Matrapazëria e reformimit të arsimit të lartë

/Arlind Qori/

Fernand Braudel-i thotë se në Perandorinë Osmane fjala matrapaz, e cila më parë kishte kuptimin neutral të tregtarit, dalëngadalë nisi të marrë konotacionin e përfituesit të paskrupullt. Me ç’duket është fatalitet i vendeve që rrëshqasin në periferi të sistemit kapitalist botëror që të kenë elita ekonomike me një dorë në veshin e shtetit e me veshin në dorën e shtetit, ku marrëdhëniet e ndërkapjes të prodhojnë matrapazë ekonomikë dhe politikë. Të pafuqishëm për të marrë karakter produktiv, matrapazët ekonomikë shushunjen në qafë të shtetit. Ata politikë, të pazotë për të fituar autonomi prej sponsorëve të tyre, e shohin të mirën publike nga frëngjia e interesave private të këtyre të fundit. Afërmendsh në emër të partneritetit publik-privat, universiteteve të shekullit të ri e të tjera dokrrave të zhargonit postmodern.

Reforma në arsimin e lartë, të cilën qeveria po e kalon tinëzisht kur universitetet po mbyllen, është produkt i përpjekjeve të disa qeverive për të avantazhuar ata që universitetet i kanë edhe juridikisht “pronë private”, si të ishin bahçe me speca. Qeveria e shkuar i licenconte, u shiste a jepte me qira qesharake troje e ndërtesa publike, u shtonte klientët duke shtyrë punonjësit e shtetit të bënin mastera, me propozim të opozitës së djeshme u hiqte edhe tatimin mbi vlerën e shtuar (në një vend ku lypësi paguan 20% për bukë). E sotmja u lehtëson konkurrencën duke mbyllur vetëm ato diplomore që i shesin diplomat pa bërë reklamë, rrit edhe më shumë tarifat studentore dhe pakëson kuotat në universitetet publike. Mirëpo me ç’duket mbijetesa e tyre në pazarin universitar nuk mund të sigurohet pa ndërmarrë edhe hapin e fundit: financimin e drejtpërdrejtë nga shteti. Prapëseprapë kryeministri e quan trajtimin e derisotëm qeveritar të privatëve si prej njerke. Me të tillë njerkë, s’ka ç’të duhet nëna!

S’di a kemi pasur ndonjëherë një qeveri që e hap gojën dhe i mbyll veshët kaq shumë. Dhe s’është vetëm kryeministri hokatar, po një aradhe propaganduesish që në sinkron mbrojnë një projektligj implementimi i të cilit do t’i japë përfundimisht dërrmën universitarizmit publik. E bëjnë me sofizma, me ftohtësi teknike, me ideologji, me kredenciale formale, por askush nuk e bën më mirë sesa kryeministri dora vetë. Është ai që e bën gjuhën shpatë dhe nis të presë majtas e djathtas, të sajojë kuçedra të arsimit dhe të vetëpërfytyrohet Shën Gjergj me ushtë në dorë. Thotë, ndër të tjera, se rezistencën ndaj reformës aktuale në arsimin e lartë e bën pjesa më e sëmurë e trupës universitare publike. Si e ka ekzaminuar Shën Gjergji ynë trupën universitare? Nga e di ai, për shembull, se aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin, grupimit kryesor rezistues prej dy vjetësh ndaj kësaj reforme, janë sëmundja e universitarizmit publik?! Nga e di se pedagogët që kanë rezistuar janë delenxhinj dhe jo luftëtarë parimorë në mbrojtje të kauzës universitare?! Nga e di se studentët rezistues nuk janë më të devotshmit në studime, por bjerraditës si ata të forumeve partiake që shquhen vetëm si organizues festash?! Ndoshta faji duhet gjendur te pasqyra e kryeministrit. Po t’u duk vetja Shën Gjergj që në pikë të sabahut, çdokush që të kundërshton në mënyrë të paepur del kuçedër.

Po ç’përmban reforma që mbrohet me kaq zulmë prej kryeministrit dhe shpurës së vartësve të tij “të pavarur”? Si rrallëherë në historinë e reformave në Shqipëri, aktualja përkeqëson pothuajse të gjitha problemet e thella që ka jeta universitare. E nisim nga cilësia e mësimdhënies. Është e vërtetë që ajo lë mjaft vend për të dëshiruar, por a është zgjidhje kombinimi i saj me shpërblimin financiar? Deri më sot mekanizmi kryesor i vlerësimit të mësimdhënies kanë qenë anketat studentore. Në fund të çdo viti, studentëve u jepej një pyetësor ku vlerësonin aspektet kryesore të mësimdhënies së pedagogëve. Paçka se janë bërë herë pas here, rezultatet e tyre janë publikuar shumë rrallë dhe thuajse kurrë nuk kanë shërbyer për të marrë masa ndaj pedagogëve me rezultate katastrofike. Kjo ka bërë që studentët të mos e marrin seriozisht anketimin pasi e dinë se, sido që të vlerësojnë e të kritikojnë, mendimet e tyre nuk do të merren parasysh. Ç’zgjidhje i jep qeveria këtij problemi? E lidh anketimin me renditjen e institucioneve publike dhe private dhe në varësi të vlerësimit të studentëve, universitetet do të marrin fonde nga shteti. Kësisoj do të prodhohet një situatë paradoksale në të cilën nëse studentët kritikojnë ashpër institucionin e tyre, ky i fundit do të bjerë në “hit paradën” e universiteteve, do të marrë më pak fonde nga shteti dhe do të duhet të rrisë tarifat studentore për të mbijetuar ekonomikisht. Pra po kalojmë nga situata ku studenti është indiferent në vlerësimin e universitetit në atë ku ai do të jetë i interesuar të gënjejë, t’i bëjë reklamë universitetit të vet, me shpresën se kështu do t’i ulen tarifat.

Edhe po ta zëmë se studentët do të jenë imitojnë Shën Gjergjin tonë dhe do të martirizohen për arsimin duke thënë të vërtetën lakuriqe, çfarë do të ndodhë me institucionet publike që shpallen me cilësi më të dobët dhe kanë tarifa më të larta? Logjika e tregut, aq e dashur për kryeministrin, kërkon që ato të falimentojnë. Lind pyetja: A mund të falimentojnë financiarisht institucionet publike?! A është kushtetuese?! Mos ndoshta shtyrja e tyre drejt “universiteteve publike të pavarura” do të krijojë pikërisht terrenin kushtetues të falimentimit të tyre?! Ndryshe nga ndërmarrjet private që mbyllen në rast falimentimi, logjika e institucioneve publike e do që kur punët nuk shkojnë mbroth përgjegjësinë ta mbajë drejtuesi. Përndryshe sa herë të na e sillte në majë të hundës qeveria, nuk do të ndërronim qeveri, por do të hidhnim në erë rendin kushtetues.

Po kërkimi shkencor? Është e lehtë të ankohesh për fiktivitetin e tij. E bëjnë të gjithë, edhe ata që s’kanë shkruar kurrë diçka që i përmbush minimalisht kriteret e metodologjisë shkencore. Ama mangësia e kërkimit shkencor nuk qëndron në mungesën e botimeve formalisht korrekte nëpër revista ndërkombëtare, por në mungesën e një komuniteti shkencor të mirëfilltë që debaton hapur dhe shqyrton me rigorozitet të ngjashmit. Dhe si pritet ta ndreqë qeveria demokratizimin e debatit shkencor në Shqipëri? Duke i shtrënguar botuesit të mos ia fshehin komunitetit shkencor dhe publikut punimet e tyre? Duke ua pamundësuar qokat, tarafet, influencat politike kur s’ngeli deputet pa marrë master e pa u bërë doktor shkencash? Aspak! Duke krijuar agjenci burokratike, të varura dhe të shkarkueshme nga qeveria, të cilat do të vlerësojnë cilësinë e kërkimit shkencor. Nëse sot një zyrtaruc ministrie i hakërrehet në debat një pedagogu duke i thënë “pse kështu u jep mësim studentëve ti?!”, nesër të njëjtët burokratë dhe pushtetarë do të kenë në kontroll procesin e vlerësimit të kërkimit shkencor, prej të cilit varet edhe financimi i universiteteve publike e private (afërmendsh që s’mund të merret seriozisht eufemizmi “universitete publike të pavarura” me të cilën qeveria do të mbulojë matrapazërinë).

Po përballueshmëria ekonomike e studimeve? Njerëzit vullnetmirë kushedi prisnin që qeveria të studionte mënyrat se si t’i ulte progresivisht tarifat studentore, të cilat deri më tash janë rritur vit pas viti me rreth 10-15%. Ndoshta prisnin edhe që të përmirësoheshin kushtet e jetesës dhe të studimit për ta. Në vend të rritjes së financimit për universitetet publike, qeveria kërkon të rrisë numrin e institucioneve të financuara (duke futur privatët brenda), çka do të ulë mesatarisht nivelin e financimit për çdo universitet duke e rritur edhe më barrën e tarifave për studentët. Paradoksalisht qeveria propozon edhe bursa, edhe kredi studentore. Nëse bursat janë për ata që nuk i përballojnë dot studimet, po kredia për cilët është? Për ata që i kanë paratë, por preferojnë të bëjnë pushime në Bahamas?! Mendja ta thotë se bursat do vazhdojnë, si deri më sot, të jepen për kategoritë e të varfërve ekstremë, të cilët, nëse nuk manipulojnë dokumentacionin, as që ia dalin të mbarojnë gjimnazin, lere më të bëhen për universitet. Për të tjerët, rritja e tarifave do të përballohet duke krijuar subjekte borxhlie ndaj bankave dhe shtetit, ku ky i fundit, duke u dalë garant bankave dhe mbuluar një pjesë të interesave, do të financojë tërthorazi edhe bankat private. Me një gur dy zogj: edhe matrapazët universitarë, edhe ata bankarë!

Pa prisni njëherë, se kushedi ç’bëhet me demokratizimin universitar! Fatkeqësisht edhe këtu po biem nga shiu në breshër. Nga një fiktivitet demokratik që mbulon bajraktarizmin e drejtuesve aktualë të universiteteve publike në një ndërthurje të hapur të bajraktarizmit me autoritarizmin shtetëror. Të vetmet subjekte me potencial transformues të jetës universitare, studentët, do të përjashtohen nga e drejta e votimit për drejtuesit universitarë, ose më së shumti do t’u lihet një masë qesharake 10%. Mendja ta do se sa më e gjerë trupa votuese, aq më e pakompromentueshme. Por në vend që të rriste pjesëmarrjen studentore, qeveria po e kufizon atë duke e riprodhuar bajraktarizmin nga rektori e poshtë dhe autoritarizmin nga qeveria te rektori. Për të mos folur pastaj se vetë parimi i organizimit të Bordit Administrativ (kush financon më shumë, përfaqësohet më shumë) nuk respektohet në rastin e studentëve të cilët do të jenë progresivisht financuesit kryesorë, pa pasur përfaqësim në organin më të lartë administrativ të universitetit.

Po serioziteti universitar? Ç’zgjidhje ka menduar qeveria për faktin se mjediset universitare po shndërrohen hap pas hapi në terrene të rëndomta marketingu produktesh të palidhura me jetën universitare apo në zgjoje festash studentore në vend të klubeve kritike? Humbjen edhe më të madhe të seriozitetit duke i shndërruar universitetet publike në agjenci tregtare të cilave, për të mbijetuar në treg, do t’u lejohet të aventurohen edhe në sipërmarrje jashtakademike. Çfarë do ta ndalojë një universitet për t’i liruar sallat për promovime librash rozë apo, ca më keq, produktesh kozmetike?! Sigurisht që universitetet tona mund të krijojnë të ardhura edhe nëpërmjet shpikjeve në mjekësi a inxhinieri me impakt botëror, që kushedi do të patentizohen(!!!) Harrohet se shpikje të tilla kërkojnë gjigandë industrialë dhe laboratorikë, ndërkaq në vende periferike si yni më së shumti mund të shpresohet për arritje në disiplinat humane, të cilat edhe në ndodhshin janë të paleverdishme për tregun dhe prej natyrës së tyre mbështeten nga shteti.

“Të paktën do të kemi konkurrencë” – do t’ia behë ndokush. Zor se ka koncept më të fetishizuar në Shqipëri. Mirëpo le ta marrim seriozisht për pak. Çfarë konkurrence i mungon sot jetës universitare shqiptare? Ajo midis universiteteve publike dhe private për fonde shtetërore? Apo ajo midis pedagogëve, bie fjala të universiteteve publike, me njëri-tjetrin, dhe jo vetëm në terma financiarë? Nëse e kemi për zemër konkurrencën, pse të mos shkallëzohen pagat e pedagogëve në varësi të rezultateve të kërkimit shkencor (të vlerësuara nga komuniteti shkencor), vlerësimit të mësimdhënies nga studentët, duke e ponderuar negativisht këtë të fundit me notën mesatare për lëndë (që t’i vihet fre faljes së notave për të përfituar nga vlerësimi studentor)?! Po fundja, nëse na merr perëndia mendjen dhe mendojmë si kryeministri që e do konkurrencën midis institucioneve, pse të mos konkurrohet vetëm brenda universiteteve publike duke ua ndaluar atyre private kthimin në “universitete publike të pavarura”?! Nëse na merren mendtë edhe më shumë dhe duam t’i fusim medoemos edhe privatët në valle, pse të mos konkurrohet për fonde shtesë që buxheti i shtetit i nxjerr duke taksuar universitetet private?! – mjafton t’u rivendosin tatimin mbi vlerën e shtuar. Në fakt kjo do të përbënte kalim të fondeve private te publiku dhe jo ajo që mendon kryeministri i cili, si një kryefamiljar pijanec ,mburret se ka sjellë para në shtëpi duke shitur dhomën e gjumit për të shlyer borxhet e bixhozit të një nate më parë.

Të gjitha këto janë pyetjet retorike të një nate të zhegët korriku, ku studentët janë në plazhe, kush për qejf e kush për të nxjerrë paratë për tarifën e vitit tjetër, pedagogët fshihen skutave të anonimatit dhe strucërisë, drejtuesit universitarë vrasin mendjen se ç’do kapin pas mbarimit të shpejtë të mandatit, matrapazët ekonomiko-universitarë bëjnë llogari se si do të kamuflojnë fitimet në forma pagash e shpërblimesh për veten si administratorë të ardhshëm të “universiteteve publike të pavarura”, ndërsa kryeministri ngazëllehet se sa bukur ngjan në pasqyrën e Republikës së Matrapazëve.

Botuar me shkurtime në gazetën Shqip.

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.