Orëndreqësi

/Antonio Gramsci/

Flitet shpesh për një para dhe për një pas. Pritet një datë e prerë. Ne mendojmë se nuk ekziston një datë e prerë, dhe mendojmë se jemi posaçërisht ne vetëm sepse mendimi ynë rrok gjithnjë brenda jetës një mënyrë të qeni përjetësisht në përputhje me vetë mendimin tonë. Ndërmjet të zakonshmes jetë shoqërore të përditshme dhe të jashtëzakonshmes jetë të revolucioneve nuk ka dallim cilësor, por sasior: disa faktorë të caktuar më pak ose më shumë. Energjitë shoqërore aktive janë dukja ndijore dhe njerëzore e disa faktorëve të caktuar. Energjitë shoqërore aktive janë dukja ndijore dhe njerëzore e disa programeve të caktuara, e disa ideve të caktuara; në kohë normale ka një ekuilibër forcash qëndrueshmëria i të cilave ka një luhatje shumë të vogël; sa më të çrregullta dhe trillane të bëhen këto luhatje, aq më shumë thuhet se kohët janë gjëmëmadhe; kur ekuilibri priret të zhvendoset në mënyrë të papërmbajtshme, atëherë pranohet që kemi hyrë në një periudhë të re jetësore. Mirëpo risia është sasiore, jo cilësore.

Në gangën[1] shoqërore ka ndodhur  një gërmim më i thellë.Tani ganga po metalizohet e tëra, dhe i tërë metali i ri ka një vulë, vulën tonë.Mirëpo ky fenomen ka ekzistuar gjithnjë, sepse ne nuk jemi të ndryshëm nga dje, sepse ne e vazhdojmë të djeshmën tonë. Ne jemi pjesë e këtij fenomeni,ndërsa të tjerët i frikësohen atij. Ai është realiteti ynë, është konceptimi ynë, është kryevepra jonë historike, sepse më në fund të dy termat, konceptim dhe realitet, përputhen gjerësisht dhe jo në mënyrë fragmentare. Jeta e mendimit po zëvendëson inercinë mendore, indiferencën: ky është i pari mes ndryshimeve revolucionare. Një zakon i ri formohet: të mos pasurit frikë nga një fakt i ri: fillimisht sepse më keq se kështu nuk mund të bëhet, e më pas sepse bindemi se do të bëhet më mirë.

Procesi ideal ndaj regjimit ka nisur, shpallja e dështimit të tij ka nisur; ai e ka humbur besimin instiktiv, prej të nënshtruari, të indiferentëve, sepse ka mbyllur shumë dyer. Tani ka mbyllur përgjysmë një tjetër derë: atë të jetës, derën e furrtarit, derën e hambarit të drithërave. A do ta mbyllë ai të tërën? Pyetja angështuese përhapet mes radhëve të gjata të grave të cilat që në pesë të mëngjesit presin përballë furrës së bukës. Pyetja mbërrin te të gjithë, edhe te shtresat më të ulëta të pasivitetit shoqëror; troket dhe shkund vetë shtyllat e jetës. Dhe ganga metalizohet; të gjithë jetojnë; të gjithë ushqehen: burimet e jetës hapen dhe pasiviteti organizohet si mendim në mënyrë që të mbrohet.

Për tre vjet kanë gëzuar besimin e një pjese aktive të vogël të shoqërisë: kanë disiplinuar së jashtmi pasivitetin e paanë shoqëror, indiferentët: pjesa tjetër aktive, e cila nuk vuan së jashtmi, nuk ia ka dhënë besimin e saj dhe as ka bashkëpunuar me të. Tani edhe pasiviteti i paanë organizohet si mendim, disiplinohet, jo sipas skemave të jashtme, por sipas nevojave të jetës së tij dhe mendimit të tij që po lind. Nuk është i nevojshëm miratimi nga harmonia e paravendosur. Nëse e krahasojmë, sikundër bën Leibniz-i, shumësinë e këtij njerëzimi që po lind me orët e punishtes së një orëndreqësi, vëmë re ekzistencën e një akti përbashkues: harmonia e paravendosur, fakti se të gjithë shënojnë të njëjtën orë, të gjithë mendojnë njësoj, të gjithë i mundon i njëjti shqetësim nuk vjen si pasojë e një marrëveshjeje, një shkëmbimi vullnetesh. Shqetësimi vjen nga orëndreqësi i cili i vë në punë njëkohësisht të gjithë zemberekët, që vë në lëvizje sinkron të gjitha shtizat e orëve. Shqetësimi vjen nga orëndreqësi i cili ka krijuar një unitet të ri shoqëror, me stimuj të rinj – jo të jashtëm, por të brendshëm. Një unitet shoqëror më të gjerë se ai që ekzistonte dje, i përcaktuar nga e njëjta kauzë. Dje shqetësimi vinte nga marrëdhënia paplotësuese mes një mendimi të caktuar politik dhe një ekonomiku, mes një nevoje dhe një zhgënjimi. Sot ai vjen nga e njëjta marrëdhënie, por tashmë e shtrirë në një shumësi, pothuajse në të gjithë totalitetin. Dhe ky është vazhdimi i të djeshmes sonë, ai për ne është një vazhdimësi. Sepse jeta është gjithnjë një revolucion, një ndryshim vlerash, personash, kategorish, klasash. Por njerëzit revolucion quajnë revolucionin e madh, atë ku merr pjesë numri më i madh i individëve, i cili ndryshon një numër të madh marrëdhëniesh, që shkatërron një ekuilibër të tërë për ta zëvendësuar me një tjetër tërësor, organik. Ne dallojmë nga njerëzit e tjerë sepse e konceptojmë jetën gjithnjë si revolucionare; prandaj nesër botën që kemi ndërtuar nuk do ta shpallim si përfundimtare, por do ta lëmë gjithmonë hapur rrugën e përmirësimit; drejt harmonive sipërore. Ne nuk do të jemi kurrë konservatorë, as në një sistem socialist; por duam që orëndreqësi i revolucioneve të mos jetë një fakt mekanik si shqetësimi, por të jetë guximi i mendimit që krijon mite shoqërore gjithnjë e më sipërore e më të shndritshme.

E përktheu Alfred Bushi

Botuar në gazetën “Il Grido del Popolo”, me 18 gusht 1917

Imazhi: Norman Rockwell


[1] Në mineralogji me termin gangë përshkruhet çdo substancë minerare (si gëlqere, silic) e papërdorshme që shoqëron mineralin metalmbajtës të dobishëm. Sikundër kuptohet, Gramsci e përdor këtë term në mënyrë alegorike për të përshkruar shtresat me të ulëta e të vobekta të shoqërisë. (Shën. përkth.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.