/Klodi Leka/
Lady Macbeth, një film i vitit 2016 me regji të William Oldroyd-it dhe interpretimin e mrekullueshëm të aktorëve Florence Pugh dhe Cosmo Jarvis, është historia e një gruaje të re në Anglinë rurale të shekullit XIX, Katerinës, të blerë nga një familje e kamur aristokrate për një grusht para dhe, siç thotë i shoqi me përbuzje, një pijanec aventurier i përçmuar prej të atit, “për një llokmë toke në të cilën nuk mund të kullosë as edhe një lopë e vetme”. Deri në momentin e njohjes me punëtorin e ri dhe harbut të familjes, Sebastianin, gjithçka rridhte sipas një rutine të mirëpërcaktuar për gruan nga morali puritan i kohës: ajo zgjohej herët në mëngjes nga shërbyesja, lidhej me rripat torturues të korsesë, sillej e mërzitur për vdekje në dhomat e shumta të shtëpisë, në mbrëmje darkonte me të vjehrrin, një burrë i thartë ky që nuk kish’ interes tjetër veç biznesit dhe trashëgimisë, ndërsa në mbarim të darkës çmontohej prej armaturës së rëndë të madamës për të pritur lakuriq të shoqin në shtrat.
Katerina nuk ishte gjithnjë një Lady Macbeth – ajo gruaja mizore e Shekspirit që ndyn duart me gjak dhe vdekje për motive pushteti. Tjetërsimi i Katerinës në Lady Macbeth ndodhi hap pas hapi, që me njohjen e mjedisit thellësisht pervers të shtëpive të fisnikërisë, çka e tronditi, për të kaluar më vonë tek ironia e krimi. I shoqi, një bashkëshort i lëshuar pas pijes dhe afshit shkatërrues për një mulate, i bën të ditur që në natën e parë të martesës kur bie të flejë pa ia dhunuar seksin siç e do zakoni, se ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një grua sa për sy e faqe. Nga ato gra të cilat fisnikët anglezë, në pamundësi për të vrarë autoritetin simbolik të babait dhe traditës qindravjeçare mbi ta, historikisht i morën sa për të vazhduar linjën trashëgimore, teksa arratiseshin me të dashurat e konsideruara të padenja për jetën familjare. Bashkëshorti, megjithëse i painteresuar karshi trupit të saj, në emër të moralit e ndalon të lëvizë lirshëm jashtë shtëpisë. Po kështu has edhe në qortimet e të vjehrrit për moskryerjen siç duhet të detyrave bashkëshortore, pra të seksit dhe lindjes së një fëmije. Kushtëzim ky që arrin deri në pikën sa aristokrati detyron shërbyesen me ngjyrë të mos e lejojë Katerinen të flejë gjersa i shoqi të kthehet në dhomë, për të rënë mbi të ose për t’u masturbuar me lakuriqësinë e saj në këmbë dhe me kokën e kthyer nga muri.
Shpejt të dy burrat marrin arratinë. I shoqi kthehet te jeta e shthurur e bohemit dhe babai i tij në drejtim të bizneseve të familjes, duke e porositur Katerinën të mos e kalojë pragun e jashtëm të shtëpisë gjer në mbërritjen e tyre. E ajo, gruaja e blerë, paçka se nën vështrimet zhbiruese të kryeshërbëtores vendos të dalë, të thithë ajrin e freskët të fushës, atë ajër që për njeriun e modernitetit të hershëm simbolizonte lirinë. Aty, në stallat e shtëpisë, ndërhyn në zënkën midis shërbëtorëve dhe njihet me Sebastianin, punëtorin arrogant që nuk e kish’ për gjë ta trajtonte njësoj si shërbyesen me ngjyrë. Ishte pikërisht ajo sjellje e tij ndaj saj, ajo mosnjohje brutale e autoritetit që e tronditi gruan dhe ngjalli kureshtje në zemrën e ngrirë prej monotonisë. Në vijim, akti dashuror midis tyre nuk është nga ato romancat me të cilat jemi mësuar, por vazhdim i dhunimit të mëtejshëm nga prolesi i papërmbajtur që futet me zhurmë në dhomën e saj duke ia rrëmbyer me forcë puthjet, pa pyetur për të zotët e shtëpisë dhe rregullat e mirësjelljes ndaj një lejdi për më tepër të martuar. Kështu zë fill historia e një dashurie që konsumohet me pasion të zjarrtë në shtratin martesor dhe nën vështrimet flagrante të shërbyesve, çka është therëse për syrin e kalitur me natyrën e përdëllyer të gruas dhe nderin kalorsiak.
I zoti i shtëpisë, pas kallëzimit të shërbëtores te prifti i fshatit për ndryshimet në natyrën e gruas, kthehet në shtëpi dhe mëson gjithçka mbi tradhtinë e saj, duke ndëshkuar së pari shërbëtoren me ngjyrë – që me gjasë mund të ketë rrëfyer mëkatin e gruas – të cilën e detyron të ecë këmbadorazi në dyshemenë e dhomës së ngrënies dhe më vonë, i acaruar me ironinë e pacipë të gruas, që kërkon me kokëfortësi lirimin e dashnorit që po i mundëson atij plakaruqi ardhjen e trashëgimtarit, e dhunon dhe e lë të presë në dhomën e saj gjersa të vendosë ç’do të bëjë me të. Megjithatë Katerina nuk ngurron t’i tregojë vendin këtij autokrati të urryer që rrezikon t’i japë fund jo vetëm lumturisë, por edhe jetës së Sebastianit të cilin, pasi e ka rrahur, e burgos në stallat e shtëpisë gjersa të vendosë se ç’do të bëjë me të. Prandaj, gjatë një dreke, ajo e vret të vjehrrin dhe e lë të vdesë në prezencën e pashqetësuar të vetes dhe të shërbëtores së llahtarisur. Ajo pret që shërbëtorja ta kuptojë atë akt, si dy gra të nënshtruara, por shërbëtorja stepet dhe vazhdon të mos flasë, si pasojë e fëmijërisë së dhunuar dhe tmerrit momental, edhe pse gruaja e re aristokrate tregohet njerëzore me të, vendos të hajë në të njëjtën tavolinë dhe e pyet mbi historinë e jetës së saj. Në ankth ajo pret kthimin e të shoqit, duke shpresuar se ai nuk do të shkelë më kurrë në shtëpi pas letrës mbi vdekjen e të atit, ku lajmëron se nuk do të mbërrijë për ta varrosur dhe kështu dashuria e ndaluar do të mund të vazhdonte deri në fund. Por i shoqi kthehet papritur një mbrëmje teksa ajo fle në krahët e Sebastianit – që arrin të fshihet në kohë në një qoshkë të shtëpisë – me fjalët e përhapura të tradhtisë dhe emrin e fyer të familjes. Ja, je shëndoshur, fytyra të ka marrë tjetër formë dhe trupi të kundërmon si një lavire – thotë ai duke përkufizuar gjendjen e gruas së dashuruar.
Megjithatë, përpos kërcënimeve të zotërisë për vrasjen e atij horrit dhe jashtë çdo pritshmërie të mundshme, Katerina del me nxitim në korridor dhe sjell të dashurin në dhomë, e shtrin në shtrat dhe hipën sipër tij, çka e skandalizon jashtë mase bashkëshortin zyrtar dhe, në përleshje e sipër, ajo e vret atë, pastaj e gropos në pyll. Këtu ndodh një krisje në shpirtin e tyre, ngjashëm me ndërgjegjet e gjakosura shekspiriane. Sebastiani nuk mundet të harrojë vrasjen e një burri dhe krimi nuk e lë të qetë, ndërsa Katerina e gjen njerëzinë te lotët mbi kalin e vrarë të bashkëshortit, por, në dallim prej tij, ajo e arsyeton krimin si një domosdoshmëri në emër të lirisë dhe lumturisë. Në të kundërt, ata i priste linçimi, ndarja dhe pse jo vdekja. Ata nuk kishin rrugë tjetër veç vdekjes për të nisur jetën e re. Fijet e prera të dhunës dhe nënshtrimit në thundrat e traditës e bënë Katerinën një grua të lirë, ndaj nis të sillet shpengueshëm si e tillë, me flokët e shkrehura dhe një këmishë nate mbi lëkurë, duke pirë verë dhe bërë dashuri pa kokëçarje me padronin e ri, Sebastianian. Gjersa e trokitura e derës gjatë një dite të bukur t’i kujtojë se lidhjet e atij rendi të dekompozuar social ndaj të cilit kreu krim nuk priten aq lehtë. I shoqi kishte lënë një fëmijë me të dashurën tashmë të vdekur mulate, prandaj, ajo duhej të kujdesej për të, ngaqë ai është një trashëgimtar legjitim, çka i shemb ditët e lumtura të lirisë.
Sebastiani rebelohet me të mbeturit një proletar i përjetshëm dhe gjithçka rrezikon t’i dalë jashtë kontrollit. Prandaj, pas një lufte të ashpër shpirtërore ku luhet lumturia dhe njerëzillëku i saj, Katerina vendos ta vrasë vogëlushin në sytë e Sebastianit. Një vdekje e dhunshme që ngjall dyshime dhe akuza tek autoritetet, akuza që i provon vetë Sebastiani duke hyrë befasisht në dhomë dhe me ndërgjegjen e rrënuar kallëzon në sytë e të gjithëve vrasjen e vogëlushit, të plakut e të bashkëshortit. Katerina, e zemëruar me dobësinë e dashnorit dhe me gjakftohtësinë e gruas mizore makbethiane, ngre gishtin tregues ndaj tij, duke akuzuar atë dhe shërbëtoren si përgjegjës për këto krime, si dy rebelë të dashuruar që ngritën krye kundër padronëve të dhunshëm. Sigurisht autoritetet s’kanë lozur mendsh t’i besojnë shërbëtores me ngjyrë dhe horrit proletar, prandaj besojnë fjalët e aristokrates, duke e mbyllur historinë me pamjet nga karroca e drejtësisë që çon të lidhur drejt ndëshkimit ata të dy dhe Katerinën që tashmë e ka fituar lirinë, por pa lumturi, si një grua e thyer, në vetmi dhe me një fëmijë proletari në bark, por që zyrtarisht do të jetë trashëgimtari i asaj bote të ndyrë të cilën nuk mundi ta vrasë, pavarësisht krimit ndaj të tjerëve dhe shpirtit të saj.
Kjo histori e realizuar mrekullisht në film tregon më tepër se krimet e një gruaje të pasionuar marrëzisht pas jaranit. Ky është një moral romantik. Morali tjetër, ai historik dhe dialektik, flet akoma më shumë. Se gruaja, për shembull, dhe seksi i saj janë shtylla ku kofidikohet një pjesë e madhe e shtypjes qoftë në formën e trashëgimisë testamentare që mundëson vazhdimin e një bote që e ka humbur pasionin dhe arsyen për të ekzistuar, qoftë përmes kuadrit etik. Po kështu, se gruaja, me dëshirën për të qenë e lirë dhe e lumtur, është edhe shkatërruesja e këtij rendi, bashkë me shërbëtoren me ngjyrë dhe prolesin e dhembshur, të cilët, për ironi të fatit, nuk kanë arritur akoma të kuptojnë nevojën për liri dhe dhunën e domosdoshme për të dalë jashtë asaj bote. Ndoshta mund të duket skandaloze, por krimet e Katerinës janë të arsyetueshme. Fundja, ajo vrau një baba që urrehej prej të birit, një bir që urrente veten dhe një epokë që duhej të merrte fund. Vetëm një Lady Macbeth mund ta bënte atë. Vetëm një grua mundet ta kapërcejë paradoksin e tmerrshëm të lirisë: vdekjen në emër të jetës.
Prandaj, në fund të ditës, ndihem marrëzisht i dashuruar me Lady Macbeth-in.
Imazhi: BBC
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).