Përse arsimi publik mund dhe duhet të jetë falas

/Jonis Metaj/

Marr shkas nga debati i madh dhe frika që po shprehin disa analistë apo gazetarë rreth arsimit publik falas, për të dhënë ca argumente se pse është plotësisht i mundur ky propozim i Lëvizjes Për Universitetin.  Argumenti i tyre kryesor, nisur nga padija – në rastin më të mirë – apo dashakeqësia, është se kjo do të sjellë rritje taksash në një shoqëri që është e mbytur nga taksat e me ekonomi që krizën e konsideron si stabilitet.  Më lejoni të bëjmë disa llogaritje, që të flasim me fakte e me shifra, në mënyrë që mos vazhdojmë të spekulojmë më me fjalë e mos të injektojmë më frikë në opinionin publik. Le të bëhemi realistë :

Universiteteve publike aktualisht u nevojitet një fond prej 90mln$.  Këto arrijnë t’i mbledhin një pjesë nga financimi i shtetit (taksat e të gjithëve) dhe pjesën tjetër nga tarifat studentore.  Në Universitetin e Tiranës raporti është 40% financim nga shteti, e 60% nga studentët, ndërsa në universitetet e tjera raporti është i përmbysur. Buxheti i nevojshëm i UT-së është 20mln$, nga ku 12mln$ sigurohen nga tarifat. Për Universitetet e tjera është 40%*70mln$ = 28mln$. Pra gjithsej nga tarifat studentore grumbullohen rreth 40mln$.

Por le të marrim rastin më të keq, që mos të lemë vend për spekulime dashakeqëse, sikur  raporti është 40% me 60% në të gjitha universitetet publike. Atëherë do t’i binte me rregull treshi që nga studentët të grumbulloheshin 54mln$. Pra, kjo shumë është ajo çka rëndon mbi kurrizin e çdo familjeje që dërgon fëmijët të studiojnë.  Rregull treshi fare i thjeshtë, që duhet ta mësojë çdo analist, por ata njohin veç rregullin e njëshit: çfarë thotë lideri suprem është ligj, jo ç’thonë numrat.

Le të vazhdojmë llogarinë tonë. Që arsimi të jetë falas, ose tarifat të shkojnë drejt zeros, duhet që kjo të mbulohet nga taksat tona.  Nga të dhënat e INSTAT-it, të punësuar gjithsej për vitin 2014 janë 939 263 banorë, pra taksapagues. 54mln $/939263 janë 57,5 $ në vit për çdo të punësuar , të cilën po e përkthejmë në dicka më pak se 71000 lekë të vjetra “taksë” në vit për çdo të punësuar, ose akoma më thjeshtë : 5900 lekë të vjetra në muaj . Dua të rikujtoj se kjo shumë është duke bërë tepër lëshime e supozuar raportin 40 me 60.

Po të vazhdojmë edhe më, kjo nuk do paguhet njëlloj nga të gjithë, por sipas pagës e në mënyrë progresive: kush paguhet më shumë, kontribuon me shumë, e nëse do përdorim krahasimin e ministres, i bie që të kursejmë një kafe në javë, për të mundësuar arsim falas për të gjithë, besoj se është shumë më e mirë sesa të kursejmë një kafe në ditë për ta bërë arsimin edhe më të papërballueshëm. Ndjesë, por citova ministren, pasi unë vetë kafenetë i urrej e mendoj se nuk duhen lënë afër universiteteve, por të ndërtohen biblioteka e mjedise publike e sportive, por tjetër temë kjo.

Le të vazhdojmë llogarinë edhe më tej. Ne supozojmë ulje graduale, të shtirë në disa vite. Qeveritë premtojnë 300’000 vende të reja pune çdo herë. E nëse pas katër vitesh do e mbanin këtë premtim, i binte që gjithkush që punon të paguante diku te 4600 lekë të vjetra në muaj… kaq, vetëm kaq!!

E kjo shumë del nëse vazhdohet me të tillë nivel korrupsioni, se po të funksiononim rregullisht nuk duhej t’u hynim fare llogarive. 54 mln $ në vit mund të merren duke funksionuar doganat, duke ndalur abuzimet në tendera etj.

200’000-400’000 lekë të vjetra i kushton një studenti në vit studimi në ciklin bachelor, për mos të përmendur masterin që kushton miliona. Kjo është çmenduri, e me rritjen akoma të mëtejshme të këtyre shifrave do bëhet e pamundur për më të varfrit.

Na propozojnë borxh studentor, por ky është një prej shkaqeve kryesore që ekonomitë hyjnë në krizë: Borxhi! Nëse studentët nuk hyjnë në borxhe, do të kenë më shumë para për të shpenzuar në mënyrë që ekonomia të stimulohet disi.

Edhe nëse i largohemi pak aspektit ekonomik, mund të gjejmë shumë arsye të tjera përse arsimi publik duhet të jetë falas.  Është investim që shoqëria bën për veten e saj, që të ketë forcë punëtore më të kualifikuar, më të arsimuar. Shoqëritë me nivel më të lartë të diplomuarish janë më të shëndetshme e të lumtura, ndodhin më pak krime e ka nivel më të lartë mirëqenieje sociale. Do të kesh një mjek  më të përgatitur e do të shërohesh më shpejt, një inxhinier më të zot e do jesh më i sigurt, një teknik më të aftë, një sociolog më të zot e kështu me radhë, një shoqëri më të mirë.

Qeveritë tona, bashkë me ushtarët e tyre analistë e kuptojnë shumë mirë besoj, por ata nuk përfaqësojnë më njerëzit e thjeshtë, shumicën e popullsisë, por vetëm disa pronarë privatësh. Politikat ekonomike imponohen prej tyre, jo prej masës së gjerë.  Ndaj është detyra jonë të mendojmë për veten tonë e të veprojmë për veten tonë!

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.