Lëvizja Solidarność: antikomuniste apo gjëja më komuniste që është parë?

/Mikołaj Gliński/

Tridhjetë e pesë vjet më parë lindi lëvizja Solidarność (Solidariteti), një organizim i cili do të shtronte rrugën për shpërbërjen e regjimit komunist në Poloni dhe në Evropën Lindore. Megjithatë, natyra e përnjëmendtë e kësaj lëvizjeje ngelet bishtnuese dhe burim kundërthëniesh në Poloni.

Ndoshta perspektivat më popullore sot mbi Solidaritetin, përfshirë edhe ato nga jashtë Polonisë, e shohin atë si një forcë që iu kundërvu totalitarizmit të imponuar nga jashtë (nga sovjetikët rusë) dhe që luftoi për çlirim kombëtar. Versioni më radikal i kësaj qasjeje pretendon se Solidariteti kërkonte shkatërrimin e komunizmit dhe të Bashkimit Sovjetik – dhe përfundimisht ia doli. Megjithatë, siç pretendon një autor i ri polak, kjo qasje është larg asaj që përfaqësonte Solidariteti. Në vend të luftuarit të komunistëve, shkruan Jan Sowa, Solidariteti ishte më i prirë për të reformuar regjimin në mënyrë që t’i qasej më afër ideologjisë origjinale marksiste. Dhe në një moment të caktuar ia doli t’i mësonte edhe Partisë Komuniste se mbi ç’aspirata duhet të ngrihet një sistem përnjëmend komunist. A mundet që Solidariteti të përbëjë një mësim për të gjithë ne sot?

Solidariteti: Si nisi

Sindikata Solidariteti u themelua zyrtarisht në Gdansk më 17 shtator 1980, në vijim të grevave të bashkërenduara të punëtorëve në mbarë vendin në gjysmën e dytë të gushtit të vitit 1980 dhe pas negociatave me Partinë Komuniste në pushtet. Grevat, që thuajse ia dolën të paralizonin ekonominë e regjimit, ishin jashtëzakonisht të efektshme dhe bënë të mundur ngritjen e një organizimi që brenda 15 muajve në vijim u rrit në thuajse 10 milionë anëtarë. Në këtë pikë, ajo ishte kthyer në diçka shumë më të madhe se një sindikatë – në një kërcënim të qenësishëm për regjimin që bazohej në një masë të madhe te qeverisja autokratike e Partisë Komuniste.

Si rezultat, organizata u shpall e paligjshme vetëm një vit e gjysmë pas formimit të saj, që përkoi volitshëm me vendosjen e Ligjit Ushtarak në Poloni. Kjo praktikisht e shtypi Solidarność-in si një lëvizje popullore. Aktiviteti i saj u ringjall vetëm në gjysmën e dytë të viteve ’80, kur ajo u kthye në faktorin kyç të shpërbërjes së regjimit gjatë diskutimeve në tryezë të rrumbullakët – por këtë herë, pretendon Sowa në librin e tij me titull “Një tjetër republikë është e mundur”, ajo ishte kthyer në një tjetër organizatë. Kjo ngre pyetjen: cila ishte natyra e vërtetë e mishërimit fillestar të Solidaritetit?

A ishte feja e rëndësishme në Solidaritet?

Meshë në portin e Gdanskut në ditë e fundit të grevës, gusht 1980. Fotoja: Chris Niedenthal /Forum

Një ndër klishetë më popullore sipas së cilës mbahet mend dhe i referohet Solidaritetit, është se formimi dhe aktiviteti i saj ishin rezultat i një aleance të frytshme mes punëtorëve dhe Kishës. Kur një polak u zgjodh Papa i ri i Kishës Katolike me 1979 dhe gjatë vizitës së tij në Poloni, kur tha fjalët e mirënjohura “Mos kini frikë!”, këto akte u interpretuan si thirrje për të pasur guxim politik dhe fuqizim. Në versionin më të thjeshtëzuar dhe radikal të kësaj narrative, ishte në fakt Papa Gjon Pali II ai që e mposhti komunizmin.

Është e vërtetë se simbolika katolike dhe ceremonitë fetare ishin mjaft të pranishme në funksionimin e përditshëm të Solidaritetit. Meshat u mbajtën përgjatë gjithë periudhës së grevës në portin e Gdanskut, ku hyrjet ishin të stolisura me imazhe të Virgjëreshës Mari dhe priftërinjtë katolikë, si Jerzy Popieluszko-ja, ishin thuajse kardinalët e lëvizjes. Por Sowa pohon se përdorimi i simbolikës dhe ritualeve ishin në masë të madhe një qasje pragmatiste. Dyert e fabrikave përnjëmend që ishin të stolisura me imazhe katolike, por kjo bëhej me shpresën që ushtarët polakë nuk do të kishin guximin të qëllonin mbi imazhet e shenjta apo të drejtonin tanket drejt tyre. E njëjta gjë vlen për meshat e mbajtura sa herë që punëtorët grevistë ishin të lodhur dhe donin të ktheheshin në shtëpi.

Sowa pohon se përbrendësimi i elementëve nga ideologji dhe tradita të ndryshme ishte pjesë e natyrës sinkretike të Solidaritetit. Një shembull i mirë ishte Hyrja nr.2 e portit Lenin në Gdansk. Edhe pse imazhet e shenjta dhe portreti i Papës vareshin te dera, sipër tyre shkruhej me shkronja të mëdha në ngjyrë të kuqe “Proletarë të të gjitha fabrikave, bashkohuni!”, një referencë e qartë ndaj traditës dhe ideologjisë komuniste që formonte bërthamën e botëkuptimit të grevistëve. Sipas Sowa-s, për grevistët e prirë nga një qasje pragmatiste nuk ishte problem paqtimi i komunizmit me katolicizmin,.

Sowa gjithashtu i mëshon faktit se rreth të njëjtës periudhë kur lëvizja e parë Solidariteti ishte aktive në Poloni, Kisha Katolike nisi një sulm të pashoq ndaj teologjisë së çlirimit në Amerikën Latine, një ideologji e cila mëtonte të ndërthurte marksizmin me katolicizmin. Sowa del në përfundimin se elementet marksiste dhe anarko-sindikaliste të pranishme në ideologjinë e Solidaritetit të parë ishin, në qasje të fundit, tepër larg ideve të Kishës Katolike të asaj kohe.

Po gjithë ata intelektualë?

Anna Walentynowicz, punëtore e portit të Gdanskut, së bashku me këshilltarët intelektualë të grevës: (nga e majta në të djathtë) Bronislaw Geremek , Tadeusz Kowalik , Jerzy Stembrowicz , Andrzej Wielowieyski , Jan Strzelecki , Bohdan Cywiński , and Tadeusz Mazowiecki. Fotoja: Andrzej Friszke Archive/FOTONOVA 

Një tjetër interpretim i përhapur e sheh Solidaritetin si fryti i jashtëligjshëm i punëtorëve dhe intelektualëve. Ndonëse është e vërtetë se intelektualët e opozitës, sidomos ata rreth KOR-it (Komiteti i Mbrojtjes së Punëtorëve), si për shembull Jacek Kuron-i apo Adam Michnik-u, luajtën një rol jetik në aktivitetin e Solidaritetit (ata ishin të pranishëm gjatë negociatave me regjimin), roli i tyre u ekzagjerua me kalimin e kohës.

Sowa sugjeron se pikat ku ata ndaheshin e bënë bashkëpunimin mes punëtorëve dhe intelektualëve jashtëzakonisht të vështirë. Për punëtorët, gjëja më e rëndësishme ishte gjendja e tyre nëpër fabrika, për të cilën mendonin se mund të luftohej më mirë duke krijuar sindikata të pavarura. Për intelektualët, problemi më i madh ishte censura – përpjekja e tyre vërtitej rreth lirisë së fjalës.

Në fakt, argumenton Sowa, kjo ndarje ishte thelbi i mjaft debateve mes punëtorëve dhe intelektualëve. Të dytët u përpoqën në mënyrë të vazhdueshme t’i zbusnin kërkesat e punëtorëve pasi ata e konsideronin krijimin e sindikatave të pavarura që vetëqeveriseshin si tërësisht të pamundur nën komunizëm. Në kthesën simbolike që morën ngjarjet, Solidariteti u formua kur Adam Michnik-u nuk arriti të ishte i pranishëm në një takim në Gdansk gjatë të cilit supozohej t’u mbushte mendjen punëtorëve se kjo kërkesë ishte e pakuptimtë:

“Ata më arrestuan mua dhe Jacek [Kuron-in] dhe prandaj Solidariteti u formua, sepse përndryshe do ia kishim dalë t’i bindnim se nuk kishte të drejtë të formohej. Ne e dinim se sindikata të pavarura që vetëqeveriseshin nuk ishin të mundura nën komunizëm, por punëtorët nuk e dinin këtë. Kështu u formua Solidariteti, pa ne dhe në kundërshtim me ne.”

Duke ndjekur atë që ngjante me një utopi të pamundur, punëtorët mund të jenë prirë më shumë nga besimi sesa mendja e ftohtë. Por ishte pikërisht në saje të këtij besimi dhe padurimi që ia dolën të formonin Solidaritetin.

Për më tepër, elementët specifikë të protestave punëtore të vitit 1980 që i bënë ato më të frytshme, si ndërprerja e punës, komitetet e grevës në shumë fabrika dhe struktura horizontale e sindikatës kombëtare, kishin pak ose aspak të bënin me aspiratat e intelektualëve. Të gjithë këta elementë u zhvilluan nga trashëgimia e mëparshme e protestave punëtore, sidomos asaj gjatë Revolucionit Hungarez të vitit 1956 dhe ngjarjeve në Poznan në të njëjtin vit, si dhe nga gjakderdhja që pasoi protestat e vitit 1970 në Gdansk.

Ngjarja më komuniste e mundshme

Punëtorë që po pushojnë gjatë zaptimit të portit të Gdanskut në gusht 1980. Fotoja: Zbigniew Trybek/Forum

Atëherë, çfarë ishte në të vërtetë lëvizja Solidariteti? Edhe pse nisi si një organizim punëtor, Solidariteti ishte më shumë se vetëm një sindikatë, teksa adresoi probleme që lidheshin me riorganizimin strukturor të vendit. Me fjalë të tjera, nuk ishte veç për mbrojtjen e të drejtave punëtore: u përpoq në mënyrë aktive të merrte nën kontroll mjetet e prodhimit. Kjo dallon qartë nga ideja e zakonshme se Solidariteti kishte një karakter pro-kapitalist dhe pro-liberal.

Sowa nënvizon vazhdimisht faktin se Solidariteti nuk prirej nga shtysa për të futur tregun e lirë dhe kapitalizmin në Poloni, siç pretendohet sot. Aspak! Më shumë se çdo gjë tjetër, Solidariteti ishte një përpjekje për të fuqizuar punëtorët dhe për t’i bërë ata drejtuesit e vërtetë të ekonomisë. Diçka të cilën sistemi do ta përçmonte si “devijim anarko-sindikalist”, por që në realitet projektonte vënien në zbatim të socializmit të njëmendtë.

Në fakt termi “social”, siç vë në dukje Sowa, është ai që shfaqet më shpesh në programin zyrtar të Solidaritetit që prej tetorit të 1981. Teksa fjalë si “kapitalizmi” dhe “tregu i lirë” apo “prona private” zor se shfaqen në këtë dokument, fjala “social” në format dhe kombinimet e ndryshme shfaqet 144 herë në 60 faqe. Kjo nuk ishte një lëvizje retorike për t’ia hedhur censurës. Punëtorët përnjëmend donin dhe kërkonin ndërmarrje sociale, kontroll social mbi ekonominë dhe zotërim të përbashkët të mjeteve të prodhimit – kërkesa e fundit, siç vë në dukje Sowa, një kërkesë kokë e këmbë komuniste.

Në vend se ta luftonte regjimin komunist, Solidariteti kërkonte ta reformonte atë. Kjo kishte pasoja paradoksale dhe ironike, teksa në një moment Solidariteti ishte pala e cila i drejtohej Partisë Komuniste me kërkesën për “shoqërizimin e njëmendtë të kontrollit mbi ekonominë”. Kjo do të thotë se Solidariteti po i mësonte partisë se çfarë ishte komunizmi i vërtetë. Sowa del në përfundimin se jo vetëm që Solidariteti nuk ishte një lëvizje antikomuniste, por ishte në thelb ngjarja më komuniste e mundshme.

A ishte nisur Polonia drejt një revolucioni tjetër?

Në kulmin e saj gjatë viteve 1980 dhe 1981, Solidariteti kishte rreth 10 milionë anëtarë (në atë kohë, Partia Komuniste e Polonisë nuk ishte as sa gjysma e saj). Kjo e bën atë, siç nënvizon Sowa, ndoshta organizimin më të madh vullnetar në histori të krijuar si rezultat i një lëvizjeje spontane nga poshtë. Në atë kohë ishte bërë padyshim më shumë se një sindikatë. Ishte kthyer në një lëvizje popullore punëtorësh që përfshinte thuajse çdo identitet social: punëtorët e industrisë, intelektualët, mësuesit, studentët, shkrimtarët dhe gazetarët.

Karakteristika e veçantë e këtij Solidariteti ishte se përfshinte njerëz nga të gjitha grupimet sociale. Ideologjia e Solidaritetit në mënyrë të vetëdijshme kanalizoi shumë qëllime brenda një programi, ku përfshiheshin: mbrojtja e punëtorëve nga pushteti i kudogjendur i Partisë Komuniste nëpërmjet sindikatave; demokratizimi i jetës sociale dhe politike; si dhe tjetërsimi i mjeteve të prodhimit nga pronë shtetërore në zotërim social.

Ky Solidaritet, siç vë në dukje Sowa, ishte i organizuar në një mënyrë ultrademokratike dhe gjithëpërfshirëse në mënyrë që t’i jepte çdo anëtari kontrollin më të madh të mundshëm mbi politikat dhe veprimet e sindikatës:

“Nëse do na duhej ta përkufizonim demokracinë si një situatë në të cilën qytetarët mund të ndikojnë mbi fatin e vendit të tyre përmes pjesëmarrjes aktive në jetën publike, do të duhej të binim dakord me ata që pretendojnë se mes gushtit 1980 dhe dhjetorit 1981 Polonia mund të ketë qenë vendi më demokratik mbi Tokë.”

Kjo bën dallim të madh me mënyrën si pasqyrohet zakonisht kjo periudhë. Sigurisht që një situatë e tillë nuk mund të zgjaste për shumë kohë. Më 13 dhjetor 1981 hyri në fuqi Ligji Ushtarak dhe pak muaj më vonë Solidariteti u shpall i jashtëligjshëm. Kjo efektivisht e shtypi lëvizjen në formën e saj fillestare. “Me tanket në rrugë dhe liderët e opozitës në burg, Solidariteti e humbi momentin dhe nuk e rimori veten kurrë nga goditja e grushtit ushtarak”, shkruan Sowa në artikullin me titull Një përmbysje e papritur e ideologjisë. Më tej ai shton:

“Do të shkoja një hap më tej duke thënë se Polonia ishte drejt rrugës së një revolucioni në fillimvitet 1980 i cili, nëse do ishte realizuar, do të kishte riformuar në mënyrë dramatike marrëdhëniet e pushtetit dhe terrenin ideologjik në mbarë Evropën. Është e tepërt të thuash se do të kishte zhdukur pushtetin global të kapitalit, por nuk do të kishte lejuar triumfin kaq të paskrupullt të neoliberalizmit në vitet 1990, dhe nuk do ta kishte shtyrë Francis Fukuyama-n të shpallte fundin e historisë. Do ta kishte mbajtur gjallë alternativën.”

Edhe pse Solidariteti u rishfaq pas Ligjit Ushtarak, ai kishte ndryshuar. Ishte i ndikuar gjithnjë e më shumë nga intelektualët dhe pjesëtarë të tjerë të elitës sociale të cilët, ndryshe nga punëtorët, ishin ithtarë të ideve liberale. Kjo u shtroi rrugën privatizimeve dhe kthesës drejt neoliberalizmit, ideologjisë e cila ka shënjuar realitetet ekonomike të Polonisë që prej Transformimit, e gjitha në kurriz të pozicionit të punëtorëve.

Ç’mund të themi për Solidaritetin sot?

Viti 1988 – grevat kthehen në portin Lenin të Gdanskut. Fotoja: Jerzy Kosnik/Forum

Teksa pjesa më e madhe e trashëgimisë së Solidaritetit të parë mund të jetë venitur në ngjarjet që pasuan Ligjin Ushtarak dhe kthesën e mëpasshme ideologjike kah kapitalizmi neoliberal i viteve 1990, Sowa beson se ende mund të nxjerrim mësime nga Solidariteti. Kjo lidhet sidomos me idenë e mjeteve të prodhimit të zotëruara shoqërisht, një koncept ky që asnjëherë nuk u realizua në historinë e shteteve komuniste, dhe diçka që mund të gjejë vend në epokën e sotme të kapitalizmit neoliberal. Në thelbin e vet filozofik qëndron ideja e vendit të punës si një institucion i të mirës së përbashkët, dhe vetëm brenda kësaj strukture, siç pretendon Sowa, puna mund të konceptohet si prodhim i përbashkët i pasurisë, thënë ndryshe pasuri e përbashkët (common wealth). Ky demokratizim i vendit të punës, i ndjekur nga zbatimi i reformave të mëtejshme demokratizuese të institucioneve përfaqësuese, qëndron në zemrën e asaj që autori e quan “Një tjetër Komonuelth” në librin e tij.

E përktheu Redi Muçi

Marrë nga Culture.pl

Imazhi: Erazm Ciolek/Forum

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.