prej ku farkëtoheshin subjektet e ardhshme sistemore, vatra dijeje të kufizuara në numër, ashtu sikundër edhe përjashtuese për sa u përket ideve radikale. Për pasojë, privilegjin e të qenit student e kishin anëtarët e shtresave të larta dhe një pjese të klasës së mesme. Diçka e tillë përkthehej jo vetëm në privilegj në raport me masat e gjera të punëtorëve, fshatarëve apo të vetëpunësuarve, por edhe në përfytyrimin e një veçantie statusore që i bënte të mirëshkolluarit t’i shihnin me përçmim klasat popullore.

Me transformimin dhe zgjerimin e bazës së ekonomisë kapitaliste pas Luftës së Dytë Botërore, puna mendore nisi të integrohej më shumë në prodhim, çka lypte zgjerim të bazës shoqërore të të mirarsimuarve. Po ashtu, si rezultat i përparimit të të drejtave shoqërore të klasave popullore, lindi nevoja e krijimit dhe zgjerimit të shërbimeve shoqërore si në mjekësi, arsim, kulturë etj., të cilat kërkonin një numër shumë më të madh punonjësish të mendjes nga më parë. Për rrjedhojë, universitetet e vendeve moderne nga vitet ’60 e tëhu zunë jo vetëm të gëlojnë numerikisht, por edhe të pasurohen nga pikëpamja e origjinës klasore të studentëve, një pjesë gjithnjë e më e madhe e të cilëve shfrytëzonin shkallaren e re sociale për t’u ngjitur nga shtresat e varfra drejt të mesmëve. Ishte pikërisht ky subjekt i ri studentor që formoi pararojën e rezistencës dhe tentativave të ndryshimeve revolucionare të viteve ’60-’70 jo vetëm në Paris, Romë, Berlin e Kaliforni, por edhe në Pragë e gjetiu në Lindjen e socializmit burokratik. Ndryshe nga personazhi meskin i Brehtit, studenti i fabrikës së re shoqërore e kërkonte punëtorin si bashkudhëtar, solidarizohej me të sa për hir të origjinës së përbashkët klasore, aq edhe për hir të idealizmit të një brezi pa kufizime ekonomike që tkurrin çdo sipërmarrje jashtë interesit vetjak imediat.

Mirëpo studenti i atyre viteve ishte solidar me punëtorin, mundohej të gjente gjuhën me të, por gjithmonë si subjekt i ndryshëm, çka shpjegon edhe moskuptimin e herëpashershëm midis tyreve. Punëtori herë pas here bëhej skeptik përpara intelektualit radikal të cilin nuk e shtynin nevojat e të përditshmes, por ide radikale të bukura në abstraksionin e tyre.

Ky raport zu të ndryshojë sidomos në dy dekadat e fundit. Në njërën anë kemi një transformim të pjesshëm të ekonomisë kapitaliste, sidomos të vendeve qendrore, kah puna konjitive, çka shpjegon edhe rritjen e numrit të studentëve, e cila ka ardhur edhe si rezultat i zgjerimit së pritshmërive dhe pranimit më të pakët të mallkimit të punës fizike. Mirëpo krizat e herëpashershme të kapitalit si globalisht, edhe lokalisht, kanë farkëtuar një subjekt studentor në gjendje papunësie dhe prekariati (pune të pjesshme). Kjo masë e madhe studentësh, mendjesh të kultivuara por në dëshpërim nga papunësia profesionale, është edhe më e dukshme në vende periferike si Shqipëria e cila, edhe pa zhvillimin e kapitalizmit konjitiv, e ka shtuar numrin e studentëve dy dekadat e fundit. Tanimë studenti anekënd botës ka gjasë më të madhe të përfundojë i papunë ose i punësuar jashtë profesionit – ose në punë fizike, ose në punë hibride gjysmëfizike si call center-i – çka e shndërron në punëtor të llojit të veçantë. Ai tanimë i përket punëtorisë si klasë, paçka se ende ushqen shpresën e të ngjiturit të shkallares shoqërore. Mirëpo gjendja permanente e papunësisë dhe pasigurisë e kanë venitur shpresën dhe po ndërtojnë jo vetëm nëpër botë, por edhe në Shqipëri, një subjekt studentor gjendja ekonomike dhe vetëdija politike e të cilit dallon gjithnjë e më pak nga ajo e punëtorit. Pa privilegjet dhe statusin e dikurshëm, studenti dhe i diplomuari i sotëm po përshkojnë terrenin jo më të bashkëpunimit midis dy subjekteve të huaja si në vitet ’60-’70, por të bashkekzistencës me punëtorin si punëtor. Kjo e bën Brehtin historikisht të rëndësishëm, mu si muzetë.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.