Marksizmi dhe psikologjia

/Susan Rosenthal/

Marksi dhe Engelsi e kanë shpjeguar kapitalin si marrëdhënie dhe kapitalizmin si një sistem marrëdhëniesh. A kanë thënë ata që çdo aspekt i marrëdhënieve që ne krijojmë me veten, të tjerët dhe shoqërinë ndikohet nga kapitalizmi dhe, sipas kësaj logjike, një revolucion socialist do t’i ndryshojë këto marrëdhënie? A ishte analiza e tyre shumë e përgjithshme? A janë disa aspekte njerëzore të pandikuara nga shoqëria, për të pasur nevojë për diçka tjetër përveç marksizmit për t’i kuptuar ato dhe diçka më shumë se zgjidhja socialiste për t’i transformuar ato? Ky është thelbi i konfliktit midis marksizmit dhe psikologjisë.

Metoda marksiste e analizon njeriun duke u bazuar në kontekstin socio-historik të zhvillimit të tij. Psikologjia, psikanaliza, psikoterapia, mjekësia, gjenetika dhe disiplina të tjera e konsiderojnë individin të shkëputur nga konteksti social. Në këtë mënyrë supozohet se individi ka cilësi të qëndrueshme biologjike ose psikologjike, të cilat mbizotërojnë përballë kushteve të shoqërisë. Prandaj këto cilësi mund të ndryshohen nga vetë individi. 

Shkëputja e individit nga shoqëria për ta theksuar rolin e tij individual është ideologji kapitaliste, jo shkencë. Përparësia që i jepet individit bëhet me qëllimin e heqjes së përgjegjësisë nga shoqëria. Sipas kësaj logjike, nëse individët kanë kapacitetin të zgjedhin, ata mund edhe të fajësohen për zgjedhjet e gabuara, duke mos e marrë në konsideratë sistemin dhe duke ia hequr përgjegjësinë. 

Shkenca na tregon që shoqëria dhe individi janë në një bashkëveprim dinamik. Pikërisht bashkëveprimi material  dhe shoqëror ka sjellë evoluimin e qenieve njerëzore, të cilat kapitalizmi i ka tjetërsuar. Helmet e përhapura në natyrë shkaktojnë një numër të lartë sëmundjesh kancerogjene dhe viktimat fajësohen për zgjedhjet “e pashëndetshme”. Në të njëjtën mënyrë tjetërsimi u sjell njerëzve probleme mendore, por përsëri edhe këtu janë ata që fajësohen për mendimet e gabuara ose cilësohen si njerëz me gjene jofunksionale. Fajësimi i viktimës mbron sistemin duke theksuar atë që bën individi dhe lënë mënjanë çka sistemi u bën atyre.

Sëmundja mendore shpesh trajtohet si marrëzi. Raporti i çrregullimeve psikologjike amerikane të vitit 1918 përmbante 22 raste diagnozash, nga të cilat 21 cilësoheshin si forma të “marrëzisë”. Që nga ai moment, kategoria e sëmundjeve mendore është zgjeruar duke përfshirë gamë të gjerë sjelljesh rebele dhe devijante, mënyra të ndryshme të përpunimit të informacionit (diversitetin neurologjik), reagimet emocionale ndaj izolimit e varfërimit, si dhe simptomat e shkaktuara nga traumat. Sistemi shëndetësor përpiqet t’i konsiderojë “të sëmurë” ata që protestojnë, që vuajnë nga varfëria dhe ata nevojat e të cilëve ulin produktivitetin e shoqërisë. Pavarësisht se problemet mund të jenë fizike apo mendore, ato konsiderohen si defekte shoqërore të kushtueshme për sistemin.

Njerëzit cilësuar si “të sëmurë” përbëjnë një grup të shtypur dhe si të gjitha llojet e shtypjeve, edhe kjo prek njerëz nga të gjitha klasat, por veçanërisht klasën punëtore. Personat e sëmurë vuajnë diskriminimin ligjor, mjekësor, shoqëror dhe mungesën e strehimit. Ata mund të mbyllen me forcë në institucione shëndetësore, të detyruar të veprojnë kundër vullnetit të tyre dhe u mohohet e drejta për të vendosur për veten e tyre. Këta persona janë më të rrezikuar për të qenë të papunë, të varfër dhe të pastrehë.

Shtypja është karakteristikë thelbësore e kapitalizmit. Nënshtrimi i grupeve të shtypura i mundëson klasës sunduese të ndajë dhe sundojë klasën e madhe punëtore. Veçanërisht, shtypja e të sëmurëve mendorë imponon konformizëm mendimi, ndjenjash dhe sjelljeje në të gjithë shoqërinë.

Në momente të caktuara psikiatria i shërben kapitalizmit. Gjatë viteve 1950 skizofrenia cilësohej si një çrregullim që prekte amvisat e pakënaqura, por me revoltat antiraciste të viteve 1960 Manuali Diagnostik dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore (DSM) e ndryshoi përkufizimin mbi skizofreninë duke përfshirë simptoma si: agresioni, rebelimi etj. Kjo solli që sot në SHBA njerëzit me ngjyrë të etiketohen tre herë më shumë si skizofrenë.

Psikologët dhe psikiatrit i kanë cilësuar rebelimet e skllevërve dhe mosbindjen politike si simptoma sëmundjesh. Ata kanë lobotomizuar gratë rebele dhe janë orvatur të konvertojnë homoseksualët. Po ashtu kanë bëre fushatë për të kryer eutanazi dhe sterilizim ndaj njerëzve “me defekte shoqërore”. Ata kanë ndihmuar në marrjen në pyetje dhe në tortura, si dhe kanë droguar ushtarët që të mos ndalen së vrari. Po ashtu kanë droguar të moshuarit dhe të burgosurit për t’i mbajtur urtë. Të njëjtën gjë kanë bërë me fëmijët kryeneçë.  

Kur familjet kalojnë kriza ekonomike, prindërit janë më pak të gatshëm për të dalluar problemet emocionale që kanë fëmijët. Shkolla është një tjetër faktor që kontribuon në rritjen e nivelit të stresit për fëmijët duke i vendosur në klasa të mbyllura dhe i detyruar të mbajnë mend  informacione të shumta, shpesh herë të panevojshme. Kur fëmijët nisin protestat e para kundër autoriteteve në shkollë, cilësohen si fëmijë “ndryshe” dhe jashtë rregullit, kurse prindërit e tyre si të paaftë për t’i edukuar. Në të tilla situata, prindërit vendosin t’i çojnë fëmijët drejt psikologëve dhe shpesh ata përfundojnë duke marrë medikamente të dëmshme. Në vitin 2013 në Amerikë më shumë se 8 milionë fëmijë poshtë moshës 17-vjeçare merrnin medikamente në lidhje me sistemin mendor.  

Socialistët ngrenë zërin për të shtypurit. Ata dalin kundër argumentit që vetëm mamatë duhet të rrisin fëmijët apo se njerëzit me ngjyrë janë më të varfër sepse janë më pak inteligjentë. Ata e dinë mirë se këto argumente biologjike nuk janë më bazë shkencore, por janë pseudoshkencore, propagandë e kamufluar si shkencë. Kapitalizmi përpiqet sistematikisht ta ngatërrojë shkencën me pseudoshkencën, duke e zëvendësuar të vërtetën me pretendime. Një shembull i pseudoshkencës është pretendimi se sëmundja mendore është e rrënjosur biologjikisht.

Modeli biologjik i problemeve mendore e redukton mendjen në tru dhe ky i fundit bëhet objekt studimi dhe trajtimi. (Një variant i këtij modeli është frojdizmi që redukton psikanalizën te seksualiteti.) Një materializëm i këtillë i pazhvilluar nuk duhet të ngatërrohet me materializmin marksist, i cili i trajton problemet mendore në rrafshin shoqëror dhe historik – si shprehje individuale e një shoqërie të sëmurë nga tjetërsimi të punës.

Ndikimi që kanë faktorët e jashtëm është i qartë, ndaj sistemi kërkon të krijojë një industri psikiatrike që duhet të na bindë të mendojmë ndryshe. Botimi i vitit 1952 i DSM e përshkruante sëmundjen mendore si një reagim ndaj një ngjarjeje, situate ose gjendjeje të caktuar, por shumë shpejt u hoq nga të gjitha botimet vijuese.

Dështimi i DSM-së për të identifikuar shkaktarin e jashtëm dhe kushtet në të cilat zhvillohet dhe rritet individi sjell përqendrimin e analizës vetëm në shkaktarin e brendshëm të njeriut (mendimi, sjellja ose gjenetika) dhe fill nga kjo edhe trajtimi bëhet ndaj “të sëmurit”, jo ndaj kushteve që e shkaktojnë sëmundjen. Nga ky model rrjedh edhe trajtimi me medikamente ose terapitë që duan të ndryshojnë mendimet, ndjenjat dhe sjelljet e pacientit. Edhe një herë, kjo shton theksin se problemi kryesor qëndron te mosfunksionimi i pacientit. Disa pranojnë se kushtet e jashtme mund ta bëjnë një fëmijë të vuajë nga çrregullimet emocionale ose ankthi, por ata kurrsesi nuk e pranojnë të njejtën gjë për çrregullimet e rënda, si psikoza, sepse ia mveshin përgjegjësinë faktorit biologjik. E kjo në fakt është logjikë e gabuar.

Perceptimet njerëzore shpesh janë të ndikuara nga ajo që shoqëria ka rrënjosur ndër vite. Idetë që dominojnë në shoqëri përcaktojnë se çfarë mendojnë, duan, besojnë, u frikësohen, fajësojnë njerëzit, si dhe çfarë është e pranueshme ose jo për ta. Psikologët, reklamuesit dhe ekspertët e menaxhimit punësohen për të shitur një sistem të bazuar te mashtrimi (“Ky është një vend i lirë”), kontradikta (lufta si ndërhyrje humanitare), mohimi i përvojës (puna e rëndë sjell frytet e veta) dhe kërcënimi (puno ose vdis urie). Ndërsa shumëkush e pranon të papranueshmen, ata nuk e pëlqejnë atë. Disa rebelohen haptazi. Të tjerët protestojnë nëpërmjet simptomave fizike dhe mendore, varësisë dhe vetëvrasjes. Disa arratisen në një realitet alternativ.

Psikoza është një dukuri tipike e cila zhvillohet nga adoleshenca deri në moshë të rritur, zakonisht më e theksuar kur konflikti midis mënyrës se si bota është dhe si duhet të jetë është më dinamik. Pamundësia për ta ndryshuar këtë kontradiktë, disa personave u shkakton shqetësim dhe ankth. Bota për ta nuk ka kuptim dhe për ta ndryshuar realitetin këta njerëz “fshihen” në skutat e fantazisë ku mund të ndërtojnë atë që nuk mund ta artikulojnë. Ne të gjithë kemi një koncept për veten, por psikoza na e tjetërson këtë marrëdhënie dhe kjo shkakton probleme të ndryshme si: shfaqja e imazheve që nuk janë të vërteta ose dëgjimi i zërave të jashtëm inekzistentë. Baza shoqërore e psikozës hidhet poshtë nga biologët dhe psikiatrit, të cilët e trajtojnë sëmundjen si një grup çrregullimesh që mund të vendosen në vend. Përvoja e njeriut dhe perspektivat e tij shoqërore injorohen plotësisht. Madje nuk i kushtohet vëmendje asaj që personi kërkon të përcjellë më anë të komunikimit, shfaqjes së emocioneve, gjuhës së trupit apo sjelljes. Theksi vihet te rregullimi i gjeneve të dëmtuara dhe kontrolli i sjelljeve njerëzore.

Trajtimi më i mirë për personat me probleme mendore është mbështetja që vjen nga shoqëria. Studime të ndryshme kanë treguar se pacientët që kanë marrë më pak ilaçe dhe më shumë mbështetje familjare apo shoqërore e kanë përballuar dhe tejkaluar më shpejt problemin. Mbështetja sociale ka dhënë rezultate të mira në vende si Australia, ose vendet skandinave. Përderisa problemi zgjidhet nga mbështetja shoqërore, na tregon se edhe fillesat i ka po aty. Ndihma ekonomike është gjithashtu një faktor në trajtimin e personave me probleme mendore. Një studim kanadez i realizuar me 2000 persona të sëmurë provoi se vetëm sigurimi i strehimit të qëndrueshëm dha efekte të larta në përmirësimin e gjendjes së të sëmurëve. Gjithashtu, edhe rritja e standardeve të jetesës mund të kurojë sëmundjen mendore. Një studim në SHBA zbuloi se fëmijët e varfër po diagnostikoheshin katër herë më shumë me simptoma psikiatrike sesa fëmijët e tjerë. Në mes të studimit, një kazino e re filloi të japë shpërblime financiare që nxorën nga varfëria 14 për qind të familjeve. Rritja e të ardhurave për familjen ndikoi edhe në plotësimin e nevojave të fëmijëve dhe uljen e problemeve mendore të tyre.  

Kapitalizmi po i zhyt akoma edhe më shumë njerëzit në krizë. Në janar të 2015 më shumë se 3300 anëtarë të Sindikatës Kombëtare të Punëtorëve të Shëndetit protestuan kundër korporatës më të madhe mjekësore në Amerikë, ‘’Kaiser Permanente’’. Megjithëse fitimet e kësaj korporate janë shumë të larta, ajo refuzoi të punësojë personel të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e pacientëve. Psikologët, terapistët dhe punonjësit socialë nisën një grevë të madhe, e cila u përhap në 35 shtete.

Java vijoi me një numër të lartë peticionesh dhe u pasua nga fushata “Jo më vetëvrasje nga Kaiser!”, ku do të publikoheshin të gjithë pacientët që kishin humbur jetën nga mungesa e kujdesit shëndetësor. Përfundimisht, e rrezikuar nga protestat, korporata Kaiser u dorëzua dhe pranoi kërkesat e sindikatës, si: e drejta për të mbrojtur pacientët; mbrojtja e pagave dhe pensioneve dhe një rregullore e re që u jepte pacientëve të drejtën të kishin kontrolle më të shpeshta. Lidhja e nevojave të punëtorëve dhe pacientëve prodhoi një fitore të përbashkët.

Pavarësisht kësaj, sot nuk na duhet vetëm përmirësimi i shërbimit shëndetësor, por të ndërtojmë një sistem që nuk do të prodhojë më të sëmurë. Kapitalizmi ka arritur të transformojë të gjithë botën në një fabrikë të prodhimit të kapitalit. Çdo nevojë njerëzore shihet si pengesë që duhet zhdukur dhe punëtorët kërcënohen se janë të zëvendësueshëm. Kur jetojmë brenda një sistemi si kapitalizmi është e pamundur të jemi të shëndetshëm mendërisht. Mjerimi i përditshëm në rritje shoqërohet edhe nga tmerri i luftës së vazhdueshme dhe shkatërrimi mjedisor. Nëse njerëzit ndërgjegjësohen ndaj barbarizmit të kapitalizmit, traumatizohen; ndërsa nëse i mbyllin sytë ndaj tij, do të zvetënohen duke humbur anën njerëzore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi se në 45 vitet e fundit vetëvrasjet në rang global janë rritur me 60%. Vetëvrasja është shkaku kryesor i vdekjes te vajzat adoleshente të moshës 15 deri në 19 vjeç; në SHBA shkalla e vetëvrasjeve për djemtë e moshës 5-11 vjeç është dyfishuar që nga vitet 1990. Gjatë 15 viteve të fundit, për shkak të inflacionit, të ardhurat për familje kanë rënë ndjeshëm dhe kjo ka sjellë një rritje me 22% të vdekjeve të amerikanëve më pak të arsimuar dhe atyre me probleme në lidhje me alkoolin ose varësinë nga droga. Nëse niveli i vdekshmërisë do të mbetej i njëjtë me vitet e mëhershme, do të ishin shmangur rreth 96,000 vdekje. Sot sistemi kapitalist nuk eliminon burimet shoqërore të sëmundjes sepse qëllimi kryesor i tij është fitimi, por ai përpiqet të përmirësojë aftësinë e njerëzve për t’u përshtatur me kushtet ekzistuese. Kjo praktikisht do të thotë kufizim i shkencës, hulumtimit dhe ekspertizës në studimin dhe manipulimin e faktorëve individualë. Kjo vlen si për kancerin, edhe për sëmundjet mendore.

Ndërkohë që disa sëmundje mendore (dhe kanceri) shkaktohen nga faktorë biologjikë, nuk mund të mohohet se në një sistem i tillë që tjetërson çdo aspekt njerëzor, është ndër shkaqet kryesore të këtyre sëmundjeve. Vetëm pasi të kemi përmbysur sistemin kapitalist dhe të kemi krijuar një shoqëri të orientuar drejt përmirësimit të kujdesit shëndetësor, ne mund të cilësojmë ç’është ose jo biologjike. Deri atëherë, socialistët duhet të vazhdojnë të përmendin zgjidhjet kolektive për problemet shoqërore dhe të mohojnë ato në nivel individual. Konflikti midis marksizmit dhe psikologjisë nuk ka të bëjë realisht me sëmundjet mendore ose psikologjinë. Në fakt lidhet më shumë me të kuptuarin e natyrës së kapitalizmit, si një sistem ku përvoja individuale ndryshon gjatë procesit të ndryshimit të shoqërisë.

Në vitet 1980 në Poloni punëtorët filluan të organizoheshin dhe në këto organizime u përfshi rreth 1/3 e të gjithë popullsisë në moshë pune. Ndërsa grevat përhapeshin shpejt, shtretërit e spitaleve psikiatrike filluan të boshatiseshin dhe të zëvendësoheshin nga zyrtarë qeverie të sëmurë. Kjo ndodhi sepse lufta e klasave i hapi rrugë zgjidhjes së problemeve individuale.

Dekadat e fundit ka një tërheqje të klasës punëtore duke ulur besimin në zgjidhjet kolektive. Socialistët nuk janë të pandikuar nga shkurajimi i klasës punëtore. Është shumë e vështirë ta rrisësh ndërgjegjen klasore në një shoqëri të dominuar nga individualizmi dhe qëndrimet e reformistëve që promovojnë vetëm zgjidhjen individualiste të problemit. Mbijetesa jonë varet nga lidhja e traditës socialiste me klasën punëtore.

Shtypja është pjesë integrale e kapitalizmit dhe gjithashtu lufta kundër saj është integrale për socializmin. Shëndeti ynë mendor krijohet në procesin e luftës për kushte më të mira pune dhe jetese, në procesin e ndërtimit të solidaritetit klasor dhe kjo hedh themelet për ndërtimin e shoqërisë socialiste, që do të përpiqet të zhvillojë aftësitë e të gjithëve dhe të përmbushë nevojat e gjithsecilit.

E përktheu Ariela Zeneli

Marrë nga Socialist Review

Imazhi: Vincent van Gogh

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.