Një optikë ndryshe mbi arsimin

/Hector Schwarz/

Qysh me pagëzimin e epokës së shtetit-komb , klasa sunduese ka marrë përsipër kontrollin e arsimit për të promovuar, së pari, nacionalizmin lokal, dhe, së dyti, manipulimin e nënshtetasve përmes edukimit të njëanshëm ku përparësi u jepet zotërimit të aftësive vetjake, të cilat do t’u lejojnë të përballen me sfidat e jetës brenda tiranisë borgjeze si dhe me tregun e punës i cili përpihet nga pasiguria e vazhdueshme.  E si për çudi, të gjithë këtë manovër të sofistikuar e cilësojnë si emancipim.

Sot shembujt e këtij fenomeni janë të shumtë. Mjafton të lexoni kurrikulat e hartuara “për edukimin e qytetarit të devotshëm” për të parë se si politika e Ministrisë së Arsimit e çdo shteti mundohet të lentojë kulturën e përgjegjësisë individualiste, duke zhvendosur dhe prishur ekuilibrat brenda shoqërive dhe për të sharguar njerëzit duke i vënë ata përpara një antagonizmi sadomazokist. Politikat shtetërore orvaten të lëvrojnë “shpirtin e sipërmarrjes” në mënyrë që nxënësit/studentët të mësojnë qysh herët se si të shesin më me efikasitet veten e tyre në tregun e punës , i cili karakterizohet gjithnjë e më tepër nga fryma e një antagonizmi të theksuar ku më i forti ose ai me më shumë raporte klienteliste mbijeton brenda tiranisë së tregut.

Mesazhi që jepet është më se i qartë: Detyra jonë është formimi i vetes në favor të nevojave të shtetit kapitalist. Na duhet gjithashtu të familjarizohemi dhe ambientohemi me pasigurinë e tregut dhe të mos mendojmë se për problemet sociale mund të ekzistojnë edhe zgjidhje kolektive. Ato që u mësojnë nxënësve nëpër shkolla shtetërore e private është disiplinimi dhe indoktrinimi në një mendësi të caktuar dhe jo përgjegjshmëria individuale apo kolektive. Duke e bërë arsimin falas, ne, anarkistët, nuk mendojmë se ndryshon gjë për mirë, për sa kohë ky arsim do të jetë nën monopolin e shtetit borgjez.

Anarkizmi konsiston në refuzimin e organizimit të arsimit nga shteti apo privati. Shteti e sheh individin si pronë potenciale në shërbim të tij, kurse privati si klient të tregut arsimor. Në të dy rastet ajo që vihet re është formimi i nxënësit/studentit në funksion të shtetit dhe tregut ku operon. Rezultat i kësaj është fabrikimi i njerëzve pa mendim kritik dhe tërësisht të kontrolluar e nënshtruar nga aparati shtetëror dhe tregu.

Një nga parimet themelore të anarkizmit në lidhje me edukimin e gjeneratave është se edukimi duhet të inkurajojë dhe zhvillojë vlerat e reciprocitetit, voluntarizmit dhe solidaritetit si parakushte për të kaluar në një shoqëri ku dominon barazia kundrejt përgjegjësive. Edukatorët  anarkistë mendojnë se nëse nxënësit vijnë në kontakt të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin duke formuar grupe pune bashkëpunuese brenda një mjedisi solidar, liria e ndërveprimit  do të shihet si argëtim për ta, ndërsa detyrat si krijimtari e lirë dhe kurrsesi si angazhim.

Shkollat anarkiste janë para së gjithash komunitare dhe organizohen bashkërisht nga edukatorët, prindërit, punonjësit dhe kontributi komunitar në përgjithësi. Ato përbëjnë pjesë të pandashme të komunitetit apo lagjes dhe kanë rol të rëndësishëm për vetë ekzistencën e komunitetit lokal. Në disa eksperimentime – si shkolla Summerhill në Britaninë e Madhe, vendimet merreshin gjatë mbledhjeve të përgjithshme, nga ku nxënës dhe edukatorë kishin të drejta të barabarta opinioni dhe votimi. Në disa shkolla të tjera me frymë anarkiste, punonjës të sektorëve të ndryshëm vizitonin klasat për t’u mësuar nxënësve gjërat bazike të specialiteteve lëndore. Edukatorët anarkistë janë për një sistem holistik arsimi ku gërshetohet krijimtaria shpirtërore me punën praktike për të mbuluar nevojat e veçanta të nxënësve. Përpiqen pra të kultivojnë te nxënësi apo studenti dobinë e larminë së përvojave vetjake dhe kolektive në mënyrë që të shmanget përpjesëtimi i punës dhe përgjegjësive.

Për anarkistët kjo do të thotë se përtej debatit për shkolla/universitete shtetërore falas dhe të aksesueshme nga të gjithë, rëndësi të veçantë përbën pikësëpari debati mbi natyrën e deritanishme të sistemit arsimor shtetëror i cili jo vetëm që nuk është publik, por është i kapur tërësisht nga faktori shtet dhe nga institucionalizimi i dijes. Gjithashtu, vihet re gjithnjë e më shumë një orientim i politikave arsimore qeveritare drejt arsimit teknik në funksion të sistemit prodhues kapitalist dhe në disfavor të mendimit kritik. Mendësia është për të krijuar sa më shumë zanatçinj si burim potencial shfrytëzimi dhe jo njerëz autonomë e sovranë. Tarifat që vendos shteti apo institucionet arsimore janë vetëm maja e ajsbergut në një sistem arsimor i cili ka humbur çdo humanizëm duke u shndërruar në një mekanizëm gjakftohtë në funksion vetëm të kapriçove të tregut.

Imazhi: Feliphe Schiarolli/Unsplash

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.