Zgjedhjet pa universitet

/Dardan Konjufca/

Universiteti është i shoqërisë, i të gjithëve, pra është universal. Duke qenë burim i dijes dhe duke i dhënë njeriut  botëkuptimin e së tërës – universales – ai e sfidon partikularitetin e tij. Zhvillon mendimin dhe reflekton shumëpërmasisht në shoqëri . Pra universiteti nuk mund të jetë i një dore njerëzish, nuk mund të jetë privat. A nuk është një oksimoron ky që universiteti (universalja) të reduktohet,  t’u ngelet a jepet disave (partikulares)?!

Pikërisht kjo ka ndodhur dhe po ndodh çdo ditë me universitetet në Shqipëri, sidomos pas miratimit të Ligjit për Arsimin e Lartë në vitin 2015. Ky ligj mbolli farën e universitetit të ashtuquajtur neoliberal, për të prodhuar universitet të numrave e teknicienëve, pa kritikë, pa debat e pa rezistencë. Universitet të burokratëve dhe në dorën e të paktëve. Sigurisht në vazhdën e problemeve, manipulimeve dhe farsës universitare qëndrojnë edhe zgjedhjet universitare të muajit korrik 2020.

Së fundmi, Ministria e Arsimit ka shpallur datën për zgjedhjet në Universitetin e Tiranës. Sikur të mos mjaftonte situata aktuale me pandeminë Covid-19, ku studentët janë tashmë në udhëkryq me vitin akademik, shtyrjen e provimeve apo pamundësinë e qasjes në leksionet online, ndërkaq u pamundësohet edhe marrja pjesë në zgjedhje – për aq sa ia vlen të merret pjesë – për pozitat udhëheqëse të institucionit të cilin ata në fakt e banojnë. Në mënyrë qesharake data e zgjedhjeve në universitet është caktuar 30 korriku.

Edhe pa ndonjë analizë të thellë, secili e kupton se përmes këtyre zgjedhjeve po tentohet të kontrabandohet diçka. Si ka mundësi që dikush me logjikë të shëndoshë të caktojë një datë për zgjedhje brenda një institucioni, kur në atë kohë supozohet që ata që e konstituojnë atë si të tillë nuk do të jenë të pranishëm?! Deri më 30 korrik edhe shumica e pedagogëve do të kenë marrë pushimet vjetore e ndërkohë, ata që janë kryesorët de facto, edhe pse jo de jure, studentët do të jenë nëpër shtëpitë e tyre larg Tiranës e larg procesit të zgjedhjeve. Sipas të gjitha gjasave do të realizohet skenari, të cilin e ka paralajmëruar dhe një ndër aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin: mundësia që së shpejti të fillojë ndërtimi i kampusit të ri universitar me anë të koncesioneve. Për këtë qeverisë i duhen njerëz të besueshëm brenda universitetit dhe këta njerëz do t´i kontrabandojë në mes të verës.

Praktikisht këto zgjedhje do të zhvillohen pa universitet. Pra janë farsë dhe një gënjeshtër skandaloze.
Me këto zgjedhje merr fund dialektika student-universitet, pra universiteti. Ekzistojnë vetëm letrat, kutitë dhe numrat, si dhe disa frymorë që duan të përfitojnë.

Fundja, këto zhvillime janë fare mirë brenda logjikës që qeveria tashmë e ka instaluar brenda universiteteve. Siç thotë Chris Hedge: “Universiteti ‘modern’ është shndërruar plotësisht nga një bastion i humanizmit dhe mendimit kritik në një model të biznesit të korporatave, ku të pasurit dhe më të fortët banojnë në pozitat më të larta administrative […]. Studentët janë shitur (nxitur) se gjithçka ka të bëjë me pasjen e notave të mira. Studentët janë konsumatorë dhe udhëheqësit e institucioneve e administratës duan që mësimi thjesht të rrjedhë.”[1]

Tarifat nuk ulen edhe në situatë pandemie, pra vjelin paratë e studentëve në çdo mënyrë, ku ndonëse e kanë reduktuar peshën e votës në 10%, prapë nuk u intereson asfare nëse studentët kanë mundësi reale të shprehjes së vullnetit të tyre përmes votës. Studenti në këtë mes është më i zvarrituri dhe më i përbuzuri. Ai që në fakt duhet të jetë aktori kryesor në universitet.

Si aktivist i Lëvizjes Për Universitetin e dënoj farsën e dyfishtë të këtyre zgjedhjeve sepse besoj që universiteti është rezistencë e vazhdueshme. Nuk duhet ta shohim realitetin si statik, por në proces bërjeje dhe transformim të vazhdueshëm.[2] Besojmë se ka universitet vetëm atëherë kur ai nxit ngjarje që vendosin në dyshim, lëkundin e trazojnë rendin e normalizuar të padrejtësive në  shoqëri dhe në përgjithësi. Në këtë kuptim, kurrë nuk kishte më shumë universitet se në kohën e protestave të dhjetorit 2018 dhe janarit 2019. Për t’i transformuar gjërat, universitetit-dijes, i duhet lëvizja-politikja nga poshtë; organizim studentor në unione dhe jo këshilla fiktivë studentorë.  Për këtë lloj organizimi do të punojmë, deri në ndryshim të ligjit për Arsimin e Lartë, rritje dhe përfaqësim të votës studentore, tarifa zero dhe kushte më të mira – si parakusht drejt dijes dhe universitetit të të gjithëve.

Derisa ta bëjmë universitetin dhe shoqërinë, pasqyrë dhe reflektim.


[1] Hedges, Chris. (2010), Empire of Illusion: The End of Literacy and the Triumph of Spectacle.

[2] Freire, Paolo. (1968), Pedagogy of the Oppressed.

Imazhi: Lëvizja Për Universitetin

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.