Të ardhurat e garantuara mund të rrisin fuqinë negociuese të punëtorëve

/Daniel Raventós/

Skemat e të ardhurave bazike nuk janë shkop magjik që çojnë në humbjen e vendeve të mirëpaguara të punës të organizuara sindikalisht. Por ato mund t’u mundësojnë punëtorëve t’u thonë jo punëve që nuk vlerësohen dhe të keqpaguara – dhe të sigurojnë një platformë nga ku mund të ringrihet fuqia negociuese.

***

Pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19 kanë shtuar thirrjet për të ardhurat bazike universale (Universal Basic Income-UBI[1]) dhe e kanë sjellë në qendër të vëmendjes publike – si edhe kritikën e saj. Ky është rasti veçanërisht në Spanjë, ku një projekt më i kushtëzuar “të ardhurat e minimumit jetik” i prezantuar nga qeveria e koalicionit të majtë është minuar nga shpërndarja e dobët dhe e përfituar në mënyrë të kufizuar nga ata që kanë të drejtë të përfitojnë nga skema.

Një rrugë tjetër e mundshme vjen nga Katalonja autonome. Pas zgjedhjeve të fundit atje, organizata antikapitaliste Candidatura d’Unitat Popular (CUP) ka rënë dakord të japë mbështetjen e saj për qeverinë e të majtës së moderuar të Esquerra Republicana de Catalunya (ERC), përmes një pakti që përfshin miratimin e një programi pilot për një UBI të plotë.

Daniel Raventós-i është profesor në Fakultetin e Ekonomisë dhe Biznesit në Universitetin e Barcelonës, si dhe president i Red Renta Básica. Ai bisedoi me Àngel Ferrero-n për projektin pilot, kufizimet e tij dhe përdorimet potenciale të UBI-t.

***

A.F. –Ju keni bërë kërkime për UBI-in për më tepër se 20 vjet. Si do ta përkufizonit atë në terma koncizë?

D.R. – Një ndihmë financiare publike universale dhe e pakushtëzuar.

A.F. – Megjithëse UBI ende nuk është një realitet, ka pasur disa projekte pilot. Cilat kanë qenë rezultatet?

D.R. – Ka pasur testime paraprake në shumë kontekste të ndryshme gjeografike dhe politike, nga Finlanda deri në Kanada e Namibi. Këto projekte nuk janë zbatuar të gjitha në të njëjtën mënyrë, çka ndonjëherë e bën të vështirë krahasimin e tyre.

Këto eksperimente kanë shumë kufizime. Një prej më kryesorëve është se ato nuk mund të tregojnë disa prej efekteve kryesore që UBI mund të kishte në tërësinë shoqërore: veçanërisht, rritja e fuqisë negociuese të punëtorëve dhe grave. Njerëzit që përfitojnë UBI-n në projektet pilot priren të jenë të izoluar nga njëri-tjetri, çka e bën të vështirë të vlerësosh efektet totale.

Qartazi planifikimi i një jete me UBI-n, të cilën prisni ta përfitoni për dy apo tri vite, është diçka shumë ndryshe nga planifikimi i jetës me pritshmërinë e përfitimit të UBI-t gjatë gjithë jetës. Por këto eksperimente na japin mundësinë të vlerësojmë, me gjithë kufizimet që përmenda, aspekte të pjesshme, si ndikimi në shëndetin mendor. Në secilin prej rasteve, shëndeti mendor u përmirësua. E kjo nuk është diçka e vogël.

A.F. – Por a janë të garantuara kushtet e ekzistencës materiale me UBI-n?

D.R. – Jo vetëm me këtë, natyrisht. UBI duhet kuptuar si një masë politike, jo si një politikë ekonomike e plotë në vetvete. Një politikë ekonomike përfshin masa fiskale, monetare, të punës … dhe, për mua, edhe të ardhura maksimale. Zotërimi i pasurive marramendëse nga pak njerëz përbën kërcënim për lirinë e shumicës – dhe nuk ka nevojë të jesh socialist apo republikan për ta ditur këtë.

A.F. – Në Katalonjë kohët e fundit dy parti kanë arritur një marrëveshje për qeverinë, përfshirë edhe një program pilot për UBI-n. Ku kanë arritur negociatat?

D.R. – Po, marrëveshja bën fjalë për zbatimin e një plani pilot në grupe moshore të caktuara për UBI-n në tri faza të përkohshme. Kjo është një lëvizje shumë e moderuar, e arsyeshme dhe e matur – e cila tashmë ka nxitur zemërimin si të së djathtës katalane pro pavarësisë dhe të monarkistëve spanjollë. Gjithashtu e njëfarëlloj të majte e cila ka respekt të madh, dhe servilizëm, për status quo-në. Është për të qeshur kur shikon alergjinë që provokon ky propozim mes disa politikanëve dhe teknokratëve, edhe kur bëhet fjalë vetëm për një skemë testimi.  

Me aq sa jam në dijeni, si CUP-i [antikapitalist], i cili e kishte UBI-n shumë të qartë në programin elektoral dhe e ktheu atë në një nga shtyllat kryesore të fushatës, ashtu edhe ERC-ja [e majta e butë], e cila i referohej UBI-t si një masë në afatgjatë, duket se qëndrojnë të palëkundura në këtë politikë.

A.F. – Si mund të financohet një masë e tillë?

D.R. – Katalonja nuk ka sovranitet fiskal. Propozimi i financimit që kemi hulumtuar Jordi Arcarons-i, Lluís Torrens-i dhe unë, me disa variacione në vitet e fundit, mbështetet në një reformë madhore të taksës së të ardhurave personale, në mënyrë të tillë që 80% e popullsisë do të paguante më pak taksa me UBI-n, ndërsa 20% më i pasur do të paguante më shumë. Katalonja nuk i kontrollon 100% të të ardhurave nga taksimi i të ardhurave. Kjo është situata. Shumë njerëz që kërkojnë një Republikë Katalane kërkojnë edhe  jetësimin e UBI-t, së bashku me masa të tjera qartësisht progresiste, dhe këto përbëjnë një arsye të fortë për të kërkuar pavarësinë nga monarkia spanjolle.

Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë se qeveria katalane e ka fuqinë për të jetësuar një politikë ekonomike më ambicioze nga aktualja. Një nga ekonomistët e sipërpërmendur, Lluís Torrens-i, më se dy vite më parë propozoi një sërë masash brenda kufizimeve aktuale të fuqisë autonome për të financuar UBI-n. Shumë shkurt, ato përfshinin: një taksë mbi pasurinë, kthimin e taksave të trashëgimisë dhe dhurimit në nivelet e 2008-s, rritjen e taksave mjedisore, të ardhurat nga taksimi i lojërave të fatit dhe disa modifikime të taksës së të ardhurave personale.

A.F. – Pandemia COVID-19 ka bërë që të merret në konsideratë propozimi i të ardhurave bazike për të tejkaluar këtë krizë. Cilat janë përparësitë e të ardhurave bazike krahasuar me masa të tjera?

D.R. – Ndihma financiare e kushtëzuar për të varfrit ka treguar për shumë vite se është e pamjaftueshme në rastin më të mirë dhe katastrofike në rastin më të keq. Ndihma për të varfrit në Katalonjë – të ardhurat e garantuara të qytetarisë – dhe të ardhurat e minimumit jetik të qeverisë qendrore spanjolle kanë qenë një fatkeqësi. Të parës i është dashur vite të realizohet, ndërsa kjo e fundit është vënë në zbatim në qershor 2020 si reagim (le ta quajmë kështu) ndaj situatës sociale të periudhës së pandemisë. Çdokush, me përjashtim të hartuesve të saj, ka gjetur të meta serioze në të. Nëse këto janë veçanërisht raste të këqija, problemet me mbështetjet e kushtëzuara dihen prej kohësh. Zbatimi i keq mund t’i bëjë më keq punët, natyrisht, por rrënja e problemit qëndron te hartimi.

Cilat janë problemet me ndihmën e kushtëzuar? Ato njihen prej shumë kohësh: kurthi i varfërisë, kostot e larta administrative dhe menaxhuese, stigmatizimi që sjellin, mbulimi i pamjaftueshëm në raport me pjesën e popullatës që duhet të mbulojë dhe ajo që njihet si mosmarrja, e cila është pjesa e popullsisë që nuk aplikon për ndihmë edhe pse i plotëson të gjitha kriteret e pranimit dhe kësisoj ka të drejtë ta përfitojë ndihmën. Në disa raste mosmarrja arrin deri në 60 për qind! Me UBI-n të gjitha problemet e ndihmës së kushtëzuar kapërcehen. Ndoshta kjo është një prej arsyeve pse njerëzit që kishin qenë kundërshtues ndaj UBI-t arsyetuan në fillim të pandemisë se duhej të merrej në konsideratë.

Në Komunitetin Autonom Bask, i cili ka një ndër mbështetjet më të mira për të varfrit në Bashkimin Evropian (s’ka të bëjë fare me të ardhurat e minimumit jetik apo ndihmave tjetërkund në Spanjë), po ndërmerret një nismë ligjore popullore për UBI-n. Kjo është e nxitur, ndër të tjera, nga njerëz që këshillojnë aplikantët për ndihmë dhe kësisoj kanë mjaft njohuri për realitetin e mbështetjes për të varfrit. Përfundimi i tyre është i qartë, dhe kjo është ajo që kanë deklaruar: Pagesa e të Ardhurave të Garantuara, i cili është emri i vendosur për mbështetjen rajonale baske për të varfrit, ka dështuar. Prandaj vjen edhe mbështetja e tyre për UBI-n.

A.F. – Feministët i kanë mbrojtur, dhe gjithashtu kritikuar, të ardhurat bazike. Cilët janë argumentet e feministëve në përkrahje të UBI-t?

D.R. – Po, argumentet e dhëna nga feministët janë shumë të larmishme. Me rrezikun e të lënit jashtë disa çështje të rëndësishme, mendoj se mund të përmblidhen si në vijim. Së pari, UBI do të thoshte më tepër liri për gratë. Mary Wollstonecraft[2]-i vuri në dukje se arritja e të drejtave, qytetarisë dhe një status më i mirë për gratë, të martuara apo jo, kërkonte pavarësinë e tyre ekonomike. Së dyti, shumë gra që sot janë të mbërthyera në kurthin e varfërisë nën sistemin e ndihmës së kushtëzuar, mund të shpëtojnë prej saj me UBI-n, duke e zvogëluar kësisoj ndjeshëm feminizimin e varfërisë.

Pavarësia ekonomike që mund të sjellë UBI do t’u mundësonte shumë grave t’u largoheshin më lehtësisht marrëdhënieve ku ka dhunë dhe abuzim, si dhe vendeve të punës ku ka ngacmime seksuale dhe abuzime. Së treti, me financime që favorizojnë shumicën e popullsisë jo të pasur, si ato të propozuara nga Jordi, Lluís-i dhe unë, ndodh një transferim i parasë nga burrat te gratë. Kjo është në përputhje me ato që dimë për kushtet më të këqija sociale, ekonomike dhe të punës që kanë mesatarisht gratë në krahasim burrat.  

A.F. – Një ndër argumentet që ju keni kundërshtuar ndër vite është ideja se do të ishte më mirë të garantohej punësimi i plotë se UBI pasi UBI do të shkurajonte kërkimin e punës dhe vlerën e punës në vetvete. Përse?

D.R. – Të jesh mbështetës i punësimit të plotë është e admirueshme, thuajse heroike në kushtet e sotme, por për mua ajo me interes është të bëhet e qartë nëse jemi duke folur për punësim të plotë në kushte gjysmëskllavërie apo në kushte të denja. Në rastin e Spanjës duhet të sillet në vëmendje se që prej 1978 e deri më sot vendi ka qenë kampion botëror mes të ekonomive të OECD-së për të papunët: ku shkalla e papunësisë ka tejkaluar 15 për qind në tridhjetë vjet nga dyzetë e dy gjithsej.

Nuk ka dyshim se ka pjesë të shoqërisë me një qasje drejt punësimit, duke përkrahur “dinjitetin e punës”. Për mua, çështja e dinjitetit është pasja e një jetese materiale të garantuar. Shumë autorë, në kohë shumë të ndryshme dhe mjaft larg intelektualisht, si Aristoteli dhe Marksi, nuk kishin dyshime se puna me pagë është “një skllavëri e kufizuar”. Marksi fliste për tjetërsimin e punës me pagë sepse, sipas tij, sapo të mos ketë një shtrëngim fizik apo të çfarëdolloji, njeriu i largohet punës njëlloj si murtajës.

Shumë vetë mendojnë se puna ka virtyte të veçanta: të jep një ndjenjë identiteti dhe kontributi në komunitet, sjell dinjitet dhe strukturon kohën. Shumë gjëra përzien në këto deklarime. Humbja e punës zakonisht shpie në situata të tmerrshme si humbja e shtëpisë për shkak të pamundësisë për të paguar qiranë, si dhe depresion të rëndë dhe përkeqësim të përgjithshëm të shëndetit mendor, madje edhe një ndjesi të humbjes së identitetit. Nuk ka dyshim për këtë. 

Dalja në përfundimin se njerëzit janë më pak “të lumtur” sesa kur ishin në punë është gjithashtu e justifikueshme. Humbja e punës si rezultat i fuqisë arbitrare të korporatës, i një krize të përgjithshme ekonomike apo sektoriale – apo për çdo arsye tjetër jashtë vullnetit të personit të mbetur pa punë – nuk ka për ta bërë atë person më të lumtur. Kjo është e qartë, sado e parëndësishme. Por vetëm në këto përmasa ne mund të lidhin humbjen e pavullnetshme të punës me palumturinë. Nëse dikush përballet me zgjedhjen e të pasurit një pune tmerrësisht të keqpaguar apo një jete të mjerueshme për shkak të mungesës së kësaj pune, është e lehtë të kuptohet përse do të zgjidhte opsionin e parë.

A.F. – A ka pasur qëndresë nga sindikatat?

D.R. – Shumë. Dhe ende ka. Ka disa përjashtime dhe ndoshta po hapen disa krisje në kundërshtinë monolite të sindikatave karshi UBI-t. Të shohim. Unë kam qenë anëtar sindikate për dyzetë e pesë vjet, kam marrë pjesë në udhëheqjet sindikale dhe këshillat e punëtorëve për shumë vite në të shkuarën, kësisoj mendoj se e njoh shumë mirë këtë botë. Gjatë dekadave të fundit kam parë gjithfarëlloj argumentesh, të cilat mund t’i përmbledh në vijim.  

Argumentohet, kundër UBI-t, se sindikatat do të humbasin fuqi pasi do të dobësohej potenciali i tyre për veprime kolektive – ndonëse pranohet se UBI rrit fuqinë negociuese individuale të punëtorit. Zakonisht shtohet se UBI mund të përdoret si pretekst për të zhbërë shtetin e mirëqenies sociale, kryesisht arsimin publik dhe kujdesin shëndetësor. Është argumentuar gjithashtu se punëmarrësit mund të ushtrojnë presion për të ulur pagat për shkak se do të argumentonin se një pjesë e pagave të tyre do të mbulohej nga UBI. Një tjetër argument është se meqenëse një propozim që ndan ekzistencën materiale nga punësimi dhe të drejtat e lidhura me të, UBI është e papranueshme për botën e sindikalizmit – e cila, mbi të gjitha, e ka punën në qendër të botëkuptimit të saj.

Një tjetër kundërshti që kanë sindikalistët është se duke i siguruar klasës punëtore një minimum ekzistence, mund të mpihet apo venitet kapaciteti i klasës punëtore për beteja. Kjo do të kuptonte se punëdhënësit mund t’i bënin dhe zhbënin planet e tyre me më pak telashe; kjo, në anën tjetër, do të rezultonte në një shfrytëzim më të madh të klasës punëtore për shkak se pasiviteti që do të sillte UBI do të çonte në përkeqësimin e pagave të tyre dhe kushteve të mirëqenies sociale. Së fundi, një tjetër kundërshti e sindikatave është se ne duhet të kërkojmë punësim të plotë: t’u japësh njerëzve një punë me pagë është zgjidhja e drejtë sepse kjo na jep dinjitet dhe çdo gjë tjetër është thjesht sa për të lehtësuar dhimbjen.  

Meqenëse i jam përgjigjur tashmë kësaj kundërshtie të fundit, do t’u përgjigjem shkurtimisht të tjerave. Fakti që fuqia negociuese individuale rritet nuk do të thotë se do ta pësojë fuqia negociuese kolektive. Në rastin e një greve të gjatë, UBI mund të shërbente si fond qëndrese: një grevë e gjatë është shumë e vështirë të mbahet pa një fond qëndrese për shkak të humbjeve të konsiderueshme të pagave në përpjesëtim të drejtë me numrin e ditëve të grevës.  

Rreth zhbërjes së supozuar të shtetit të mirëqenies sociale: Përkrahësit e krahut të djathtë të UBI-t kërkojnë të zhbëjnë shtetin e mirëqenies sociale në këmbim të UBI-t, por përkrahësit e krahut të majtë kërkojnë një rishpërndarje të të ardhurave nga më të pasurit kah pjesa tjetër e popullsisë dhe mbajtjen, madje edhe fuqizimin, e shtetit të mirëqenies sociale. Përzierja e qasjeve shumë të ndryshme dhe në mënyra të kundërta të përkrahjes së UBI-t nga e djathta dhe e majta është ndoshta një mënyrë propagandistike për të pështjelluar debatin, por nuk ka të bëjë aspak me një diskutim racional dhe të sinqertë.   

Është e qartë që punëdhënësit do të ofronin ulje të pagave duke përdorur UBI-n. Ose, më saktë, ata do të kërkojnë ta bëjnë këtë me apo pa praninë e UBI-t. Por kjo është pjesë e asaj që dikur quhej, dhe siç duhet të quhet edhe sot, luftë klasash.  

A.F. – Në revistën Jacobin Michal Rozworski shtroi pyetjen se cili ishte qëllimi përfundimtar i UBI-t. Po e përcjell pyetjen e tij për ju: nëse do të kishim një lëvizje sociale e gjerë dhe mjaftueshëm e fuqishme për të vënë në zbatim UBI-n, a nuk do të kishte më kuptim të bëheshin kërkesa shumë më ambicioze?

D.R. – UBI nuk është një program socialist dhe as një politikë ekonomike e plotë. Përballë çdo propozimi për përmirësime, për shembull , gjithmonë dikush mund të thotë se kjo është e pamjaftueshme dhe se nuk i jep fund kapitalizmit. Ose që është e mundshme të shkohet më tutje. Kjo është e pakundërshtueshme.  

Por më lejoni një koment të përgjithshëm. UBI është një reformim i kapitalizmit ekzistues, nuk është një masë që do ta hiqte qafe atë. Një kapitalizëm si ky i tashmi, me UBI, padyshim që do të ishte kapitalizëm dukshëm i ndryshëm nga kapitalizmi që njohim sot.

Me paktin fordist klasat punonjëse lëshuan kontrollin e prodhimit në favor të masave të kushtëzuara faktike. Ata e bënë këtë në një kapitalizëm shumë të ndryshëm nga ky i sotmi. Unë mendoj se UBI do të lejonte që klasa punëtore dhe pjesa dërrmuese e grave të rrisnin në mënyrë konsiderueshme fuqinë negociuese. Sepse duke garantuar në mënyrë të pakushtëzuar ekzistencën sociale të njerëzve, UBI do të mundësonte aftësinë për “t’u thënë jo” punëve të pavlera. Për ata që duan liri, kjo rritje në fuqinë negociuese është diçka që në vetvete meriton të mbrohet. 

E përktheu Jani Marka

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: Davide Bonazzi


[1] Ndonëse në shqip akronimi mund te ishte ABU (Të Ardhurat Bazike Universale), në vijim të shkrimit kam zgjedhur të mbaj akronimin në anglisht (UBI). – Shën. përkth.

[2] Veprimtare angleze (1759-1797) për të drejtat e grave. – Shën. përkth.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.