Rishqyrtim i “Fermës së kafshëve”

/John Molyneux/

Artikulli në vijim është një diskutim i politikes në “Fermën e kafshëve“ të George Orwell-it. Si rregull, një qasje si vijuesja nuk do të rekomandohej si metodë marksiste për të analizuar një vepër letrare. Siç na kujton Trocki, një vepër arti duhet gjykuar fillimisht sipas ligjësisë artistike, kësisoj një novelë nuk mund të trajtohet sikur të jetë dramatizim i një traktati politik. 

Megjithatë “Ferma e kafshëve“ është përjashtim nga rregulli. Më shumë se një novelë në kuptimin e zakonshëm, vepra është qartazi një fabul politike – një alegori e pagabueshme e Revolucionit Rus dhe avancimit të stalinizmit – në të cilën personazhet simbolizojnë ose figura historike (Majori i vjetër/Karl Marksi, Topi i Borës/Leon Trocki), ose figura që kryejnë funksione shoqërore të caktuara (Moses/prifti, zogthi/ trupëzimi i aparatit të propagandës, qentë/ Direktorati Politik i Shtetit) – pra personazhe joreale ose të përafruara. Ngjarjet dhe komploti, të paktën në vija të përgjithshme, nuk janë krijesa të imagjinatës kreative, por të rrjedhës aktuale të historisë së Rusisë. 

Vetë Orwell-i shkruante për “Fermën e kafshëve“ se ishte i pari punim “në të cilin me ndërgjegje të plotë u përpoqa të përbashkoja qëllimin politik dhe atë artistik”[1], megjithëse do të ishte më e saktë të thuhej se në këtë rast artistikja i shërben politikes. 

Thënë kjo, nuk duhet menduar se “Ferma e kafshëve“ nuk gëzon merita artistike. Përkundrazi, në shumë mënyra është një kryevepër. Stili prozaik në dukje i thjeshtë, por tepër i mprehtë i Orwell-it e përmbush qëllimin e tij në kufijtë e të përsosurës, duke qenë në gjendje të përshtatet mjaft mirë me vështirësinë madhore artistike të një përpjekjeje të tillë; të shndërruarit e personazheve në të besueshëm njëkohësisht si kafshë dhe njerëz, ose më saktë si kafshë me veti njerëzore. Një ndërmarrje e tillë mund të binte lehtësisht pre e sentimentalizmit patetik të kartonëve të Disney-t, ose të shndërrohej në një ngjarje qesharake. Në fakt vepra u shpëton të dyja rreziqeve. Duke lexuar librin ne qeshim vetëm kur vetë autori e kërkon diçka të tillë, ndërsa kur Napoleoni dërgon qentë në përndjekje të derrave dhe kafshëve disidente, ndjejmë tmerrin e vërtetë të “Gjyqeve të Moskës“. Zgjidhja që Orwell-i i jep problemit është të na tregojë për personazhet e tij dhe atributet fizike të tyre, mjaftueshëm sa për t’u siguruar që nuk do të mund të harrojmë se personazhet mbesin kafshë, por jo aq sa t’i vizualizojmë me një qartësi të tillë e cila do ta bënte të folurën ose të punuarit e tyre të dukeshin absurde. E gjithë kjo është njëfarësoj litari akrobatik përshkrues, në të cilin Orwell-i për asnjë moment nuk dështon në mbajtjen e ekuilibrit. 

Gjithashtu, njëlloj si në “Vitin 1984“, Orwell-i sjell një vargëzim imazhesh të cilat u japin shprehi përvojave të totalitarizmit (“Vëllai i madh“, “Dhoma 101“, “Krim i menduar“, etj) dhe si të tilla zunë vend në kulturë, kësisoj në “Fermën e kafshëve“ gjejmë momente tepër të fuqishme, si amendimi përfundimtar i “Shtatë Urdhëresave“, në të cilin shkruhej: “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat“, dhe skena mbyllëse ku: “Krijesat nga jashtë shikonin herë derrin dhe herë njeriun, derrin më pas njeriun dhe anasjelltas, por tanimë ishte e pamundur të dalloheshin nga njëri-tjetri“.[2] Këto momente skaliten hermetikisht në kujtesë, duke pasqyruar mjeshtërisht me ironi tradhtimin e shpresave revolucionare dhe hipokrizinë cinike jo vetëm të stalinizmit, por të të gjithë sunduesve dhe shtypësve.[3]

Megjithatë, pavarësisht se suksesi i librit mund të jetë surprizues, arsyeja e këtij suksesi nuk është aspak e tillë. “Ferma e kafshëve” përgjithësisht mendohet të pasqyrojë në mënyrë të thjeshtë, dramatike dhe tepër efektive argumentet kryesore kundër socializmit dhe revolucionit – që socializmi mbetet utopi dhe të gjitha revolucionet pashmangshmërisht përfundojnë në tirani. Ky është argumenti kryesor për të diskutuar mbi këtë libër dhe ky diskutim të shtrohet në terma politikë. Idetë politike të “Fermës së kafshëve“ janë pjesë e kulturës dhe ndërgjegjes sonë. Ato luajnë një rol të konsiderueshëm në përpjekjen e vazhdueshme të socialistëve. Prandaj këto ide duhen analizuar dhe ballafaquar. 

Megjithatë, fakt mbetet që domethënia politike e “Fermës së kafshëve“ e eklipson atë artistike. Në terma të historisë së novelës, Orwell-i shfaqet më shumë si një figurë periferike e dorës së dytë: një zotërues i mirë i prozës, por i kufizuar vendosmërisht në shpërfaqjen emocionale dhe në aftësinë për të krijuar personazhe të gjallë, tridimensionalë. Një nga arsyet kryesore të suksesit artistik të veprës është pikërisht fakti që vepra arrin të jetojë në mungesë të kualiteteve të tilla. Politikisht, “Ferma e kafshëve“ mund të jetë vepra më e njohur dhe influencuese e propagandës letrare në gjuhën angleze, dhe ndoshta në  çdo gjuhë gjatë këtij shekulli. Suksesi absolut i librit është mahnitës. Sipas botimit të vitit 1987, libri është rishtypur 57 herë, përfshirë 3 herë brenda të njëjtit vit dhe, siç dihet, mbetet një nga veprat më të preferuara të mësuesve dhe pedagogëve të letërsisë. I vetmi rival i ”Fermës së kafshëve“ është “Viti  1984“, dhe duket se nëpërmjet këtyre librave fati i Revolucionit Rus është bërë i njohur më shumë se nga çdo burim tjetër. Qartazi përqindja e njerëzve që kanë lexuar “Fermën e kafshëve“ është në shifra astronomike më e lartë krahasimisht me ata që kanë lexuar Trockin, Deutshcer-in, Carr-in,Cliff-in ose të tjera punime serioze. 

Analiza duhet të nisë me një problem. Problemi është se “Ferma e kafshëve“ është një vepër “e djathtë” nga një shkrimtar “i majtë”. Kredencialet e majta të Orwell-it (të majta, por jo marksiste) janë të një rëndësie madhore: ai është autori i një sulmi të fuqishëm kundrejt imperializmit (Burmese Days), një investigimi empatik në jetët e të varfërve dhe më të varfërve mes tyre (Down and Out in Paris and London),një denoncimi të kushteve të të papunëve dhe klasës punëtore gjatë Depresionit (The Road to Wigan Pier) dhe, mbi të gjitha, është autor i “Homage to Catalonia“, një kremtim madhështor antistalinist i revolucionit spanjoll. Përtej këtyre, ai u bashkua në radhët e POUM-it dhe luftoi në Spanjë. Si ndodhi atëherë që një i majtë, i shquar për urrejtjen e sinqertë ndaj shtypjes dhe shfrytëzimit, të shkruajë një libër kaq të përdorur dhe të vlefshëm për të djathtën? 

Për një dilemë të tillë ka tri hipoteza potenciale: e para, gjatë kohës kur Orwell-i shkruante ”Fermën e kafshëve“ ai nuk ishte më i majtë;  midis viteve 1937 dhe 1943 pikëpamjet e tij ishin zhvendosur thelbësisht djathtas – e thënë thjeshtë, ai ishte shndërruar në një të shitur. 

Së dyti, “Ferma e kafshëve“ nuk është një libër i djathtë; në të vërtetë është kritikë e majtë ndaj stalinizmit, kritikë e cila është keqpërdorur dhe tëhuajtur nga klasa sunduese dhe sistemi arsimor. 

Së treti, “Ferma e kafshëve“ mendohet të jetë një libër i djathtë pavarësisht qëllimeve të autorit, dhe kjo mospërputhje midis qëllimit dhe rezultatit përfundimtar shpjegohet nëpërmjet kontradiktave të gjendura në botëkuptimin e tij politik, kontradikta të pasqyruara edhe në libër. 

Hipoteza e parë përbën një argument biografik i cili mund të refuzohet në mënyrë biografike. Është e vërtetë që nga “Homage to Catalonia“ në “Fermën e kafshëve“ gjurmohet një zhvendosje domethënëse djathtas. Orwell-i u kthye nga Spanja si një socialist i përkushtuar dhe i frymëzuar – madje revolucionar – dhe po mendonte që luftën në prag ta kundërshtonte në terma internacionalistë. Madje për të njëjtin qëllim mendonte të formonte një organizatë e cila do të vepronte në kushte ilegaliteti.[4] Por kombinimi i paktit Hitler-Stalin me fillimin e luftës e shndërroi në patriot ose, më saktë, shfaqi patriotizmin e tij të fshehur[5], dhe diçka e tillë pashmangshmërisht nënkuptonte kalimin nga rruga revolucionare në atë reformatore. Megjithatë, zhvendosja djathtas nuk ndodhi deri në atë shkallë sa ta degdiste Orwell-in në radhët e reaksionit. Subjektivisht ai mbeti socialist, mbështetës i laburistëve dhe i majtë. Në vitin 1943, vit kur filloi të shkruante “Fermën e kafshëve”, njëkohësisht ishte nismëtari i një rubrike të përjavshme në gazetën Tribuna, rubrikë e cila u publikua për vite me radhë. 

Për shkak të rrethanave politike të viteve 1943-4, “Ferma e kafshëve” nuk mund të jetë shkruar për qëllime oportuniste. Britania dhe Rusia ishin aleate, në kohën kur Rusia staliniste ishte në zenitin e popullaritetit të saj. Një libër qartësisht kritik ndaj regjimit sovjetik ishte kësisoj kundër rrymës mbizotëruese – një fakt i cili konfirmohet nga vështirësitë që hasi autori për të gjetur një shtëpi botuese. Pra “Ferma e kafshëve” kishte si qëllim të sulmonte stalinizmin nga pozicione brenda të majtës (çka është përmbajtësisht e ndryshme krahasuar me një kritikë nga e majta).[6]

Vetë Orwell-i deklaronte në vitin 1946:

 “Çdo rresht i punimeve serioze që kam shkruar që nga 1936 e tëhu, është shkruar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi kundër totalitarizmit dhe për socializmin demokratik, siç unë e kuptoj këtë të fundit.”[7] 

Meqenëse tanimë zotërojmë njohuri të mjaftueshme mbi nuancat politike të socializmit demokratik (emërtimi i të cilit pretendohet se është krijuar nga Roy Hattersley), nuk duket të ketë asnjë arsye për të vënë në dyshim qëllimin dhe ndershmërinë e një deklarate të tillë. Sipas të gjitha gjasave, sot Orwell-i do të ishte kritiku më i madh i mënyrës si janë përdorur veprat e tij, ashtu si në vitin 1948 kur u ndje i detyruar të lëshonte një deklaratë gjatë kohës që ishte në Amerikë, duke mohuar që “Viti 1948” ishte një sulm ndaj socializmit apo partisë laburiste të Britanisë.[8]

Megjithatë, qoftë në politikë, qoftë në letërsi, qëllimi nuk përkon medoemos me rezultatin dhe arritjet. Por refuzimi i hipotezës së parë, sipas së cilës Orwell-i ishte reaksionar i ndërgjegjshëm, nuk nënkupton medoemos pranimin e hipotezës së dytë: “Ferma e kafshëve” është një libër i majtë i keqinterpretuar nga sistemi. Ideja që “Ferma e kafshëve” dhe punimet e Orwell-it në tërësi mund të shpëtohen nga kthetrat e së djathtës për t’u shndërruar në pjesë të rëndësishme të traditës socialiste gëzon popullaritet të madh brenda së majtës. Diçka të tillë e kërkojnë me ngulm, sipas meje, sidomos ata socialistë për të cilët “Homage to Catalunia” ka qenë vepra politikisht formuese dhe kësisoj priren për ta lexuar pjesën tjetër të veprës së tij nën të njëjtin ngjyrim, duke e vështruar kështu “Fermën e kafshëve” si një përshkrim në ngjyrime trockiste të stalinizmit. 

Fatkeqësisht një interpretim i tillë duhet refuzuar. Së pari, nga eksperienca ime si mësues, një lexim i tillë nuk është “natyrali”, ose e thënë ndryshe, interpretimi i parë që i vjen në mendje lexuesit mesatar gjatë leximit. Në të kundërt, pjesa më e madhe e studentëve që lexojnë “Fermën e kafshëve” e shohin si një kritikë ndaj revolucionit dhe socializmit. Së dyti, siç do të përpiqem të tregoj në vijim teksa rrekem të argumentoj hipotezën e tretë, një interpretim i tillë nuk gjen mjaftueshëm bazë analitike të detajuar në tekst. 

Hipoteza e tretë përmban kontradiktën midis qëllimit dhe rezultatit, kontradiktë e gjetur në vetë mendimin politik të Orwell-it. Zanafillat e kësaj kontradikte e kanë gjenezën në kombinimin e dënimit etik që Orwelli i bën kapitalizmit me refuzimin e doktrinës marksiste dhe qasjen pesimiste ndaj klasës punëtore si forcë lëvizëse e socializmit. Kur bëhet fjalë për botëkuptimin politik personal të Orwell-it, elementi etik mjafton për të qenë subjektivisht i majtë, por kur ky kombinim paraqitet si një analizë historike (pavarësisht se në formë alegorie), përmbajtja objektive priret më të shumtën djathtas – dhe, në analizë të fundit, përforcon idenë që socializmi është pamundësi historike. 

Arsyeja pse përdor më të shumtën dhe në analizë të fundit është sepse në këtë vepër gjenden qartazi elemente të së majtës. Është e rëndësishme që këta elementë të veçohen dhe analizohen sepse përvetësimi i veprës nga e djathta ka bërë të mundur anashkalimin e tyre, gjithashtu për të kuptuar si dhe pse nuk kanë ndikuar mjaftueshëm në rezultatin përfundimtar. 

Elementi më madhor i majtë është dënimi pasionant i Majorit të vjetër ndaj shfrytëzimit dhe shtypjes brutale të kafshëve nga sundimi i njeriut. Qëllimi është të krijohet një paralelizëm me kritikën e Marksit ndaj kapitalit dhe shfrytëzimit të klasës punëtore nga borgjezia. Pra Orwelli jo vetëm që e mbështet kritikën, por e fton lexuesin të identifikohet me të.[9]

“Jeta e kafshëve është mjerim dhe skllavërim: kjo është e vërteta e thjeshtë… Atëherë përse vazhdojmë ta durojmë këtë gjendje të mjerueshme? Sepse gati i gjithë prodhimi i punës sonë zhvatet nga qeniet njerëzore.“ – thotë Majori plak dhe Orwell-i bie dakord me të. Rebelimi i kafshëve, ose revolucioni i punëtorëve, dhe mbrojtja e revolucionit të tyre në “betejën e stallës së lopëve” paraqiten si tërësisht të nevojshme dhe të justifikueshme, ndërkohë aspiratat e kafshëve për paqe, prosperitet dhe barazi shihen si fisnike dhe të dëshirueshme. Orwell-i e paraqet regjimin e vendosur nga Napoleoni dhe derrat e tjerë si të padallueshëm në tiraninë dhe shtypjen e tij nga sundimi i Njeriut në përgjithësi dhe i zotit Xhons në veçanti. Përgjatë librit, asnjë njeri (borgjez) nuk shfaqet ndryshe përveçse si shfrytëzues. 

“Ferma e kafshëve” përmban gjithashtu një qasje satirike ndaj rolit të fesë, shfaqur në karakterin e Mosesit, korbit të zbutur, i cili është “spiun dhe përçues mesazhesh“ dhe njëkohësisht një folës inteligjent që u tregon kafshëve mbi “malin e sheqerkave“, ku supozohet se do të shkojnë të gjitha kafshët pasi të vdesin. Mosesi përzihet nga kafshët e tjera gjatë rebelimit, por më pas lejohet të rikthehet nga derrat të cilët e përdorin për të njëjtin qëllim si zoti Xhons; kësisoj shumë nga kafshët nën ndikimin e tij “arratisen” përsëri në botën e përtejme të malit të sheqerkave. “Tanimë jetët e tyre, pasi arritën të arsyetojnë, janë të zhytura në uri dhe punë; a nuk do të ishte më e drejtë që një botë më e mirë të ekzistonte diku tej?“ [10]  Këtu Orwell-i qartazi po paraqet një version të thjeshtëzuar të analizës së Marksit mbi besimin dhe fenë.

Një tjetër aspekt kritik dhe antiautoritarist i “Fermës së kafshëve” është mënyra si i vështron justifikimet e derrave për privilegjet e tyre. Çarja e parë në principin e barazisë mes kafshëve ndodh kur, menjëherë pas rebelimit, këta të fundit shpërhapin pretendimet e tyre pronësore mbi qumështin dhe mollët:

“Zogthi u dërgua për t’u dhënë shpjegimet e nevojshme të tjerëve. 

‘Shokë‘, qau ai, ‘shpresoj se ju nuk mendoni se ne derrat po e bëjmë diçka të tillë për arsye privilegji dhe egoizmi? Shumë prej nesh në të vërtetë nuk e shijojnë qumështin dhe mollët, unë i pari. Qëllimi i vetëm në marrjen e këtyre të mirave është të ruajmë shëndetin tonë. Qumështi dhe mollët (kjo është provuar nga shkenca shokë) përmbajnë substanca tërësisht të domosdoshme për shëndetin e një derri. Ne derrat jemi punëtorë të trurit. Krejt organizimi dhe mbarëvajtja e kësaj ferme varet nga ne. Ditë e natë ne kujdesemi për mirëqenien tuaj. Për të mirën tuaj detyrohemi të pimë qumësht e të hamë mollë.”[11]

Këtu argumenti i Zogthit paraqitet si hipokrizi e zgjuar vetëshërbyese. Por duke bërë diçka të tillë, ai ekspozon jo vetëm justifikim stalinist për dyqanet e posaçme për anëtarët e Partisë dhe kështu me radhë, por edhe një nga argumentet kryesore të përdorur nga borgjezia për të justifikuar privilegjet e saj. Nëse nuk është e vërtetë që “punëtorët e trurit” nuk gëzojnë të drejtën morale për të pasur më shumë se punëtorët e tjerë, atëherë si mund të justifikohet fakti që avokatët fitojnë më shumë se pastruesit dhe menaxherët më shumë se minatorët?

Kësisoj është e arsyeshme t’u vihet në dukje admiruesve borgjezë të “Fermës së kafshëve” se kjo vepër e nxjerr sistemin e tyre si të ndërtuar mbi shfrytëzimin e pamasë, klasën e tyre si mizore dhe tiranike, besimin e tyre si të rremë dhe ideologjinë e tyre si mashtruese. Megjithatë, nuk do të tregoheshim të ndershëm me veten nëse nuk do të pranonim faktin që efekti i kësaj kritike të mprehtë sociale mohohet dhe eklipsohet nga diskreditimi që libri i bën socializmit dhe, përtej kësaj, çdo përpjekjeje radikale për të ndryshuar këtë gjendje zymtësie. Analiza konkrete e mënyrës si Orwell-i e bën këtë nxjerr në pah karakterin thellësisht reaksionar të “Fermës së kafshëve”. 

Fillimisht duhet kuptuar që alegoria vepron në dy nivele. Nga njëra anë një sërë personazhesh dhe ngjarjesh në këtë vepër përfaqësojnë figura dhe episode reale nga historia e Rusisë, për shembull Topi i Borës përfaqëson Trockin, debati i mbajtur në mullinjtë e erës simbolizon debatin e viteve 1920 mbi industrializimin, marrëveshja e Napoleonit me Frederikun simbolizon paktin Hitler-Stalin e kështu me radhë. Nga ana tjetër disa karaktere dhe ngjarje janë simbolike në një kuptim më të gjerë. Kështu zoti Xhons është borgjezia, ose ndoshta klasa sunduese në tërësi dhe jo vetëm Cari si i tillë; Kloveri, Molli dhe Delja simbolizojnë tipet e mirëpërcaktuara sociale (ose çka Orwell-i e percepton si të tillë) dhe i tejkalojnë kufizimet e karakterit specifikisht rus. Në këtë mënyrë “Ferma e kafshëve” është njëkohësisht një alegori e Revolucionit Rus dhe revolucionit në tërësi. Kësisoj vepra sugjeron, dhe sugjerimi ndërtohet në vetë strukturën e librit, se fati i Revolucionit Rus është fati i paracaktuar dhe absolut i të gjitha revolucioneve, të të kaluarës dhe të së ardhmes. Kjo ide përforcohet nga vendndodhja e historisë (Anglia), gjë që përcjell mesazhin se çdo revolucion në Angli është i destinuar të përfundojë në të njëjtën mënyrë. 

Tepër të rëndësishme në përhapjen e së njëjtës ide janë momentet në të cilat “Ferma e kafshëve” ndahet nga historia reale. Kjo linjë argumentuese mund të duket e paarsyeshme sepse një fabul prej 120 faqesh qartazi nuk mund të riprodhojë me saktësi absolute të gjithë kompleksitetin e Revolucionit Rus dhe degjenerimit të tij. Por në të vërtetë, një nga aspektet më të dalluara të “Fermës së kafshëve”, njëkohësisht një nga arritjet e pamohueshme, është aftësia për të përngjasuar me ngjarjet reale dhe sa shumë i përmbledh ato: jo vetëm revolucionin, ekzilin dhe përbaltjen e Trockit, por gjithashtu debatin mbi socializmin në një vend të vetëm[12], rezistencën e fshatarëve ndaj kolektivizimit (rebelimi i pulave), strategjinë e frontit popullor (ndryshimi i sloganit nga “Vdekje njerëzimit!” në “Vdekje Frederikut!”) dhe shumë detaje të një rëndësie relativisht të vogël. Sigurisht që të gjitha këto janë të thjeshtëzuara, por mbeten të tilla dhe jo shtrembërime. Në këtë kontekst, dy alternimet (dikush mund të thotë falsifikimet) e ngjarjes kanë rëndësi madhore. 

Më i dukshmi nga këto alternime është ai i karakterit të Napoleonit. Qartazi Napoleoni përfaqëson Stalinin, ashtu si Majori plak Marksin dhe Topi i Borës Trockin. Atëherë, kush e përfaqëson Leninin?  Orwell-i e paraqet rebelimin si të udhëhequr nga dy derra, Napoleoni dhe Topi i Borës. Kësisoj, në fermën e kafshëve figurat e Leninit dhe Stalinit sintetizohen në të njëjtin personazh. Diçka e tillë mbart rëndësi ideologjike të jashtëzakonshme. Ortodoksitë mbizotëruese, qoftë në Perëndim apo Lindje, secila për arsyet e tyre, kanë ngritur pretendime mbi vazhdimësinë logjike mes leninizmit dhe stalinizmit; të parët për të përbaltur marksizmin dhe vetë revolucionin si preludin e pashmangshëm drejt tiranisë; të dytët për të proklamuar veten si trashëgimtarë të revolucionarit madhështor. Pavarësisht nëse nga Orwell-i diçka e tillë ishte e qëllimshme ose jo, sintetizimi i Leninit dhe Stalinit u shërben qëllimeve të Perëndimit. 

Ekziston një larmi tezash sipas të cilave leninizmi shpie në stalinizëm. Sipas njërës prej tyre, Lenini ishte që nga gjenezat një personalitet totalitar i udhëhequr nga pasioni për pushtet vetjak; tjetra është konceptimi leninist i partisë burimi primar i së keqes totalitariane; sipas të tretës, vetë projekti revolucionar është mëkati fillestar, kësisoj Lenini dhe Stalini janë thjesht faza të ndryshme zhvillimore në logjikën e parapërcaktuar të revolucionit. Por në të gjitha rastet implikimet dhe përfundimet janë thellësisht reaksionare. 

Nëse në “Fermën e kafshëve” do të gjendej një personazh i veçuar i cili do të simbolizonte Leninin, kjo nuk do të mjaftonte për ta zgjidhur këtë problem, por të paktën do të mundësonte shtrimin e çështjes problematike brenda vetë tekstit. Në gjendjen e dhënë, shkrirja e Leninit dhe Stalinit në personazhin e Napoleonit pamundëson shanset për një zgjidhje potenciale dhe forcon përshtypjen e një degjenerimi të pashmangshëm të revolucionit në diktaturë. 

Keqintepretimi i dytë serioz i historisë përfshin vitet që pasojnë revolucionin dhe veçanërisht luftën civile (1918-1921). Në të vërtetë, kjo periudhë karakterizohet nga vuajtje të pamasa për popullin rus. Ekonomia ra në kolaps total, prodhimi industrial u shndërrua në hije të gjendjes së tij të mëparshme, sistemi i transportit u shkatërrua, sëmundjet dhe uria u përhapën ngado nëpër qytete, dhe kështu popullsia e Moskës dhe Petrogradit, qytete të cilat ishin zemra e revolucionit, u tkurr në mënyrë drastike. Ushtritë e të Bardhëve ishin tepër pranë zhdukjes përfundimtare të shtetit të sapokrijuar të punëtorëve; për të shmangur diçka të tillë regjimi ishte i detyruar të kanalizonte praktikisht gjithë burimet drejt nevojave të ushtrisë, përfshirë këtu sakrifikimin e një pjese numerikisht të konsiderueshme të sektorëve më të ndërgjegjshëm të klasës punëtore. Marrëdhëniet midis fshatit dhe qytetit u përkeqësuan deri në pikën e kundërshtisë së pakapërcyeshme për shkak të nevojës të mbledhjes së drithit. Regjimi bolshevik ishte i detyruar, e përsëris i detyruar, nga çështja për jetë a vdekje e ardhmërisë së revolucionit, të përdorte masa të ashpra dhe autoritare.[13]

Gjatë kësaj periudhe u krijuan premisat materiale për ekzistencën e burokracisë staliniste. Jo vetëm i krijuan precedentët e sjelljeve autoritare (monopoli politik i bolshevikëve, ndalimi i fraksioneve e kështu me radhë), të cilat do të përdoreshin më vonë nga Stalini për qëllimet e tij, por u shpërbë edhe vetë subjekti aktiv dhe forca udhëheqëse e revolucionit: proletariati industrial. “Të shpërngulur nga brazda e klasës së tyre”, siç shprehej asokohe Lenini, për shkak të luftës dhe kolapsit ekonomik, klasa punëtore reshti së ekzistuari si një kolektiv i cili mund të sundonte apo kontrollonte ata të cilët bënin diçka të tillë në emër të vetë klasës punëtore. Pikërisht këtu gjenden zanafillat e transformimit të zyrtarëve të shtetit dhe partisë në një burokraci të privilegjuar vetëshërbyese. 

Përgjatë këtyre kushteve historike u zhvillua përplasja midis Stalinit dhe Trockit në vitet 1920, me secilin prej tyre si përfaqësues të forcave shoqërore divergjente. Stalini udhëhoqi nevojën e burokracisë për t’u çliruar nga çdo ndikim dhe varësi ndaj klasës punëtore dhe aspiratën e saj për t’u shndërruar në një klasë të re sunduese. Trocki udhëhoqi rezistencën e dëshpëruar të asaj pjese të klasës punëtore dhe Partisë Bolshevike, e cila i mbeste besnike parimeve dhe qëllimit fillestar të revolucionit. Fitorja anoi kah Stalini jo sepse gëzonte veçori individuale superiore, por sepse në atë moment të caktuar historik forcat që ai përfaqësonte ishin më të fuqishme dhe të organizuara se klasa punëtore. 

Megjithatë në “Fermën e kafshëve” kjo periudhë tepër e rëndësishme pasqyrohet në mënyrë krejt tjetër. Vështirësitë madhore dhe kushtet katastrofike në vitet e hershme të revolucionit nuk gjenden asgjëkundi. 

“Si punonin dhe djersinin kafshët për të mbledhur barin e tyre! Por përpjekjet e tyre u shpërblyen sepse të korrat ishin sukses më i madh se ç’shpresonin… Për më tepër, ishin të korrat më të mëdha që kishte parë ndonjëherë ferma … Përgjatë gjithë verës puna në fermë ecte me saktësinë e orës. Kafshët ishin të lumtura më shumë nga ç’e kishin menduar ndonjëherë… Me largimin e qenieve parazitare njerëzore, të gjithë kishin më shumë për të ngrënë. Mbi të gjitha, të gjithë kishin më shumë kohë të lirë.”[14]

Rrënimi i shkaktuar nga lufta civile gjithashtu nuk përmendet ndokund. Beteja e stallës së lopëve, e cila përkon me luftën civile, është një fitore e lehtë për kafshët dhe zgjat vetëm pesë minuta. Të vetmet dëme ishin një njeri i kalamendur dhe një dele e vdekur. Procesi i punës në fermë nuk ndërpritet për asnjë moment. 

Efekt i këtij keqintepretimi është privimi i shfaqjes dhe avancimit të regjimit të derrave/stalinizmit nga çdo shkakësi apo zanafillë materiale. Beteja mes Napoelonit/Stalinit dhe Topit të Borës/Trockit reduktohet në thjesht një rivalitet personal mes individësh të cilët zotërojnë temperamente konfliktuale. Madje dhe çështja qendrore e socializmit në një vend të vetëm, të cilës i atribuohet më pak kohë dhe rëndësi se debati i mullinjve me erë/industrializimit të vendit, trajtohet si një ushtrim logjike, një nga shumë argumentet pa rëndësi madhore në fatin e fermës/revolucionit. 

“Si zakonisht, Topi i Borës dhe Napoleoni kishin mosmarrëveshje. Sipas Napoleonit, çka duhej të bënin kafshët ishte prodhimi i armëve të zjarrit dhe të stërviteshin në përdorimin e tyre. Ndërkohë Topi i Borës mendonte se kafshët duhet të dërgonin gjithnjë e më shumë pëllumba lajmëtarë dhe të ndiznin rebelimin mes kafshëve të fermave të tjera. Njëri prej tyre ishte i mendimit se nëse nuk do të mundeshin të mbronin veten, gjasat e një pushtimi ishin të mëdha, tjetri besonte se nëse rebelimet përhapeshin kudo, nuk do të ishte më nevoja të mbronin veten.”[15]

Mungesa e ndikimit të kushteve materiale në veprën e Orwell-it ndikon në shfaqjen e aspektit më reaksionar të veprës së tij: shpjegimi i arsyeve pse Rebelimi/Revolucioni nuk i përmbushi pritshmëritë e tij. Një shpjegim i tillë është farkëtuar tërësisht brenda kornizave të konfliktit të qëllimit utopik revolucionar për barazi, liri dhe demokraci nga njëra anë, dhe karakteristikave natyrore, absolute dhe të pandryshueshme të kafshëve nga ana tjetër. 

Kështu, lakmia dhe epshi për pushtet i derrave ishte i pashmangshëm që nga momenti i rrëzimit të zotit Xhons dhe është i vlefshëm për të gjithë derrat pa përjashtim. Orwell-i e thekson diçka të tillë kur shkruan mbi zhvatjen e gjithë qumështit dhe mollëve: “Të gjithë derrat ishin në dakordësi të plotë… madje edhe Topi i Borës”. [16]  Rezistenca ndaj Napoleonit, fillimisht nga Topi i Borës dhe më pas nga katër derrat e tjerë, të cilët protestojnë pas ndalimit të mbledhjeve të së dielës, nuk përshkruhet në asnjë moment si revoltë e drejtuar ndaj sundimit të derrave apo privilegjeve të këtyre të fundit. Asnjë arsye nuk jepet për korruptimin unanim të derrave, por thjesht paraqitet si diçka e dhënë dhe e mirëqenë – shprehi e paevitueshme e natyrës së derrave. 

Themeli i sundimit të derrave, është sigurisht, inteligjenca e tyre superiore. [17]  Inteligjenca, njëlloj si lakmia, paraqitet si e lindur, “detyra e të mësuarit dhe organizmit të të tjerëve, u takonte natyrisht derrave, të cilët njiheshin gjerësisht si më të zgjuarit mes kafshëve”. [18] Udhëheqja e Napoleonit dhe Topit të Borës është gjithashtu diçka “e natyrshme” në origjinat e saj. “Të shquar midis llojit të tyre ishin dy derrat e egër të quajtur Napoleon dhe Topi i Borës. Të gjithë të tjerët ishin derra që rriteshin për t’u therur.” [19]  Po dosat?! Epo, “natyrisht”, nuk ia vlen të përmenden!

Orwell-i nuk humbet asnjë mundësi që i paraqitet për të përforcuar të njëjtin mesazh. “Gjatë votimit të parë nëse minjtë ishin apo jo shokë të betejës, kishte vetëm katër kundërshtues, tre qentë dhe macja.”[20] Delja sillet nga fillimi gjer në fund si një “dele” dhe Molli, ‘e bukura dhe naivja pelë e bardhë’ e cila bënte gjithnjë ‘pyetjet më të pakuptimta’[21], vetëm sa po tregohet besnike ndaj natyrës së saj kur tradhton shokët te Njeriu për hir të sheqerkave dhe kordeleve zbukuruese.[22] Në të vërtetë, asnjë kafshë në këtë vepër nuk arrin të zhvillohet apo të arratiset nga burgu dhe fati i paracaktuar i karakterit të brendësuar. 

Një këndvështrim i tillë është thellësisht konservator dhe ngjyrimet e krahut të djathë dalin në pah kur shtrohet pyetja: çfarë e bënte të mundur uzurpimin e lehtë të pushtetit nga Napoleoni? Sipas Orwell-it, përgjigjja gjendet në thelb në marrëzinë e kafshëve të tjera. Naiviteti i tyre theksohet përgjatë gjithë veprës. Në të parat ditë “heroike” të rebelimit, të gjitha vendimet merreshin nga asambleja e përgjithshme ose ndryshe “takimet” (sovjetët), por demokracia ishte fatalisht e cenuar dhe me të meta si pasojë e mungesës së inteligjencës nga shumësia e kafshëve. “Ishin gjithnjë derrat ata që paraqisnin rezolutat. Të tjerët e kuptonin si duhej votuar, por kurrë nuk mund të mendonin ndonjë rezolutë të tyren.”[23] Për të njëjtën arsye dështon përpjekja e Topit të Borës për të përfshirë të tjerët në kurset e leximit dhe shkrimit[24], arsye kjo e një rëndësie madhore, e cila mundëson manipulimin e vazhdueshëm të kafshëve sa i takon Shtatë Urdhëresave. 

Po nëse të gjitha kafshët (me përjashtim të derrave) janë budallaqe, në dukje vihet veçanërisht karakteri prej budallai i Bokserit, kalit të karrocës, i cili simbolizon punëtorin e zakonshëm, të ndershëm dhe të keqpaguar. Bokseri është i rëndësishëm sepse vetëm ai, njëlloj si klasa punëtore, zotëron fuqinë e nevojshme për t’u përballur me Napoleonin dhe qentë e tij. Qartazi autori e ka kuptuar si duhet fuqinë e klasës punëtore sepse kujdeset ta paraqesë sa më dramatikisht të jetë e mundur. Në skenën analoge me Gjyqet e Moskës, Napoleoni i ka urdhëruar qentë të ruanin katër derrat disidentë. Qentë pasi kishin shijuar gjakun e derrave, u përplasën me Bokserin:

“Bokseri i vuri re tek vinin, kështu bëri gati thundrën e tij gjigande, e kapi njërin prej tyre në ajër dhe e përplasi në tokë. Qeni filloi t’i lutej për mëshirë dhe të tjerët ikën me bishtin ndër këmbë. Bokseri ngriti kokën drejt Napoleonit për të kuptuar nëse duhej të shtypte qenin apo ta linte të ikte.”[25]

Bokseri e zotëron fuqinë e nevojshme, por kurrë nuk e shfrytëzon atë. Në çdo rast Napoleoni dhe Zogthi arrijnë t’i hedhin hi syve. Diçka e tillë ndodh sepse ai është i marrë dhe budalla. Përgjigja e tij ndaj çdo rasti korrupsioni, shtypjeje e çdo gënjeshtre të re është përsëritja nënshtruese dhe patetike e frazës “Napoleoni ka gjithnjë të drejtë” dhe “Unë do të punoj më shumë”. Bokseri nuk është budalla vetëm prej rrethanave, por në mënyrë të pandreqshme i tillë. Kur Bokseri shfaqet për herë të parë, gjërat e para që përmenden janë forca dhe budallallëku i tij:

“Bokseri ishte një bishë e jashtëzakonshme…. i fortë sa dy kuaj të zakonshëm shtëpie… gëzonte njëfarësoj paraqitjeje idioteske dhe në fakt nuk shquhej për inteligjencë të theksuar.“[26]

Kështu marrëzia e tij arrin t’i rezistojë çdo tentative për edukim. Pavarësisht përpjekjeve të mëdha, ai nuk mund të mësojë alfabetin përtej shkronjës D. 

Ç’paraqitje e gabuar dhe tendencioze e klasës punëtore! Afërmendsh, zhvillimi intelektual i punëtorëve dëmtohet nga kushtet shoqërore, nga varfëria, edukimi i cunguar dhe puna e tëhuajtur. Sigurisht që në kohë normale pjesa më e madhe e punëtorëve, disa më pak e disa më shumë, dominohen nga idetë e klasës sunduese. Po këto karakteristika nuk janë as të lindura, as të pandryshueshme. Në momentet vendimtare të betejës klasore punëtorët “e zakonshëm“ shfaqin iniciativë dhe kreativitet të jashtëzakonshëm, madje dhe në thellësitë e reaksionit, kur besimi për të rezistuar haptazi është shtypur, punëtorët nuk janë kurrë aq budallenj, të palogjikshëm dhe të nënshtruar sa ç’i paraqet autori në këtë vepër. 

Tanimë është momenti i duhur për të pasqyruar shkurtimisht mesazhin politik që shfaqet në alegorinë oruelliane të degjenerimit të revolucionit. 

Pra ndërkohë që rendi i vjetër është padyshim mizor dhe shfrytëzues, përpjekja për të krijuar një rend të ri barazie dhe lirie është e destinuar të dështojë sepse gjendet në kundërshti me disa karakteristika të pandryshueshme të natyrës njerëzore. Ndarja e shoqërisë në sundues dhe të sunduar, shfrytëzues dhe të shfrytëzuar është e pashmangshme sepse buron nga pabarazitë “natyrore“, veçanërisht pabarazitë në inteligjencë dhe dije. Revolucionet barazimtare nuk mund të përmbushin qëllimin e tyre sepse (a) gjithnjë do të ekzistojë një elitë (intelektualët, udhëheqësit, superiorët), e cila do të përpiqet ta përdorë revolucionin për nevojat e saj; (b) elita do ia dalë gjithnjë sepse shumësia e njerëzve të zakonshëm, veçanërisht punëtorët e industrisë, janë të paaftë intelektualisht të organizojnë prodhimin dhe të udhëheqin demokratikisht shoqërinë – klasa punëtore nuk mund ta emancipojë vetveten. 

Kësisoj, nuk është aspak çudi që “Ferma e kafshëve“ është përqafuar nga e djathta sepse vetë vepra përqafon dy nga themelet ideologjike të së djathtës: klasa e privilegjuar gëzon të drejtën të jetë e tillë për shkak të superioritetit individual dhe një sistem më i mirë është utopik sepse masat janë inferiore. Borgjezia është tepër e gatshme të pranojë që jeta nën sundimin e elitës mund të jetë e ashpër dhe plot me padrejtësi – në momente të caktuara është në avantazhin e saj të pranojë diçka të tillë –përderisa nuk ekziston alternativa ndaj këtij sundimi. 

Fakti që vetë Orwell-i nuk e kremton një përfundim të tillë, e shpreh me dhimbje, e sheh moralisht të gabuar, fakti që ai sinqerisht shqetësohet për të varfrit dhe të shtypurit dhe se diçka e tillë nuk formulohet haptazi por ngrihet spontanisht nga thellësitë e historisë, shërben për të forcuar akoma më shumë pozitat ideologjike të së djathtës. 

Çfarë e shkakton këtë kontradiktë të thellë në botëkuptimin e autorit? Sipas meje, kontradikta është produkt i dy faktorëve të cilët ndërveprojnë dhe ndikojnë mbi njëri-tjetrin. 

Fillimisht prejardhja e tij klasore. Orwell-i, ose ndryshe Eric Blair-i,u lind në një familje të shtresës së mesme gjatë kohës së Britanisë imperiale dhe u edukua në shkolla si Wellington-i dhe Eton-i. “Në fëmijërinë time të hershme, mua dhe të tjerëve të ngjashëm me veten, ‘të zakonshmit’ na dukeshin gati-gati si krijesa jonjerëzore.”[27] Sigurisht që Orwell-i e braktisi këtë botëkuptim, karrierën si nëpunës i shtetit, refuzoi shumë nga vlerat e klasës së tij dhe u shndërrua në një luftëtar në të mirë të njerëzve “të zakonshëm“. Por “tradhtia“ ndaj klasës së tij nuk ishte e plotë. Orwell-i nuk u shndërrua në militant të lëvizjes punëtore, as nuk arriti të përbrendësonte botëkuptimin e tyre, domethënë marksizmin.[28]  Ai mori mbi vete rolin e një vëzhguesi të ndërgjegjshëm i cili, teksa hulumtonte kushtet e punëtorëve dhe të varfërve, njëkohësisht ruante pavarësinë individuale. Gjatë këtij procesi ai kurrë nuk e humbi skepticizmin mbi kapacitetin politik të klasës punëtore. Si shumë aspekte të tjera të qasjes së tij psikologjike ndaj klasës punëtore, kjo shprehet në mënyrë të kulluar në veprën “The Road to Wigan Pier“:

“Gjëja e parë që dallohet nga një vëzhgues i jashtëm është se socializmi në formën e tij të zhvilluar mbetet një teori tërësisht e shtresës së mesme…. një punëtor, për aq kohë sa mbetet i tillë, nuk është kurrë mirëfilli socialist… aq sa më ka mësuar përvoja, asnjë punëtor nuk arrin të përbrendësojë socializmin në formën e tij të plotë… Sa i përket aspektit filozofik të marksizmit… ende nuk kam takuar një punëtor i cili të ketë interesin më minimal ndaj tij… Ende nuk kam mundur të takoj një minator, punëtor çeliku, përpunues pambuku ose çfarëdo punëtori tjetër që të zotërojë baza të shëndosha ideologjike.”[29]

Këta rreshta të ashpër në pamje të parë duken si një sulm ndaj intelektualëve të shtresës së mesme, por nën to fshihet diçka tjetër. Socializmi në formën e tij të zhvilluar mbetet një fenomen i shtresës së mesme sepse punëtorët nuk mund të kuptojnë si duhet idetë e mëdha politike. Pohimi bëhet gjithnjë e më shumë absurd kur kujtojmë që vepra u shkrua falë ndihmesës së punëtorëve të organizuar politikisht. 

E njëjta ide përshkon pasqyrimin e proletarëve në “Vitin 1984 “si milingona që mund të shohin objektet e vogla, por jo të mëdhatë, dhe njerëz që kurrë nuk kanë mësuar si të mendojnë”. Madje edhe në përjashtimin e madh , “Homage to Catalonia”,fuqia e përshkrimit që Orwell-i i bën një qyteti të udhëhequr nga klasa punëtore buron pikërisht nga habia që ndjen nga mundësia e diçkaje të tillë.[30]

Faktori i dytë, dhe qartazi më i rëndësishmi objektivisht, është zymtësia karakterizuese e kohës kur jetoi Orwell-i: ‘mesnata e shekullit’ të Victor Serge-it, ardhja në pushtet e Hitlerit dhe Stalinit, gjyqet e Moskës, tradhtia ndaj revolucionit spanjoll, triumfi i Frankos dhe Lufta e Dytë Botërore. Është i kuptueshëm gjunjëzimi i Orwell-it ndaj rëndesave kaq madhore dhe, i ndikuar nga to, kredhja në pesimizëm, cinizëm dhe dëshpërim. Që të tilla ngjarje ndikuan në rijetësimin e frikave dhe paragjykimeve të së kaluarës të tij mbi klasën punëtore nuk shkakton aspak habi. Anasjelltas, është e vetëkuptueshme që nëse stalinizmi dhe fashizmi do të ishin mposhtur nga triumfi i socializmit internacional, “Ferma e kafshëve” dhe “Viti 1984” nuk do të ishin shkruar kurrë. Por kuptimi i rrethanave sociale që sjellin në jetë një mesazh të caktuar, nuk e ndryshon faktin që mesazhi në vetvete mbetet problematik dhe në kundërshti me socialistët e mirëfilltë. 

Ky rivlerësim më së shumti negativ i aspektit politik të veprës së Orwell-it pres të ndeshet me kundërshtimin se nuk po i kushtoj rëndësinë e duhur kurajës antistaliniste të autorit. Nuk dëshiroj aspak ta përbalt apo mohoj kurajën në fjalë, por qëllimi im është shqyrtimi i librit dhe jo i njeriut pas tij si i izoluar nga vepra, dhe njëlloj duhet kujtuar se kuraja mund t’u shërbejë kauzave dhe qëllimeve nga më të ndryshmet, disa syresh thellësisht reaksionare. Gjithashtu duhet kujtuar se nga pozicioni i socializmit revolucionar kritika antistaliniste është esenciale, por jo e vetëmjaftueshme.

Antistalinizmi i pabazuar mbi një analizë materialiste shkencore të degjenerimit të Revolucionit Rus dhe përkushtimin ndaj vetemancipimit të klasës punëtore, por mbi refuzimin moral të metodave totalitare, përafrohet dhe mund të shpjerë në liberalizëm, fobi ndaj stalinizmit dhe antikomunizëm të djathtë. Një ekzaminim i trajektores oruelliane pas “Fermës së kafshëve” mundëson shfaqjen e tendencave të tilla, përfshirë vështrimin e komunizmit, madje dhe këtu në Perëndim, si armikun kryesor. Procesi i devijimit kulmon në “Viti 1984”, por rrënjët e tij gjenden dukshëm në “Fermën e kafshëve”. 

Shënime:

1. G. Orwell, “Collected Essays, Journalism and Letters” (CEJL) (London 1968), Vol. 1, f. 7.

2. G. Orwell, Animal Farm (London 1987), f. 120.

3. Raymond Williams-i ka të drejtë të sugjerojë  për të  parin nga këto momente që është ‘një  nga deklaratat permanente mbi boshllëkun midis shtirjes dhe së  vërtetës, profesionit dhe praktikës”, ndërsa për të dytin që “Duke parë që janë të njëjtë përderisa sillen si të tillë, nuk i duhet kushtuar rëndësi emërtimeve dhe formaliteteve: ky është moment i ndërgjegjes së përftuar, një zbulim potencialisht çlirimtar”. (R. Williams, “Orwell” (Glasgow 1971), f. 74).

4. CEJL, Vol. 1, pp. 377–8.

5. Shih: CEJL, Vol. 1, f. 539, dhe R. Williams, op. cit., pp. 63–64.

6. Në hyrjen e botimit ukrainas ai shkroi: Gjatë 10 viteve të fundit kam qenë i bindur se shkatërrimi i mitit Soviet ishte esencial nëse duam një rijetësim të lëvizjes socialiste”  CEJL, Vol. 3, f. 405.

7. CEJL, Vol. 1, f. 5.

8. Shih: CEJL, Vol. 4, f. 502.

9. Duhet theksuar se Orwell-i përqafon dënimin moral që i bën Marksi kapitalizmit dhe jo teorinë e tij mbi historinë. Orwell-i nuk ishte teorikisht marksist për asnjë moment dhe kishte njohuri sipërfaqësore mbi doktrinën. 

10. “Animal Farm”, f. 100.

11. “Animal Farm”, f. 32.

12. Shih: “Animal Farm”, f. 46.

13. Faktet bazike mbi këtë periudhë duhet të jenë të njohura për lexuesit e International Socialism. Megjithatë punimi më i mirë mbetet ai T. Cliff-it “Lenin”, Vol. 3, The Revolution Besieged (London 1978).

14. “Animal Farm”, ff. 25–26.

15. Ibid., f. 46,

16. Ibid., f. 32.

17. Dallo kontradiktën midis këtij episodi dhe atij me zhvatjen e mollëve! Nga ana etike, Orwell-i e refuzon inteligjencën superiore si justifikim për privilegjet, por sociologjikisht e sheh si bazën e ndarjes klasore. 

18. “Animal Farm”, f. 15.

19. Ibid.

20. Ibid., f. 11.

21. Ibid., f. 16.

22. Personazhi i Mollit përfaqëson një stereotip seksist, simptomë e sjelljes së Orwell-it ndaj grave. 

23. “Animal Farm”, f. 28.

24. Këtu gjendet një tjetër kontradiktë interesante, e cila mund të ilustrojë konfliktin midis qëllimit dhe zbatimit të tij, midis synimit të ndërgjegjshëm dhe supozimeve të nënndërgjegjes. Në faqen 29 ai shkruan: “Lëndët e shkrimit dhe këndimit ishin një sukses i madh. Para vjeshtës, pothuajse të gjitha kafshët i përvetësuan në një shkallë të caktuar.” Por në faqen 30, kur futet në detaje, del se përveç derrave, vetëm qentë, Murieli (dhia) dhe Benxhamini (gomari) kishin mësuar të lexonin. Shumësia e kafshëve nuk shkojnë përtej shkronjës A. 

25. “Animal Farm”, f. 72.

26. “Animal Farm”, f. 6.

27. G. Orwell, “The Road to Wigan Pier” (Harmondsworth 1987), f. 10.

28. Koha e Orwell-it me POUM-in duket se e kundërshton diçka të tillë, por qëllimi i tij fillestar ishte të ‘mblidhte materiale për artikuj gazetash etj.’ (Shiko: R. Williams, vep. cit., ff. 54–55.)

29. “The Road to Wigan Pier”, ff. 152–5.

30. Për këtë vëzhgim i detyrohem Charlie Hore-it.

E përktheu Frenklin Elini

Marrë nga Arkivi në Internet i Marksistëve

Imazhi: New Hazlett Theatre

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.