Kritikë e shoqërisë civile

/Ellen Meiksins Wood/

Ideja e ‘shoqërisë civile’

Kur kritika e kapitalizmit është më urgjente se kurrë më parë, prirjet teorike mbisunduese brenda të majtës merren me konceptime që i largohen idesë së kapitalizmit. Na thuhet se bota ‘postmoderne’ është një përzierje fragmentesh dhe ‘diference’. Uniteti sistemor i kapitalizmit, ‘strukturat objektive’ dhe ‘imperativët e tij totalizues janë lënë mënjanë (nëse kanë ekzistuar ndonjëherë), për t’u marrë me një brikolazh realitetesh shoqërore të shumëfishta, me një strukturë pluraliste aq të larmishme dhe elastike e cila mund të rirregullohet prej ndërtimeve ligjërimore. Ekonomia kapitaliste tradicionale është zëvendësuar nga fragmentimi ‘postfordist’, ku çdo fragment çel një hapësirë për luftëra emancipuese. Marrëdhëniet klasore thelbësore të kapitalizmit përfaqësojnë vetëm një ‘identitet’ personal mes shumë të tjerave, pa ruajtur pozicionin e vet historik ‘të privilegjuar’. E kështu me radhë.

Sado të larmishme të jenë metodat e shpërbërjes konceptuale të kapitalizmit – ku përshihet gjithçka, prej teorisë së postfordizmit te ‘studimet kulturore’ postmoderne dhe ‘politika e identitetit’ – shpesh ato ndajnë me njëra-tjetrën një koncept veçanërisht të dobishëm: ‘shoqërinë civile’. Pas një historie të gjatë dhe disi komplekse, pas një sërë momentesh të rëndësishme në veprat e Hegelit, Marksit dhe Gramsci-t, kjo ide e zhdërvjellët është kthyer në një moto gjithëfunksionale për të majtën, ku përshihet një gamë e gjerë aspiratash emancipuese, si dhe – duhet thënë – një tog i tërë justifikimesh për zbythje politike. Sado dobiprurëse të jetë kjo ide në mbrojtjen e lirive njerëzore kundër shtypjes shtetërore apo në vijëzimin e një terreni praktikash, institucionesh dhe marrëdhëniesh shoqërore të neglizhuara nga e majta ‘e vjetër’ marksiste, ‘shoqëria civile’ sot po rrezikon të kthehet në alibi për kapitalizmin.

Ka pasur një traditë të gjatë intelektuale në Perëndim, që shkon deri në antikitetin klasik, e cila ka vijëzuar në mënyra të ndryshme terrenin e shoqërizimit njerëzor, një farë nocioni të ‘shoqërisë’ të dallueshëm nga trupi politik dhe bartës të mëtimeve morale të pavarura dhe nganjëherë të kundërta me autoritetin e shtetit. Cilëtdo të kenë qenë faktorët e tjerë ndikues në prodhimin e të tilla koncepteve, evoluimi i tyre është lidhur prej fillimit me zhvillimin e pronës private si një vendndodhje e dallueshme dhe autonome pushteti shoqëror. Për shembull, ndonëse romakët e antikitetit, njëlloj si grekët, ende prireshin ta identifikonin shtetin me bashkësinë e qytetarëve – ‘popullin romak’, ata sollën një sërë përparimesh madhore në ndarjen konceptuale të shtetit dhe ‘shoqërisë’, sidomos në të drejtën romake, e cila bënte dallim midis sferave publike e private dhe i jepte pronës private një status dhe qartësi ligjore që nuk e kishte gëzuar kurrë më parë.[1]  

Në këtë kuptim, ndonëse koncepti modern i ‘shoqërisë civile’ lidhet me marrëdhëniet pronësore karakteristike të kapitalizmit, bëhet fjalë për një variacion të një çështjeje të vjetër. Megjithatë, variacioni është vendimtar; dhe çdo tentativë për ta holluar karakterin specifik të kësaj ‘shoqërie civile’, për ta errësuar dallimin e saj nga konceptimet e mëhershme të shoqërisë, rrezikon të fshehë veçantinë e vetë kapitalizmit si një formë shoqërore e dallueshme, me marrëdhëniet e tij shoqërore karakteristike, me modelet vetjake të përvetësimit dhe shfrytëzimit, rregullat e riprodhimit dhe imperativët e tij sistemorë.[2]

Konceptimi mirëfilli modern i ‘shoqërisë civile’ – që për herë të parë u shfaq sistematikisht në shekullin e tetëmbëdhjetë – është i ndryshëm nga nocionet e mëhershme të ‘shoqërisë’: shoqëria civile përfaqëson një sferë të ndarë marrëdhëniesh dhe veprimtarie njerëzore, të dallueshme nga shteti, por as publike as private, ose ndoshta të dyja njëherazi, që trupëzon jo vetëm një gamë të gjerë ndërveprimesh shoqërore të ndara nga sfera private e shtëpisë dhe sfera publike e shtetit, por në mënyrë më specifike një rrjet marrëdhëniesh veçanërisht ekonomike, sferën e tregut, arenën e prodhimit, shpërndarjes dhe këmbimit. Kushti i domosdoshëm, por i pamjaftueshëm i këtij konceptimi të shoqërisë civile ishte ideja moderne e shtetit si një entitet abstrakt me identitet korporativ, që u zhvillua me ngritjen e absolutizmit evropian, po diferencimi i plotë konceptual i ‘shoqërisë civile’ kërkoi lindjen e një ‘ekonomie’ autonome, të ndarë nga uniteti i ‘politikes’ dhe ‘ekonomikes’ që ende karakterizonte shtetin absolutist.

Paradoksalisht – po mbase jo edhe aq – përdorimet e hershme të termit ‘shoqëri civile’ në vendlindjen e kapitalizmit, në Anglinë e modernitetit të hershëm, në vend të kundërshtisë midis shoqërisë civile dhe shtetit, i shkrinin të dyja. Në mendimin politik anglez të shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë ‘shoqëria civile’ përdorej në mënyrë tipike si sinonim i ‘komonuelthit’ ose ‘shoqërisë politike’. Kjo shkrirje e shtetit dhe ‘shoqërisë’ përfaqësonte nënrenditjen e shtetit ndaj bashkësisë së zotëruesve të pronës private (si kundër mbretit, ashtu edhe ‘shumësisë’), të cilët përbënin kombin politik. Ajo reflektonte një lloj rregullimi politik unik, në të cilin klasa mbisunduese e kishte pasurinë dhe pushtetin e saj gjithnjë e më shumë në varësi të mënyrave krejtësisht ‘ekonomike’ të përvetësimit, dhe jo prej mënyrave ‘jashtekonomike’ drejtpërdrejt shtrënguese të akumulimit përmes mjeteve politike dhe ushtarake, siç ndodhte në rastin e vjeljes feudale të rentës apo taksimit absolutist dhe mbajtjes së postit zyrtar si instrumenti parësor i përvetësimit privat.  

Po nëse përdorimi anglez prirej ta mjegullonte dallimin midis shtetit dhe shoqërisë civile, ishin kushtet angleze – i njëjti sistem marrëdhëniesh pronësore dhe përvetësimi kapitalist, po tanimë më i përparuar dhe me një mekanizëm tregu mjaft më të zhvilluar – që e bënë të mundur kundërshtinë konceptuale midis të dyjave. […]

Argumenti mbi shoqërinë civile

Koncepti i ‘shoqërisë civile’ po përdoret për t’u shërbyer aq shumë qëllimeve të ndryshme, saqë është e pamundur të veçosh një shkollë të vetme mendimi që merret me të; po kanë dalë në pah disa tematika të përbashkëta. ‘Shoqëria civile përgjithësisht synon të identifikojë një sferë (së paku potenciale) lirie jashtë shtetit, një hapësirë autonomie, shoqërimi vullnetar, pluralizmi madje edhe konflikti, të garantuar nga një lloj ‘demokracie formale’ që është zhvilluar në Perëndim. Ky koncept ka synuar gjithashtu ta reduktojë sistemin kapitalist (ose ‘ekonominë’) në një prej sferave të shumta të kompleksitetit plural dhe heterogjen të shoqërisë moderne. Koncepti i ‘shoqërisë civile’ mund ta sjellë këtë efekt në dy mënyra kryesore. Ai mund të përdoret për të treguar këtë shumëfishësi kundër shtetit dhe ekonomisë kapitaliste; ose, siç ndodh rëndom, për ta përfshirë ‘ekonominë’ brenda një sfere më të gjerë institucionesh dhe marrëdhëniesh joshtetërore të shumëfishta.[3] Në secilin rast theksi vihet mbi pluralizmin e marrëdhënieve dhe praktikave shoqërore midis të cilave ekonomia kapitaliste zë vend si një prej të shumtave.

Përdorimet kryesore aktuale burojnë nga dallimi midis shoqërisë civile dhe shtetit. ‘Shoqëria civile’ përkufizohet nga mbrojtësit e këtij dallimi në termat e një dore kundërshtish të thjeshta: për shembull, ‘shteti (dhe organet e tij ushtarake, policore, ligjore, administrative, produktive dhe kulturore) dhe sfera joshtetërore (e rregulluar nga tregu, i kontrolluar privatisht ose i organizuar vullnetarisht) e shoqërisë civile’[4]; ose pushteti ‘politik’ përkundër atij ‘shoqëror’, ligji ‘publik’ përkundër atij ‘privat’, ‘(ç)informimi dhe propaganda shtetërore’ përkundër ‘opinionit publik që qarkullon lirisht’.[5] Sipas këtij përkufizimi, ‘shoqëria civile’ përmban një varg të gjerë institucionesh e marrëdhëniesh – nga hapësira shtëpiake, sindikatat, shoqatat vullnetare, spitalet e kishat te tregu, sipërmarrjet kapitaliste dhe krejt ekonomia kapitaliste. Dy polet e antitezës domethënëse janë thjesht shteti dhe joshteti, ose ndoshta politikja dhe shoqërorja.  

Kjo dikotomi përkon me kundërshtinë midis shtrëngesës, të trupëzuar te shteti, dhe lirisë ose veprimit vullnetar i cili i përket në parim, ndonëse jo detyrimisht në praktikë, shoqërisë civile. Shoqëria civile mund të nënshtrohet ose eklipsohet nga shteti, ndërkohë që sisteme të ndryshme politike ose ‘rajone historike’ të tëra mund të ndryshojnë në varësi të shkallës së ‘autonomisë’ që i japin sferës joshtetërore. Për shembull, karakteristikë e veçantë e Perëndimit është se i ka dhënë jetë një ndarjeje unike e të mirëzhvilluar të shtetit dhe shoqërisë civile, e kësisoj një forme veçanërisht të përparuar lirie politike.

Mbrojtësit e dallimit midis shtetit dhe shoqërisë civile zakonisht i mveshin atij dy të mira parësore. Së pari, vëmendja jonë përqendrohet në rreziqet e shtypjes shtetërore dhe nevojën për t’u vendosur kufij të duhur veprimeve të shtetit, duke organizuar dhe përforcuar trysnitë kundër tij brendapërbrenda shoqërisë. Me fjalë të tjera, ringjallet meraku liberal për kufizimin dhe legjitimimin e pushtetit politik dhe sidomos për kontrollin e këtij pushteti nga liria e shoqërimit dhe organizimi autonom brenda shoqërisë, çka është neglizhuar shpesh prej të majtës në teori dhe praktikë. Së dyti, koncepti i shoqërisë civile njeh dhe lartëson diferencën dhe shumëllojshmërinë. Përkrahësit e tij e shohin pluralizmin si të mirë parësore, përkundër marksizmit i cili, thonë ata, është thelbësisht monist, reduksionist, ekonomist.[6] Ky pluralizëm i ri na fton të vlerësojmë një varg të gjerë institucionesh e marrëdhëniesh të neglizhuara nga socializmi tradicional me brengosjen e tij për ekonominë dhe klasën.

Nxitja e ringjalljes së kësaj dikotomie konceptuale ka ardhur nga disa drejtime. Padyshim shtysa më e fortë erdhi prej Evropës Lindore, ku ‘shoqëria civile’ ishte një armë madhore në arsenalin ideologjik të forcave opozitare kundër shtypjes shtetërore. Këtu çështjet ishin mjaft të qarta: shteti – ku përfshiheshin edhe aparatet politike, edhe ato ekonomike të mbisundimit – mund të vendosej pak a shumë qartësisht kundër hapësirës (potencialisht) së lirë jashtë shtetit. Për shembull, mund të thuhej se antiteza shoqëri civile-shtet përkonte qartësisht me kundërshtinë midis Solidaritetit (Solidarnosc) dhe partisë e shtetit.[7]  

Afërmendsh, kriza e shteteve komuniste i la mbresa të thella të majtës perëndimore, ku u puq me të tjera ndikime: kufizimet e socialdemokracisë, me besimin e pakufishëm te shteti si agjenti i përmirësimeve shoqërore, si dhe lindja e luftërave emancipuese nga lëvizje shoqërore që nuk bazoheshin te klasa dhe kishin ndjeshmëri ndaj dimensioneve të përvojës njerëzore shpesh herë të neglizhuara nga e majta socialiste tradicionale. Këto ndjeshmëri të theksuara ndaj rreziqeve që vinin nga shteti dhe kompleksiteteve të përvojës njerëzore janë shoqëruar me një gamë të gjerë aktivizmi, që ka huazuar mjaft nga feminizmi, ekologjia, pacifizmi dhe reforma kushtetuese. Secili prej këtyre projekteve e ka përdorur konceptin e shoqërisë civile.

Asnjë socialist nuk mund ta vërë në dyshim vlerën e këtyre ndjeshmërive të reja, por lindin dyshime të mëdha mbi mënyrën se si na e tërheq vëmendjen kjo metodë e veçantë. Neve na kërkohet të paguajmë një çmim të shtrenjtë për konceptin gjithëpërfshirës të ‘shoqërisë civile’. Kjo baule konceptuale, që përzien pa dallim gjithçka prej hapësirës shtëpiake te shoqërizimet vullnetare dhe sistemi ekonomik kapitalist, ngatërron dhe fsheh më shumë nga ç’dëfton. Në Evropën Lindore ajo përdoret për të kuptuar gjithçka – nga mbrojtja e të drejtave politike dhe liritë kulturore te tregtarizimi i ekonomive postkomuniste dhe restaurimi i kapitalizmit. ‘Shoqëria civile’ mund të shërbejë si fjalëkalim apo mbulesë e kapitalizmit, dhe tregu mund të përzihet me të mira më pak të dykuptimta, si liritë politike e intelektuale, si të ishin qëllime medoemos të dëshirueshme.

Po nëse rreziqet e kësaj strategjie konceptuale dhe të vendosjes së tregut në sferën e lirë të ‘shoqërisë civile’ duken të zbehta përpara shtypjes së jashtëzakonshme staliniste në Lindje, në Perëndim lindin probleme të një natyre tjetër, aty ku ekziston një ekonomi tejet e zhvilluar kapitaliste dhe shtypja shtetërore nuk është një e keqe e drejtpërdrejtë dhe masive që vendos në plan të dytë të gjitha problemet e tjera shoqërore. Meqenëse, në këta rast, ‘shoqëria civile’ synon të përshijë një shtresë të gjerë realiteti shoqëror që nuk ekzistonte në shoqëritë komuniste, pasojat e përdorimit të saj janë edhe më problematike në disa aspekte të rëndësishme.

Këtu rreziku gjendet në faktin se logjika totalizuese dhe pushteti shtrëngues i kapitalizmit bëhen të padukshëm, kur i gjithë sistemi shoqëror kapitalist reduktohet në një varg institucionesh dhe marrëdhëniesh midis shumë të tjerave, në barasvlerë konceptuale me hapësirën shtëpiake apo shoqërizimet vullnetare. Ky reduktim është parimi dallues i ‘shoqërisë civile’ që prej mishërimit të saj të ri. Për pasojë ndodh moskonceptualizimi i problemit të kapitalizmit, duke e shpërbërë shoqërinë në fragmente, ku nuk ka asnjë strukturë pushtetore gjithëndikuese, nuk ka unitet totalizues, as shtrëngesa sistemore – me fjalë të tjera, nuk ka sistem kapitalist me shtysën e tij ekspansioniste dhe kapacitetin për të depërtuar në çdo aspekt të jetës shoqërore. Strategjia tipike e argumentit të ‘shoqërisë civile’ – madje raison d’etre-ja e tij – është të sulmojë ‘reduksionizmin’ marksist apo ‘ekonomizmin’. Pretendohet se marksizmi e redukton shoqërinë civile në ‘mënyrë prodhimi’, në ekonomi kapitaliste. ‘Zhvlerësohet rëndësia e të tjera institucioneve të shoqërisë civile – si hapësira shtëpiake, kishat, shoqatat shkencore e letrare, burgjet dhe spitalet.’[8]

Pavarësisht nëse marksistët u kanë kushtuar ose jo pak rëndësi këtyre institucioneve ‘të tjera’, dobësia e këtij ballafaqimi (ekonomi kapitaliste dhe ‘të tjera institucione’ si spitalet?) duket sheshit. Me siguri edhe jomarksistët e kanë të mundur ta kuptojnë, për shembull, të vërtetën e thjeshtë se në Perëndim spitalet janë vendosur brenda një shoqërie kapitaliste e cila e ka ndikuar thellësisht organizimin e kujdesit shëndetësor dhe natyrën e institucioneve mjekësore. Po a është e mundur të konceptojmë një pohim analog mbi efektet e spitaleve mbi kapitalizmin? A nuk do të thotë ky vëzhgim rreth ‘institucioneve të tjera’ se Marksi nuk i vlerësonte hapësirën shtëpiake dhe spitalet apo, mos ndoshta, se ai nuk u jepte të njëjtën forcë përcaktuese historikisht? A nuk mund t’i dallojmë këto ‘institucione’ të ndryshme sipas çfarëdolloj kriteri sasior e cilësor, nga masa dhe shtrirja te pushteti shoqëror dhe efikasiteti historik? Në mënyrë tipike, përdorimi aktual i ‘shoqërisë civile’ u shmanget këtyre pyetjeve. Po ashtu sjell për pasojë ngatërrimin e pretendimeve morale të institucioneve ‘të tjera’ me pushtetin e tyre përcaktues, ose e shpërfill çështjen në thelb empirike të përcaktimeve historike e shoqërore.

Ka një tjetër version të argumentit që, në vend se thjesht t’i shmanget totalitetit sistemor të kapitalizmit, thjesht e mohon atë. Vetë ekzistenca e mënyrave të mbisundimit të ndryshme nga marrëdhëniet klasore, e parimeve të shtresëzimit të ndryshme nga pabarazia klasore, e luftërave shoqërore të ndryshme nga lufta e klasave, merret sikur provon se kapitalizmi, marrëdhënia themelore e të cilit është klasa, nuk është një sistem totalizues. Meraku marksist për marrëdhëniet ‘ekonomike’ dhe klasën në kurriz të marrëdhënieve dhe identiteteve të tjera shoqërore, duket se provon që përpjekjet për të ‘totalizuar krejt shoqërinë nga këndvështrimi i një sfere, ekonomisë ose mënyrës së prodhimit’, janë të gabuara për arsyen e thjeshtë se vetëkuptueshëm ekzistojnë të tjera ‘sfera’.[9]

Ky argument ka një logjikë qarkore dhe bazohet mbi një premisë të rrejshme. Për të mohuar logjikën totalizuese të kapitalizmit nuk mjafton thjesht të dëftosh larminë e identiteteve dhe marrëdhënieve shoqërore. Marrëdhënia klasore përbërëse e kapitalizmit nuk është, tekembramja, thjesht një identitet personal, madje as një parim ‘shtresëzimi’ apo pabarazie. Nuk bëhet fjalë vetëm për një sistem specifik marrëdhëniesh pushtetore, por edhe për marrëdhënien themelore të një procesi shoqëror, dinamike akumulimi dhe vetekspansioni kapitali të dallueshëm. Sigurisht që mund të vërtetohet kollaj se klasa nuk është i vetmi parim ‘shtresëzimi’, e vetmja formë pabarazie e mbisundimi. Po sa më sipër nuk na tregon asgjë rreth logjikës totalizuese të kapitalizmit.

Të mohosh logjikën totalizuese të kapitalizmit kërkon të vërtetosh bindshëm se këto sfera dhe identitete të tjera nuk gjenden – ose së paku jo në mënyrë domethënëse – brenda forcës përcaktuese të kapitalizmit, marrëdhënieve të tij pronësoro-shoqërore, imperativëve të tij ekspansionistë, shtysës për akumulim, komodifikimit të krejt jetës shoqërore, krijimit të tregut si domosdoshmëri, një mekanizmi shtrëngues konkurrence dhe ‘rritjeje’ të vetëmbështetur e kështu me radhë. Po argumentet e ‘shoqërisë civile’ (në fakt, çdo argument ‘postmarksist’ në tërësi) nuk marrin zakonisht trajtën e refuzimit historik e empirik të efekteve përcaktuese të marrëdhënieve kapitaliste. Këto (kur nuk marrin trajtën e logjikës qarkore: kapitalizmi nuk është një sistem totalizues sepse ekzistojnë të tjera sfera përveç ekonomisë) priren të zhvillohen si argumente filozofike abstrakte, si kritika të brendshme të teorisë marksiste ose, më rëndom, si parashkrime morale mbi rreziqet e zhvlerësimit të sferave ‘të tjera’ të përvojës njerëzore.

Në një farë mënyre, kapitalizmi reduktohet në masën dhe peshën e ‘të tjera’ institucioneve të përveçme dhe specifike, si dhe zhduket në natën konceptuale ku të gjitha macet janë gri. Strategjia e tretjes së kapitalizmit në një pluralitet të pastrukturuar dhe të padiferencuar institucionesh dhe marrëdhëniesh shoqërore medoemos do ta dobësojë forcën analitike dhe normative të ‘shoqërisë civile’, kapacitetin e saj për t’u marrë me kufizimin dhe legjitimimin e pushtetit, si dhe dobishmërinë e saj në udhërrëfimin e projekteve emancipuese. Teoritë aktuale e mbyllin ‘shoqërinë civile’ në domethënien e saj specifike si një formë shoqërore karakteristike e kapitalizmit, një totalitet sistemor brenda të cilit vendosen të gjitha institucionet ‘e tjera’ dhe duhet të gjejnë udhën e tyre të gjitha forcat shoqërore, një sferë specifike dhe e paprecedent pushteti shoqëror, që shtron probleme krejt të reja legjitimimi e kontrolli, probleme që nuk mund të shtrohen për zgjidhje nga teoritë tradicionale mbi shtetin apo nga liberalizmi bashkëkohor.

‘Shoqëria civile’ dhe zhvlerësimi i demokracisë

Atëherë nuk mjafton të themi se demokracia mund të shtrihet duke i shkëputur parimet e ‘demokracisë formale’ nga çdo lidhje me kapitalizmin; as se demokracia kapitaliste është e paplotë, por përbën një hap në zhvillimin padyshim përparimtar që duhet përsosur prej socializmit dhe të shkojë përtej kufizimeve të ‘demokracisë formale’. Në fakt shoqërizimi i kapitalizmit me ‘demokracinë formale’ përfaqëson një unitet kontradiktor përparimi dhe zmbrapsjeje, edhe përforcim, edhe zhvlerësim të demokracisë. Sigurisht që ‘demokracia formale’ përbën një përmirësim të formave demokratike të cilave u mungojnë liritë civile, rendi ligjor dhe parimi i përfaqësimit. Po ajo është gjithashtu – po aq e në të njëjtën kohë – një heqje nga substanca e idesë demokratike, ashtu siç është e lidhur historikisht dhe strukturalisht me kapitalizmin.[10]

Në kapitujt e mëparshëm kam trajtuar një pjesë të këtyre temave. Këtu do të mjaftonte të vija në dukje një lloj paradoksi në këmbënguljen se nuk duhet të lejojmë që konceptimi i emancipimit njerëzor të kufizohet nga identifikimi i ‘demokracisë formale’ me kapitalizmin. Nëse mendojmë se emancipimi njerëzor është pak më shumë se shtrirja e demokracisë liberale, atëherë në fund mund të bindemi se kapitalizmi, në fund të fundit, është garancia e saj më e sigurt.

Sigurisht që ndarja e shtetit dhe shoqërisë civile në Perëndim ka bërë të lindin forma të reja lirie dhe barazie, por gjithashtu ka krijuar mënyra të reja mbisundimi dhe shtrëngimi. Një prej mënyrave të evidentimit të karakterit specifik të ‘shoqërisë civile’ si një formë shoqërore unike e botës moderne – kushtet e veçanta historike që mundësuan dallimin modern midis shtetit dhe shoqërisë civile – është të thuash se ajo ka themeluar një formë të re pushteti politik, në të cilin shumë prej funksioneve shtrënguese që dikur i përkisnin shtetit janë zhvendosur në sferën ‘private’, në pronën private, shfrytëzimin klasor dhe imperativët e tregut. Në një farë kuptimin, ka qenë ky ‘privatizim’ i pushtetit publik që ka krijuar hapësirën e re historike të ‘shoqërisë civile’.

‘Shoqëria civile’ përbën jo vetëm një marrëdhënie tërësisht të re midis ‘publikes’ dhe ‘privates’, por më imtësisht një hapësirë tërësisht të re ‘privateje’, me një prani të dallueshme ‘publike’ dhe shtypje të veçantë, një strukturë unike pushteti dhe mbisundimi dhe një logjikë sistemore të pamëshirshme. Ajo përfaqëson një rrjet të veçantë marrëdhëniesh shoqërore që nuk qëndrojnë thjesht kundruall funksioneve shtrënguese, ‘policore’ dhe ‘administrative’ të shtetit, por mishëron një zhvendosje të këtyre funksioneve, ose së paku të një pjese të rëndësishme të tyre. Përmban një ndarje të re pune midis sferës ‘publike’ të shtetit dhe sferës ‘private’ të pronësisë kapitaliste dhe imperativëve të tregut, në të cilën përvetësimi, shfrytëzimi dhe mbisundimi janë të ndarë nga autoriteti publik dhe përgjegjësia shoqërore; ndërsa këto pushtete të reja private mbështeten te shteti për t’i mbajtur në këmbë, nëpërmjet një pushteti zbatues të përqendruar si kurrë më parë.  

‘Shoqëria civile’ i njeh pronës private dhe zotëruesve të saj të drejtën e komandimit të njerëzve në jetën e tyre të përditshme, një pushtet i ushtruar nëpërmjet shtetit, por jollogaridhënës përpara askujt – pushtet të cilin do ta kishte lakmuar çdo shtet i vjetër tiranik. Edhe ato veprimtari dhe përvoja që gjenden jashtë strukturës komanduese të drejtpërdrejtë të sipërmarrjes kapitaliste, ose jashtë pushtetit politik tejet të madh të kapitalit, rregullohen nga diktatet e tregut, domosdoshmëritë e konkurrencës dhe fitimit. Edhe kur nuk ndodh, si rëndom në shoqëritë e përparuara kapitaliste, që tregu të jetë thjesht një instrument pushteti i konglomerateve gjigande dhe korporatave shumëkombëshe, prapëseprapë ai ushtron një forcë shtrënguese që ka mundësi t’ia nënshtrojë të gjitha vlerat, veprimtaritë dhe marrëdhëniet njerëzore imperativëve të tij. Asnjë despot i moçëm nuk mund të shpresonte të depërtonte në jetën personale të nënshtetasve të tij – shanset e tyre jetësore, zgjedhjet, preferencat, opinionet dhe marrëdhëniet – në këtë mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të detajuar, jo vetëm brenda vendit të punës, por në çdo cep të jetës. Dhe tregu ka krijuar instrumente të reja pushteti që mund të manipulohen jo vetëm nga kapitali shumëkombësh, por edhe nga shtetet e përparuara kapitaliste, të cilat mund të vendosin disiplinim drakonian tregu mbi ekonomitë e tjera, ndërkohë që zakonisht e mbrojnë kapitalin e tyre të brendshëm. Me fjalë të tjera, shtrëngimi nuk ka qenë thjesht një trazirë e ‘shoqërisë civile’, por një prej parimeve të saj themelore. Madje funksionet shtrënguese të shtetit në një masë të madhe janë marrë me ushtrimin e mbisundimit në shoqërinë civile.

Ky realitet historik ka prirje të prishë dallimet e qarta që kërkohen nga teoritë aktuale, të cilat na shtyjnë ta trajtojmë shoqërinë civile, të paktën në parim, si sferën e lirisë dhe veprimit vullnetar, antitezën e parimit pashmangshmërisht shtrëngues që i përket mirëfilli shtetit. Është e vërtetë se në shoqërinë kapitaliste, me ndarjen e sferave ‘politike’ dhe ‘ekonomike’, ose të shtetit dhe shoqërisë civile, pushteti publik shtrëngues centralizohet dhe përqendrohet në një shkallë më të madhe se kurdoherë, por kjo thjesht do të thotë se njëri prej funksioneve parësore të shtrëngimit ‘publik’ nga ana e shtetit është të mbështesë pushtetin ‘privat’ në shoqërinë civile.

Një prej shembujve më të qartë të vizionit të shtrembëruar që sjell kjo dikotomi e thjeshtë midis shtetit si vendndodhje shtrëngimi dhe ‘shoqërisë civile’ si hapësirë e lirë është masa në të cilën liritë civile si liria e shprehjes apo e shtypit në shoqëritë kapitaliste maten jo nga gjerësia e opinionit dhe debatit në media, por nga fakti se media është në pronësi private dhe kapitali ka lirinë të fitojë prej saj. Shtypi është ‘i lirë’ kur është privat, pavarësisht se sa mund ta ‘manifakturojë miratimin’.

Teoritë aktuale të shoqërisë civile sigurisht që e njohin faktin se shoqëria civile nuk është një hapësirë lirie a demokracie e përsosur. Për shembull, ajo gjymtohet nga shtypja në familje, në marrëdhëniet gjinore, në vendin e punës, nga sjelljet raciste, homofobia etj. Në fakt, së paku në shoqëritë e përparuara kapitaliste, këto shtypje janë bërë fokusi kryesor i luftës, ndërkohë që ‘politika’ në kuptimin e vjetër të fjalës, që ka të bëjë me pushtetin shtetëror, partitë dhe kundërshtinë me tyre, po del gjithnjë e më shumë nga moda. Prapëseprapë këto shtypje trajtohen si të mos ishin pjesë përbërëse e shoqërisë civile, por disfunksione të saj. Në parim, shtrëngimi i përket shtetit, kurse shoqëria civile është rrënja e lirisë; sipas këtyre argumenteve, emancipimi njerëzor përbëhet nga autonomia e shoqërisë civile, shtrirja dhe pasurimi i saj, çlirimi i saj nga shteti dhe marrja në mbrojtje nga demokracia formale. Prej këtij këndvështrimit priret të zhduken marrëdhëniet e shfrytëzimit dhe mbisundimit, të cilat janë shtylla të shoqërisë civile; jo thjesht një çrregullim i huaj dhe i korrigjueshëm, por thelbi i saj, struktura e veçantë e mbisundimit dhe shtrëngimit që është karakteristike e kapitalizmit si totalitet sistemor – dhe që përcakton gjithashtu funksionet shtrënguese të shtetit.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga “The Ellen Meiksins Wood Reader”, ed. Larry Patriquin, Brill 2012, f. 210-220.

Imazhi: Salvador Dali


[1] Për argumentimin se si romakët, sidomos Ciceroni, kishin një koncept të shoqërisë, shih: Wood, Neal 1988, Cicero’s Social and Political Thought, Berkeley: University of California Press, sidomos faqet 136-142.

[2] Për shembull, pjesa më e madhe e argumentit të John Keane-it mbështetej në një kritikë të marksizmit për faktin se ky i fundit e identifikonte ‘shoqërinë civile’ me kapitalizmin, çka ai e kundërshtonte duke sjellë në vëmendje traditën e gjatë të konceptimeve të ‘shoqërisë’ në Perëndim, të cilat shkojnë mjaft më thellë në histori se lindja e kapitalizmit. Shih: Keane, John 1988a, Democracy and Civil Society: On the Predicaments of European Socialism, the Prospects for Democracy, and the Problem of Controlling Social and Political Power, London: Verso.

[3] Për shembull, diçka e ngjashme me konceptimin e parë mund të gjendet në librin e Jean L. Cohen-it 1982, Class and Civil Society: The Limits of Marxian Criticial Theory, Amherst: University of Massachusetts Press. Këndvështrimi i dytë është hartuar nga Keane-i 1988a. Kritika e tij ndaj konceptimit të Cohen-it gjendet në f. 86.

[4] Keane 1988b, f. 1.

[5] Keane 1988b, f. 2.

[6] Norman Geras-i i rrëzon këto mite mbi marksizmin në Geras, Norman 1990, ‘Seven Types of Obloquy: Travesties of Marxism’, në Socialist Register 1990, ed. Ralph Miliband dhe Leo Panitch, London: Merlin Press.

[7] Për jetësimin e konceptit të shoqërisë civile në ngjarjet në Poloni, shih: Aarato, Andrew, 1981, ‘Civil Society against the State: Poland 1980-81’, Telos, 47: f. 23-47; dhe 1981-2, ‘Empire vs Civil Society: Poland 1981-82’, Telos, 50: f. 19-48.

[8] Keane 1988a, f. 32.

[9] Cohen 1982, f. 192.

[10] Mbrojtja e demokracisë formale nganjëherë shoqërohet në mënyrë eksplicite me një sulm ndaj demokracisë ‘substanciale’. Shkruan Agnes Heller-i: ‘Deklarata e Aristotelit, një analist tejet realist, se të gjitha demokracitë transformohen menjëherë në anarki dhe këto të fundit në tirani, përbën një fakt dhe jo përgojimin aristokratik të një antidemokrati. Republika romake nuk ka qenë për asnjë çast demokratike. Dhe më duhet të shtoj se edhe nëse degradimi i demokracive moderne në tirani nuk mund të përjashtohet (ne ishim dëshmitarë të rasteve të fashizmit gjerman dhe italian), kohëzgjatja e demokracive moderne ka ardhur pikërisht për shkak të karakterit të tyre formal (Heller, Agnes, 1988,  ‘On Formal Democracy, në Keane, (ed.) 1988, Civil Society and the State: New European Perspectives, London: Verso, f. 130).

Merremi me secilën fjali. Denoncimi i demokracisë antike si pararendëse e pashmangshme e anarkisë dhe tiranisë (meqë ra fjala, më shumë tipike për Platonin dhe Polibin sesa për Aristotelin) është pikërisht një përgojim antidemokratik. Pikësëpari, nuk ka lidhje me sekuencat historike reale, shkakësore ose kronologjike. Demokracia athinase i dha fund institucionit të tiranisë dhe mbijetoi për thuajse dy shekuj, kur u mposht jo nga anarkia, por nga një fuqi ushtarake sipërore. Sigurisht që gjatë atyre shekujve Athina prodhoi një kulturë befasisht të frytshme dhe ndikuese, e cila i mbijetoi mposhtjes së saj dhe hodhi themelet e konceptimeve perëndimore të qytetarisë dhe rendit ligjor. Republika romake vërtet ‘nuk ishte për asnjë çast demokratike’ dhe rezultati më i dukshëm i regjimit të saj aristokratik ishte rrëzimi i republikës dhe zëvendësimi i saj me sundimin autokratik perandorak. (Meqë ra fjala, republika jodemokratike ishte frymëzim madhor për çka Heller-i e quan dokumenti ‘themelor’ i demokracisë moderne, kushtetuta e SHBA.) Të thuash se ‘degradimi i demokracive në tirani nuk mund të përjashtohet’ duket paksa e druajtur kur shoqërohet me referimin (në parantezë) ndaj fashizmit – për të mos përmendur historinë e luftës dhe imperializmit që është lidhur fort me regjimin e ‘demokracisë formale’. Për sa i përket kohëzgjatjes, ia vlen të përmendim se nuk ekziston akoma një ‘demokraci formale’ jetëgjatësia e të cilës barazohet, lere më të tejkalojë, kohëzgjatjen e demokracisë athinase. Sipas kritereve të Heller-it, asnjë ‘demokraci’ evropiane nuk është as njëqindvjeçare (për shembull, në Britani votimi i shumëfishtë mbijetoi deri në vitin 1948); dhe republikës amerikane, të cilës ajo i njeh ‘idenë themelore’ të demokracisë formale, iu desh një kohë e gjatë për t’u përmirësuar në raport me përjashtimin athinas të grave dhe skllevërve, kurse punëtorët e lirë – qytetarë të plotë në demokracinë athinase – nuk mund të thuhet se kanë fituar pranimin e plotë as në qytetarinë ‘formale’ deri kur cilësimet e fundit pronësore u hoqën në shekullin e nëntëmbëdhjetë (për të mos përmendur stratagjemat e shkurajimit të votimit të të varfërve në përgjithësi dhe të zinjve në veçanti, të cilat nuk kanë marrë fund as sot e kësaj dite.) Pra në rastin më të mirë (dhe vetëm për burrat e bardhë) kohëzgjatja e ‘demokracive formale’ moderne është rreth një shekull e gjysmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.