Udhëheqësi sipas Gramsci-t

/Alfred Bushi/

Kur flitet për udhëheqës, leaders, siç thuhet sot, në gjirin e të majtës perceptohet jo rrallëherë një lloj sikleti. Për të majtën kjo është një çështje e përhershme debati për disa arsye, dhe e shkuara këtu ka një ndikim mjaft  të madh. Frika e humbjes së lirisë së kritikës qoftë kjo brenda një partie, lëvizjeje apo klubi mund të jetë një arsye e stepjes që e majta ka ndaj figurës së udhëheqësit. Një tjetër mund të jetë fakti se për të majtën pushteti qëndron gjithnjë te klasa ose shoqëria dhe personalizimi i pushtetit apo një hierarkizim i fortë i tij do të sillte zhdemokratizimin e vendimmarrjes e tëhuajsimin e udhëheqësit nga klasa. Sepse pushteti qëndron te klasa kur flasim për partinë dhe më gjerësisht te populli (gjithnjë i udhëhequr dhe i unifikuar përreth një klase) kur flasim për shtetin. Udhëheqësi në këtë mënyrë shihet si thjesht si figurë noteriale e vullnetit të klasës ose shoqërisë. Figura e udhëheqësit karizmatik që drejton i vetëm e me dorë të hekurt, i shkëputur nga masa, nga klasa e tij, ka qenë e mbetet një tjetër arsye e vlefshme e alergjisë së të majtës ndaj udhëheqësit.

Megjithatë, pavarësisht këtyre ideve, të cilat tashmë janë pjesë e pandashme e trashëgimisë së të majtës, figura e udhëheqësit/udhëheqësve – intelektualit organik, revolucionarit profesionist, elementi  përparimtar i klasës punëtore – është figurë e domosdoshme për të majtën, për organizimin e saj dhe për realizimin e vizionit të një shoqërie përparimtare, një të ardhmeje më të drejtë, barazimtare e të lirë. Siç na thotë Gramsci te Fletoret e burgut: Vetëdije kritike do të thotë historikisht e politikisht krijim i një elite intelektualësh: një masë njerëzore nuk ‘dallohet’ e nuk bëhet e pavarur ‘për vete’ pa u organizuar (në një kuptim të gjerë), dhe nuk ka organizim pa intelektualë, domethënë pa organizatorë e drejtues, domethënë pa arritur në pikën ku aspekti teorik i lidhjes teori-praktikë të dallohet konkretisht në një shtresë personash ‘të specializuar’ në përpunimin konceptual e filozofik.”[1] Ai po na thotë se nuk ka ndërgjegjësim e as emancipim pa organizim, dhe nuk ka organizim pa organizatorë, udhëheqës. Sipas Sergio Caprioglio-s[2], për Gramsci-n  intelektuali, “udhëheqësi kolektiv”, është “Princi modern”, i cili është nga ana e tij partia politike. Shohim pra që ka një lloj vazhdimësie mes princit i cili, për të qeverisur, duhet të jetë në gjendje të kuptojë humoret e njerëzve dhe udhëheqësit i cili po ashtu duhet të jetë i aftë të kuptojë klasën  e tij, popullin dhe epokën e tij. Në ndërgjegjet e njerëzve , thotë Gramsci, udhëheqësi tashmë zë vendin e hyjnive, imperativit kategorik, jo duke shenjtëruar çdo gjë, por përkundrazi duke u shndërruar në shtyllën e laicizimit të të gjitha raporteve zakonore.

Edhe demokracinë Gramsci e sheh të lidhur ngushtë me mundësinë e prodhimit të një shtrese drejtuesish ose intelektualësh. Shkruan ai : “Mes shumë kuptimeve të demokracisë, më realisti e konkreti mendoj se mund të nxirret duke e trajtuar atë në lidhje me konceptin e hegjemonisë. Në sistemin hegjemonik ka demokraci mes grupit drejtues dhe të drejtuarve, në masën në të cilën [zhvillimi i ekonomisë e për rrjedhojë] legjislacioni [i cili e shpreh këtë zhvillim] favorizon kalimin [molekular] nga grupet e drejtuara drejt grupit drejtues.”[3]

Artikullin “Udhëheqësi” të Antonio Gramsci-t e hasa rastësisht, teksa po lexoja një dialog të shkurtër mbi maskën demokratike të oligarkisë të Luciano Canfora-s dhe Gustavo Zagrebelsky-t, përkatësisht njëri historian i shquar i antikitetit greko-romak e tjetri konstitucionalist, po aq i shquar. Duke iu referuar artikullit të Gramsci-t, Canfora flet për një shkrim të fuqishëm, i cili në kohën kur u ribotua në revistën “Belfagor” shkaktoi një skandal mjaft të madh në opinionin publik. Skandalozja qëndronte në faktin se në të shteti shihej si diktaturë e drejtuar nga një udhëheqës ose disa syresh. Në dialogun e lartpërmendur historiani italian vazhdon ta shohë shtetin negativisht si qeverisje e pak vetave, pra si një oligarki, e cila këtë herë, për të ruajtur pushtetin e saj, e ka të nevojshme vënien e maskës së demokracisë. Oligarkia në këtë rast shfaqet si sinonim i diktaturës së pak vetave.

Në të vërtetë “Udhëheqësi” i Gramsci-t nuk trajton as për oligarkinë dhe as për qeverisjen e të paktëve, por është një trajtesë e shkurtër dhe e ngjeshur mbi figurën e “Udhëheqësit”,  e shkruar me rastin e vdekjes së Leninit, duke iu referuar specifikisht Leninit. Pas vdekjes së këtij të fundit, në janar, i shkruan Julka-s, gruas së tij: “Është e pashmangshme që te masat e gjera revolucioni të mos sintetizohet në disa emra të cilët përfaqësojnë të gjitha aspiratat dhe ndjenjat e vuajtura të masave punëtore. Duket gati natyrore që masat ta gjejnë veten te një person i vetëm, i cili mbart i vetëm barrën e shpëtimit.”

Gramsci e nis artikullin në mënyrë provokuese duke pohuar se çdo shtet është një diktaturë që qeveriset “nga një numër i ngushtë njerëzish”. Ky pohim, sipas Sergio Caprioglio-s[4], është dëshmi e qajes ngushtësisht elitiste të Gramsci-it mbi pushtetin .Elitizmi i Gramsci-t ka në themel besimin në një grup njerëzish përparimtarë, intelektualë, të vendosur e të ndriçuar. Elita s’është tjetër përpos një grup intelektualësh të cilët luajnë një rol të rëndësishëm drejtues ose udhëheqës në jetën politike shtetërore e në atë shoqërore. Sigurisht shkolla elitiste e Pareto-s dhe Mosca-s ka një ndikim të madh të Gramsci, i cili në konceptin e “elitës” së Pareto-s dhe “klasës politike” të Mosca-s sheh ngjashmëri, thënë në një kuptim të gjerë, me figurën e intelektualit të grupit shoqëror sundues[5]. Sidoqoftë në vende të tjera Gramsci e vë në pikëpyetje këtë ngjashmëri. Për sa i përket “klasës politike”, shkruan ai, nuk kuptohet qartë se ç’nënkupton Mosca me këtë koncept, me të cilin herë përshkruhet klasa e mesme, herë klasa e pronarëve e herë të tjera shtresa e arsimuar e shoqërisë ose personeli politik i shtetit.[6] Sipas Caprioglio-s, udhëheqësi/udhëheqësit nuk ka/në kufij në ushtrimin e pushtetit, mirëpo kufijtë e pushtetit të tij/yre garantohen në mënyrë kantiane nga kullueshëmria etike e tij/yre, ndërsa legjitimiteti i pushtetit përpos forcës material ka prestigjin dhe ndjenjën e nderit.

Udhëheqësi i Gramsci-t është një qenie parashikuese, siç ishte Prometeu dhe metoda e tij materialiste e veprimit është e pagabueshme. Fjalët kyçe për ta përshkruar janë nga një anë guximi dhe besimi në një ideal, ndërsa nga tjetra disiplinë dhe hierarki. Në cilësinë e udhëheqësit të partisë komuniste i shkruan kështu Julka-s: “Nga unë duan besimin, entuziazmin, vullnetin dhe forcën.” E ka fjalën për shokët e partisë, të cilët janë të shkurajuar dhe gjenden nën kërcënimin e reaksionit fashist. “Mendojnë se unë jam një burim i pashtershëm.” – shkruan më ai më poshtë. Fundja ky është dhe fati i pashmangshëm i një udhëheqësi: sakrifica e tij për një ideal më të madh, për një shoqëri më të mirë.

Për të kuptuar udhëheqësin e Gramsci-t me rëndësi është të merret në konsideratë periudha historike, konteksti në të cilin shkruan dhe vepron ai. Në Italinë e asaj kohe të ishe socialist, komunist apo anarkist, donte të thoshte ta kishe jetën vazhdimisht në rrezik. Kujtojmë këtu se në atë periudhë vrasjet e kundërshtarëve politikë ishin të zakonshme, siç në rastin e drejtuesit socialist Giacomo Matteotti, i vrarë nga një skuadrist fashist, e plot të tjerë.  Vetë Gramsci do të internohej si drejtues i Partisë Komuniste. Jeta politike pra ishte vazhdimisht një luftë, si brenda partive apo grupeve të ndryshme ashtu dhe jashtë tyre. E lufta kërkon udhëheqës, drejtues, strategë. Të vepruarit në një gjendje të jashtëzakonshme kërkonte mbi të gjitha njerëz të tillë, struktura politike hierarkike, vendimmarrje sa më të ngushtë për arsye spiunimi, sabotimi etj. Në këtë kuptim, udhëheqës ideal do duhej të ishte si Lenini, i cili veproi jashtëzakonshëm në një situatë të jashtëzakonshme. Për ta mbyllur, me fjalët e Caprioglio-s, duke iu referuar Leninit, dallimi mes një udhëheqësi demagog dhe një udhëheqësi revolucionar është se ngritja e këtij të fundit është e kushtëzuar nga ngritja e tërë shtresës shoqërore që ai përfaqëson.

***

Udhëheqësi

Artikull i pafirmosur, i botuar në gazetën Ordine Nuovo, mars 1924; ribotuar me titullin “Lenin capo revoluzionario” (Lenini, udhëheqës revolucionar) në gazetën l’Unità, 6 nëntor 1924.

Çdo shtet është një diktaturë. Çdo shtet e ka të pamundur të mos ketë një qeveri, të përbërë nga një numër i ngushtë njerëzish, të cilët organizohen më pas përreth më të aftit e më largpamësit mes tyre. Për sa kohë të jetë i nevojshëm shteti, për sa kohë historikisht do të jetë e nevojshme që njerëzit të qeverisën, cilado qoftë klasa sunduese, do të shtrohet çështja e të pasurit udhëheqës, e të pasurit një “udhëheqës”.

Që disa socialistë, të cilët thonë ende se janë marksistë e revolucionarë, të thonë më pas se duan diktaturën e proletariatit, por nuk duan diktaturën e “udhëheqësve”, se nuk duan që drejtimi të shquhet, personalizohet, që të thuhet, pra, se e duan diktaturën, por  se nuk e duan në formën që historikisht është e mundur, është thjesht shenjë e një drejtimi të tërë politik, e një përgatitjeje të tërë teorike “revolucionare”.

Problemi thelbësor për sa i përket çështjes së diktaturës së proletariatit nuk është ai i personifikimit fizik të funksionit drejtues. Problemi thelbësor qëndron në natyrën e marrëdhënieve që udhëheqësit ose udhëheqësi kanë me partinë e klasës punëtore, në marrëdhëniet që ekzistojnë mes kësaj partie dhe klasës punëtore: a janë ato thjesht hierarkike, të tipit ushtarak, apo janë të natyrës historike dhe organike?

Udhëheqësi, partia, janë elementë të klasës punëtore, janë një pjesë e klasës punëtore, që përfaqësojnë interesat dhe aspiratat më të thella dhe jetike të saj, apo janë mish i huaj, apo thjesht  një mbivendosje e dhunshme? Si është formuar kjo parti, si është zhvilluar, cili ka qenë procesi me anë të cilit është bërë përzgjedhja e njerëzve që e drejtojnë? Si është shndërruar në partinë e klasës punëtore? A ka ndodhur kjo rastësisht?

Ky është problemi i tërë zhvillimit historik të klasës punëtore, e cila formësohet në mënyrë të ngadalshme në luftën kundër borgjezisë, duke korrur ndonjë fitore e duke pësuar shumë disfata; e jo vetëm i klasës punëtore të një shteti të veçantë, por i të gjithë klasës punëtore botërore, me dallimet e saj sipërfaqësore, e megjithatë tepër të rëndësishme në çdo moment të veçantë, me unitetin e saj thelbësor dhe me homogjenitetin e saj.

Ky është problemi i forcës jetësore të marksizmit, i të qenit ose jo interpretimi më i sigurt e më i thellë i natyrës dhe historisë, i mundësisë për t’i dhënë intuitës gjeniale të njeriut edhe një metodë të pagabueshme, një instrument ekstrem precizioni për të eksploruar të ardhmen, për të parashikuar ngjarjet masive, për t’i drejtuar e kësisoj për t’i zotëruar ato.

Proletariati ndërkombëtar ka pasur dhe vazhdon ende të ketë shembullin e gjallë të një partie revolucionare që ushtron diktaturën e klasës; ka pasur e nuk ka më, fatkeqësisht, shokun Lenin, shembullin e gjallë më karakteristik e më ekspresiv të një udhëheqësi revolucionar.

Shoku Lenin ka qenë nismëtari i një procesi të ri të zhvillimit të historisë, mirëpo ai ka qenë i tillë sepse ishte edhe eksponenti dhe momenti i fundit më i dalluar i një procesi të tërë të zhvillimit të historisë së shkuar jo vetëm i Rusisë,  por edhe i mbarë botës. A ishte bërë ai rastësisht udhëheqësi i partisë bolshevike? A mos është bërë rastësisht partia bolshevike partia drejtuese e proletariatit rus e kësisoj e kombit rus?

Përzgjedhja ka zgjatur tridhjetë vjet, ka qenë shumë e vështirë dhe shpesh ka marrë me ç’duket format më të çuditshme dhe më absurde. Ajo është zhvilluar, në rrafshin ndërkombëtar, në kontakt me qytetërimet më të përparuara kapitaliste të Evropës qendrore e perëndimore, në luftën e partive dhe fraksioneve të cilat përpara luftës përbënin Internacionalen e Dytë.

Ajo ka vijuar në gjirin e minorancës së socializmit ndërkombëtar, të mbetur së paku pjesërisht imune nga epidemia social-patriotike. Ka rinisur në Rusi në luftën për të pasur shumicën e proletariatit, në luftën për të kuptuar dhe interpretuar nevojat dhe aspiratat e një klase fshatare të panumërt, të shpërndarë në një territor të paanë. Vazhdon ende sot, çdo ditë, sepse çdo ditë duhet kuptuar, parashikuar dhe të merren masa.

Kjo përzgjedhje ka qenë një luftë fraksionesh, grupesh të vogla, ka qenë luftë individuale dhe ka dashur të thotë ndarje e bashkime, arrestime, syrgjynosje, burgosje, atentate: ka qenë rezistencë kundër shkurajimit dhe kundër mendjemadhësisë, ka dashur të thotë të vuash urie duke pasur në dispozicion me miliona para, ka dashur të thotë të ruash shpirtin e një punëtori të thjeshtë në fronin e carëve, të mos dëshpërohesh edhe nëse gjithçka duket e humbur, por t’ia rinisësh, me durim, me këmbëngulje, duke qëndruar gjakftohtë dhe me buzëqeshjen në buzë kur të tjerët humbnin toruan.

Partia komuniste ruse, me udhëheqësin e saj Leninin, ishte e lidhur aq shumë me zhvillimin e proletariatit të saj rus, me zhvillimin në përgjithësi, pra, me tërë kombin rus, saqë është e pamundur të imagjinohet njëra pa tjetrën, të imagjinohet proletariati si klasë sunduese pa partinë komuniste në qeveri e kësisoj pa Komitetin Qendror të Partisë Komuniste si frymëzues i politikës së qeverisë; pa Leninin udhëheqës të shtetit. Të njëjtën sjellje kishte shumica e madhe të borgjezisë ruse e cila thoshte: –  një republikë e udhëhequr nga Lenini pa partinë komuniste do të ishte ideale edhe për ne – kishte një  domethënie të madhe historike.

Kjo ishte prova që proletariati nuk ushtronte më vetëm një sundim fizik, por sundonte edhe shpirtërisht. Thellë, vagëllimthi, edhe borgjezi rus e kuptonte se Lenini nuk do të kishte mundur të bëhej dhe nuk do të kishte mundur të mbetej udhëheqësi i shtetit pa sundimin e proletariatit, pa shndërrimin e Partisë Komuniste në partinë e qeverisjes: ndërgjegjja e tij klasore ende ia ndalonte ta pranonte, përpos humbjes së tij  fizike, të menjëhershme, edhe humbjen e tij ideologjike dhe historike; mirëpo dyshimi tashmë e kishte përfshirë atë, dhe ky dyshim shprehej në atë fjali.

Tani paraqitet një tjetër problem. A është e mundur sot, në periudhën e revolucionit botëror, të ekzistojnë “udhëheqës” jashtë klasës punëtore, të ekzistojnë udhëheqës jomarksistë, të cilët të mos jenë të lidhur ngushtë me klasën që mishëron zhvillimin progresiv të të gjithë njerëzimit?

Në Itali kemi regjimin fashist, kemi Benito Mussolini-n udhëheqës të fashizmit, kemi një ideologji zyrtare në të cilën “udhëheqësi” hyjnizohet, shpallet i pagabueshëm, shpallet organizator dhe frymëzues i një perandorie të shenjtë romake të re. Në gazeta çdo ditë botohen dhjetëra e qindra telegrame urimi nga tributë e mëdha lokale drejtuar “udhëheqësit”. Shohim fotografitë: maska e ngurtësuar e një fytyre që e kemi parë tashmë në mbledhjet e socialistëve.

E njohim atë fytyrë: e njohim atë zgurdullim sysh, ata sy që në të shkuarën, me vështrimin e tyre të egër, duhet t’i shtinin të dridhurat borgjezisë, ndërsa sot proletariatit. E njohim atë grusht gjithnjë të mbyllur, kërcënues. E njohim gjithë këtë mekanizëm, të gjitha këto instrumente, dhe nuk e kuptojmë që ai mund t’u bëjë përshtypje dhe mund të prekë zemrat e rinisë së shkollave borgjeze; ai të bën vërtet përshtypje edhe parë nga afër, dhe është mahnitës.

Po “udhëheqës”? E kemi parë javën e kuqe të qershorit të 1914-s. Më shumë se tre milionë punëtorë ishin në shesh, të mbledhur nga thirrja e Benito Mussolini-t, i cili prej rreth një viti nga masakra e Roçagorga-s, i kishte përgatitur ata për ditën e madhe, me të gjitha mjetet oratorike dhe gazetareske në dispozicion  të “udhëheqësit” dhe partisë socialiste të asaj kohe, të Benito Mussolini-t: nga karikatura e Scalarini-t te procesi i madh i Assise-it të Milanos.

Tre milionë punëtorë kishin zbritur në shesh: mungoi “udhëheqësi”, Benito Mussolini. Mungoi si “udhëheqës”, jo si individ, pasi tregojnë se ai si individ ishte guximtar dhe në Milano s’pyeste për kordonët dhe mushketat e karabinierëve. Mungoi si “udhëheqës” sepse nuk ishte i tillë, sepse, siç rrëfen vetë, në gjirin e drejtuesve të partisë socialiste nuk arrinte t’u bënte ballë intrigave të poshtra të Arturo Vella-s apo të Angelica Balabanoff-it.

Ai atëherë ishte, siç është sot, personifikimi i mikroborgjezit italian, i tërbuar, një mbrujtje e ashpër e të gjitha gërmadhave të lëna në tokën italiane gjatë shekujve të sundimit të huaj dhe sundimit të priftërinjve: nuk mund të ishte udhëheqësi i proletariati; u bë diktatori i borgjezisë, i cili, kur ribëhet reaksionar, i do fytyrat e egra dhe shpreson të shohë në klasën punëtore të njëjtin terror që borgjezia ndiente nga ai zgurdullim sysh dhe ai grusht i mbyllur në shenjë kërcënimi.

Diktatura e proletariatit është e zhvilluese, jo shtypëse. Një lëvizje e vazhdueshme merr jetë nga poshtë-lart, një shkëmbim i vazhdueshëm nëpërmjet të gjithë kapilarëve shoqëror, një qarkullim i vazhdueshëm njerëzish. Udhëheqësi që ne qajmë sot gjeti një shoqëri të shpërbërë, një pluhurizë njerëzore, pa rend e pa disiplinë, sepse në pesë vjet luftë prodhimi, burimi i çdo jete shoqërore, ishte shteruar. Gjithçka u risistemua dhe u rindërtua, nga fabrikat te qeveria, me mjetet dhe nën drejtimin dhe kontrollin e proletariatit, domethënë të një klase të re në qeveri dhe në histori.

Benito Mussolini ka marrë qeverinë dhe po e mban atë nëpërmjet shtypjes më të dhunshme dhe arbitrare. Atij nuk i është dashur të organizojë një klasë, por vetëm personelin e administratës. Ai ka zbërthyer ndonjë mekanizëm shtetëror, më shumë për të parë se si është ndërtuar dhe për t’u praktikuar me zanatin e ri, sesa për një nevojë parësore. Doktrina e tij përbëhet e tëra nga maska trupore, nga zgurdullimi i syve, nga grushti i mbyllur gjithnjë në shenjë kërcënimi…

Këto skena të vjetruara nuk janë të reja për Romën. Ajo ka parë Romulin, Cezar Augustin dhe ka parë, në fundin e saj, Romul Augustolon.


[1] Antonio Gramsci, Quaderni del carcere,II, f. 1386.

[2] Sergio Caprioglio , Il capo rivoluzionario nel pensiero di Antonio Gramsci, Belfagor.

[3] Quaderni dal carcere,II, f. 1052.

[4] Po aty.

[5] Quaderni del carcere, II, f. 956.

[6] Quaderni del carcere, III, f. 1565.

Imazhi: Inquiries Journal

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.