Shkolla dhe sfidat e së ardhmes

/Alessandro Barbero/

Barbero-ja mbi sulmin që po i bëhet shkollës

Në fakt unë nuk do të thosha dhjetë, por njëzet apo njëzet e pesë vjet më parë – atëherë nisi sulmi (mbi shkollën). Arsyeja e atypëratyshme ishte kthesa djathtas e politikës italiane. Kjo solli me vete përçmimin e hapur të shumë qeverive karshi një ambienti – atij të mësuesve – që është konsideruar tradicionalisht si i majtë. Por më thellë se kaq e në mënyrë më tinëzare, kthesa në të djathtë e mbarë botës perëndimore, me ideologjinë e vetme sunduese të fitimit dhe lartësimin e sipërmarrjes si arritja më e madhe në jetë.

Nga një qasje e tillë ka lindur një klasë drejtuese e cila literalisht nuk e kupton më se për çfarë nevojitet kultura, mësimdhënia, shpirti kritik. Në ato raste kur e kupton, i trajton ato si rreziqe që duhen hequr qafe.

Qasja e kohëve të fundit e kombinimit të shkollës me punën është një hap i rëndësishëm drejt shkatërrimit të së drejtës për të studiuar, për të cilën kanë luftuar brezat e shkuar: pra kalimi i gjithë fëmijërisë dhe adoleshencës në shkollë, pa qenë i detyruar të punosh, nuk përbën më një të drejtë apo një ideal, por trajtohet si një luks apo një humbje kohe që të largon nga e ashtuquajtura botë reale.

Shkolla nuk duhet të prodhojë më koka të rënda, por zbatues, teknikë: vetëm në këto terma arrin ta konceptojë shkollën klasa sunduese.

[…] (Mësuesit) duhet të luftojnë haptazi me gjithçka që në zemrën e tyre e konsiderojnë fyese, të kotë, frustruese, pa pasur guximin që ta thonë. Të mos vazhdojnë të mbushin formularët e kotë, të mos shkojnë nëpër takime që vetëm sa harxhojnë kohën, të mos ia kthejnë përshëndetjen kujt flet për meritokraci. Të izolojnë në përbuzje drejtorët e shkollave që shkatërrojnë shkollën dhe poshtërojnë mësuesit; dhe këto gjëra t’iu shpjegohen nxënësve dhe familjeve të tyre. Mësuesi nuk duhet lënë të vdesë. Kjo është një luftë dhe luftërat edhe mund të humben, por kur vjen momenti ato duhen luftuar – apo të dorëzohemi…?

Barbero-ja mbi Napoleon Bonapartin

Napoleoni ngeli një artiljer gjithë jetën e tij dhe është e vërtetë se fitoret e tij u arritën sidomos falë një përdorimi mjeshtëror të topave. Mos besoni përnjëmend se kur u diplomua në shkollën ushtarake u rendit ndër të parët?! Napoleoni u rendit i 42-i ndër 58 studentë. Sepse këtë zakonin për të bërë klasifikimet dhe renditjet numerike që sot e përdorim kudo – nëpër universitete, në matjen e cilësisë së jetës nëpër qendra dhe provinca – e kanë shpikur shkollat ushtarake. Ndërsa sot ne kemi një besim të verbër në këto forma renditjeje, unë personalisht kam dyshimet e mia. Sidomos teksa zbulojmë se Napoleoni nga shkolla ushtarake e Parisit doli në vendin e 42-të.

Barbero-ja mbi sfidat e kërkimit shkencor të së ardhmes

Sfidat secili i ndërton vetë. Sfida e përbashkët, sigurisht, është që në këtë vend të vazhdojmë të kemi një universitet publik me tarifa që nuk janë përjashtuese për studentët, me leksione dhe provime që bëhen fizikisht dhe jo përmes internetit, me një ritëm punësimesh të stafit të ri akademik të tillë që të mos vdesin departamentet dhe fakultetet tona siç rrezikonte të ndodhte vetëm pak kohë më parë, si dhe të mos vdesin urie brezat e studiuesve të rinj që kanë lindur ndërkohë. Prandaj sfida është që universiteti publik, ashtu si shkolla publike, edhe pse nuk do të jenë kurrë në qendrën e vëmendjes së një klase politike kaq injorante sa e jona, të paktën të mos harrohen tërësisht e të mos lihen të vdesin.

Përtej kësaj, sfida e secilit prej nesh është që të jetë i lirë të ushtrojë profesionin e vet, të mos kufizohemi në mënyrë të tepruar, siç është duke ndodhur tashmë, nga burokracia e cila edhe këtu është duke e mbytur lirinë e mendimit dhe të kërkimit. Pra beteja për të luftuar ka plot. Megjithatë për kërkuesit dhe kërkueset e reja, sfida e parë është që të  dëshmojnë se janë të dobishëm në vendin tonë. Vendi ynë ka nevojë për njerëz që bëjnë kërkim shkencor dhe për çdo njëqind persona që bëjnë kërkime në fushat e shkencave ekzakte dhe në mjekësi, nevojitet të paktën një që bën kërkim në linguistikë dhe filozofi, sepse nuk jetohet vetëm me bukë, pasi një shoqëri vdes edhe nëse nuk kultivon këto fusha.

Më tutje, askush nuk mund ta dijë se si historianët e së ardhmes do ta studiojnë shoqërinë tonë. […] Se çfarë do të shkruajnë ata për shoqërinë tonë varet nga ajo që do të ndodhë në të ardhmen. A do të hyjë epoka jonë në histori si fillimi i mbisundimit të Kinës në botë? Ndoshta po! A do të hyjë në histori si momenti kur u shfaqën shkaqet e para të luftës së Tretë Botërore mes SHBA dhe Kinës, të zhvilluar në fundin e shek. XXI? Ndoshta po, edhe pse shpresojmë që jo, natyrisht. Po kush mund ta dijë?! A do të hyjë në histori si fillimi i shekullit të epidemive? Shpresojmë që jo, por nuk mund ta dimë. Le të provojmë të bëjmë një hipotezë disi më optimiste: a do të hyjnë në histori këta dhjetëvjeçarë të parë të shek. XXI si epoka në të cilën kapitalizmi financiar u dëshmua kaq i babëzitur dhe kokëtul saqë, pas vdekjes së komunizmit, rilindën lëvizjet e reja dhe shpresa të reja për të ndryshuar botën? Shpresojmë vërtet që po… 

E përktheu Redi Muçi

Imazhi: Alessandro Albert

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.