Covid-19 na ka kthyer në “shoqëri të mbijetesës”

/Byung-Chul Han/

Intervistë

Mbijetesa do të bëhet absolute, sa kohë ne jetojmë brenda një gjendjeje të përhershme lufte. Në një intervistë për EFE-n, filozofi koreano-jugor Byung-Chul Han e përshkruan botën që ka prodhuar Covid-19 si “një shoqëri të mbijetesës që ka humbur çdo lloj sensi të jetës normale”, në të cilën “kënaqësitë njerëzore sakrifikohen për hir të shëndetit”.

Hani lindi në Seul në vitin 1959 dhe ka studiuar Filozofi, Letërsi dhe Teologji në Gjermani, ku vazhdon të jetojë edhe sot. Ai është një nga zërat më të spikatur në kritikën e shoqërisë moderne, të cilën e cilëson si të pushtuar nga hiper-transparenca dhe hiper-konsumerizmi. Ai thotë se ka një tepricë informacioni dhe pozitiviteti, që në mënyrë të pashmangshme e rraskapit shoqërinë.

Filozofi korean ndan pikëpamjet e tij në lidhje me mënyrën se si koronavirusi ka prodhuar sisteme të mbikëqyrjes dhe mbyllje në karantinë biopolitike, duke cenuar kështu  lirinë dhe sjellë fundin e kënaqësive njerëzore. Në këtë moment, ne kemi zbuluar një mungesë solidariteti njerëzor dhe rritje të frikës për jetën. Humbja e jetës nuk është “demokratike” thotë Hani dhe kriza e Covid-19 ka theksuar akoma më shumë dallimet shoqërore. Parimi i globalizmit është të maksimizojë fitimet, çka është arritur në kurriz të jetës së njerëzve të thjeshtë në Evropë dhe SHBA. Byung-Chul Hani është i bindur se kriza mundësojë zhvendosjen e pushtetit botëror nga Perëndimi  drejt Azisë. Është agimi i një epoke të re.

***

EFE: Covid-19 ka legjitimuar dobësinë njerëzore. A mendoni se tani ne jemi më të brishtë dhe të manipulueshëm? A jemi më të ekspozuar ndaj autoritarizmit dhe populizmit?

HAN: Covid-19 na tregoi se dobësia dhe moraliteti njerëzor nuk janë demokratikë, por varen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga statusi shoqëror. Humbja e jetës nuk është demokratike. Covid-19 nuk ka ndryshuar asgjë sepse vdekja nuk ka qenë ndonjëherë demokratike. Pandemia nxori në pah dallimet dhe trazirat shoqërore. Mendoni pak për Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Afro-amerikanët po vdesin më shumë se çdo komunitet tjetër, çka po ndodh edhe në Francë. Çfarë kuptimi ka shtetrrethimi kur trenat që lidhin Parisin me vendet periferike janë të mbushur me punëtorë ose emigrantë që në fund vdesin prej Covid-19?! Njerëzve u nevojitet të punojnë. Kujdestarët, punëtorët e fabrikave, sanitarët, shitësit apo mbledhësit e mbeturinave nuk punojnë dot nga shtëpia. Nga ana tjetër, të pasurit jetojnë në vilat e tyre në fshat. Pandemia nuk është vetëm një problem për shëndetin, por edhe një problem shoqëror. Arsyeja pse në Gjermani nuk kanë humbur jetën aq shumë njerëz është se atje problemet ekonomike nuk janë kaq të theksuara sa në SHBA ose vendet e tjera të Evropës. Gjermania dallohet për cilësinë e lartë të kujdesit shëndetësor, por përsëri pandemia ka shfaqur dallimet shoqërore. Edhe në Gjermani njerëzit që humbin jetën më herët i përkasin pjesës më të varfër të popullsisë. Ata nuk mund të kenë veturë, ndaj ngjishen në autobusët, metrotë dhe trenat e qytetit. Covid-19 na e bëri të qartë se jetojmë në një shoqëri të klasit të dytë. Problem tjetër është se Covid-19 “nuk i shkon për shtat” demokracisë. Përgjithësisht frika është tregues i autokracive dhe njerëzit gjatë një krize shfaqin dëshirën për një lider të fortë. Viktor Orban-i[1] po përfiton shumë nga kjo situatë dhe po e trajton gjendjen e jashtëzakonshme si normale. Këtu nis fundi i demokracisë.

EFE: Liri apo siguri? Cili është çmimi që duhet të paguajmë për të luftuar pandeminë?

HAN: Përballë pandemisë, ne po shkojmë drejt një regjimi të mbikëqyrjes biopolitike jo vetëm me mënyrën e komunikimit, por edhe në lidhje me  trupin tonë: shëndeti ynë do t’i nënshtrohet kontrolleve digjitale. Bazuar tek analiza e Naomi Klein-it, kriza është fill momenti që i hap rrugë një sistemi të ri rregullash. Tronditja që kemi marrë  nga pandemia do të sigurojë një biopolitikë digjitale që do të pushtojë globin me sistemin e kontrollit dhe monitorimit, duke nisur nga  kontrolli i trupave dhe monitorimi i shëndetit deri te prodhimi i shoqërisë së disiplinuar. Përballë kësaj pandemie, Perëndimi do të detyrohet të heqë dorë nga parimet liberale dhe do të përballet me një shoqëri të re “karantine” që kufizon lirinë njerëzore.

EFE: Cilat janë pasojat e frikës dhe pasigurisë në jetën e njerëzve?

HAN: Virusi është një pasqyrë që e paraqet shoqërinë ku po jetojmë si një shoqëri që mbijeton me frikën nga vdekja. Sot mbijetesa është absolute, si të ishin në një gjendje lufte të përhershme. Të gjitha kapacitetet që kemi po përdoren për të zgjatur jetën. Një shoqëri e mbijetesës i humb të gjitha kuptimet e jetës dhe mbrojtja e shëndetit na bën të sakrifikojmë kënaqësi të tjera njerëzore. Ashpërsia e nismës “no-smoking” është tregues i histerisë që ekziston për mbrojtjen e jetës. Sa më shumë që jeta varet nga mbijetesa, aq më shumë do t’i frikësohemi vdekjes. Pandemia ka rikthyer frikën nga vdekja, të cilën ne e kemi shtypur me kaq kujdes përgjatë kësaj kohe dhe pikërisht ky rikthim i bën njerëzit nervozë. Histeria e mbijetesës e bën shoqërinë çnjerëzore. Tanimë, komshiu shihet si  një rrezik të cilit duhet t’i qëndrosh larg, të moshuarit janë të detyruar të kalojnë momentet e fundit të jetës vetëm në azile sepse përbëjnë rrezik infektimi. Brenda kësaj histerie për të mbijetuar, ne harrojmë të jetojmë. Për të mbijetuar sakrifikojmë çdo gjë që e bën jetën tonë të vlefshme: shoqërinë, komunitetin dhe afërsinë që kemi me të tjerët. Në të mirë të parandalimit të pandemisë, kufizimi rrënjësor i të drejtave themelore të njeriut pranohet pa kurrfarë dyshimi. Madje praktikat fetare janë ndaluar edhe gjatë Pashkëve ose zhvillohen me anë të distancimit fizik dhe me maska mbrojtëse. Besimi po sakrifikohet plotësisht për të mbrojtur jetën. Madje edhe bamirësia po zhvillohet në largësi. Në këtë mënyrë, virologjia e ka përmbysur teologjinë dhe të gjithë mbajnë vesh interpretimet që japin mjekët e virologjisë. Tanimë koncepti i ringjalljes i shërben mbrojtjes së shëndetit dhe jetës. Përballë këtij virusi, besimi kthehet në farsë. Ku ka mbetur Papa Françesku?! Frika dhe paniku që ka kapluar shoqërinë duket sikur janë zmadhuar. Mosha mesatare e personave që kanë humbur jetën prej virusit Covid-19 në Gjermani është 80-81 vjeç, kurse jetëgjatësia mesatare në Gjermani është 80.5 vjeç. Ndaj mania e frika ndaj virusit tregon se diçka nuk shkon me shoqërinë tonë.

EFE:  A do ta bëjë koronavirusi shoqërinë tonë ta respektojë më shumë natyrën dhe të jetë më e drejtë? Apo do të bëhemi më egoistë dhe individualistë?

HAN: Në përrallën e “Simbad detarit”, Simbadi zbulon një ishull të vogël që ngjan si kopshti i Edenit. Kur ai dhe ekuipazhi i tij festojnë dhe ndezin një zjarr brenda ishullit, papritur ishulli përmbyset. Pemët nisin të përkulen, e vetëm atëherë ata kuptojnë që ishulli ishte shpina e një peshku gjigand në të cilin ishin rritur pemë. Nxehtësia e zjarrit e kishte acaruar peshkun. Kjo përrallë na mëson se ndonjëherë njeriu është i verbër. Ai nuk është në gjendje të shohë ku ndodhet dhe në mënyrë të pavetëdijshme punon për rrëzimin e tij. Mania e njerëzimit për të shkatërruar e shtyn autorin gjerman Arthur Schnitzler ta krahasojë njerëzimin me një sëmundje. Ne sillemi si baktere ose viruse mbi planetin, duke u shumuar shpejt dhe shkatërruar përfundimisht habitatin tonë. Rritja (zhvillimi) dhe shkatërrimi kapen për dore. Schnitzler-i beson se njerëzimi njeh vetëm rende primitive. Njëlloj si bakteret, ai është i verbër ndaj rendeve të larta. Në këtë kuptim, historia e njerëzimit është një luftë kundra hyjnores, e cila shkatërrohet nga vetë njeriu. Pandemia është rezultat i mizorisë njerëzore. Ne ndërhyjmë pa mëshirë në ekosistemet natyrore. Paleontologu Andrew Knoll thekson se njeriu është vetëm “kremi” mbi tortën e evolucionit, e cila përbëhet nga baktere që përpiqen të ndërhyjnë dhe ta shkatërrojnë në çdo kohë sipërfaqen. Besimi i verbër i Simbadit se peshku është ishull është një metaforë që demonstron indiferencën njerëzore. Njeriu mendon se është i sigurt, ndërkohë që në një moment mund të ndodhet përpara një humnere që rrezikon të bjerë. Keqtrajtimi që ai i bën natyrës i kthehet mbrapsht me forcën më të madhe. Në epokën kur po jetojmë njeriu është më i kërcënuar se kurrë.  

EFE: A është Covid-19 një plagë vdekjeprurëse për globalizmin?

HAN: Qëllimi thelbësor i globalizmit është maksimizimi i fitimit. Për shembull, fabrikat e prodhimit të pajisjeve mbrojtëse, si maskat, janë zhvendosur në Azi. Për Evropën dhe SHBA kjo ka rezultuar në një numër më të madh të vdekurish. Ne nuk bëjmë biznes në të mirë të njerëzve, por në shërbim të kapitalit. Marksi ka thënë se kapitali e redukton njeriun në funksionet e tij riprodhuese. Liria individuale, e cila sot është bërë e tepërt, nuk është gjë tjetër përveçse tepricë e kapitalit. Ne konsumojmë veten me bindjen se po e përmbushim atë. Në fakt jemi veçse shërbëtorë. Kafka ka vënë në dukje logjikën paradoksale të vetëshfrytëzimit: kafsha ia merr kamxhikun nga dora të zotit dhe nis të vetëfshikullohet që të bëhet zot. Në të njëjtën situatë absurde ndodhen edhe njerëzit brenda neoliberalizmit, të cilët duhet të fitojnë lirinë për veten e tyre.

EFE: A do ta ndryshojë arenën ndërkombëtare pandemia e koronavirusit? Cila fuqi botërore do ta fitojë luftën për hegjemoni dhe kontroll? A do të përparojë Kina në raport me SHBA?

HAN: Covid-19 nuk është një shenjë e mirë për Evropën dhe SHBA. Virusi është një test fizik. Vendet e Azisë, më pak të ndikuara nga fryma liberale, arritën ta përballonin më shpejt pandeminë, falë mbikëqyrjes digjitale biopolitike, e cila ishte diçka e paimagjinueshme për Perëndimin. Ndërkaq Evropa dhe SHBA duket sikur kanë rënë në grackë dhe po e humbasin shkëlqimin e tyre. Žižek-u ka hedhur tezën se virusi do të sjellë rënien e regjimit kinez. Mendoj se Žižek-u po gabon dhe nuk do të ndodhë kështu. Virusi nuk do ta pengojë përparimin e Kinës, madje ajo do “ta promovojë” modelin e saj shtetëror autokratik si të suksesshëm ndaj pandemisë. Ajo do të manifestojë epërsinë e sistemit të saj ndaj botës dhe Covid-19 do të sigurojë që pushteti botëror të zhvendoset drejt Azisë. E parë në këtë këndvështrim, virusi do të shënjojë fillimin e një epoke të re.

E përktheu Ariela Zeneli

Marrë nga Agjencia EFE

Imazhi: Bristol Society and Space


[1] Viktor Orban – kryeministër i Hungarisë, u dallua gjatë periudhës së pandemisë sepse me anën e një dekreti arriti të qeveriste i vetëm për një periudhë të pakufizuar, me pretekstin se po mbronte vendin në menaxhimin e pandemisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.