Të mallkuarit e botës

/Jean-Paul Sartre/

 

Libri “Të mallkuarit e botës”, i mjekut, filozofit dhe revolucionarit Franz Fanon, është sa mbresëlënës, aq edhe edukues e nxitës rezistence dhe revolte ndaj kolonializmit, shtypjes, mjerimit e shfrytëzimit. Ky libër u shkrua gjatë procesit të shkolonizimit të Algjerisë nga Franca. Fanoni mori pjesë aktive në këtë proces të dhunshëm e të përgjakshëm, duke u rreshtuar në Frontin Nacionalçlirimtar të Algjerisë.

Kjo vepër e Fanonit mori një famë shumë të madhe jo vetëm në vendet e kolonizuara dhe të shtypura, por edhe në Evropë e më gjerë. Hyrjen e veprës e ka shkruar shkrimtari dhe filozofi model i intelektualit të angazhuar, Jean-Paul Sartre, i cili kishte edhe miqësi personale me Fanonin. Sartre-i, përmes kritikës (ndaj heshtjes së popullit francez dhe popujve të tjerë të shteteve kolonialiste), autokritikës (si pjesë e këtij popullit), revoltës dhe moralit, përpiqet të nxisë reflektimin dhe ndërgjegjësimin te popujt e vendeve kolonizatore që, duke kundërshtuar politikat kolonizatore të shteteve të tyre, t’i ndalojnë ata më së pari vrasjet, dhunën dhe shfrytëzimin që po u bëhej në emër të tyre popujve të tjerë të pafajshëm. Në të kundërt, filozofi francez paralajmëron një kthim të dhunës si ‘boomerang’ brenda vetë vendeve kolonizatore, prej qeverive dhe klasave qeverisëse shtypëse e shfrytëzuese.

Ja t’i ndihmojmë të tjerët të shpëtojnë nga “mallkimi”, ja “mallkimi” ka për t’na zënë të gjithëve, herët a vonë!

– Xhuliano Bregasi

***

Ju e dini fort mirë se ne jemi shfrytëzues. Ju e dini mirë se e kemi grabitur arin dhe metalet, e më vonë edhe vajgurin prej “kontinenteve të reja” dhe se i kemi sjellë në “metropolet e vjetra”. Rezultatet ishin të shkëlqyeshme: pallate, katedrale, kryeqendra industriale; e pastaj kur kërcënohej kriza, tregjet koloniale ishin aty për ta zbutur apo për ta larguar atë. Evropa, e ngopur me pasuri, ua akordoi de jure njerëzinë të gjithë banorëve të vet: njeriu, te ne, është bashkëfajtor sepse ne të gjithë kemi përfituar nga shfrytëzimi kolonial. Ky kontinent i majmë dhe i zbehtë më në fund zhytet në atë që Fanoni e quan saktësisht “narcisizëm”. Koktonin (Cocteau[1]) e neveriste Parisi, “ai qytet që flet gjithë kohën për vetveten”. Po Evropa, ç’bën ajo tjetër? Po ai përbindësh mbievropian, Amerika Veriore? Çfarë dokrrash: liri, barazi, vëllazërim, dashuri, nder, atdhe, nuk e di se çka? Kjo nuk na pengon që në të njëjtën kohë të mbajmë fjalime raciste – zezak i ndyrë, çifut i ndyrë, arab i ndyrë. Shpirtrat e mirë, liberal e të hollë – neokolonialistë, me një fjalë – dukeshin të skandalizuar nga kjo jokonsekuencë; gabim apo vetëmashtrim: s’ka asgjë më konsekuente, te ne, se një humanizëm racist, sepse evropiani ka mundur të bëhet njeri vetëm duke fabrikuar skllavë dhe përbindësha. Gjithnjë përderisa ekzistonin indigjenët me pozitën e tyre, ky mashtrim nuk u demaskua; në gjininë njerëzore gjenin një kërkesë abstrakte për universalitet e cila shërbente për ta mbuluar një praktikë shumë realiste: në vendet tejdetare ekzistonte një racë nënnjerëzish që, në saje nesh, ndoshta brenda njëmijë vjetëve do të arrijnë shkallën e zhvillimit tonë. Me një fjalë, ngatërrohej gjinia me elitën. Sot, indigjeni e zbulon vetë të vërtetën e vet; përnjëherë klubi ynë aq i mbyllur e zbulon dobësinë e vet: ai nuk paska qenë tjetër veçse një pakicë. Ka diçka edhe më keq: meqë të tjerët bëhen njerëz kundër nesh, del se ne jemi armiq të gjinisë njerëzore; elita e zbulon natyrën e vetë të vërtetë: një bandë gangsterësh.

Vlerat tona të dashura i humbin krahët; po t’i shikojmë për së afërmi, nuk do të gjejmë asnjë që të mos jetë e zhytur në gjak. Nëse ju duhet një shembull, le t’ju kujtohen ato fjalë të mëdha: sa bujare është Franca. Ne bujarë? Po ato tetë vjet të luftës mizore ku e humbën jetën më se një milionë algjerianë? Po torturat me elektroda? Mirëpo, nuk na bëjnë vërejtje se kemi tradhtuar nuk e di se çfarë misioni: për arsye se ne thjesht as që kemi pasur farë misioni. Është vënë në dyshim vetë bujaria; ajo fjalë e bukur dhe kumbuese ka vetëm një kuptim: statusin e përcaktuar. Për njerëzit e rinj e të çliruar të vendeve tejdetare askush nuk ka autorizim e as privilegj që t’i japë diçka dikujt. Çdonjëri i ka të gjitha të drejtat. Mbi të gjithë; e gjinia jonë, kur të formohet një ditë, nuk do të përkufizohet si shumë e thjeshtë e banorëve të rruzullit tokësor, por si unitet i pakufijshëm i reciprociteteve të tyre. Këtu do të ndalem; ju do të përfundoni vetë punën pa vështirësi ; mjafton t’u hidhet një vështrim i drejtpërdrejtë, për herë të parë dhe për herë të fundit, virtyteve tona aristokratike: ato janë duke vdekur; si do të mundnin ato ta mbijetojnë aristokratizmin e nënnjerëzve që i kanë prodhuar. Për ta mbrojtur Perëndimin një komentator borgjez – dhe kolonialist – para disa vjetësh s’gjeti gjë tjetër veç kësaj: “Ne nuk jemi ëngjëj. Mirëpo, neve, së paku, na bren ndërgjegjja”. Çfarë pranimi! Dikur kontinenti ynë kishte trape të tjera për shpëtim: Panteoni, të Drejtat e Njeriut, kryqi i thyer. Tani dihet sa vlejnë ato: kështu që tani nuk duan të na shpëtojnë nga përmbytja ndryshe, veçse me ndjenjën shumë të krishterë të fajit tonë. Siç po e shihni, ky është fundi: Evropa është duke u fundosur. Çka ka ndodhur, pra? Ndodhi thjesht ajo që ne ishim subjekte të Historisë e se tani jemi objekte të saj. Raporti i forcave është përmbysur, dekolonizimi është në realizim e sipër; e vetmja gjë që mercenarët tanë mund të provojnë, është që ta vonojnë pak përfundimin e tij.

Duhet që “metropolet e vjetra” edhe njëherë të ndërmarrin çdo gjë, t’i angazhojnë të gjitha forcat e veta në një luftë e cila është e humbur që më parë. Atë mizori të vjetër koloniale, që ua solli Buzhove (Bogeaud[2]) një famë të dyshimtë, e hasim sërish në fund të aventurës, të dhjetëfishuar por të pamjaftueshme. Në Algjeri dërgojnë kontigjente ushtarake, atje qëndrojnë që shtatë vjet pa kurrfarë rezultati. Kuptimi i dhunës ka ndryshuar; si fitimtarë ne e ushtronim atë dhe nuk dukej se ajo po na ndryshon: dhuna i shkatërronte të tjerët – ndërsa humanizmi ynë, i njerëzve, mbetej i paprekur; të bashkuar për përfitim, metropolitanët pagëzonin vëllazërim, dashuri, bashkësinë e krimeve të tyre; sot e njëjta dhunë, gjithkund e bllokuar, kthehet mbi ne përmes ushtarëve tanë, përbrendësohet dhe na kaplon. Fillon lëvizja: i kolonizuari e ripërvetëson veten, ndërsa ne, ekstremistët dhe liberalët, kolonët dhe metropolitanët, shkatërrohemi. Tërbimi dhe frika tashmë janë zhveshur: ato paraqiten lakuriqe në “gjahun kundër arabëve” në Algjeri. Ku janë tani të egrit? Ku është barbaria? Asgjë nuk mungon, madje as tam-tami: derisa evropianët i kallin të gjallë myslimanët, sirenat e automobilave bien sipas taktit të parullës “Algjeria franceze”. Siç na përkujton Fanoni, s’ka shumë kohë që psikiatrit nëpër kongrese derdhin lot për kriminalitetin e indigjenëve: ata njerëz atje vriten me njëri-tjetrin, thoshin, kjo nuk është normale; cipa e trurit të algjerianëve duhet të jetë e pazhvilluar. Të tjerët zbuluan se në Afrikën qendrore “afrikani i përdor shumë pak thelat ballore të trurit”. Ata shkencëtarë do të bënin zbulime të çmueshme sikur sot t’i vazhdonin hulumtimet e tyre në Evropë e veçmas te francezët. Sepse, duket se edhe neve, që disa vjet, na ka kapluar përtacia ballore: patriotët i vrasin nga pak bashkatdhetarët e vet; nëse nuk i gjejnë ata në shtëpi, e hedhin në ajër portierin e tyre dhe shtëpinë  e tyre. Ky është vetëm fillimi: lufta civile parashihet për vjeshtë apo për pranverën e ardhshme. Megjithatë duket se thelat e trurin tonë janë në gjendje tejet të mirë: mos ndoshta, duke mos mundur të shkatërrojmë indigjenin, dhuna kthehet mbi ne, akumulohet brenda nesh dhe kërkon një rrugëdalje? Bashkimi i popullit francez shkakton përçarjen e popullit francez: në tërë territorin e ish-Metropolit, fiset vallëzojnë dhe përgatiten për luftë.

Tmerri është larguar nga Afrika për t’u vendosur këtu: sepse disa janë thjesht të tërbuar që duan të lajnë turpin e disfatës nga indigjenët me gjakun tonë, pastaj janë të tjerët, pa ashtu fajtorë – pas Bizertës, pas linçimeve të shtatorit, kush vallë doli në rrugë për të thënë: mjaft? – por më të qetë: liberalët, më të fortit e të fortëve të të Majtës së qullët. Edhe ata i kaplojnë ethet. Edhe hidhërimi. Por, çfarë frike se! Ata e fshehin zemërimin e tyre me mite, me rite të ndërlikuara; për ta vonuar qërimin përfundimtar të hesapeve dhe çastin e vërtetë, ata kanë vënë mbi kokën tonë Magjistarin e Madh për të na mbajtur me çdo kusht në terr. Kjo nuk ndihmon aspak; e shpallur prej disave, e hedhur prej të tjerëve, dhuna sillet në rreth: një ditë ajo shpërthen në Mec (Metz), të nesërmen në Bordo; ajo ka kaluar këtej, do të kalojë andej, e tillë është loja e qelbanikut. Tani edhe ne po kalojmë, hap pas hapi, rrugën që shpie në gjendjen e indigjenëve. Mirëpo, që të bëhemi krejtësisht indigjenë, do të duhej që trualli ynë të pushtohej nga ish-të kolonizuarit dhe ne të vdesim nga uria. Kjo nuk do të ndodhë: jo, kolonializmi i thyer që sundon mbi ne, i dobësuar dhe fodull, së shpejti do të na hipë mbi shpinë. Dhe ju do të bindeni, duke e lexuar kapitullin e fundit të Fanonit, se më mirë që një funksion i policisë të jetë i detyruar të torturojë dhjetë orë në ditë: me atë ritëm nervat e tij do të thyhen përveç nëse ua ndalojmë xhelatëve, në të mirë të interesit të tyre, të punojnë përtej orarit.

Kur duan ta mbrojnë me rreptësinë e ligjeve moralin e Kombit dhe të Armatës, nuk është mirë që kjo ta demoralizojë sistematikisht atë. E asnjë vend me traditë republikane t’ua besojë qindra mijëra të rinj oficerëve puçistë. Nuk është mirë, bashkatdhetarët e mi, ju që i njihni të gjitha krimet që janë bërë në emrin tuaj, vërtetë, nuk është mire që për këtë të mos ia thoni askujt asnjë fjalë, nga frika se do të jeni të detyruar ta gjykoni veten. Në fillim nuk dinit për këto, dua të besoj, më vonë ju dyshuat, tani e dini por ende po heshtni. Tetë vjet heshtje, kjo të degradon. Dhe më kot: sot, dielli verbues i torturës është në zenit, ai e ndriçon tërë vendin; nën këtë dritë, s’ka më asnjë qeshje që tingëllon bukur, s’ka asnjë fytyrë që nuk lyhet e nuk ngjyhet për ta fshehur zemërimin apo frikën, s’ka asnjë veprim yni që nuk i nxjerr në shesh neveritjet apo bashkëfajësitë tona. Sot mjafton që dy francezë të takohen për t’u shkaktuar konflikti në të cilin vdes së paku njëri prej tyre. E kur them: një… Franca, dikur ky ishte emër i vendit; të kemi kujdes që, më 1961, ai të mos bëhet emër i një neuroze.

A do të shërohemi? Po. Dhuna, si shtiza e Akilit, mund t’i përthajë plagët që i ka bërë. Sot jemi në pranga, të përbuzur, të sëmurë nga frika – deri në shkallën më të ulët. Fatmirësisht, kjo ende nuk i mjafton aristokracisë kolonialiste: ajo nuk mund ta kryejë misionin e vet prapanik në Algjeri pa përfunduar së pari që t’i kolonizojë francezët. Ne tërhiqemi çdo ditë para konfliktit, por të jeni të sigurt se nuk do të mund t’i shmangemi: vrasësit kanë nevojë për të; ata do të na sulmojnë dhe do të na godasin kudo. Kështu do të marrë fund koha e magjistarëve dhe e fetisheve: do të jeni të detyruar të luftoni apo të kalbeni nëpër kampe. Ky është çasti i fundit i dialektikës: ju e dënoni këtë luftë por ende nuk guxoni të deklaroheni solidarë me luftëtarët algjerianë; mos u frikësoni, mbështetuni në kolonë dhe mercenarë: ata do t’ju vrasin. Ndoshta, atëherë me shpinë për muri, më në fund do ta shfrenoni atë dhunë të re që e nxisin te ju krimet e vjetra që i ka ngjallur ndërgjegjja juaj. Por kjo është, siç thuhet, një histori tjetër. Historia e njeriut. Po afrohet koha, në këtë jam i bindur, kur do t’u bashkohemi atyre që po e bëjnë historinë.

Shtator 1961

 

Shënime:

[1] Shkrimtar, artist, prodhues filmash francez.

[2] Henri Bogeaud, senator i Algjerit, 1960.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.