Kohë sharlatanësh

/Arlind Qori/

Në qytetet tregtare të shekujve të parë të modernitetit nisi të përdorej një fjalë që shënjonte llafazanin, me një farë oratorie, i cili ishte i gatshëm të të shiste sapunin për djathë në tregun e qytetit: sharlatani. Sharlatanët ishin mjaft të suksesshëm në shitjen e “ilaçeve” apo kurave popullore, duke iu përgjigjur me një dozë misteri nevojës për derman të qyqarëve që u dilnin në shteg. Prej shekullit të shtatëmbëdhjetë e këtej fjala sharlatan e ka shtrirë shumë fushën e shënjimit, duke u përdorur gjithnjë e më shpesh në sferën publike/politike si mishërim i aventurierëve të cilët, pa kurrfarë metode kritike e njohurie shkencore, i ngrenë pretendimet e tyre në stadin e të vërtetës së padiskutueshme. Ndryshe nga mashtrues të tjerë, sharlatani është i pademaskueshëm pasi atij dhe grupit mbështetës çdo provë e argument i kundërt vetëm sa ua rrit vetëbesimin për karakterin radikal dhe subversiv të pohimeve të tyre.

Në Shqipëri sharlatanët e sharlatanizmat janë të shumtë, por kohët e fundit po fiton terren një konglomerat idesh e teorish konspirative, që mëtojnë t’i japin një shpjegim të unifikuar çdo ngjarjeje – nga COVID-19 dhe gjeopolitika e fuqive të mëdha deri te origjina e jetës mbi tokë dhe ndodhitë e politikës ditore. Kujt nuk i ka ndodhur që këta muaj të vështirë pandemie dhe krize ekonomike të mos përballet me njerëz që ngrenë pretendime nga më fantastiket për të treguar se COVID-19 nuk ekziston, por është një pretekst i stisur për të na kontrolluar sjelljen përmes vaksinës së re, madje edhe se jemi nën pushtetin e qenieve jonjerëzore, zvarranikë a marsianë, ndërkohë që prapa krahëve tanë po luftohet beteja më e madhe apokaliptike e historisë së njerëzimit?! Të tilla dokrra nuk janë më produkt kafeneje, por ulen këmbëkryq në televizionet kombëtare, mbledhin qindra vetë në marshime proteste, madje përdoren edhe nga njerëz që në parim duhet të kishin një minimum edukate shkencore, si p.sh. mjekë e të tjera personazhe me ndonjë kredencial intelektual.

Radhët në vijim nuk do të harxhohen për t’u marrë me “argumentet” e konspiracionistëve, por për t’i dhënë përgjigje pyetjes: “Si ka mundësi?”. Cilat janë shkaqet socio-politike të fuqizimit ideologjik të një sharlatanizmi i cili ka udhëheqësit e vet dhe një masë gjithnjë e më të madhe ndjekësish.

Ndalemi pak, për parantezë, te natyra e promotorëve të këtyre teorive duke huazuar nga një shkrim i gjatë i Theodor Adorno-s, i cili në vendet 1970 shqetësohej nga suksesi në rritje i astrologjisë si trajta mbisunduese e iracionalizmit të kohës: Sharlatani – do ta zëvendësonin ne fjalën astrolog – “…në mënyrë të vagullt dëshiron të kuptojë dhe nxitet nga dëshira narcise e vërtetimit të epërsisë së vet ndaj njerëzve të zakonshëm, por nuk është në gjendje ta arrijë këtë nëpërmjet operacioneve të komplikuara dhe të distancuara intelektuale. Për të, astrologjia, njëlloj si çdo besim tjetër iracional si p.sh. racizmi, siguron një shteg të shndërrimit të komplekses në një formulë të volitshme dhe ofrimit në të njëjtën kohë të një vetëkënaqësie se ai, i cili është i përjashtuar nga privilegjet arsimore, prapëseprapë i përket një pakice ‘që di’.”[1] Kësisoj sharlatani bashkëkohor është sa popullor (vjen si njeri i popullit, i përjashtuar nga procedurat zyrtare të njohjes dhe certifikimit të dijes), aq edhe elitist (vetëm ai e ka zbuluar të fshehtën e madhe) – brumi i zakonshëm historik i udhëheqësve fashistë e kualunkuistë.

***

Sot mbarë bota po zhytet në një krizë ekonomike që shumëkush e konsideron si më seriozen që prej Depresionit të Madh të 1929-1933. Ndërprerja e pjesshme e zinxhirit ndërkombëtar të mallrave, e shoqëruar me masa mbyllëse dhe distancomi, të pashoqëruara nga një ndryshim radikal i mënyrës së organizimit të prodhimit dhe shpërndarjes, po e rrisin frikshëm papunësinë dhe falimentimin, sidomos të bizneseve të vogla. Në Shqipëri mjafton të futesh në një dyqan të vogël për t’u ndeshur me çehren e dëshpëruar të dy njerëzve, burrë e grua, që ankohen se “ka rënë shumë”, “nuk kanë njerëzit para për të blerë” etj. Edhe më keq është situata për mijëra punëtorë të cilët – nga fasoneria në call center-a e sektorin nxjerrës – ose e kanë humbur vendin e punës, ose u kanë ulur rrugën dhe janë në zgrip të flakjes në rrugë. Këtij varfërimi dhe pasigurie ekonomike i shtohet një faktor që e kredh njeriun e thjeshtë në dëshpërim: pamundësia për të emigruar. Sot e për kushedi sa kohë, për të papunin nuk do të ekzistojë më Gjermania apo Anglia.

Vështirësia ekonomike është shoqëruar me një ndryshim të beftë dhe stresues të mënyrës së jetesës. Mbyllja e gjatë në shtëpi të vogla, të parehatshme, të mbipopulluara, pa shërbime bazike si interneti, e ka theksuar dëshpërimin shoqëror. Në Shqipëri kafeneja është kryevendi i jetës sociale dhe mosfrekuentimi tyre për disa muaj nuk solli vetëm kosto ekonomike, por edhe goditje të minimumit të lidhjeve shoqërore.

Ndërkohë, prej dekadash tanimë, në vendin tonë është duke u thelluar procesi i akumulimit të kapitalit. Për pasojë një grusht pasanikësh është shkëputur drejt pozitës së oligarkëve, kurse një shumësia e sipërmarrësve të vegjël ka ngecur në vend, me rrezikun e rënies poshtë. Kapitalizmit popullor të viteve 1990 – ku mbijetoje me një çantë paketash apo një kuti bananesh – i ka ardhur fundi. Sot nuk ekziston më mundësia për t’ia nisur nga poshtë dhe ngjitur shkallët ekonomike deri në pozitën komode të të pasurit apo biznesmenit të madh. Rolin që dikur e luante tregtia e vogël apo sipërmarrja e shkathët, tanimë e ka vetëm krimi i organizuar. Çka shton në psiken e shumëkujt një nivel gjithnjë e më të lartë frustrimi – që lind kur hendeku midis gjendjes aktuale dhe aspiratave individuale bëhet i pambyllshëm.

Në këto kushte varfërimi, dëshpërimi dhe frustrimi në rritje nuk është për t’u çuditur që shumëkush, sidomos mes asaj që mund të quhet klasë e mesme tradicionale (biznese të vogla dhe sipërmarrje familjare), të kërkojë shpjegime të shpejta, të thjeshta, shteruese e magjiplota, që e subjektivizojnë përgjegjësinë në një grusht djallëzor njerëzish – këtu e ngado nëpër botë. Sa më i thellë dëshpërimi, aq më e fortë nevoja për shpjegime fantastike të situatës.

Dëshpërimin ekonomik e ndihmojnë kushtet politike, sidomos në vende periferike si yni, ku reputacioni i institucioneve publike, sidomos i qeverisë, është nga më të ulëtit. Muajve të fundit është vënë re se masat e mbylljes dhe distancimit social janë respektuar më shumë në vende ku qeveritë gëzojnë besimin e qytetarëve dhe, në përgjithësi, institucionet publike kanë reputacion si serioze dhe të përkushtuara ndaj të mirës publike. Në Shqipëri, ku çdo qeveri e fiton garën me pararendësen për korrupsion dhe nënshtrim ndaj interesave të të fortëve ekonomikisht, nuk bën çudi që edhe kur bie shi, njerëzit ta vënë në dyshim thënien (shiun) prej çlegjitimitetit të pozicionit të thëniesimit (qeverisë). Pra, me të drejtë, në ndërgjegjen shoqërore çdo institucion publik konsiderohet i kapur nga qeveria, e cila, nga ana e saj, është e kapur nga oligarkët.

Kjo vrimë e gjerë dhe e thellë strukturore bëhet edhe më problematike kur në krye të qeverisë është një njeri i cili thjesht nuk di si komunikohet njerëzisht me njerëzit, një fodull që mbulon me hakërrim faktin që e ka kokën bosh dhe i mungon guximi për të marrë masat e duhura. Së këndejmi, dhe si rezultat i rezonancës midis humorit të luhatshëm të qeverisë dhe mendimeve të “ekspertëve të pavarur”, sot është e kollajtë të vësh në dyshim gjithçka: Fundja, me gojën e mjekut apo “shkencëtarit”, duket se thjesht po flet qeveria.

***

Përtej kushteve ekonomike dhe politike, shtrihet një dimension i gjerë ideologjik, që ka të bëjë sa me ato që dikur quheshin aparate ideologjike, edhe me përmbajtjen dhe logjikën e ideve mbisunduese.

E nisim me institucionet arsimore. Sot, për fat të keq, kriteri i diturisë ka rënë aq poshtë saqë ka një korrelacion të fortë midis njeriut intelektualisht të ngritur dhe mosbërjes së gabimeve trashanike në drejtshkrim (nga punimet shkencore te statuset në Facebook). Kjo ka ardhur si pasojë e shqepjes disadekadëshe të të gjitha niveleve të sistemit arsimor – nga çoroditja në strukturim dhe literaturë deri te raportet tejet klienteliste në emërim dhe llogaridhënie të mësimdhënësve. Nëse këtyre faktorëve u shtojmë edhe një shtysë të fortë strukturore – atë të specializimit fare të hershëm të nxënësve dhe kurrikulave universitare – mund të kuptohet thjesht se pse një mjek, edhe kur nuk është diplomuar me mik, është aq injorant jashtë sferës së tij të ngushtë të specializimit, aq i parrahur me mendimin kritik dhe aq deficient në kulturën e përgjithshme, saqë të pohojë me krenari e vetëpërfytyrim heroik se COVID-19 nuk ekziston, madje ai vetë nuk mban maskë në spital.

Si të mos mjaftonte specializimi deri në idiotësi – duke i parë shkollat si fabrika e famshme e gjilpërave me kokë të Adam Smithit – nxënësi dhe studenti i sotëm, në rastin më të mirë, kur mësuesi/pedagogu nuk është thjesht dezhurn në klasë, mbruhen me mendim praktik, pa u shqetësuar për mendimin kritik. Ndryshe nga praktiku, që e nxit njeriun t’i japë një zgjidhje të shpejtë problemit të saposhfaqur, mendimi kritik e mëson të shtrojë pyetje të reja, të problematizojë, të vërë në dyshim konceptimet e mëhershme, të shohë lidhjen midis fenomeneve, të kontekstualizojë e historizojë, të kërkojë përgjigje për raportin midis vetë atij dhe problemit, kushteve shoqërore dhe përgjigjeve mbizotëruese  – me një fjalë të reflektojë.

Ky reflektim, mjerisht i munguar, do t’i mundësonte edhe të mos mbytej në mizërinë e “informacioneve” në internet, ku për çdo gjë mund të gjesh turlilloj interpretimesh – nga më seriozet te më psikotiket. Kësisoj do të vinte në sitë gjithçka që lexon, do të kërkonte burimet e asaj që pretendohet, do të analizonte kritikisht këto burime, do t’i ballafaqonte me të tjerat, do të njihte rëndësinë e reputacionit shkencor e teorik të artikujshkruesve etj. Dhe në fund jo vetëm do të dyshonte, por edhe do të vinte në dyshim çdo dyshim për hir të dyshimit. Çka do t’i mundësonte të ndalej e të mendohej pak përpara se t’i mbushte mendjen vetes që ne sundohemi nga njerëz-zvarranikë apo se ka një plan të detajuar për të zbrazur Shqipërinë nga shqiptarët dhe për ta populluar me afrikanë.

Nga ana tjetër, kushti ideologjik mbisundues ka ngritur një kult të së resë, të ndryshmes, larmisë dhe individualizmit heroik saqë, pavarësisht përmbajtjes, të jesh kundër rrymës konsiderohet virtyt. Shprehja më e shpeshtë e tij është një lloj anarko-individualizmi romantik ku, pavarësisht se ç’gomarëri është epistemologjikisht e sa obskurantist është politikisht pretendimi, mjafton që ai të bjerë ndesh me “institucionet”, pushtetet e mirëvendosura – politike e kulturore – që të jetë medoemos i vërtetë. Një pjesë të përgjegjësisë për këtë gjendje e ka edhe e majta, le ta quajmë postmoderne, për të cilën subversioni, centrifugalizmi e autenticiteti janë vlerësuar si qëllime në vetvete, si një rezistencë ndaj logjikës pushtetore, plot mllef e distancim, por pa organizim politik e vetëdije klasore. Kjo ndarje postmoderno-romantike midis autoritetit dhe subversionit, ka bërë që të kalohet nga pretendimi autoritarist “kur shefi thotë që 2+2=5, atëherë 5 bëjnë”, në pretendimin e përkundërt ku mjafton të përmendet një autoritet, qoftë ky edhe shkencor, që pohon se “2+2=4”, për të thënë të kundërtën, se “në të vërtetë bëjnë 5”.  

Ky subversion i gjithanshëm në sipërfaqe nuk është aq i guximshëm sa të shkojë në rrënjët e problemeve socio-politike, të qëmtojë kontradiktat e kapitalizmit të vonë apo të shohë një rrugëdalje përtej qorrsokakut shoqëror e mjedisor ku po zhytemi gjithnjë e më thellë. Intelektualisht kjo lidhet me atë që mund të quhet “analfabetizëm strukturor”, pra mungesë e njohurive dhe konceptimit bazik të problemeve si strukturore. Sipas strukturalizmit (edhe marksist), më përparësi është ndarja hierarkike e funksioneve ekonomike, politike e ideologjike, çka prodhon në përditshmëri shfrytëzim, shtypje e tëhuajësim dhe, në raste të jashtëzakonshme, katastrofa. Historia nuk shihet as në terma strukturash që ndryshojnë ngadalë me kohën, ku njerëzit janë më shumë bartës të përcaktueshmërive shoqërore, as në termat e subjekteve madhore (klasa, popuj etj.), të cilat në momente të caktuara historike gjejnë të çarat brenda strukturës së ngrënë dalëngadalë nga kontradiktat e saj dhe sjellin transformime madhore.

Përkundrazi, ajo duket e thjeshtë, produkt vullnetesh heroike e djallëzore, një luftë manikeisto-telenoveliste midis të mirës e të keqes, me kalorës e shqytarë në të dyja anët, nganjëherë edhe me zota në krahun e secilës palë, ku dita e betejës finale po afron. E keqja, në këtë rast, nuk është as sistemore e as strukturore, por produkt i vullnetit pervers të një dore njerëzish – mundësisht të pasur e të pushtetshëm, të cilët mblidhen në dhoma të mugëta prej ku drejtojnë botën si të kishin një tastierë magjike në dorë. Këto emra sot quhen Soros, Gates etj., por nesër mund të ndërrojnë. Ata nuk kritikohen si kujdestarë të një strukture ekonomike globale shkatërrimtare për njeriun dhe mjedisin, por si gjeni të së keqes, vullneti i të cilëve kapërcen logjikën e kapitalizmit, shtetit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Kapitalizmi funksionon, por atë e kanë marrë në qafë “hebrenjtë, masonët, kriptokomunistët etj.”.

Pavarësisht fajeve të rënda që mbart mbi supe çdo miliarder në sistemin e sotëm kapitalist, emrat e mësipërm konsiderohen fajtorë të gjithçkaje që nuk shkon në botë. Në një përsëritje prej farse të botëkuptimit tragjik të Revolucionit Francez – të mishëruar nga fjalët e Dantonit: “nuk ka rëndësi nëse dikush është ose jo fajtor, por vetëm nëse është ose jo aristokrat” – sot për çdo problem real e imagjinar përgjigjja është e thjeshtë dhe e mishëruar në një, dy a tre emra, duke pamundësuar kësisoj evidentimin edhe të përgjegjësive reale të këtyre oligarkëve globalë, edhe të problemeve të thella strukturore të kapitalizmit të vonë.

Nuk duhet lënë pas dore, gjithashtu, një lloj identitarizmi partiako-nostalgjik që ushqen përqafimin e çdo marrëzie që vjen nga burimi “i duhur”. Si kudo nëpër botë, edhe në Shqipëri zgjedhja e Donald Trump-it president i SHBA e ka kthyer atë në heroin e shumëpritur jo vetëm të ekstremistëve të djathtë, por edhe të shumë mbështetësve të partive më tradicionale të së djathtës (ose qendrës së djathtë). Kombinimi i vuajtjeve të së shkuarës staliniste me mjerimin e pashmangshëm të politikave neoliberale, të cilave u shtohet prirja për ta parë rrezikun komunist edhe midis liberalëve të leqendisur, po bën që gjithçka që vjen sadopak era progres, emancipim, shkencë, mendim kritik, tolerancë apo të drejta ekonomiko-shoqërore të kualifikohet rrufeshëm si komplot judeo-bolshevik kundër dëlirësisë dhe organicitetit të kombit, kësaj here të rrezikuar nga një virus.

E gjithë kjo tollovi sharlatano-reaksionare gjen grykëderdhje në një shtrat mediatik të etur për klikime, skupe, ndodhi ekzotike e pretendime fantastike. Perry Anderson-i thoshte se, ndryshe nga epoka moderne që bazohej në imazhin e makinerisë, postmodernja karakterizohet nga makineria e imazheve. Në këtë kuptim, çdo gjë që bën bujë, duket e ndryshme dhe tërheqëse, e shoqëruar me emfaza dhe gjeste të jashtëzakonshme, viktimizim dhe beteja epiko-fantastike kapet dhe shumëfishohet mediatikisht, duke krijuar mbështetës dhe përforcuar kësisoj sigurinë e sharlatanëve për besimet e veta.

Duke ndjerë suksesin e mashtrimeve të veta, sharlatani harron dalëngadalë si e nisi dhe përfundon duke mashtruar veten; duke u bërë kësisoj lloji më i rrezikshëm i mashtruesit.


[1] Adorno, Th. (1994). The Stars Down to Earth. London: Routledge, f. 61.

Imazhi: Hieronymus Bosch

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.