Brezi “Call Center”

Të mbikualifikuar dhe të nënpaguar

/Franzisca Tschinderle/

“Benvenuto in Vodafone! Sono Irdi Ismaili. Rispondo da Albania. Come le posso essere utile?” – “Mirë se vini në Vodafone! Unë jam Irdi Ismaili. Ju flas nga Shqipëria. Si mund t’ju ndihmoj?” – pyet 27-vjeçari me një italishte monotone nga mikrofoni i kufjeve të zeza. Në kabinën e ngushtë prej druri nganjëherë telefoni bie më shumë se gjashtëdhjetë herë gjatë një turni 6-orësh. Nga ana tjetër e linjës klientë të Vodafone-it ankohen për faturën apo sinjalin.

“Më 12 shkurt” – shënon Irdi në bllokun e tij ku dokumenton telefonatat, “Telefonuesi 36: faturë shumë e lartë, shumë i nevrikosur. Ai refuzon të përçohet në një departament tjetër. Siç duket dyqani e paska rrjepur. Thotë që jemi hajdutë.” – “Ndihem si një robot që i duhet të përsërisë të njëjtën gjë” – thotë Irdi më vonë, “Vodafone-i nxjerr fitime ndërsa frustrimi na shfryhet neve.”

27-vjeçari Irdi Ismaili në oborrin me tulla të një ndërtese të vjetër të kohës së socializmit, pranë universitetit ku studion. © Myrto Papadopoulos

Irdi Ismaili, me syze kuadratike dhe flokë të shkurtra, studion shkenca sociale në Universitetin e Tiranës. Puna me kohë të pjesshme është në fakt i vetmi burim të ardhurash: ai punon pesë ditë në javë si operator telefonik tek Albacall-i. Firma ka të punësuar 800 vetë nga ata që figurojnë në regjistrat e Zyrës Kombëtare të Statistikave. Në një vend me rreth 2,8 milionë banorë, për nga sipërfaqja më i vogël se shteti i Baden-Wuerttemberg-ut në Gjermani, figurojnë zyrtarisht rreth 30 mijë vetë të punësuar në call center-a; me gjasë numri jozyrtar është sa dyfishi. Shumica syresh vazhdojnë studimet, të tjerë kanë mbaruar master në ekonomi ose shkenca shoqërore dhe mund të punonin si konsulentë ose në administratë. Përkundrazi ata i përkasin brezit “Call Center”: të mbikualifikuar dhe të nënpaguar.

Irdi nuk e pranon dot këtë. Ai është aktivist i Organizatës Politike, një grupim politik të rinjsh me parime të majta. Synimi i tyre: duan të forcojnë të drejtat e punëtorëve në një prej vendeve më të varfra të Evropës dhe të themelojnë sindikata të pavarura. Por a do munden t’ia arrijnë?

Kur Irdi ishte 12 vjeç, para rreth 15 vitesh, filloi lulëzimi i të ashtuquajturave “shërbime të kujdesit për klientin” në Ballkan. Shumë kompani si Apple-i apo Amazon-i zhvendosën shërbimet e tyre të klientëve në Shqipëri, ku rroga minimale kap shifrën më të ulët në Evropë, 210 euro në muaj. Ata përfitojnë nga punëtorë të mirëkualifikuar si Irdi, të cilët flasin rrjedhshëm anglisht, gjermanisht apo italisht, ngaqë janë rritur me programe televizive të huaja.  

Situata është e ngjashme edhe në sektorët e tjerë ekonomikë: minatorët nxjerrin qindra tonë krom, i cili më pas shitet në Indi apo Kinë. Ndërsa punëtorët e fasonerive qepin rroba për zinxhirët e firmave të modës si Zara. “Ne jemi Bangladeshi i Evropës” – thotë Irdi, i cili punon prej pesë vitesh në call center për 2,60 euro në orë. Punëtorët e fasonerive marrin diku te 220 euro në muaj, dhjetë herë më pak se mesatarja evropiane. Me kaq rrogë në Tiranë mund të paguash qiranë dhe të ushqehesh, por asgjë më tepër.

Akuza e Organizatës Politike: firmat e huaja po shfrytëzojnë ligjet e dobëta të punës. “Nuk ka sindikata të pavarura që mbrojnë të drejtat e punëtorëve” – thotë Irdi. Kjo konfirmohet edhe nga një raport i fondacionit “Friedrich Erbert”. Drejtuesja e zyrës në Tiranë, Stine Klapper, thotë: “Në Shqipëri konkurrenca bazohet te pagat e ulëta, që të mund të konkurrohen prodhuesit e Azisë.”

Ajo çfarë Irdi dhe bashkëpunëtorët e tij e kritikojnë si shfrytëzim, për shumë të tjerë është një model biznesi. Politikanët madje e përdorin këtë për të reklamuar vendin si mjedis i mirë për biznes. Kryeministri Rama tha një herë gjatë një takimi me investitorë italianë: “Ne duam t’u dërgojmë një mesazh të fortë atyre që ëndërrojnë taksa të ulëta, krah të lirë pune dhe sindikata të dobëta.” Për shumë profesionistë të rinj në Shqipëri, vende të tilla pune janë e vetmja mundësi punësimi, ndërkohë që papunësia te të rinjtë e kalon shifrën 20%.

Sipas shifrave zyrtare, në call center-at e Shqipërisë punojnë thuajse 30,000 vetë. Shumica janë studentë që flasin rrjedhshëm anglisht, italisht e gjermanisht. © Myrto Papadopoulos

Pasdite, mes shkurti. Irdi tymos cigaren e dredhur në verandën e qendrës së Organizatës. Quhet Logu i Shkëndijës, shkurt Logu, vendi ku zë fill shkëndija. Një shtëpi dykatëshe mes dy pallateve, me fasadë të shkatërruar, me një bar në katin e parë, një divan në kopsht dhe mandarina. Shpeshherë dhjetëra vetë shikojnë dokumentarë në oborrin e kësaj shtëpie.

Ky vend është oazë qetësie për Irdin, edhe kur ai dhe shokët/shoqet e tij nga aty duan të prishin qetësinë e të tjerëve, me të cilët i ndan lufta për kushte më të mira pune. Një hartë e Tiranës varet në zyrën në katin e dytë, e mbushur me shënime. Aty ata shënojnë vendndodhjet e call center-ave.

Call center-at janë si kuti të zeza. Shumë prej tyre ulin grilat dhe heshtin. Për mbrojtjen e të dhënave, thonë. Studentja e sociologjisë Mirela Ruko, 26 vjeç, mundohet gjithsesi të zbulojë sa më shumë rreth tyre. Ajo mbledh kontakte të operatorëve telefonikë dhe kërkesat e tyre për paga, pajisje dhe shërbime sociale më të mira. Motra e saj Albina, 25 vjeç, gjithashtu studente sociologjie, pret punëtoret e fasonerive te porta e fabrikës për të mësuar më shumë rreth punës së tyre në kushte prekariati. Roli i këtyre studentëve: janë apartiakë, dokumentojnë, informojnë dhe mbështesin punëtorët për t’u organizuar sindikalisht.

30-vjeçari Elton Debreshi në bibliotekën e Logut. Për dhjetë vjet ka punuar në minierën më të madhe të kromit në Shqipëri. Lufta e tij është për paga më të larta dhe standarde më të mira sigurie në punë. © Myrto Papadopoulos

Edhe pse punon në call center, Irdi ndihmon me çështjen e minierave, sektor tradicional në Shqipërinë e pasur me minerale. Puna në galeri paguhet keq dhe është e rrezikshme. Se ç’do të thotë kjo na e tregon Elton Debreshi, 30 vjeç, që po viziton Logun. Ai jeton në Bulqizë, një qytezë e zymtë në verilindje të Tiranës, tri orë larg me makinë dhe qendër e industrisë së kromit në Shqipëri. Eltoni punonte aty prej dhjetë vitesh. Pesë ditë në javë zbriste në tunele deri në 1000 metra thellë, me ajër të rëndë dhe temperaturë 33 gradë. Përdorte dinamit për të hapur tunelet për 22 euro në ditë, deri para pak kohësh kur u hoq nga puna për shkak se kishte marrë pjesë në grevë. Këtë e konfirmon edhe ish-punëdhënësi i tij AlbChrome: ai dhe shokët e tij të hequr kishin marrë disa paralajmërime paraprakisht se nuk kishin shkuar në punë.

Për çfarë e akuzojnë Eltoni dhe shokët e tij ish-shefin e tyre dhe pronarin e minierës Samir Mane: në vend që të investonte për standardet e sigurisë, maksimizoi fitimin. Sipas Sindikatës së Minatorëve të Bashkuartë Bulqizës, të cilën Eltoni e bashkëthemeloi, ka pasur aksidente të panumërta gjatë shtatë viteve të fundit. Tetë vetë kanë vdekur nga shembja e tuneleve. Për më tepër, Eltoni dhe bashkëpunëtorët e tij u zemëruan që objektivi vjetor i prodhimit prej 35 mijë tonë krom në 2019 u trefishua pa rritje pagash për minatorët. AlbChrome-i e mohon këtë. Pretendimi është “plotësisht i ekzagjeruar” – tha një zëdhënëse. Ajo shkruan në një email se që nga viti 2013 në sigurinë e minierës janë investuar më shumë se 2 milionë dollarë dhe se ka inspektime të përditshme. Nga 1 maji, ata do t’i rrisin pagat me 10%.   

Samir Mane zotëron jo vetëm minierën më të madhe në vend, por edhe qendra tregtare, banka, resorte luksoze, universitete private. Për të punojnë më shumë se 5000 vetë. Pasuria e tij vlerësohet të jetë 1,2 miliardë euro. Për shumë njerëz Mane është model suksesi, pasi nga emigrant u shndërrua në njeriun më të pasur të vendit. Në Instagram ai e prezanton veten si bamirës: dhuron bibliotekë të re për një qendër komunitare. Poston foto duke shtrënguar duart me Papa Françeskun. Por për Irdin dhe bashkëpunëtorët e tij ai është një shembull konkret për të vënë në pah dallimet e jetës së përditshme mes të varfërve dhe të pasurve.

Mesi i dhjetorit dhe rreth 50 studentë përhapen nëpër Tiranë – në sheshin Skënderbej, nëpër rrugë të ngushta dhe nënkalime. Spërkasin mure të panumërta shtëpish dhe ngjisin postera: “Samir Mane shtyp minatorët!” Një nga koordinatorët e aksionit thotë. Synimi: ndërgjegjësimi i banorëve të Tiranës për kushtet në të cilat punohet në minierën e Manes. “Duke detyruar njeriun më të pasur të vendit të rrisë pagat do të krijohet një precedent.”

Por vetëm pak më vonë graffit-it u shkarravitën me të zezë. “Makina me xhama të zinj po qëndronin përpara qendrës sociale për të kontrolluar kush hyn dhe kush del nga aty.” – thotë Irdi. Shoferi i kishte treguar që punonte për Samir Manen. Kjo nuk mund të provohet. Kur pyet Irdin në kishte frikë, qesh dhe e mohon.

Në Logun e protestave studentët shkruajnë parulla politike. © Myrto Papadopoulos

Edhe pse Irdi dhe shokët/shoqet e tij ngjisin portretin e Manes në afishe, shtylla dritash dhe mure, shkruajnë parulla me emrin e tij në ndenjëset e autobusëve dhe shpërndajnë fletëpalosje nëpër bizneset e tij, ata e dinë: Mane nuk është i vetmi problem. “Ka edhe të tjerë si ai” – thotë Irdi.

Shumë prindër të “Brezit Call Center” bëjnë punë të rënda në emigrim. Babai i Irdit punon prej tridhjetë vitesh në ndërtim në Athinë, ndërsa mamaja si pastruese shtëpish.

Shumë syresh shohin se si edhe fëmijët e tyre shfrytëzohen, kësaj here në vendlindje. Çka i irriton Irdin dhe brezin e tij: mungesa e perspektivës profesionale. Ndjehen se janë në mëshirë të kompanive të huaja.

“Ne bëjmë kërkesa, jo kompromise” – thotë Irdi. Të qenit të pakompromis është një nga pikat e forta të grupit. Sindikata të huaja shkëmbejnë ide me ta, studentët ndajnë videot e aksioneve të tyre. Në të njëjtën kohë kjo është edhe pika e tyre e dobët. Pasi kompromisi është pjesë e punës sindikale. Por ata vazhdojnë të kundërshtojnë: ata shmangin kontaktin me biznesin dhe politikën. Të kritikuarit, të denoncuarit dhe të ndërgjegjësuarit është një gjë, ndërsa implementimi diçka tjetër. Kur pyet aktivistë të tjerë të Logut pse nuk themelojnë një parti, ata përgjigjen njëlloj: “Ngaqë nuk duam të përsërisim gabimet e mëparshme, të sjellim një tjetër të pushtetshëm në krye, qoftë burrë apo grua.” Në vend të kësaj, ata mobilizojnë punëtorët që punojnë në rrethana veçanërisht të pasigurta. Kërkesat nuk janë utopike, por realiste: “punë, pagë, perspektivë!”

Këto dhe parulla të tjera thërrisnin Irdi dhe mijëra studentë të tjerë para gati dy vitesh në një prej protestave më të mëdha që prej vitit 1991. Banerat që i mbanin përpara kamerave i patën përgatitur në Log. Qeveria socialiste e kryeministrit Rama kishte kaluar një vendim problematik: studentët duhet të paguanin një shumë prej rreth 40 euro për provimet e mbartura. Përveç kësaj tarifat vjetore shkojnë deri në 350 euro për nivelin bachelor dhe deri në 1500 euro për nivelin master. Shuma të mëdha për një vend ku paga mesatare sillet rreth 424 euro në muaj. Irdi, atëherë 25 vjeç, negocioi mes aktivistësh të tjerë me një prej dekanëve. “Do të rikthehemi në auditorë pasi të përgjysmoni tarifat” – kushtëzonin ata asokohe. Protesta rezultoi e suksesshme. Tarifat shtesë u hoqën, ndërsa tarifat vjetore u përgjysmuan. Pakompromisi dha rezultat. Ato ditë ishin katalizator për Irdin: “Për herë të parë kisha ndjesinë që gjërat mund të ndryshojnë nëse lufton fort.”

Në katin e sipërm të qendrës sociale grupi ka krijuar një bibliotekë, ku ka dhe libra të Marksit dhe Engelsit. Në zyrë varet një portret i Leninit. Në shumë qendra të tjera të majta kjo nuk do të ishte ndonjë gjë e veçantë. Ama për shqiptarët komunizmi nuk është thjesht një kapitull i historisë, por e kaluara e afërt. Shqipëria ishte e izoluar nga bota deri në vitin 1991. Irdi, i lindur një vit më vonë, e njeh atë periudhë vetëm përmes tregimeve të prindërve dhe gjyshërve. Ata i kanë treguar se si diktatori Hoxha, ithtar i Stalinit, e shndërroi vendin në një burg në qiell të hapur, me gardhe elektrike dhe ushtarë në kufi, se si internoi në fshatra malorë apo pushkatoi rreth 30 mijë kundërshtarë të regjimit.

Për shkak të së shkuarës, synimi i Irdit dhe shokëve/shoqeve të tij për të ngritur sindikata të pavarura është dyfish më i vështirë, thotë ai. Por brezi i ri duket se mendon ndryshe. Thirrjet për drejtësi dhe për kushte më të mira pune po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Kur shpërtheu pandemia e koronavirusit dhe ushtria u nxor nëpër rrugët e Tiranës, punëtorët duhet të vazhdonin punën nëpër miniera, call center-a dhe fasoneri. Një call center, klient i Apple-it dhe Air France-ës, pushoi nga puna rreth 100 operatorë. Me shumë mundësi pushimet vazhdojnë. Ndërkohë shumë ëndërrojnë të emigrojnë drejt Evropës. Më shumë se gjysma duan të largohen, sipas një pyetësori të Westminster Foundation for Democracy. Irdi, përkundrazi, ndihet përgjegjës për vendin e tij. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij nga Organizata Politike po veprojnë si gushëkuqi: simboli i tyre që e mbajnë nëpër fanella dhe spila. “Gushëkuqët nuk mërgojnë si zogjtë e tjerë,” – thotë ai, “ata qëndrojnë në vendin e tyre dhe këndojnë.”

E përktheu Nebih Bushaj

Botuar në gazetën gjermane ZEIT Campus

Imazhi: Organizata Politike

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.