Toka e premtuar

/Alfred Bushi/
“Shqiptarët janë italianë që nuk veshin Versace.” – Edi Rama.
Atë që në kohë lufte mezi arriti ta bëjë fashizmi, të bashkojë në një perandori të vetme Italinë dhe Shqipërinë, duket sikur në kohë paqeje mund t’ia arrijnë qeveritë e sotme të dy vendeve. Fraza e kryeministrit tonë – “ Shqipëria është vendi i premtuar” – të sjell ndërmend fatin e paracaktuar të individit dhe shoqërisë në epokën skllavopronare si instrumente plotësimi dëshirash dhe interesash. Po ashtu edhe nëpërkëmbjen pushtetore ndaj të papunëve, të përjashtuarve dhe të pamundurve që rropaten çdo ditë për të çuar përpara një ditë jete më shumë. Toka, njerëzit e shoqëria duken sikur nuk i përkasin askujt, madje as vetes. Ato shfaqen në sytë e antipolitikës si djerrje dhe bjerrje e të pashpresëve të përhershëm, të përjashtuarve të pakohë që i gjen kurdo nëpër histori. Po kur toka e premtuar t’i kthehet atij të cilit i është premtuar, atëherë çdo gjë do jetë më mirë. Sipas kësaj qasjeje, ky vend nuk banohet prej askujt sepse e tillë është toka e premtuar: O nuk banon njeri, ose jetojnë pushtuesit, ata për të cilët kjo tokë nuk  ka qenë e premtuar dhe që në këtë rast jemi ne. Në një tjetër perspektivë, banorët e kësaj toke jetojnë aq mirë sa kjo hapësirë banimi të premtojë mirëqenie edhe për të tjerët. Po kujt po i premtohet kjo tokë? Sipërmarrjes italiane e cila prej kohesh po lobon për heqjen e nenit 18 të statutit të punetoreve që e kufizon punëdhënësin të heqë nga puna pa një arsye të vlefshme punëtorin. Atyre njerëzve të cilët bëjnë evazion fiskal nëpër bankat e Zvicrës  dhe që i shkaktojnë shtetit dhe shoqërisë miliarda euro dëme. Mbase do t’u premtohet atyre sipërmarrësve që për përfitime vetjake po shkatërrojnë dita-ditës sindikatat punëtore duke i korruptuar në forma nga më të ndryshmet. Për kryeministrin Rama, arritja më e madhe në tregun shqiptar të punës është mungesa e sindikatave të punëtorëve. Ky është fakt shumë joshës për sipërmarrësit italianë (dhe jo vetëm) sepse mungesa e sindikatave do t’ju japë mundësinë që të bëjnë atë që do të donin shumë ta bënin në vendin e tyre: të shfrytëzojnë në maksimum rininë e call center-ave dhe gratë e fasonerive; t’i punësojnë në mënyrë të përkohshme e në të zezë; t’i nënpaguajnë; t’i keqtrajtojnë; t’i pushojnë nga puna kur të duan! Eh, kjo është vërtetë një tokë e premtuar për ata që interes dhe qëllim të vetëm kanë fitimin! Sipas kryeministrit, italianët duhet të na shikojnë si pjesë të tyre tashmë.  Kështu, ne duhet t’i marrim si model në shumë sektorë të jetës politike dhe shoqërore. Një nga fushat e përmendura për t’u marrë si shembull është arsimi, i vlerësuar nga kryeministri si i një niveli të lartë. Universitetet italiane në renditjen botërore gjenden në nivele mjaft të ulëta krahasuar me vendet e tjera të Evropës dhe me gjerë, çka kumbon fort si shqetësim diskutimet publike në Itali dhe që do ta vërente kushdo që për të ndjekur zhvillimet politiko-shoqërore në Itali harxhon një orë në javë në vend që të riprodhojë entuziazmin foshnjarak të fundviteve 80’. Mbase në këtë aspekt do duhej të merreshin si shembuj Gjermania ose Franca, apo Anglia përderisa reforma e re ne arsim pretendohet se është modeluar sipas sistemit ideologjikisht të ububushëm anglo-sakson. Ama të paktën dy të parat e kanë arsim publik falas apo me kosto të papërfillshme, çka që ia bën të pamundur citimin kryeministrit tonë. Ne jemi italianë që nuk veshim Versace. Ne jemi italianë pa sindikata dhe plot shfrytëzues. Ne jemi italianë se kemi dy kryeministra që drejtojnë parti me emra të majtë, por janë qartësisht të djathtë e kundër të mirës së përbashkët. Vizioni largpamës i kryeministrit tonë, si pamje larg të tashmes, nuk e vëren gjendjen shoqërore dhe sipërmarrëse në Itali, papunësinë shqetësuese, kontradiktat e mëdha shoqërore, rikthimin dita-ditës të emigrantëve prej mungesës së punës dhe të çfarëdo perspektive. Por sipërmarrja italiane, nëse ka kapacitet për të investuar, do ketë fatin e mirë të gjetjes në Shqipëri të njëjtët punëtorë që ka pasur atje, edhe më të keqpagueshëm, të marrë në punë në të zezë ku sindikalizmi është anakronizëm fjalori në kërkim rishkrimi. Edhe kjo na bën të ngjashëm me Italinë, ose më saktë po e bën Italinë të ngjashme me ne. Për ironi të historisë nuk u bë dot Italia imagjinare e sotmja e Shqipërisë, por ndoshta Shqipëria distopike bëhet e ardhmja e Italisë.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.