Përse zgjedh Revolucionin Francez dhe jo atë Amerikan

/Hajdi Bengu/ Gjatë viteve të fundit, në dirskursin mediatik shqiptar vihet re një prirje për t’u amerikanizuar. Për këtë arsye, qarkullojnë lloj-lloj artikujsh që lartësojnë ngjarje historike vetëm se janë amerikane, dhe vetëm se nuk janë të tilla i ulin vlerat ngjarjeve të tjera. Një artikull të tillë më ra rasti të lexoj këto ditë në gazetën Shqip. Po të thellohesh në lexim, vihet re se ajo çka e motivon shkruesin e artikullit nuk janë faktet, por cipa joshëse amerikane që i vishet ngjarjes historike që ai lartëson: Revolucionit Amerikan! Faktet më pas përzgjidhen të tilla që të mbrojnë idenë qendrore të artikullshkruesit dhe të ulin vlerat e Revolucionit Francez. Në linja të përgjithshme, argumentet që na ofrohen për të lartësuar Revolucionin Amerikan janë tre:
  • Revolucioni Francez prodhoi gijotinën (terrorin), terapinë e shokut dhe diktaturat komuniste.
  • Revolucioni Francez ishte edhe një luftë kundër fesë, ndërsa ai amerikan u bë nga njerëz fetarë, prandaj ishte më i mirë.
  • Revolucioni Amerikan prodhoi një shoqëri më të mirë, shembull lirie për të gjithë botën.
Disa nga këto argumente, me aq sa mund të quhen argumente, janë të vërteta, por të motivuara nga idetë e gabuara, ndërsa pjesa tjetër është fare e pavërtetë. Fillimisht le të flasim për argumentin kryesor që përdoret kundër Revolucionit Francez, terrorin. Në këndvështrimin e sotëm është shumë e vështirë, thuajse e pamundur të justifikosh regjimin e terrorit gjatë Revolucionit Francez, por janë disa fakte që duhen mbajtur parasysh, nëse duam të jemi korrektë me të vërtetat që themi. Revolucioni Francez ishte absolutisht i nevojshëm në rrethanat historike të kohës. Franca e pasluftës ishte e rrënuar ekonomikisht dhe monarku në vend që të lehtësonte barrën e taksave për më të varfrit, në panik e sipër për të mbushur arkën mbretërore, bëri të kundërtën. Ndërkohë që fshatarësia taksohej rëndë për, literalisht çdo veprim që kryenin, si për shembull ndezja e furrës për të pjekur bukën, mbreti dhe oborrtarët e tij shpërdoronin buxhetin e shtetit për darka të kushtueshme dhe ballo qëllimboshe aristokratësh. Të dënosh shpërthimin e dhunës popullore ndaj tyre duhet tepër guxim. Por kryengritja popullore nuk mund të jetë revolucion nëse kërkon vetëm t’i japë fund të tashmes. Revolucioni duhet që patjetër t’i japë jetë të ardhmes, dhe ai Francez e bëri këtë me ndihmën e ideve iluministe. Në vitin 1856, sociologu Alexis de Tocqueville rishikoi ‘librat e ankimeve’ – një listë me kërkesa që shtresat e ndryshme të shoqërisë i bënë Asamblesë Parlamentare, asamblesë që do të minonte mbretërimin e Luigjit XVI. Ajo që ai zbuloi ishte shokuese: “Kur rishikova të gjitha kërkesat individuale, me një ndjesi shokuese kuptova se kërkesat e tyre ishin për zëvendësimin e të gjithë sistemit ligjor dhe praktikave të vjetra. Menjëherë e kuptova se ky ishte Revolucioni më gjithëpërfshirës i dokumentuar ndonjëherë në historinë botërore.” Ky ristrukturim dramatik i shoqërisë Franceze i hapi rrugë një procesi kaotik të avancimit revolucionar dhe kundërpërgjigjeve reaksionare. Pronarët e vjetër bënin çfarë të mundnin që të mos humbisnin privilegjet e tyre të stërmëdha, ndërkohë që revolucionarët punonin për të ndërtuar një shoqëri ndryshe, të bazuar në parimet e lirisë dhe barazisë. Por të rikthehemi te terrori. Dhuna revolucionare nuk filloi me regjimin e terrorit siç besohet rëndom, por më herët. Atë e krijuan emocionet e masave popullore të sankylotëve në luftë me reaksionin mbretëror dhe aristokratik. Regjimi i terrorit ishte në fakt kalimi këtyre emocioneve, frikërave dhe anktheve, nga populli në duart e aparatit shtetëror të Komitetit për Shpëtimin Publik. Sipas historianëve të kohës, ky kalim, pra fillimi i regjimit të terrorit, uli statistikisht numrin e kundërrevolucionarëve të ekzekutuar. U mbushën burgjet, por u ul ritmi i gijotinës. Ligji i të dyshuarve rriti numrin e të dyshuarve, por uli numrin e të ekzekutuarëve pa gjyq në mes të rrugës. Më shumë se merrte jetë, regjimi i terrorit i shpëtonte ato, duke shpëtuar ndërkohë Revolucionin. Fakti është se terrori ishte i nevojshëm për mbijetesën e Revolucionit. Më radikali ndër jakobinët, Robespieri, nofka e të cilit ishte ‘i pakorruptueshmi’, shkruante në 1794: “Thuhet se terrori është karakteristikë e regjimeve despotike. Pra, a u ngjan qeveria juaj qeverive despotike? Po, ashtu siç shpata që ndrit në duart e heroit të lirisë ngjan me shpatën e tiranëve. Tirani qeveris brutalisht me anë të terrorit subjektet e tij. Ndërsa qeveria e Revolucionit është despotizmi i lirisë kundër tiranisë. Si themelues të Republikës, kundërshtoni armiqtë e lirisë me anë të terrorit dhe do të keni të drejtën në anën tuaj.” Pas Revolucionit dhe rënies së jakobinëve, republikanët e mbetur (termidorianët dhe pasardhësit e tyre) iu larguan gjithnjë e më shumë skemave radikale të ndërtimit të republikës së virtytshme dhe filluan të gdhendin një sintezë harmonike midis liberalizmit dhe demokracisë. Pikërisht për këtë, terrori mori një konotacion negativ. Terrori u kthye në terrorizëm, ndërsa jakobinët në terroristë. Pas kësaj termi terrorist nuk është përdorur vetëm për të identifikuar, siç bëjmë sot, natyrën e patolerueshme të fundamentalistëve fetarë. Në historinë moderne, me këtë term janë identifikuar edhe përdoruesit e dhunës politike si p.sh.: partizanët francezë që rezistuan ndaj nazistëve, antikolonialistët në Afrikën e Veriut dhe Azinë Jug-lindore, kundërshtarët e aparteidit në Afrikën e jugut, palestinezët që i rezistojnë pushtimit brutal izraelit, luftëtarët kurdë etj. Terroristët e Hoxhës, Stalinit (që nuk duhen ngatërruar kurrsesi me bolshevikët e Revolucionit të Tetorit), apo edhe terroristët e ditëve të sotme, fundamentalistët islamikë, ISIS, Al-Qaeda, etj, nuk kërkojnë liri dhe barazi. Prandaj, të kërkosh lidhjen midis tyre dhe jakobinëve është një nonsens historik dhe filozofik, por që për fat të keq ndodh. Kjo është dhuna e gjuhës. Për ta mbyllur me terrorin, ai është një mjet. Ndryshimin midis subjekteve që e përdorin atë e përbën qëllimi. Për fat të keq, shtrembërimi që termidorianët i bënë Revolucionit dhe arritjeve të tij pas rënies së jakobinëve nuk ndalet vetëm te dënimi i terrorit dhe përkthimi i tij sot si terrorizëm. Ata implementuan praktikën që edhe sot i ka rrënjët e thella në aparatin shtetëror: korrupsionin. Kur u pyetën: “Çfarë duan ata që nuk pranojnë as terrorin, as virtytin?”, termidorianët u përgjigjën: “Ata duan korrupsionin”. Por korrupsionin, jo siç e kuptojmë sot. Revolucionarët francezë korrupsionin e konceptonin si praktikën e influencimit të shtetit nga interesat partikulare private, pranimin e një doze pasurimi individual, spekulimi me monedhën dhe dredhinë. Termidorianët kërkonin një thyerje të detyrimit të virtytshëm për të marrë parasysh vetëm të mirën publike. Kësisoj, në këtë proces të ngatërrimit të interesave private me ato publike, demokracia pësoi një goditje të rëndë. Pak nga pak, kjo praktikë e filluar nga termidorianët, mori hov dhe sot është aq e fortë sa demokracia, pra sundimi i popullit, mund të themi se nuk ekziston më në formën e saj të mirëfilltë, por vetëm si një iluzion. Interesat private të kapitalit global korruptojnë të ashtuquajturit “gardianë” të interesave publike në të katër cepat e planetit. Kjo thyerje e virtytit dhe demokracisë që ndodhi në Francën e pasrevolucionit është identike me vetë qëllimin e Revolucionit Amerikan, siç do ta shohim më poshtë. E pra, ata që i duhen Shqipërisë nuk janë termidorianët dhe pasardhësit e tyre, por revolucionarë që të rikthejnë virtytin në mënyrën si e shohim të mirën publike dhe praktikat e ndërtimit të Republikës. Për sa i përket argumentit të fesë dhe ateizmit, ky është një argument i vërtetë, por i motivuar nga një pozicion subjektiv. Të thuash se Revolucioni Francez tentoi t’i japë fund besimit fetar dhe të ndërtojë një republikë të bazuar në parime ateiste, është e vërtetë. Por të pretendosh se për këtë shkak, ky Revolucion është një shthurje, je mjaft i gabuar. Laiciteti është një kusht i domosdoshëm për një shtet demokratik. Revolucioni Francez, i frymëzuar nga idetë iluministe shkoi një hap më tej, u ndërtua mbi parime ateiste, duke bërë një hap përpara në të mirë të njerëzimit. Përkundrazi, Revolucioni Amerikan ktheu edhe një herë në procesin e shtetndërtimit religjionin, i cili po të shihet historiksht është rrekur gjithnjë, jo të jetë baza e moralit njerëzor, por të influencojë pushtetin dhe të marrë vendime për jetët e njerëzve. Mund të diskutojmë pa fund rreth rolit të religjionit dhe ateizmit në shtetformim, por ky diskutim do të ishte i pavlerë nëse nuk fokusohet në thelbin e debatit mes vetë ateizmit dhe religjionit, pra në ekzistencën e zotit. Pa u ezauruar ky debat, nuk mund të diskutojmë rreth rëndësisë së influencimit të religjionit në politikë sepse një diskutim i tillë mund të nisej nga pozicioni subjektiv i një besimtari dhe të nxirrte përfundime të gabuara. E ndërkohë që ky debat vazhdon me zjarr, ne shkojmë tek Revolucioni Amerikan dhe pasojat e tij. Revolucioni Amerikan është i ngjashëm me atë Francez për sa i përket aktorëve revolucionarë, por jo qëllimeve të tyre. Të dy revolucionet kishin nga një lëvizje popullore në themel të tyre. Ekuivalenti amerikan i sankylotëve ishin fshatarësia dhe punëtoria. Kërkesat e tyre ishin sa politike, aq edhe jetike. Ashtu si në Revolucionin Francez, thelbi i kërkesave popullore ishte një shoqëri më e drejtë, demokratike dhe e bazuar në parimet e lirisë dhe barazisë. Por baballarët themelues të SHBA-ve nuk mendonin si jakobinët. Jakobinët ishin projektim i drejtpërdrejt i ideve revolucionare të popullit francez në aparatin shtetëror. Ndërsa firmëtarët e deklaratës së pavarësisë në Amerikë mbronin interesat e shtresave më të pasura të vendit. Ristrukturimi i shoqërisë ishte i kundërt në të dy Revolucionet. Në Francë u tentua drejt një shoqërie më të barabartë dhe demokratike, ndërsa në Amerikë u kalcifikuan edhe më tej marrëdhëniet e vjetra të pronës dhe prodhimit. Në këtë aspekt, ai amerikan nuk mund as të quhet Revolucion, sepse nuk tenton përmbysje. Artizanët, fshatarët, punëtorët, fermerët amerikanë kishin një këndvështrim më radikal të Revolucionit: ata donin të shkëpusnin të drejtën për të ushtruar pushtetin nga prona. Ata kërkonin të limitohej fuqia e kapitalit, të favorizohej puna përmbi kapitalin, të favorizohej borxhmarrësi kundrejt borxhdhënësit. Ndërsa elitat amerikane ishin më të interesuara ti limitonin liritë demokratike, sesa t’i zgjeronin ato. Ndryshe nga fshatarësia, ata nuk kërkonin demokraci të drejtpërdrejtë, por këmbëngulnin për demokraci përfaqësuese. Në këtë mënyrë, pushteti do të mbetej i lidhur ngushtë me pronën, përfaqësuesit parlamentarë do të vazhdonin të mbeteshin të njëjtët pronarë të mëdhenj të tokave dhe skllevërve. Demokraci popullore, për ta do të thoshte të hiqje dorë nga privilegjet e mëdha dhe prona, aq e nevojshme për të shtypur skllevërit. Në fund të Revolucionit Amerikan, pothuajse të gjitha tendencat socialiste ishin shtypur nga elitat e plotfuqishme. Kjo u ndihmua edhe nga plani i kryefinancierit amerikan Hamilton, plan ky që lidhte përfitimet private me interesat kombëtare. Në këtë mënyrë ai konservonte një status të privilegjuar për elitat e pasura në republikën e re. Për sa i përket skllavërisë, nuk mund të kalohet lehtë me fraza si: “SHBA e kaloi gradualisht ndër shekuj përsosmërinë e vlerave shoqërore, integritetin dhe lirinë e individit, i zgjidhi me veten problemet themeltare të lirisë së individit”. Duke u nisur nga lajmet e kohëve të fundit për vrasjet e njerëzve me ngjyrë nga policia amerikane, nuk duket se Amerika i ka zgjidhur mirë problemet themeltare të lirisë së individit, veçanërisht atij që e ka ngjyrën e lëkurës të ndryshme. Por përse nuk mund të kalohet lehtë problemi i skllavërisë në SHBA? Fillimisht sepse skllavëria është një rend tërësisht ekonomik. Ai është një rend që bazohet në shfrytëzimin e njeriut nga njeriu si të ishte kafshë pune, për të prodhuar sa më shumë, me koston më të ulët të mundshme. Praktikat çnjerëzore që kryheshin në plantacionet e pambukut ishin nga më të ndryshmet si p.sh.: ndarja e pjesëtarëve të familjeve nga njëri-tjetri për t’i shitur në tregun e kafshëve, puna me orë të tëra në plantacione, rrahja deri në vdekje për veprime të ndaluara si kthimi i fjalës apo edhe shkrimi e leximi. Madje disa skllevër përdoreshin nëpër ndeshje me skllevër të tjerë, ku luftonin deri sa njëri prej tyre vdiste ndërkohë që pronarët e tokave vinin baste për fituesin. Kjo është fytyra e vërtetë e firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë dhe rendit ekonomik amerikan gjatë kohës së Revolucionit. Por, si nisi dhe çfarë prodhoi ky Revolucion? Ai ishte një përpjekje për tu shkëputur nga Britania e Madhe, por jo për shkak të taksave. Ky do të ishte një justifikim i mirë nëse ato taksa do të shkonin për të mbushur thesarin britanik. Por nuk ndodhte ashtu. Ato taksa shkonin për të rregulluar tregtinë brenda perandorisë, tregti nga e cila përfitonin edhe 13 kolonitë përtej oqeanit. Atëherë përse kjo shkëputje? Sepse Britania nuk e lejonte të zgjerohej në Perëndim. Menjëherë pas pavarësisë, shteti i ri filloi pushtimin e territoreve indigjene. Këto janë parimet e lirisë që prodhoi Revolucioni amerikan? Liri për kë? Sepse duket se indianët e Amerikës nuk janë më të lire sot, seç kanë qenë para pushtimit nga të bardhët. Amerika u ngjiz me një pushtim dhe sot nuk ndalet. Eksportim i demokracisë? Apo zhvatje e burimeve naftënxjerrëse dhe dominim global? Imazhi i Amerikës vuan edhe nga perceptimi se SHBA-të po ndihmojnë në thellimin e diferencave midis të pasurve dhe të varfërve në botë. Statistikat tregojnë se Amerika, në krahasim me Europën është më religjioze, nacionaliste, më pak sociale dhe më pak ekologjiste. Por, përse ndodh kjo? Që nga vitet ’60-‘70 Amerika financon konsumin e saj të brendshëm nëpërmjet kalimit të kapitalit nga vendet e tjera në brendësi të territorit të saj, kryesisht si investime. Sot, SHBA-ve i duhen 1 miliardë dollarë në ditë për ta bërë këtë. Tepricat, fitimet e kapitalit global, madje edhe atij rus, kinez, japonez, investohen kryesisht në Amerikë. Ky besim i madh për të transferuar kapitalin nuk ka shkaqe ekonomike, por kryesisht ideologjike dhe ushtarake. Prandaj për të justifikuar sjelljen e saj imperialiste, Amerikës i duhet që të krijojë një gjendje lufte të vazhdueshme, në të cilën ajo të shpërfaqet si mbrojtëse universale e lirisë (së tregut), (iluzionit të) demokracisë dhe vendeve “normale”. Kjo i fut të gjitha këto vende normale në borxh historik ndaj mbrojtësit, një borxh që në disa vende si Shqipëria merr formën e ideologjisë. Diskursi i një klase të tërë politike ngrihet mbi këtë ideologji borxhi (Ja kemi borxh Amerikës, Na mbron Amerika, Kështu do Amerika, Të bëjmë siç thotë ambasadori amerikan, etj). E kështu, në emër të lirisë së tregut dhe demokracisë përfaqësuese për klasat e pasura viktimizohen popuj të tërë, të pafuqishëm për të shlyer borxhin e pashlyeshëm historik, të varur nga xhandari global që fuqizon veten duke dobësuar të tjerët, miq apo armiq qofshin. Ja pra, produkti i “Revolucionit” amerikan që analistët e mediave shqiptare përpiqen të na e shesin si model frymëzimi.  Një model që bazohet në shkëlqimin e prangave. “Lidhni veten me pranga” – na thonë, “sepse këto pranga shkëlqejnë! Janë prangat e Amerikës!” E si përfundim dua të them si do ta mbaj mend unë të dy Revolucionet. Revolucioni Francez ishte një riorganizim i stërmadh social që i shtriu efektet e tij mbi më shumë se njëzetepesë milionë njerëz vetëm në Francën e asaj kohe dhe vazhdon edhe sot të na frymëzojë. Gjatë pesë viteve të luftës midis vullnetit të Revolucionit dhe forcave të reaksionit, njerëzit e thjeshtë përjetuan vuajtje të mëdha, por edhe një mundësi të paprecedentë për të ndërhyrë në çështjet e politikave kombëtare dhe të thyenin marrëdhëniet e pushtetit totalitar që përcaktonte jetët e tyre. Ndërsa “Revolucioni” Amerikan nuk ishte Revolucion. Ajo ishte luftë për pavarësi apo lëvizje politike, por nuk përmbysi asgjë të vjetër dhe nuk tentoi të ndërtojë asgjë të re. Përkundrazi, në Amerikë u themelua një ideologji që të jep iluzionin e lirisë dhe demokracisë, por vetëm shtypje ka. Në këtë këndvështrim, nuk më duket e vështirë të kuptosh çfarë duhet të zgjedhin politikëbërësit e rinj shqiptarë: Virtytin apo skllavërimin?
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.