Tradita e tyre dhe jona

/Vivek Chibber/

E djathta e paraqet rëndom veten si mbrojtëse e traditës – e normave, vlerave dhe ritualeve që kemi për zemër dhe bashkësive që i ushqejnë ato. Këta dy elementë trajtohen, shpesh me të drejtë, si të lidhura me njëra-tjetrën. Normat dhe vlerat nuk mund të ushqehen nëse nuk janë të rrënjosura në bashkësi shoqërore të qëndrueshme. Nga ana e vet, bashkësia ka kuptim pikërisht për shkak të zakoneve e ritualeve, sensit të thellë të reciprocitetit dhe vlerave të përbashkëta, të cilat ua siguron anëtarëve të saj.  

E djathta e kupton se për shumicën e njerëzve këto fenomene kanë vlerë të madhe, çka e shtyn t’i kushtojë rëndësi paraqitjes së vetes si mbrojtëse e tyre. Nga ana tjetër, e majta shfaqet shpesh si përçmuese e traditës. Në kritikën ndaj status quo-së, identifikimin me forcat e ndryshimit dhe mbrojtjen e të drejtave individuale, e majta duket sikur do të përmbysë ‘mënyrën e jetesës’ në të cilën njerëzit i japin kuptim vetes. Prandaj e djathta shihet si mbrojtëse e bashkësisë, kurse e majta del si promovuese e individualizmit ikonoklast.

 Ka diçka të vërtetë në këtë përshkrim. E djathta është orvatur vërtet të ruajë elementë të rëndësishëm të kulturës tradicionale; e majta, nga ana e saj, kërkon të përmbysë shumë institucione të trashëguara nga e shkuara e largët. Himnet socialiste sillen shpesh rreth kësaj teme – “Internacionalja” flet për ribërjen e botës ‘nga themelet’, kurse himni sindikalist “Solidarity Forever” kërkon ta ‘ndërtojmë botën e re nga hiri i së vjetrës’. Sidoqoftë, ndonëse mund t’i përmbahemi këtij përshkrimi standard në një nivel të përgjithshëm, diçka e tillë lë mënjanë mjaft elementë.

Si fillim, e majta nuk ka shfaqur asnjëherë armiqësi absolute ndaj traditës dhe bashkësisë. Po ta bënte këtë, do të ishte rrënuar thuajse menjëherë si forcë politike. Në fakt socialistët dhe sindikalistët kanë punuar fort për të rikuperuar dhe fuqizuar praktikat e rezistencës në rajonet ku janë organizuar. Këto praktika vitale nuk janë gjë tjetër përveçse një kulturë, traditë, lufte. Në qytetet minerare, industrinë tekstile, uzinat e çelikut, vendshitjet e lëndëve drusore, porte dhe doke – në të gjitha këto vende, kur kanë organizuar punëtorët, socialistët janë mbështetur në traditat ekzistuese të rezistencës dhe luftës kolektive.

Po ashtu këtë mund ta shohim të ilustruar në muzikën e të majtës. Punëtorët Industrialë të Botës, të njohur edhe si Wobblies, kanë qenë një ndër lëvizjet punëtore më të rëndësishme të historisë së SHBA dhe kanë kryesuar pjesën më të madhe të sindikalizmit radikal të fillimshekullit XX. Ata përdornin muzikën popullore për të ngritur ndërgjegjen klasore dhe sensin e bashkësisë gjatë grevave, duke krijuar figura si Joe Hill-i, i cili do të ndikonte brezat e ardhshëm të muzikantëve të majtë si Woody Guthrie dhe Pete Seeger-i.

Shumë prej repertorit të tyre popullor është përpunuar në librin Little Red Songbook – por meloditë nuk ishin të reja. Në fakt thuajse të gjitha ishin melodi himnesh, që merrnin nga tradita biblike. Po nuk bëhej fjalë thjesht për përvetësimin e muzikës fetare: meloditë e himneve kishin qenë pjesë e epokave të mëhershme të luftërave – nga abolicionizmi te Lufta Civile dhe rrethet e hershme të lëvizjes punëtore. Në disa raste meloditë thuajse nuk janë ndryshuar ndjeshëm. Në vitet 1930, kur organizoi punëtorët zezakë në jug të SHBA, lëvizja punëtore adoptoi himnin “We Are Climbing Jacob’s Ladder”, ku çdo këmbëz e shkallës përfaqësonte një punëtor të ri që i bashkohej kauzës.

Traditat ekzistuese të rezistencës dhe luftës që përdor e majta, janë krijuar nëpër dekada për të mbështetur familjet punëtore në kohë të vështira, si dhe fushatat e tyre kundër punëdhënësve. Ato janë shumëpërmasore; në disa raste rrjete informale që mbështesin familjet në kohë urie, ndihma lokale për t’u përballur me papunësinë, institucione fetare ose kulturore që sigurojnë mbështetje morale; paskëtaj kemi përfytyrime të ndryshme letrare e simbolike që kodojnë traditën e rezistencës, si p.sh. ato që kemi përmendur – këngë, poema dhe legjenda që gjenden zakonisht në bashkësitë e grupeve punëtore.

Nuk duhet të habitemi që diçka e tillë përkthehet edhe në një mbrojtje të bashkësisë punëtore – në dy mënyra të ndryshme. E para ka natyrë të mirëfilltë mbrojtëse: socialistët përpiqen të mbrojnë dhe fuqizojnë traditat kolektive dhe institucionet e përbashkëta që kanë krijuar punëtorët për veten. Ata e kuptojnë se kur punëdhënësit heqin nga puna mijëra vetë, kur ulin pagat apo e largojnë kapitalin drejt rajoneve të tjera, nuk bëhet fjalë vetëm për shkatërrimin e vendeve të punës, por edhe për shkretimin e mënyrave të jetesës. Ata rrënojnë bashkësi dhe lufta punëtore nuk është gjë tjetër përveçse mbrojtje e kësaj bashkësie kundër kapitalit. Socialistët ndërfuten brenda asaj bashkësie, bëhen pjesë e saj dhe bashkohen në luftë për ta mbrojtur atë.

Mënyra e dytë e promovimit të bashkësisë lidhet me ndërtimin e saj nga e para, edhe aty ku nuk ekziston. Socialistët e kuptojnë se efekti më i fortë dhe shkatërrimtar i kapitalit është t’i flakë njerëzit në tregun e punës, duke i vënë njëri kundër tjetrit. Për shkak të luftës së vazhdueshme për vende pune dhe siguri, punëtorët detyrohen t’i shohin shokët si konkurrues të rrezikshëm, si rivalë përleshjen për të siguruar jetesën. Që organizimi klasor të ketë sukses, forcat që i ndajnë punëtorët nga njëri-tjetri duhet të luftohen nga krijimi i organizatave që i bashkojnë ata – sindikata, shoqata lagjeje, parti politike, klube punonjësish dhe iniciativa të ngjashme.

Shpesh herë këto organizata ngrihen mbi kulturat ekzistuese të solidaritetit dhe luftës së përbashkët, siç e kemi treguar më lart. Në fakt një prej shembujve më goditës të kësaj është Lidhja e të Drejtëve – një organizatë e krishterë që do të formonte bazën e Lidhjes së Komunistëve të Marksit dhe Engelsit. Këtyre organizatave nganjëherë u duhet të krijojnë edhe sensin e reciprocitetit aty ku nuk ekzistonte më parë. Sindikatat dhe partitë janë vendimtare në farkëtimin e identiteteve të reja politike dhe kësodore të një bashkësie të re politike, pa të cilat lëvizjet politike thjesht do të shkatërroheshin.  

Këto janë disa nga aspektet e rëndësishme që e lidhin të majtën me traditën, pavarësisht akuzave se të majtët janë kundër saj. Atëherë çfarë e dallon këtë mbrojtje nga e djathta? Në fakt asnjëra anë as e mbron dhe as e dënon absolutisht traditën. Secila përzgjedh ata elementë të kulturës të cilët përputhen me qëllimet e veta politike, duke mbetur indiferente ose armiqësore ndaj elementëve të tjerë. Secila kërkon të fuqizojë ato pjesë të kulturës që i shkojnë për shtat qëllimeve të veta, duke dobësuar ato që bien ndesh me to. Për të majtën kjo do të thotë të përkrahësh traditat që fuqizojnë krahun punëtor kundër kapitalit.

Nën të shtrihet një parim më i thellë: duhen ruajtur ata elementë kulture që godasin pushtetin jolegjitim. Në këtë lëmë pushteti i kapitalit mbi punëtorët është rasti bashkëkohor më i rëndësishëm. Po parimi përfshin edhe trajta të tjera mbisundimi – gjinor, racor, etnik e kombëtar. Kësisoj socialistët kanë kremtuar traditat e rezistencës së bashkësive fshatare kundër elitave rurale, të luftërave kombëtare kundër fuqive imperialiste, të grave në kërkesat e tyre për të të drejta riprodhuese. Ata kanë shkuar edhe më larg – fundja, Lidhja Spartakiste e Rosa Luxemburg-ut e mori emrin nga një revoltë skllevërish kundër Perandorisë Romake e përpara dy mijë vjetëve.

E majta e di se këto tradita rezistence mund të gjenden në çdo kulturë anekënd botës. Qoftë në Lindjen e Mesme, Azi, Afrikë apo Amerika, grupet e mbisunduara kanë krijuar kultura të pasura rezistence. Prandaj në çdo rajon e majta ka mundur të ndërfusë parimet e saj bazike në praktikat lokale dhe t’i fuqizojë ato. Kësisoj çdo e majtë shndërrohet në të majtë lokale, duke respektuar traditat lokale të luftës, por mbetet gjithsesi pjesë e një lëvizjeje globale, duke përdorur një parim të përgjithshëm kundër mbisundimit shoqëror. E përgjithshmja dhe specifikja nuk bien ndesh, por e përkrahin njëra-tjetrën.

Po e djathta si ia bën me traditën? Nuk ka dyshim se ata e paraqesin veten si mbrojtësit e saj. Po ç’aspekte të saj përkrahin? Një herë e një kohë, në fillesat e kapitalizmit, konservatorët mund të identifikoheshin si kritikët e forcës brutale të tregut, duke luftuar në mbrojtje të parimeve të bashkësisë dhe mënyrave të vjetra të jetesës kundër inkursioneve të forcave të tregut. Kësisoj Edmund Burke-u ishte vërtet i çmeritur nga përparësia që i jepte kapitalizmi fitimit mbi gjithçka dhe mbronte mënyrat e vjetra të jetesës kundër forcave që i shpërbënin ato.  

Ky ishte një konservatorizëm i lidhur ende me etosin feudal. Po nga mesi i shekullit të njëzetë, rreshtimi klasor i konservatorizmit ndryshoi. Asokohe, në vitet 1950, konservatorët dhe e djathta nuk përfaqësonin më luftën e elitave bujqësore kundër tregut kapitalit që po i kërcënonte. Rendi që po përkrahnin ishte kapitalizmi dhe klasa të cilës i shërbenin ishte pronarja e kapitalit, në luftë kundër lëvizjes punëtore që po ngrihej anembanë botës. Në vend të orvatjes për të ruajtur rendin e vjetër, ata mbronin kapitalizmin kundër kërkesave për rishpërndarje dhe socializëm.

Ky rirreshtim klasor i të djathtës e bën vetëshoqërizimin e saj me traditën disi të çuditshëm. Si përfaqësues të kapitalit, është e vështirë të kuptohet se si mund të konsiderohen mbrojtës të bashkësisë dhe parimeve të saj. Siç e kanë vënë në dukje të parët konservatorët e hershëm, kapitalizmi priret ta shkatërrojë bashkësinë dhe, bashkë me të, traditat e nderuara. Ai është një sistem që i jep përparësi fitimit mbi gjithçka tjetër dhe, në kërkim të të ardhurave sa më të larta, investitorët nuk hezitojnë për asnjë çast që të përmbysin praktikat e shkuara, të ndajnë bashkësitë, shqyejnë lidhjet shoqërore apo flakin miliona vetë në tregun e punës.

 Në këtë aspekt, përçmuese e ‘mënyrave të vjetra të jetesës’ është e djathta, jo e majta. Por ashtu si në rastin e të majtës, nuk është se konservatorët janë tërësisht indiferentë ndaj praktikave të trashëguara. Edhe ata kanë një parim përzgjedhjeje, sado rudimentar qoftë dhe sado fort të mundohen ta fshehin atë. Thjesht fare: traditat që përkrahin ata janë ato që ndihmojnë në sigurimin e shenjtërisë së pronës private.

Kështu aspektet e kulturës që fuqizojnë punëtorët, të cilat e majta përpiqet t’i mbrojë e fuqizojë, janë ato që e djathta ose i injoron, ose i lufton: pritshmëria, aq e zakonshme për ekonomitë feudale, që individët të kenë të drejta mbi burimet e përbashkëta, tradita e mbështetjes reciproke, institucionet e luftës kolektive – të gjitha këto aspekte të traditës janë sulmuar haptazi nga e djathta bashkëkohore.

Thënë më troç, në mbrojtjen që i bën pronës, e djathta është ithtarja më e vendosur e individualizmit në histori. Fundja, ç’është prona private përveçse pohimi i mbramë i individuales përmbi kolektiven?! Të drejtat pronësore i japin kapitalistit një pushtet të jashtëzakonshëm mbi pjesën tjetër të popullsisë.

Ky pushtet përcakton kush ka mjete jetese e kush jo; kush ka siguri e kush jo; ç’standard jetese do të ketë për mijëra, madje miliona vetë; është pushtet që ka në dispozicion punën e tyre dhe për pasojë vetë njerëzit për pjesën më të madhe të kohës së tyre pas gjumit. Ky pushtet mbështetet dhe mbrohet kundër kërkesave të tyre kolektive për drejtësi; është pushtet i individit kundër bashkësisë, i vendosur dhe mbajtur në këmbë kundër kësaj bashkësie. Ky pushtet paskëtaj ushtrohet në një mënyrë që e shpërbën fabrikën shoqërore – me një logjikë të ftohtë e të pamëshirshme.

Socialistët kanë qenë kritikë të paepur të traditës, por jo për shkak se kanë ndonjë qasje tërësisht antagoniste ndaj të vjetrës; ata kanë sulmuar komponentët e kulturës që ushqejnë mbisundimin shoqëror të kapitalit, që pengojnë shtysat popullore për vetëvendosje. Ata nuk e kanë shpikur, por thjesht e kanë artikuluar këtë parim. Ai ka qenë i pranishëm më parë në luftërat e përditshme të punëtorëve për të mbijetuar në një sistem të pashpirt tregu.

Këto luftëra janë motivuar nga shtysa për autonomi dhe liri nga mbisundimi që e majta e ka gdhendur në teori dhe ideologji. Ajo do të vazhdojë t’i motivojë punëtorët edhe nëse e majta zhduket nesër. Po kjo histori e gjatë e kritikës, të cilën e majta e përqafon, nuk duhet t’i paraqesë të majtët si kozmopolitë pa rrënjë apo ikonoklastë të sëmurë. Ky dallim u përket mbrojtësve të kapitalit. Siç pati shkruar një herë Tony Benn-i: “Unë jam tradicionalist. Ka dy lloje traditash. Është tradita e bindjes, uljes së kokës, hierarkisë dhe disiplinës; por ka edhe një traditë tjetër të cilës i gëzohemi: e pavarësisë, të drejtave njerëzore, demokracisë, internacionalizmit.” Duke ushqyer rivitalizimin e saj, e majta bashkëkohore do të vazhdojë, njëlloj si çdo brez përpara saj, të ndërfutet në jetën e përditshme të njerëzve të punës. Duke bërë kështu, ajo do të gërmojë dhe fuqizojë traditat e luftës; do të kërkojë të mbrojë bashkësinë kundër forcave të tregut dhe ta ndërtojë atë aty ku e kanë shpërbërë. Si dhe do të kërkojë refuzimin e disa traditave – të atyre që i pengojë njerëzit për të jetuar në siguri dhe me dinjitet.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga revista Tribune

Imazhi: Wobblies! A Graphic History of the Industrial Workers of the World

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.