Kritikë e demokracisë përfaqësuese

/Robert Paul Wolff/

Robet Paul Wolff-i është një prej filozofëve politikë bashkëkohorë më në zë në SHBA. Megjithëse specialiteti i tij filozofik orientohet kah interpretimi i filozofisë kantiane dhe asaj marksiste, një nga libërthat më interesantë dhe të shumëlexuar të tij është “Në mbrojtje të anarkizmit”, nga i cili është shkëputur pjesa e mëposhtme. Për ta sintetizuar mendimin e tij mund të citohet kur thotë: “Në politikë jam anarkist, në fe ateist dhe në ekonomi marksist.”

***

Më së pari dua të merrem me vështirësitë e asambleve të cilat në teorinë e demokracisë kanë prodhuar nevojën e përdorimit të instrumentit të parlamentit përfaqësues. Përfaqësimi zgjidh dy probleme: së pari, numri total i qytetarëve mund të jetë aq i madh sa ta pamundësojë mbledhjen në një dhomë apo në fushë të hapur; dhe së dyti, puna e qeverisë mund të kërkojë vëmendje dhe zbatim të vazhdueshëm që vetëm pasanikët e ngeshëm apo politikanët e karrierës mund t’i përballojnë.

Mund të shquajmë disa lloje përfaqësimesh, prej delegimit të thjeshtë të së drejtës së votës deri te dhënia e të gjitha funksioneve vendimmarrëse. Çështja është nëse ndonjëra prej këtyre formave të përfaqësimit e ruan siç duhet autonominë që ushtrojnë njerëzit nëpërmjet vendimeve të marra unanimisht nga e gjithë bashkësia. Shkurt, a duhet që një njeri i përgjegjshëm të zotohet t’i zbatojë ligjet e hartuara nga përfaqësuesit e tij?

Lloji më i thjeshtë i përfaqësimit është agjencia strikte. Nëse jam i paaftë për të marrë pjesë në asamblenë ku hidhen votat, mund t’i drejtohem me dorëzani një agjenti duke i dhënë instruksione si të votojë. Në një rast të tillë, afërmendsh, unë i konsideroj njëlloj të detyrueshme vendimet e asamblesë si të isha vetë i pranishëm fizikisht. Mirëpo roli i agjentit ligjor është shumë i ngushtë për të shërbyer si model i përshtatshëm përfaqësuesi të zgjedhur. Praktikisht, përfaqësuesit e kanë të pamundur të kthehen në distriktet e tyre përpara çdo votimi në asamble dhe të marrin porositë e votuesve të tyre. Sigurisht që zgjedhësit mund t’i pajisin përfaqësuesit e tyre me një listë preferencash për votimet e ardhshme, por shumë prej çështjeve që do të shtrohen në asamble mund të mos jenë ngritur në bashkësi në kohën kur është zgjedhur përfaqësuesi. Nëse nuk ka zgjedhje përpara çdo vendimi të paparashikuar, qytetarët do të shtrëngohen të zgjedhin për përfaqësues një njeri “platforma” e përgjithshme dhe prirja politike e të cilit japin një ide se në të ardhmen ai do të votojë në mënyrën se si ata imagjinojnë se do të votonin vetë mbi çështje që as qytetarët, as përfaqësuesi nuk i shkojnë ende nëpër mend.

Kur punët arrijnë kaq larg nga demokracia direkte, mund ta vendosim seriozisht në diskutim legjitimitetin e marrëveshjes fillestare. Unë kam detyrimin t’u bindem ligjeve që vendos vetë. Po ashtu kam detyrimin t’u bindem ligjeve që janë vendosur nga agjenti im në përputhje të plotë me instruksionet e mia. Mirëpo mbi ç’bazë mund të pretendohet se unë kam detyrimin t’u bindem ligjeve që bëhen në emrin tim nga një njeri që nuk ndodhet para asnjë detyrimi për të votuar siç do të bëja unë, i cili në fakt nuk ka asnjë mënyrë efektive për të zbuluar se cilat janë preferencat e mia rreth masës mbi të cilën duhet të votojë? Edhe sikur parlamenti të jetë unanim në adoptimin e ndonjë mase të re, një fakt i tillë veç ata mund t’i lidhë me ndonjë detyrim dhe jo qytetarinë e përgjithshme që thuhet se përfaqësohet prej tyre.

Mund të replikohet se detyrimi im bazohet mbi premtimin për t’u bindur, dhe diçka e tillë mund të jetë e vërtetë. Mirëpo përderisa një premtim i tillë është baza e vetme e detyrës sime për t’u bindur, nuk mund të thuhet më se unë jam autonom. Unë kam reshtur së qeni autori i ligjeve të cilave u nënshtrohem dhe i jam nënshtruar (vullnetarisht) një personi tjetër. Saktësisht e njëjta përgjigje i duhet dhënë argumentit se efekte njëfarësoj të mira do të vijnë si rezultat i bindjes sime ndaj parlamentit të zgjedhur. Shquarja morale e qeverisjes përfaqësuese, nëse mund të bëhet fjalë për diçka të tillë, nuk ka të bëjë me të mirën e përgjithshme që shkakton, as me faktin se nënshtetasit e saj kanë dhënë pëlqimin për t’u qeverisur nga parlamenti. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mbretëritë përzgjedhëse dashamirëse që kanë ekzistuar në shoqëritë e dikurshme. Legjitimiteti i veçantë dhe autoriteti moral i qeverisjes përfaqësuese mendohet se rezulton nga të qenit shprehëse e vullnetit të popullit mbi të cilin sundon. Demokracia përfaqësuese thuhet se nuk është thjesht qeverisje për popullin, por gjithashtu (indirekt) edhe qeverisje nga populli. Unë duhet t’u bindem çka nxjerr parlamenti, cilatdo qofshin, sepse vullneti i tij është vullneti im, vendimet e tij vendimet e mia dhe, për pasojë, autoriteti i tij është thjesht autoriteti kolektiv i imi dhe i bashkëqytetarëve të mi. Mirëpo një parlament deputetët e të cilit votojnë pa mandat specifik nga zgjedhësit e tyre nuk është më shumë shprehës i vullnetit të tyre nga ç’është një diktaturë e cila qeveris me qëllime të mira, por e pavarur nga nënshtetasit e saj. Nuk ka të bëjë fare fakti se ndihem i kënaqur me pasojat, madje as se përfaqësuesi im ka votuar ashtu siç ka imagjinuar se do të më pëlqente mua. Përderisa unë nuk marr pjesë, as personalisht, as përmes agjentit tim, në bërjen e ligjeve prej të cilave qeverisem, nuk mund të pretendoj mirëfilli se jam autonom…

E drejta e një sistemi të tillë për të gëzuar titullin e demokracisë mbrohet zakonisht nga tri argumente: së pari, sunduesit zgjidhen nga populli prej një flete votimi që përmban së paku dy kandidatë; së dyti, sunduesit pritet që të veprojnë sipas mënyrës që ata përfytyrojnë se është në interes të popullit; dhe së treti, populli ka periodikisht mundësinë t’i heqë sunduesit nga detyra dhe të përzgjedhë të tjerë. Më në përgjithësi, sistemi u lejon individëve që, nëse duan, të kenë njëfarë influence mbi elitën sunduese. Nuk duhet të na shqetësojë gjenealogjia e termit “demokraci”. Mjafton të vërejmë se sistemi i rojtarisë përzgjedhëse (rojtarët në kuptimin platonian të fjalës, shën. përkth.) është aq larg idealit të autonomisë dhe vetëqeverisjes saqë nuk duket as devijim i largët prej tij. Afërmendsh njerëzit nuk mund të quhen të lirë nëse përfaqësuesit e tyre votojnë pavarësisht dëshirave të tyre, ose kur ligjet miratohen rreth çështjesh që ata nuk kanë mundësi t’i kuptojnë. As mund të quhen të lirë njerëzit të cilët u nënshtrohen vendimeve sekrete, të bazuara në të dhëna sekrete dhe që kanë pasoja të pashpallura mbi mirëqenien dhe jetët e tyre.

Edhe ato forma qeverisjeje përfaqësuese që i afrohen agjencisë së mirëfilltë vuajnë nga një defekt kureshtjesjellës dhe i vënë re pak, i cili i zhvesh zgjedhësit nga liria për të përcaktuar ligjet. Hamendësimi që përshkon praktikën e përfaqësimit është se qytetari individual ka mundësi, përmes votës, ta bëjë të ditur preferencën e tij. Po të lëmë mënjanë për një moment problemet që lidhen me sundimin maxhoritar dhe të injorojmë po ashtu distancën nga legjitimimi që vjen si pasojë e votimit të çështjeve të cilat nuk janë artikuluar gjatë zgjedhjes së deputetëve, qytetari që përdor fletën e votimit është i pranishëm në dhomën parlamentare përmes veprimtarisë së përfaqësuesit të tij. Mirëpo diçka e tillë supozon se në kohën e zgjedhjeve, secili ka pasur mundësinë e mirëfilltë për të votuar për një kandidat i cili përfaqësonte pikëpamjen e tij. Ai mund të jetë gjendur në minorancë; kandidati i tij mund të ketë humbur. Mirëpo të paktën ka pasur mundësinë për t’i avancuar preferencat e tij në dhomën e votimit.

Mirëpo, nëse numri i çështjeve në debat gjatë fushatës është më i madh se një a dy dhe nëse ka – siç ta pret mendja – disa pozicione të mundshme që mund të merren për çdo çështje, atëherë përkëmbimet e “platformave” totale alternative konsistente do të jenë shumë më të mëdha sesa numri i kandidatëve. Supozoni, për shembull, se në zgjedhjet amerikane ka katër çështje: një ligj mbi fermat, kujdesi shëndetësor për të moshuarit, shtrirja e thirrjes nën armë të popullsisë dhe të drejtat civile. Duke e thjeshtuar botën reale në mënyrë të konsiderueshme, mund të supozojmë se ka tre vija veprimi alternative që mund të merren në konsideratë për çështjen e parë, katër për të dytën, dy për të tretën dhe tre për të fundit. Atëherë kemi 3 X 4 X 2 X 3 = 72 qëndrime të ndryshme që dikush mund të mbajë mbi këto katër çështje. Për shembull, ai mund të përkrahë barazinë e plotë, ligjin Kerr-Mills për kujdesin shëndetësor (i miratuar më 1965 për të mbuluar me sigurim shëndetësor të moshuarit dhe të varfrit, shën. përkth.), ndërprerjen e thirrjes nën armë dhe mosbërjen e asnjë ligji për të drejtat civile; ose tregun e lirë mbi produktet bujqësore, mungesën e kujdesit shëndetësor, shtrirjen e thirrjes nën armë dhe një ligj të fortë për të drejtat civile; e të tjera. Tani, që të sigurohemi se çdo votues ka mundësinë për të votuar atë në të cilën beson, na duhen 72 kandidatë, ku secili të mbajë një prej pozicioneve të mundshme logjikisht. Nëse një qytetar nuk arrin të gjejë një kandidat pikëpamjet e të cilit përkojnë me të tijat, atëherë nuk ka asnjë mundësi që ai të mund të dërgojë në parlament një përfaqësues të mirëfilltë. Praktikisht, votuesve u ofrohet një grusht kandidatësh dhe duhet të bëjnë kompromise me besimet e tyre përpara se të shkojnë në kutinë e votimit. Në këto kushte, është e vështirë të kuptohet se ç’do të thotë banaliteti se zgjedhjet manifestojnë vullnetin e popullit.

Refuzimi më therës i demokracisë përfaqësuese gjendet në “Kontratën sociale” të Rusoit. Përkundër shkrimtarëve si Loku, Rusoi shkruan:

“Sovraniteti nuk mund të përfaqësohet për të njëjtën arsye siç nuk mund të tjetërsohet; thelbi i tij qëndron në vullnetin e përgjithshëm dhe ky vullnet duhet të flasë për veten e vet, përndryshe nuk ekziston: ai është ose vetvetja, ose jo; nuk ka mundësi të ndërmjetme. Prandaj deputetët e popullit nuk janë e as mund të jenë përfaqësuesit e tyre; ata mund të jenë vetëm komisionerët e tyre dhe si të tillë nuk janë të kualifikuar për të vendosur asgjë përfundimisht. Asnjë akt i tyre nuk mund të bëhet ligj nëse nuk është ratifikuar nga vetë populli; dhe pa këtë ratifikim asgjë nuk përbën ligj. Populli i Anglisë gënjen veten kur fantazon se është i lirë; në fakt ata janë të tillë vetëm gjatë zgjedhjeve të anëtarëve të parlamentit: mirëpo me t’i zgjedhur, ata përfundojnë sërish në pranga dhe shndërrohen në hiç. Kësisoj duke parë mënyrën se si e përdorin momentin e tyre të shkurtër të lirisë, mund të thuhet se e meritojnë humbjen e saj.” (Libri III, Kap. 15)

E përgatiti dhe përktheu Arlind Qori

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.