/Për Universitetin/
Simptomë e gjendjes katastrofike të popullit është fakti se gjithkush që shkruan e kërkon përgjegjësinë e katastrofës te vetë populli. S’mbeti kush, nga Presidenti i Republikës e ambasadori i SHBA-ve deri tek opinionistët e regjimit, pa bërë thirrje, qortueshëm, që populli të mos e shesë votën. Pakkush, në mos askush, nuk e vë theksin te blerësit e votës, ndërtuesit faktikë të një sistemi politiko-shoqëror hierarkik sa më s’ka, efekt i të cilit është edhe shitblerja e votës.
Omertaja e gjithëkahshme mbulon edhe shkakun sistemor të këtij tregtarizimi të votës, pabarazinë e skajshme klasore. Jo më kot Zhan-Zhak Rusoi shkruante në Kontratën Sociale se në një republikë të mirorganizuar asnjë qytetar nuk duhet të jetë aq i pasur sa të ketë mundësi të blejë lirinë e një tjetri dhe askush nuk duhet jetë aq i varfër sa të jetë i shtrënguar ta shesë lirinë e vet.
Katastrofa – thonë, ndodh atëherë kur metaforat merren për të fjalëpërfjalshme (p.sh. kur dikë e rreh vërtet me vaj e me uthull në vend që ta përdorësh si metaforë aventurieri). Katastrofizmi i situatës politiko-shoqërore shqiptare po del në pah pikërisht në çmetaforizimin e të famshmes teori liberale mbi zgjedhjet si të modeluara sipas tregut, me parti ofruese, programe si çmime, zgjedhës konsumatorë dhe votën si para. As liberalëve më të çartur s’do t’iu kish shkuar ndër mend se një ditë në këtë cep të botës teoria do të gjente zbatimin e vet më të fjalëpërfjalshëm dhe pervers.
Ne, universitarët, nuk jemi të huaj ndaj kësaj situate. Jo vetëm si pararojë shoqërore me ndjeshmëri të lartë qytetarie, por edhe si përjetues dhe dëshmitarë të së njëjtit katastrofizëm në zgjedhjet universitare. Cilat zgjedhje universitare nuk kanë kaluar pa kandidatë batakçinj me distinktivë akademikë që kërkojnë vota sa përmes festave të lapërdhara studentore, ashtu edhe përmes shkeljeve të syrit dhe shantazheve ndaj trupës pedagogjike?! E ky tregtarizim, i kërcënueshëm në shtrirjen e vet në re(sh)formën arsimore aktuale, nuk është gjë tjetër veçse logjika e funksionimit të një sistemi që mbështetet mbi pabarazinë dhe e thellon atë.
Prandaj përballë votës në treg të partive dhe kandidatëve të sistemit, s’na mbetet ç’të zgjedhim për momentin veçse hedhjen e saj në koshin e mbeturinave. Do guxim kjo punë. Është njëlloj si t’i nxjerrësh kartonin e kuq kastës sunduese. Përndryshe, votat tona do të jenë plumbi më i mirë që i japim vetes.
Editorial i numrit të tetë të gazetës “Universitari”.