Të dashur investitorë!

/Edi Rama*/ Të dashur investitorë italianë! Shqipëria është atdheu që keni ëndërruar me epsh. Më falni se u nxitova. Shqipëria është atdheu që as në ëndrra nuk e keni parë. Ua thashë edhe përpara ca muajsh me bashkëçapkënin tim Renzi: Ejani se ndryshe nga ç’ndodh ende te ju, këtu nuk ka sindikata. Ua thashë edhe në LA7: S’kemi dhe as që ua kemi ndjerë nevojën. Sot po ua them edhe nga kjo frëngji jezitërish: S’kemi pasur ndonjëherë. Në atdheun tonë të ëndërruar punëtorët vetëm njëherë u vetorganizuan deri sa i thyen shpinën regjimit që pretendonte se ishte i tyri. Pastaj, të dehur nga fitorja dhe çeku i bardhë, u zhdukën. S’pati më që atëherë as klasë punëtore industriale në vetvete, as për vetvete të organizuar sindikalisht a politikisht. Fitimtarët, si rrallëherë në histori, morën malet e detet dhe, siç e dini ju më mirë, mbushën dëng fabrikat e fushat tuaja aq të etura për nënproletarë. Të dashur investitorë! Në Shqipërinë tonë – dhe me tonën e kam fjalën jo të shqiptarëve, as të shqiptarëve e italianëve në ndofarë sensi internacionalist, por tonën, pra timen, borgjezëve të mi dhe tuajën me sorollopin imprenditorial – gjithçka është më lirë e më mirë. Punëtori ynë ha më pak e më keq e, për pasojë, pragu i pagës së mbijetesës është më i ulët. Njeriu ideologjikisht i ri socialist na shkoi dëm, por njeriun biologjikisht të ri kapitalist po e farkëtojmë me sukses. Bujrum e shiheni me sytë tuaj! Në Shqipërinë tonë – gjithmonë në kuptimin e mësipërm – puna është fakirprivilegj. Kështu për sy e faqe kemi të papunë një ndër pesë, por ua them me dorën në xhep se janë ku e ku më shumë. Dhe ju e dini më mirë se unë se kjo krijon një uri të dytë që i zbut tekat për urinë e parë. Krijon urinë për punë, atë luftë të përditshme midis njerëzve të nëntokës si autopersonazhi i Primo Levit që u lumturua se i vdiq i ati në Aushvic pa mbaruar racionin e tij të bukës. Ju e njihni Primon apo jo? Jo? S’keni pasur kohë të merreni me punë letrash se me to merren dështakët komunistë? Mirë-mirë, edhe unë kot e përmenda, sa për të mos e bajatosur muhabetin gjithmonë me Canzonisima-n. Ju e dini që unë jam intelektual, ose të paktën kam qenë, ose tamam-tamam thuhet se kam qenë, ose…ohuuu. Më pëlqen të bëj batuta në facebook dhe të shkruaj shqip pa gabime drejtshkrimore që në kohë analfabetizmi funksional është shenjë elitizmi kulturor. Pikë! Të dashur bashkatdhetarë të rinj! Në Shqipërinë tonë punëtorët vdesin pa teklif. Dëgjojmë poshtë e lart që i zë pirgu i dheut, bien nga skelat apo helmohen në punë. Po ky popull kështu e ka. Zë e vdes kot. E ne për punë të kota s’kemi statistika. S’ua kemi ndjerë ndonjëherë nevojën. S’jemi si ju – ose më saktë si ata qerratajt tuaj komunistë që kanë ngatërruar planet e zënë të numërojnë e skandalizohen për morti bianche-t. Ne as fjalë s’kemi për to. Një herë do vdesim të gjithë. Kush sot, kush pas dyzet vjetësh. Ç’është kjo përpara ekuilibrave galaktikë?! Të dashur bashkatdhetarë! Ndoshta keni lexuar se në ligjet tona, që zakonisht i përkthejmë nga tuajat ku ka akoma ndonjë murrmë anakronizmi punëtorist, parashikohen dënime për pronarët që shkaktojnë vdekjen apo gjymtimin e punëtorëve për shkak të kursimit për sigurinë në punë. Mos u merrni me pallavrat formale se deri më sot – me dorë në zemër e besë shqiptari ua them – asnjë pronari nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. E shumta merret në pyetje e bëhet sikur dënohet inxhinieri. Në Shqipërinë tonë një në dy të rinj di italisht dhe e flet gjuhën tuaj pa dialektizma. Shumë prej jush kanë vërshuar tashmë e kanë krijuar qendra thirrjesh – në anglisht call center e në harbutisht qendra të çarjes së dërrasave të atyre që thirren. Vajzat e djemtë tanë punojnë heroikisht në to. Herë paguhen, herë s’paguhen, por të paktën kanë me se të shtyjnë ditën. Punë e madhe se janë shkolluar dhe ëndërrojnë të punojnë si inxhinierë, informaticienë, ekonomistë apo juristë! Socializma ka kuadro, kapitalizma punëtori. Që thoni ju – se desh përhumba – pyetini më të shkathtët, shihni se sa lehtë fitohet e shfrytëzohen qendrathirrësit këtu! Se si s’ka nevojë as t’u lidhësh pagë, por mund t’u premtosh një përqindje minimale shitjesh, edhe atë të dhënshme vetëm pas arritjes së një pragu shitjesh. A ka investim më të sigurt se kur nuk ke riskun e dhënies së pagës për prodhimin e një shërbimi që mund të mos shitet?! Kapitalizëm postmodern – më shkroi këshilltari që gugllon për këto punë. Të dashur atdhetarë – se nuk është vetëm Shqipëria Eretz Yisrael-i juaj, por edhe ju Mesitë e Shqipërisë! Në atdheun tonë nuk ka taksa. Jo se s’ka në përgjithësi, por për ju s’ka. Ose edhe po pati pak, po fare pak – një 15% sa për sy e faqe – mos u tutni se merremi vesh. Këtu taksat i paguajnë fukarenjtë. Me paratë e tyre punësohen edhe policë shtesë për t’i futur në burgje të ndërtuara po nga paratë e fukarenjve. Për fukarenjtë burgu është hotel. E kanë paguar, paçka se u duket sikur është falas. Të dashur familjarë – se atdheun si shtëpi e kemi, as shërbëtorët nuk na mungojnë, qentë e rojës e ngrënësit e mbeturinave po ashtu! Këtu kemi edhe korrupsion, po këtë po ua them me zë të ulët. Jo se nuk e dinë të gjithë, por duhen ruajtur aparencat. Ka gomerë që i marrin seriozisht broçkullat se korrupsioni pengon biznesin athua se nuk lulëzon biznesi në Kongon e luftës së përhershme civile. Po ju e dini mirë se si ju bie më lirë. Të paguani taksa serioze, të përgjigjeni para ligjit për vdekjen dhe gjymtimin e punëtorëve e të respektoni kushtet mjedisore apo te dorëzoni pizzo-n te Moni?! Të dashur! U munduam t’ju afronim me adhurimin për Çelentanon, por s’na e varët. Tentuam me axurrët, prapë hiç ju. S’lamë histori mesjetare pa përnaltësuar si ndeshje apokaliptike qytetërimore, sërish asgjë. U betuam për fashizmin, për arkitekturën e tij, për modernitetin që na falnit me aq bujari, por të pandjeshëm mbetët. Një ditë shkova edhe në Gramsh dhe bëra interesantin duke u mësuar gramshiotëve Nino Gramshin tuaj si Qazim Mulleti katundarëve façizmin, kot doli edhe ajo punë se një këshilltar sarhosh kish harruar të më thosh që përveçse me origjinë të largët arvanitase, Ninoja paskish qenë edhe komunist. Por si sot s’ju kishim folur kurrë. Me gjuhën e përbotshme të parasë. Një milion shpullat që populli i dha atij kërriçit që më parapriu në fakt ishin një milion duar të shtrira drejt detit. Ejani për këtë popull! *Nëse ndokujt i lind dyshimi se në fakt këtë nuk e ka shkruar Edi Rama, do t’i përgjigjeshim si Hegeli motit: Aq më keq për faktet.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.