Z.President, unë jam i uritur!
/Klodi Leka/
Z.President, unë jam student, i varfër dhe i uritur, dhe nuk me vjen turp ta pohoj. Jam edhe djalë i një familjeje punëtore tashme të dalë në pension, që për dekada me radhë ndërtoi shtetin tonë me punë rraskapitëse dhe thuajse vullnetare. Jam edhe shok i sa e sa studentëve të uritur, të varfër e periferikë, me familje punëtore e të papuna, që rrojnë me gjysma burse e asistencë sociale po aq.
Po, jam i uritur dhe i varfër. Po, jemi të uritur dhe të varfër. Ndokush mund të mos e besojë se në shekullin ku jetojmë, ne shekullin e çokollatës dhe demokracisë, ekzistojnë njerëzit e uritur. Dhe jo pak, me qindra e me mijëra. Por po, ekzistojnë. Të jesh i uritur do të thotë të shtrydhesh bubullimat e barkut me byrekë, bukëmedyqofte dhe ndonjë sanduiç çmimkripur. Të jesh i uritur do të thotë të drejtohesh për nga mensa gjoja studentore dhe të porositesh dy gjysmëpjata oriz e fasule për thuajse dymijë lekë të vjetra e të ikësh prej saj i pakënaqur. Ose të marrësh dy panine me një kos. Apo, pasi të hash pilaf a bukë me kos, t’i rrasësh një çokollate të lirë sa për të qetësuar angështinë e stomakut.
Për tri vite me radhë, unë dhe shumë studentë të tjerë rralle mbajmë mend të kemi ngrënë sa jemi kënaqur! Dhe kur ndodh, bëhet batute, histori për t’u rrëfyer mes miqsh të tjerë se sa bukur ia kaluam. Ato çaste, mes haresë dhe buzëqeshjeve, heshturazi kuptojmë se sa mizore dhe përbuzëse është ndjesia e të pasurit uri. Jo pak studentë kanë shitur gjithçka, edhe shpirtin, për t’i ikur këtij makthi.
Se nuk kemi ç’të bëjmë tjetër, ja pse! Bursa që jep shteti ynë është gjysmake dhe qesharake. Rreth pesëmijë leke të reja. Pjesën tjetër, na i çon familja, që heq kafshatat e bukës nga goja për të na ndihmuar. Që do të thotë pesëmijë lekë të asistencës sociale dhe diçka më tepër, të kursyera a të marr borxh. Kjo është ekonomia jonë.
Por edhe pse të varfër e të uritur mendonim se pesëmijë lekëshi nuk ishte e vetmja mundësi e jona, sepse prindërit tanë kishin prodhuar goxha pasuri publike: universitete e konvikte, qytete e institucione, ku ne do të drejtoheshim pa e vrarë mendjen për shumat marramendëse. Me pak fjalë kishin ngritur një Republikë ku njeriu ka të drejtë të arsimohet, të punojë e të jetojë i lirë pavarësisht thellësisë së xhepave. Por pamë se konviktet publike kushtonin më shtrenjtë se apartamentet private, qyteti kishte rrugë sa ke para, dija shitej si në tregun e gjësë së gjallë dhe, së fundmi, me kalimin parlamentar të reformës për arsimin e lartë pamë se tashmë as shteti dhe as universiteti nuk ishin me tanët, të popullit. Në këtë pikë, Republika ka rënë.
Z.President, unë jam i uritur, i varfër dhe republikan! Diçka dua të them. Republika nuk mbahet në këmbë me qytetarë të shtypur e të uritur. Republika është rend politiko-shoqëror që lindi si reagim kundër urisë dhe shtypjes, nga të uriturit dhe të shtypurit, për një jetë më të mirë. Është në dorën tuaj që të ndaloni rrëzimin e Universitetit dhe Republikës. Gjithmonë duke sjelle ndërmend se ç’mund t’u bëjnë atyre që janë lart të varfrit e të uriturit në çastin e (ri)ngritjes së një Republike.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.