Trump-i dhe fashizmi

/Dylan Riley/

Shumë analistë e studiues, së paku në SHBA, priren të heqin paralele ndërmjet diktaturave djathtiste të periudhës midis dy luftërave botërore dhe Trump-it. Pretendimi i Timothy Snyder-it se “rendi ynë politik po përballet me kërcënime të reja, të ngjashme me totalitarizmat e shekullit të njëzetë” është përfaqësues tipik i kësaj ideje. Kjo ide shfaqet në qendrën e djathtë, në qendrën e majtë dhe në të majtën radikale, ndonëse këto kampe politike dalin në përfundime disi të ndryshme nga ky paralelizëm. Për centristët, mësimi që duhet nxënë është shmangia e “ekstremizmit” dhe bashkimi në një koalicion të gjerë për të mbështetur rivendosjen e “sundimit të ligjit” ose “demokracisë”. Për të majtën radikale kjo situatë kërkon luftimin në rrugë të fashizmit nëpërmjet veprimit të drejtpërdrejtë. Afërmendsh këto analiza janë thjesht versione pak të riformatuara të debateve të viteve 1920 dhe 1930 rreth mënyrës si t’i rezistohej me efektivitet diktaturave të asokohshme. Sidoqoftë, këto interpretime nuk vënë re një dallim të madh midis periudhës midis dy luftërave botërore dhe të sotmes. Siç kam dëftuar në librin “The Civic Foundations of Fascism in Europe”, fashizmi mund të lindë vetëm në kushtet e një shoqërie civile tejet të mobilizuar…

Teza e përgjithshme që dëshiroj të hedh është se në Evropën e viteve 1880-1930 u zhvillua një proces lufte ndërklasore dhe brendaklasore, si në arenën e brendshme ashtu edhe në atë ndërkombëtare, çka prodhoi dhe formoi politikisht shoqëri civile tejet të organizuara. Këto luftëra filluan në vitet 1880 me formimin e të parave parti masash socialiste dhe fshatare. Paskëtaj ato u intensifikuan me konfliktin imperialist që shpuri në Luftën e Parë Botërore dhe mbramësisht arriti kulmin me shpërthimin e Revolucionit Rus. Këto procese krijuan një tog mbresëlënës organizatash të masave, me shoqata lokale, kooperativa dhe gazeta, të cilat i futën masat në politikë në një shkallë të paprecedent si nga ana e të majtës radikale, ashtu edhe të djathtës radikale.

Nga ana tjetër, “trampizmi” dhe sivëllezërit e tij evropianë kanë lindur në kontekstin e një shoqërie civile të fragmentuar e të depolitizuar: produkte të epjes historike kohëgjate të projektit socialist dhe të marrëdhënieve në thelb paqësore brenda bërthamës së vendeve kapitaliste. Si rezultat i këtij dallimi themelor në rrafshin e shoqërisë civile, që nga ana e vet lidhet me dinamikën e luftës klasore kombëtare e ndërkombëtare në periudhën bashkëkohore, paradoksalisht trampizmi ka më shumë ngjashmëri me bonapartizmin e shekullit të nëntëmbëdhjetë – në të cilin një figurë karizmatike lind në kontekstin e një shoqërie civile të fragmentuar e të dobët – sesa me fashizmin e shekullit të njëzetë.

Për të provuar dallimin, do të parashtroj disa teza mbi fashizmin dhe trampizmin. Paskëtaj do të nxjerr rrjedhojat e tyre për format e ndryshme të sundimit që karakterizojnë këto dy trajta regjimesh djathtiste. Fashizmi dhe trampizmi mund të lokalizohen në katër marrëdhënie kyçe:

  1. Lufta e klasave në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar dhe struktura e shoqërisë civile.
  2. Lufta e klasave në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar dhe politika e klasës së mesme.
  3. Struktura e klasës mbisunduese dhe lufta e klasave.
  4. Struktura e shoqërisë civile dhe karakteri i regjimeve.

Lufta e klasave në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar dhe struktura e shoqërisë civile

Regjimet fashiste lindën në periudhën e imperializmit… Siç e ka thënë më së miri Nicos Poulantzas-i, “kush nuk do të diskutojë për imperializmin duhet të heshtë edhe për fashizmin”. Midis viteve 1871 dhe 1914 në të gjitha vendet kapitaliste ndodhi një zhvendosje kah “kapitalizmi i organizuar”. Kjo u shoqërua me ngopjen e tregjeve të brendshme dhe krijoi një trysni të fortë kah lufta brenda bërthamës së sistemit kapitalist botëror në dekadat e para të shekullit të njëzetë. Diçka e tillë i shtyu shtetet drejt rivalitetit në skenën globale; kjo kthesë kah imperializmi ndikoi çdo vend të përparuar kapitalist dhe ushqeu kërkesa për një rol më të madh të shtetit. Ky ishte edhe faktori strukturor që diktoi shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, e cila nga ana e vet prodhoi Revolucionin Rus, i cili i radikalizoi më tej edhe të djathtën, edhe të majtën. Nuk është rastësi që fashizmi, duke cituar sërish Poulantzas-in, lindi në “dy hallkat më të dobëta”, pas Rusisë, të zinxhirit të vendeve imperialiste (në Itali dhe Gjermani). Italia dhe Gjermania u përjashtuan nga loja imperialiste dhe elitat e tyre shoqërore u dobësuan ndjeshëm nga kriza e pasluftës.

Imperializmi solli pasoja mbi shoqërinë civile. Në Itali e Gjermani politika borgjeze e periudhës fill përpara shpërthimit të luftës karakterizohej nga shumëfishimi i grupeve të presionit, të cilat kërkonin t’i jepnin fund politikës së njerëzve të shquar (notables), që ishte karakteristikë e shekullit XIX, dhe ngrinin zërin për një gjeopolitikë agresive, që shpesh herë lidhej me sulme të forta kundër socializmit dhe të majtës. Në Gjermani më të rëndësishmet mes tyre ishin Lidhja e Marinës, Lidhja e Mbrojtjes dhe Lidhja Pangjermane. Në Itali grupi rreth Il Regno-s së Enrico Corradini-t bënte agjitacion për një lloj marksizmi kokëposhtë: një ofensivë lufte klasore nga ana e borgjezisë dhe njëkohësisht ndarje nga internacionalizmi në emër të pohimit të madhështisë italiane.

Në Gjermani dhe Itali kjo politikë borgjeze duhej të përballej me një realitet sfidues: ekzistencën e partive socialiste masive që nuk ishin thjesht antikapitaliste, por edhe haptazi internacionaliste. Në Itali Partia Socialiste Italiane ishte një lloj “shteti brenda shtetit”; anëtarët e saj merrnin pjesë në zgjedhjet e brendshme, në diskutimet gjatë kongreseve të partisë dhe u nënshtroheshin përpjekjeve edukative politike intensive. Në Gjermani Partia Socialdemokrate ishte dukshëm organizata politike masive më e rëndësishme në vend që prej vitit 1912. Ato shërbyen si model i organizatave partiake masive në kontinentin evropian.

Lufta e Parë Botërore dhe Revolucioni Rus vetëm sa i ashpërsuan dallimet dramatike në kapacitetin organizativ midis të majtës dhe të djathtës. Sigurisht që Revolucioni Rus pati një impakt kontradiktor mbi këto lëvizje. Ai radikalizoi një krah të lëvizjes punëtore (partitë komuniste), por njëkohësisht e përçau lëvizjen punëtore pas vitit 1921. Sidoqoftë nga poshtë u ngrit një valë e madhe sfiduese që edhe i kërcënoi elitat shoqërore, edhe u siguroi fashistëve modelin organizativ të politikës së masave. (Në rastin italian shumë prej udhëheqësve politikë kishin përvojë të kaluar në partitë e të majtës.)

Fashizmi lindi jo vetëm në kontekstin e një partie antikapitaliste masash, por edhe si rezultat i një revolucioni të mposhtur. Ndonëse në Italinë e viteve 1918-1920 dhe Gjermaninë e 1917-1923 ekzistonte një situatë objektivisht revolucionare, shpërthimi revolucionar kishte dështuar. Socialistët u tërhoqën duke mbrojtur një grup kërkesash ekonomike brenda kapitalizmit, duke dobësuar kësisoj ndikimin e tyre mbi shtresën e mesme (mikroborgjezinë) dhe fshatarësinë, të cilat paskëtaj iu përgjigjën pozitivisht mobilizimit fashist.

Si rezultat i këtij konflikti, që përballi një klasë punëtore socialiste e internacionaliste me një borgjezi antisocialiste e nacionaliste, ndodhi një shpërthim organizativ në shoqërinë civile si midis punëtorëve, ashtu edhe brenda borgjezisë. Kjo luftë klasash, e ndërthurur në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar, krijoi shoqëritë civile të dendura të Evropës së fundshekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimshekullit të njëzetë.

Përkundër fashizmit të periudhës midis dy luftërave botërore, trampizmi zhvillohet në një mjedis gjeopolitik me tensione të ulëta. Është kollaj ta harrosh këtë kur përballesh me rrjedhën konstante të provokimeve të pamenda që dalin nga Shtëpia e Bardhë, por faktikisht konfliktet kryesore ushtarake që i japin formë botës bashkëkohore ngjajnë midis vendeve të zhvilluara kapitaliste dhe kërcënimeve të vogla në kufijtë e tyre. Këto janë të dyllojshme: të ashtuquajturat regjime të poshtra (rouge regimes) dhe “terrorizmi”. Nuk ka kurrfarë presioni kah konflikti ushtarak brenda bërthamës së botës kapitaliste. Është e mundur që Kina të përfitojë nga situata, po hë për hë Mbretëria e Mesit ecën gjeopolitikisht me frena.

Si rezultat i këtij dallimi, trampizmi nuk ka lindur pas një lufte që ka mobilizuar masat, por në të nesërmen e zgjatur të një kolapsi ekonomik dhe përgjigjes ndaj tij që nuk ka bërë asgjë për t’u dhënë zgjidhe problemeve që e shkaktuan kolapsin. Si i tillë, ai është pjesë e një modeli më të gjerë revolte që po turbullon Evropën, por edhe Turqinë. Këto revolta, që kanë marrë trajta edhe djathtiste edhe majtiste, janë pasojë e zvjerdhjes së bazës materiale të pëlqimit ndaj sundimit kapitalist në botën e përparuar kapitaliste.

Po ashtu trampizmi, dhe “populizmi djathtist” më gjerësisht, nuk kanë përballë asgjë të ngjashme me partinë politike socialiste të masave dhe, për pasojë, nuk janë detyruar të ndërtojnë format e tyre të infrastrukturës mobilizuese djathtiste. Që prej viteve 1970 në SHBA dhe Evropë është shënuar një rënie e vazhdueshme e pjesëmarrjes në votime, sindikalizmit dhe e ndjekjes së aktiviteteve të ndryshme politike. Në Evropë partitë politike të masave që strukturorin mjaft sisteme politike deri pak dekada më parë (socialdemokracia, komunizmi dhe demokracia kristiane) janë rrudhur e dobësuar.

Dinamika e krizës politike që prodhon populizmin djathtist dhe trampizmin mbart çintegrimin e partive ekzistuese dhe jo kërcënimin që vjen nga parti të reja apo në zhvillim të shpejtë. Kjo do të thotë se dinamika organizative që krijoi fashizmin – që, sipas fjalëve të Juan Linz-it, është ardhacak në hapësirën politike – nuk vepron në këtë rast. Këto modele të ndryshme kontestimi politik nënkuptojnë se trampizmit i mungon tërësisht një organizatë partie masash në kuptimin fashist të fjalës. Mungon dinamika kundërthënëse që mund të prodhonte të tilla organizata.

Trampizmi në veçanti nuk lind prej një kërcënimi revolucionar, por prej reformizmit të dështuar të viteve të qeverisjes së Obama-s. Shpëtimi i institucioneve të mëdha financiare, pa vënë njeri përpara përgjegjësisë, i kombinuar me një plan kujdesi shëndetësor të bazuar në dhurimin e shumave të mëdha kompanive të sigurimeve private, i dobësuan në mënyrë fatale iniciativat përparimtare të periudhës së Obama-s. Kjo situatë ka një farë ngjashmërie të dobët, por domethënëse, me vitet 1918-1920 në Itali dhe 1917-1923 në Gjermani. Ndërkohë rimëkëmbja ekonomike gjatë qeverisjes së Obama-s ishte e dobët. Kësisoj, ndonëse personalisht mbeti popullor, Obama e la Partinë Demokratike në ditë të hallit. Prapëseprapë, trampizmi nuk mund të riprodhojë energjinë specifikisht kundërrevolucionare që karakterizonte lëvizjet fashiste.

Kësisoj ka një dallim të madh midis fashizmit të periudhës midis dy luftërave botërore dhe kthesës bashkëkohore djathtas. Ndërsa gjatë periudhës së parë të djathtës i duhej të konkurronte në një shoqëri civile tejet të strukturuar e të politizuar, në të cilën një klasë e mesme kombëtare mjaft e organizuar përballej me një klasë punëtore internacionaliste po aq të organizuar, në të dytën ajo operon në një kontekst mjaft më të fragmentuar e të depolitizuar…

Lufta e klasave në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar dhe politika e klasës së mesme

Një kufizim i dytë i librit “Civic Foundations…” ka të bëjë me trajtimin e klasës së mesme, mikroborgjezisë, ose “shtresës së mesme”. Analiza klasore implicite e librit bazohej në idenë e një kundërshtie themelore midis “elitës shoqërore”, të përbërë nga çifligarët dhe kapitalistët, dhe gjithë prodhuesve të drejtpërdrejtë, në bujqësi a industri. Sigurisht që një pjesë e konsiderueshme e kuadrove të partive fashiste përbëhej nga grupe ndërmjet këtyre klasave shoqërore; po ashtu, një pjesë e madhe e luftës politike pas Luftës së Parë Botërore u fokusua mbi fitimin e mbështetjes së këtyre grupeve për kampin e borgjezisë kombëtare ose të proletariatit internacionalist. Në këtë luftë për zemrat dhe mendjet e klasës së mesme e majta u ballafaqua me një problem bazik. Për shkak të lidhjes së tyre me sistemet kombëtare të arsimimit, për shkak se profesioni dhe shoqatat e tyre të interesit ishin kombëtare dhe për shkak se përbënin shtresat e ulëta të oficerëve në ushtritë kombëtare, klasa e mesme ishte në thelb mbështetëse e imperializmit dhe thellësisht armiqësore ndaj internacionalizmit.

Në të kundërt, pavarësisht tradhtisë së udhëheqjes të SPD gjermane (por jo PSI italiane), nacionalizmi kishte ndikim tejet të kufizuar së paku në radhët e klasave punëtore industriale të Italisë e Gjermanisë. Ky kufizim ishte më i dukshëm në mposhtjen e të majtës fashiste (vëllezërit Strasser në Gjermani dhe sindikalistët revolucionarë në Itali). Këto përpjekje “majtisto-fashiste” – të ngjashme me peronizmin argjentinas – për ta tërhequr klasën punëtore në politikën e prestigjit kombëtar dhe imperializmit dështuan; ky dështim është tejet i rëndësishëm për të kuptuar rrugëtimin e mëvonshëm të fashizmit në këto dy vende. Tregon po ashtu qartësisht se si ndarjet klasore dhe kombëtare e përforcuan njëra-tjetrën në periudhën midis dy luftërave.

Për shkak të këtij konfigurimi të veçantë të konfliktit klasor dhe nacionalizmit, lëvizjet fashiste ia dolën të bënin bashkë nëpunësit, dyqanxhinjtë e vegjël, si dhe prodhuesit e vegjël bujqësorë në një organizatë partiake paramilitare që synonte t’i kundërvihej socializmit internacionalist. (Sociologjia politike e këtyre lëvizjeve është disi kundërthënëse. Fashizmi italian nuk ka qenë parësisht një lëvizje elektorale, ndryshe nga nacional-socializmi gjerman që kishte një histori elektorale më të gjatë. Një e përbashkët e lëvizjeve fashiste është suksesi i tyre mes nëpunësve shtetërorë.)

Si e ndikon lufta e klasave në rrafsh ndërkombëtar e kombëtar politikën e klasës së mesme në epokën e Trump-it? Baza e mbështetjes shoqërore të Trump-it vjen nga një kombinim i votuesve të bardhë relativisht të pasur të jugut (mikroborgjezia tradicionale) me një shtrese të ngushtë votuesish të klasës punëtore në Miduestin e Epërm. Interesat materialë të këtyre grupeve së paku mund të shprehen në terma nacionalistë. Për aq sa mund të thuhet se agjenda ekonomike “nacionaliste” e Trump-it ka një farë baze shoqërore, kjo e fundit përbëhet nga grupe punëtorësh dhe anëtarësh të klasës së mesme që druhen nga konkurrenca ndërkombëtare dhe imigrantët.

Në të kundërt, të mirarsimuarit – ata që Poulantzas-i i quan “mikroborgjezia e re” dhe që sipas Bourdieu-së janë bartës të “kapitalit kulturor” – kanë orientim kozmopolit. Ka plot të dhëna studimore që tregojnë se në Evropë dhe SHBA klasa punëtore po organizohet gjithnjë e më shumë në terma kombëtarë, kurse klasa e mesme ka një pamje internacionaliste. Për pasojë, baza klasore e trampizmit dallon nga ajo e fashizmit klasik. Konfigurimi klasor bazik që ka prodhuar trampizmin dhe, më gjerësisht, populizmin djathtist vë kundër njëra-tjetrës një klasë punëtore nacionaliste dhe një klasë të mesme internacionaliste. Kjo strukturë është thuajse e kundërta e asaj të fashizmit të periudhës midis dy luftërave botërore.

Struktura e klasës mbisunduese

Regjimet fashiste lindën në një kontekst konflikti të ashpër brenda klasës mbisunduese. Një vijë konflikti u ravijëzua midis industrive të orientuara kah eksporti dhe konkurruese në tregun global dhe industrive të rënda më pak konkurruese ndërkombëtarisht, të cilat kishin nevojë për mbështetjen shtetërore. Një tjetër vijë ndante agrarët pjesërisht “kapitalistë” dhe relativisht joproduktivë të lindjes (Gjermani) dhe jugut (Itali) nga kapitalistët industrialë. Për arsye historike specifike, në Gjermaninë dhe Italinë e pasluftës krahët e ndryshëm të klasës mbisunduese nuk mund të bashkoheshin në një organizatë politike të vetme apo në një sistem funksional alternimi partiak. Gjithsesi, agrarët në Itali e Gjermani ruajtën lidhje organizative me masat fshatare, çka rezultoi vendimtare në lindjen e fashizmit.

Një prej shërbimeve më të rëndësishme që elitat agrare u siguruan partive fashiste ishte pengimi i depërtimit të propagandës socialiste në pjesë të gjera të popullatës fshatare; në disa raste agrarët i zhvendosën këto popullata kah një aleancë pak a shumë e hapët me fashistët. Partia Naziste ka pasur gjithnjë një bazë të fortë mbështetjeje midis fshatarëve të Shlesvig-Holshtajnit, Meklenbergut dhe Prusisë Lindore, ndërsa fashistët italianë gjetën mbështetje mes pronarëve të vegjël dhe gjysmatarëve të Emilia-Romanjës, Toskanës, Lombardisë, Piemontit dhe Venetos.

Tjetër shërbim tejet i rëndësishëm i agrarëve ishte shtrimi i rrugës drejt ardhjes në pushtet të lëvizjeve fashiste. Si në Itali dhe në Gjermani partitë fashiste u ftuan ta merrnin pushtetin nga elitat konservatore të lidhura me qarqet agrare. Viktor Emanueli III emëroi Musolinin kryeministër, kurse Hindenburgu Hitlerin kancelar. Në asnjë rast nuk ndodhi që partitë fashiste të vinin në pushtet duke fituar shumicën e votave. Rezultati më i lartë i Partisë Naziste ishte 37% i korrikut 1932. Partia Fashiste Kombëtare e Italisë ka qenë ngaherë më shumë një organizatë paramilitare sesa elektorale. Suksesi më i madh elektoral i saj ngjau në vitin 1921 kur, si pjesë e “bllokut kombëtar”, mori 36 nga 535 deputetë. Kësisoj lëvizjet fashiste depërtuan brenda shtetit nëpërmjet klasave të epërme agrare, të cilat formuan bazën e tyre shoqërore.

Edhe trampizmi ka lindur në kontekstin e një konflikti serioz brenda klasës mbisunduese. Në kontekstin stanjacionit strukturor të normave të fitimit, pronarët e parasë dhe mjeteve të prodhimit kërkojnë gjithnjë e më shumë subvencione nga shteti, çka sjell politizimin e menjëhershëm të konflikteve të tyre ekonomike. Kjo çon në fragmentimin e klasës mbisunduese, ndërkohë që ndizen konfliktet se cilat industri ose sektorë do të marrin pjesën më të madhe të mbështetjes shtetërore. Një prej zhvillimeve më të rëndësishme të viteve të fundit është politizimi i konfliktit brenda klasës mbisunduese: industritë e lëndëve djegëse fosile dhe ato nxjerrëse mbështesin Trump-in, kurse kompanitë e sigurimeve shëndetësore mbrojnë subvencionet masive shtetërore në trajtën e Ligjit të Kujdesit të Përballueshëm (Affordable Care Act). Këto konflikte interesash zhvillohen me potere të madhe, edhe pse terreni klasor i tyre është relativisht i ngushtë.  

Po ndryshe nga fashizmi, trampizmit i mungon mbështetja nga një elitë agrare parakapitaliste; nuk ka as Hindenburg as Viktor Emanuel apo një kompleks institucional agrar që do ta sillte në pushtet. Për pasojë Trump-i u zgjodh me 46% të votës popullore, një rezultat më i mirë se ai i Musolinit apo Hitlerit. Prapëseprapë ai e humbi votën popullore me një diferencë prej 3 milionë votash. Afërmendsh që pati përparësi të tjera institucionale. Trump-i fitoi 11% shtesë nga kolegji zgjedhor, institucion i cili e penalizoi Clinton-in me 6%. Po marrëdhënia e Trump-it me shtetin është mjaft më e tensionuar se në rastin e Musolinit apo Hitlerit për shkak se atij i mungon mbështetja e ndonjë grupi shoqëror të regjimit të vjetër.

Struktura e shoqërisë civile dhe karakteri i regjimeve

Nga dallojnë si regjime fashizmi i periudhës midis luftërave botërore dhe populizmi djathtist (duke përfshirë trampizmin)? Regjimet fashiste shquheshin nga dualizmi midis shtetit dhe partisë. Udhëheqës si Musolini dhe Hitleri drejtpeshonin shtysat e aktivistëve partiakë që kërkonin një “revolucion të dytë” me burokratët e regjimit të vjetër. Kësisoj politika e regjimeve fashiste formohej nga një prirje kah lëvizjet frondiste[1] embrionale ose të plota, që udhëhiqeshin nga besimtarë të vërtetë nga më të ndryshmit: në rastin italian Edmondo Rossoni dhe Roberto Farinacci janë mishërim i udhëheqësve të revoltave brenda partisë. Në Gjermani themelimi i një shteti nazist erdhi pjesërisht si rezultat i presionit nga Partia Naziste pas zgjedhjeve të marsit 1933. Sigurisht që Musolini dhe Hitleri ia dolën t’i disiplinonin dhe dobësonin partitë e tyre. Po lufta midis partisë dhe shtetit nuk u zhduk kurrë tërësisht dhe ringriti krye kur regjimet fashiste hynë në krizë pas viteve 1941-1942.

Ka ngjashmëri të frikshme midis stilit të udhëheqjes së Trump-it dhe Hitlerit në veçanti: përtacia, theksimi i besnikërisë dhe struktura antiburokratike e kabinetit qeveritar, të cilit i mungojnë sferat e mirëpërcaktuara të kompetencës. Po ashtu, ngjashëm me Musolinin dhe Hitlerin, Trump-i rrezikon një Frondë të udhëhequr nga Steve Bannon-i, i cili të kujton Farinacci-n.

Sidoqoftë këto ngjashmëri sipërfaqësore vlejnë vetëm për të theksuar dallimet bazike midis fashizmit të periudhës midis luftërave dhe trampizmit. Hitleri dhe Musolini mbetën udhëheqës partie; ata nuk mundën ta shkëpusnin veten tërësisht nga organizatat që i sollën në pushtet. Trump-i nuk është udhëheqës partiak; ai është patriark. Ai nuk ka organizatë dhe ndonëse sundon prej të djathtës ekstreme, personalisht i mungon ideologjia. Po ashtu, po të krahasojmë Bannon-in me Farinacci-n, bie në sy kollaj dobësia e Bannon-it – ky i fundit nuk mund të tërheqë pas vetes një masë të organizuar ndjekësish për t’i bërë presion Trump-it nga poshtë. Në fakt ai mbetet i varur nga patronazhi personal.

Ky dallim ka rëndësi sepse u mvesh fashizmit dhe trampizmit dy prirje zhvillimore krejt të ndryshme. Presioni nga partia ishte një burim kryesor i “radikalizimit” të regjimeve fashiste. Kërkesat e partisë për poste dhe pozicione shpjegojnë në një masë të madhe ekspansionin e kontrollit partiak mbi jetën ekonomike e shoqërore. Në rastin gjerman partia ishte forca institucionale kryesore që shtyu përpara Zgjidhjen Përfundimtare[2]. Në rastin italian ishte presioni partiak që e shtrëngoi Musolinin të shtinte në kontroll sindikatat dhe organizatat profesionale.

Në të kundërt, trampizmi karakterizohet nga konflikti midis shtetit burokratik dhe organizatës së Trump-it si familje patriarkale. Për shembull ky është strumbullari i hetimit të Mueller-it. Në kohën e shkrimit të këtij artikulli, rezultati përfundimtar i kësaj lufte është i paparashikueshëm, por gjithsesi nuk do të sjellë ekspansionin e “shtetit prerogativ”[3] siç ndodhi gjatë fashizmit.

Përmbledhtas, ndërsa regjimet fashiste të periudhës midis luftërave erdhën në pushtet duke u bazuar te partitë dhe lëvizjet fashiste që u zhvilluan brenda shoqërive civile të organizuara dhe politizuara fort, Trump-i erdhi në pushtet duke u bazuar te një sistem partiak tradicional i fragmentuar dhe një elektorat kryesisht pasiv. Forma organizative e trampizmit nuk është partia politike, por familja.

Përfundim

Tani do të doja të lidhja fijet e analizës. Ka katër grupe faktorësh që e dallojnë fashizmin nga trampizmi. I pari lindi nga përvoja e një lufte që mobilizoi masat, i dyti lindi pas një krize financiare. I pari lindi prej një situate thuajse revolucionare, i dyti erdhi prej mungesës së një të majte të organizuar. I pari galvanizoi shtresën e mesme, i dyti nuk ia ka arritur. I pari ishte një projekt i disiplinimit dhe ndërtimit të pushtetit shtetëror, i dyti synon të çmontojë “shtetin administrativ”. Prej këtyre kontrasteve, do të doja të theksoja një tipar të përgjithshëm që i dallon këto dy raste. Ndërsa fashizmi ishte produkt i karakterit intensiv të shoqërisë civile dhe zhvillimit shoqërizues, trampizmi është shprehje e zvjerdhjes dhe dobësimit të shoqërisë civile. Prandaj Trump-i është më i ngjashëm me Bonapartin, sidomos me Bonapartin II, sesa me fashistët e midisluftërave. Ky dallim është i dukshëm veçanërisht në konfliktin institucional bazik që karakterizon dinamikën e çdo trajte regjimi fashist. Regjimet fashiste u grinë nga lufta midis shtetit dhe partisë. Udhëheqësit e tyre qëndruan majë dy organizatave konkurruese dhe i vendosnin ato kundra njëra-tjetrës. Gjithsesi familjet e Musolinit dhe Hitlerit luajtën një rol fare të vogël në politikën pushtetore të regjimeve të tyre. Në kontrast me ta, konflikti institucional karakteristik i trampizmit është midis atyre që Weber-i do t’i quante “logjika e sferës shtëpiake” dhe “logjika e burokracisë”. Ato që quhen “shkelje të normave demokratike” nga Trump-i në fakt janë shkelje të “normave burokratike”. Trump-i ofendohet shpesh në media se nuk kupton dallimin midis besnikërisë ndaj personit dhe besnikërisë ndaj rendit objektiv të shtetit. Kësisoj Trump-i është kërcënues jo se do të themelojë një regjim nacionalist neototalitar, por sepse mund të ndërtojë një regjim bonapartist neopatrimonialist të bazuar në logjikën e sferës shtëpiake.

Pas theksimit të dallimeve midis këtyre dy përvojave, dua të vë në dukje edhe ngjashmëritë midis situatës bashkëkohore dhe asaj midis dy luftërave botërore. Trump-i, (po edhe më shumë) Musolini dhe Hitleri paraqiten zakonisht si udhëheqës “antidemokratikë”. Ky është një gabim i madh. Në fakt këta udhëheqës ngritën krye, në vitet 1930 dhe sot, duke artikuluar kërkesën për një rinovim të thellë të institucioneve politike që do ta bënte shtetin më të përgjegjshëm përpara popullsisë. Ngjitja e tyre në pushtet lidhet ngushtësisht me dështimin e të majtës politike për të përqafuar një projekt bindës demokratizimi në të dyja rastet, por për arsye krejt të ndryshme. Detyra themelore e të majtës është të udhëheqë një revolucion demokratik duke shmangur projektin teknokratik të “mbrojtjes së institucioneve ekzistuese”, të cilat janë gjerësisht antidemokratike.

Kjo na çon drejt një paraleleje të dytë, më institucionale, midis dy rasteve. Gjermania dhe Italia e midisluftërave, ashtu si SHBA bashkëkohore, janë lloje të asaj që Arno Mayer-i i ka quajtur “regjime të vjetra” mbijetuese. Këtu duhen theksuar dy pika. Së pari, kushtetuta e SHBA nuk është edhe aq një sistem “kontrollesh dhe drejtpeshimesh”, por një sistem i kontrolleve ndaj pushtetit të një trupe që përfaqëson, ndonëse në mënyrë të papërsosur, vullnetin popullor: Dhomës së Përfaqësuesve. Ky është qëllimi i mirëfilltë i Senatit, sistemit gjyqësor dhe ekzekutivit. Së dyti, presidenca – çka është bërë edhe më e qartë gjatë qeverisjes së Trump-it – është një institucion thelbësisht bonapartist ose cezarian. Po të flasim strukturalisht, kabineti qeveritar në SHBA është një grupim duartrokitësish; normalisht, këto tipare errësohen nga çka me eufemizëm quhen “norma”,  të cilat, siç thonë pa pushim analistët, “krijojnë pamjen e jashtme të pavarësisë”. Po marrja e pushtetit ekzekutiv nga Trump-i i shkon për shtat kornizës bazike të republikës kapitaliste amerikane. Stili i tij neopatrimonialist i sundimit i përshtatet strukturës thelbësisht patrimoniale të degës ekzekutive.

Kjo krijon edhe një hapje strategjike, edhe një kurth strategjik për forcat e të majtës. Me hapjen strategjike qëllim duhet të jetë demokratizimi i institucioneve. Thirrja e Robert Reich-it për një Pakt Ndërshtetëror për Votim Kombëtar Popullor[4] (National Popular Vote Interstate Compact) është një sugjerim i mirë si pikënisje, por duhet pasuar nga një diskutim i gjerë që synon veçanërisht reduktimin e ndikimit të jashtëzakonshëm të gjyqësorit. Kurthi gjendet në të anasjellën: tundimi për t’u dukur mbrojtës të përgjegjshëm të së pambrojtshmes. Kjo arrin nivele absurde kur komentatorë e analistë flasin për agjencitë informative në termat monteskjeanë të ndarjes së pushteteve. Kësisoj zgjedhja është e qartë: ose do ta shtrijmë revolucionin demokratik që nisi në vitet 1930, por u ndal në mënyrë katastrofike, ose do ta lidhim veten pas mbrojtjes së institucioneve që me shpejtësi e me të drejtë po e humbasin mbështetjen popullore. Për të kuptuar rrugëdaljen, nuk do të ishte keq të studionim se si u organizuan regjimet fashiste në Evropën e periudhës midis luftërave për të luftuar më mirë kthesën e ndryshme djathtas të së sotmes.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga libri i autorit “The Civic Foundations of Fascism in Europe”, Verso, 2019.

Imazhi: Flickr/Alisdare Hickson


[1] Fronda ishte një lëvizje kryengritëse e aristokracisë franceze kundër akumulimit të pushtetit mbretëror në Francën e messhekullit XVII. Autori e përdor në kuptimin e një lëvizjeje të fortë kontestuese brenda radhëve të një partie apo lëvizjeje. – Shën përkth.

[2] Kështu u quajt zhdukja me ritëm industrial e miliona hebrenjve evropianë. – Shën. përkth.

[3] Nocion i përdorur nga politologu gjerman Ernst Fraenkel për të dëftuar dhunën jashtëligjore që regjimi nazist përdorte kundër hebrenjve dhe armiqve politikë të regjimit. – Shën. përkth.

[4] Disa shtete në SHBA kanë vendosur bashkërisht që ta sfidojnë sistemin e tërthortë të zgjedhjes se presidentit nëpërmjet Kolegjit Zgjedhor, ku president mund të zgjidhet edhe kandidati që ka më pak vota popullore, duke premtuar që delegatët e tyre në Kolegj do të votojnë kandidatin që fiton shumicën e votave në rang kombëtar. – Shën. përkth.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.