Historia e pathënë e Muhammad Ali-ut

/Dave Zirin/

Pamjet filmike të Muhammad Ali-ut përdoren për të shitur gjithçka – nga pijet energjike deri te makinat sportive. Imazhi që pasqyrohet është ai i boksierit karizmatik, i cili kërcen në ring duke brohoritur: “Jam më i madhi i të gjitha kohërave!”

Ali-u i mëvonshëm ishte po ashtu figurë me rëndësi publike, pavarësisht se e kishte gati të pamundur të lëvizte apo fliste. Zëri i tij ishte venitur prej viteve të gjata të boksit dhe sëmundjes së parkinsonit. Ky Ali, me zërin e venitur, u përqafua nga establishmenti si të ishte shenjtor që ecte mbi tokë.

Në vitin 1996 Ali-u ndezi me duart që i dridheshin pishtarin olimpik në Atlanta, ndërsa vite më vonë pranoi të bëhej pjesë e “fushate të prodhuar në Holliwood, me qëllim shpjegimin e luftës në Afganistan dhe botëkuptimin amerikan drejt botës myslimane”.

Ali-u ishte pranuar nga sistemi si legjendë; por nga lloji i legjendave të padëmshme. Sot zor të gjenden gjurmë të së vërtetës kontraverse: Kurrë nuk ka pasur një atlet profesionit më të sulmuar nga shtypi zyrtar, më të persekutuar nga qeveria amerikane dhe njëkohësisht më të dashur në të gjithë botën se Muhammad Ali-u, i cili ishte përgjegjës për vendosjen e racizmit dhe luftës në qendër të vëmendjes në botën e sportit.

Sot edhe mendimi i atletëve që përdorin talentin dhe platformën e tyre për të mbajtur qëndrime kundrejt padrejtësive duket krejtësisht absurd. Të tilla veprime do të thyenin rregullin e artë të sportit – sportistët nuk duhet të jenë qenie politikë, përveçse kur duhet të përshëndesin flamurin, mbështesin ushtrinë dhe përkrahin luftën.

Prandaj kur Toni Smith-i i ktheu shpinën flamurit në vitin 2003, reagimi ishte vrastar. Të njëjtin vit, trajneri Josh Howard tha se lufta në Irak “po bëhej vetëm për naftë. Kështu ndihem dhe mendoj unë!”. Jo vetëm që Howard-i u kryqëzua publikisht, por skuadrat refuzonin të trajnoheshin prej tij me arsyetimin se sjellja e tij nuk përshtatej me vlerat e këtyre ekipeve.

Historia e pathënë e Muhammad Ali-ut dhe revolta e atletëve me ngjyrë në vitet ‘60 është histori e gjallë dhe e prekshme. Duke e zhveshur nga ngjyrimet që i kanë dhënë fuqitë e sistemit, mund të kuptojmë më shumë mbi betejat e atyre viteve, duke vërtetuar që këto beteja i japin formë çdo aspekti të jetës, përfshirë këtu dhe sportet.

Beteja për drejtësi

Asnjë sport nuk i ka përdorur aq shumë dhe më pas i ka degdisur në harresë atletët me ngjyrë sa boksi. Për ata pak që ia dalin të bëhen boksierë, boksi nuk ishte zgjedhje e parë. Boksi është sporti i të varfërve, i të ardhurve nga margjinat e shoqërisë.

Boksierët e parë në Amerikë ishin skllevërit. Pronarët e plantacioneve dëfreheshin duke i detyruar skllevërit të ndesheshin, me qafore hekuri të varura në qafë. Veçantia e boksit ishte që, për shkak të brutalitetit dhe dhunës, ishte sporti i parë që theu barrierat e ngjyrës, ku sportistët me ngjyrë ishin viktimat e preferuara të promotorëve.

Padashur oreksi për fitim i këtyre promotorëve krijoi hapësirë që të sfidoheshin paragjykimet mbi racën. Ato kohë karakterizoheshin nga “pseudo-shkenca”, sipas së cilës negrit ishin të dobët fizikisht, të padisiplinuar dhe jo mjaftueshëm të zgjuar për t’u bërë atletë profesionistë. Kur Jack Johnson-i u bë i pari kampion me ngjyrë i peshave të rënda në vitin 1908, në ditët pasuese pati shpërthime histerie. Mediat u hodhën në kërkim të “shpresës së bardhë, për t’i kthyer botës kuptimin”. Ish-kampioni Jimm Jeffries u rikthye në ring “veç sa për të vërtetuar se të bardhët janë superiorë krahasuar me zezakët”.

Gjatë ndeshjes që u zhvillua në vitin 1910, bandat muzikore luanin himne raciste, ndërsa promotorët e shtynin turmën të bërtisnin “vrite zezakun”. Po pavarësisht gjithçkaje, Johnson-i ishte më i shpejtë, i fortë dhe i zgjuar në ring se kundërshtari i tij, të cilin e mposhti me lehtësi.

Pas përfundimit të ndeshjes, turma të inatosura racistësh sulmuan në mënyrë të organizuar afro-amerikanët, të cilët mbrojtën veten. Ky reagim pas një ndeshjeje boksi do të ishte përplasja më e madhe qe kishte të bënte me ngjyrën deri në vitin 1969 pas vrasjes së Martin Luther King-ut. Grupet ekstremiste të krishtera u organizuan për ta shpallur boksin të paligjshëm, ndërsa në Kongres diskutohej ndalimi i qarkullimit të pamjeve filmike të ndeshjes.

Edhe disa liderë zezakë si Booker T. Washington e shtynin Johnson-in të dënonte reagimin e ashpër të komunitetit afro-amerikan, por ai refuzoi dhe u përndoq deri në fund të jetës. Ai u detyrua të largohej në ekzil në vitin 1913 sepse u akuzua se po transportonte gra të bardha me qëllim prostitucioni.
Pasojat që vuajti Johnson-i do të bënin që të kalonin 20 vite të tjera deri kur të kishim një tjetër kampion me ngjyrë të peshave të rënda, Joe Louis-in. Louis-i ishte i heshtur mbi çështje që Johnson-i kishte qenë i zëshëm. 

Ai menaxhohej nga një skuadër tepër e kujdesshme, të cilët i kishin caktuar rregulla të tipit “mos u fotografo me gra të bardha!” dhe “mos dil nëpër klube vetëm!”.

Por Louis-i ishte shkatërrimtar në ring, duke arritur 69 fitore në 72 ndeshje, 55 me nokaut. Pavarësisht se i heshtur mbi çështjet racore, ai përfaqësonte zezakët e varfër dhe klasën punëtore që po radikalizohej gjithnjë e më shumë gjatë viteve ‘30. Kulmi i tij ishin dy ndeshjet kundër gjermanit Schmeling në vitet 1936 dhe 1938. Gjermani cilësohej nga Hitleri si “provë e gjallë e madhështisë ariane”. Në ndeshjen e parë Schmeling-u e hodhi në tapet pa ndjenja Louis-in. Jo vetëm propaganda gjermane, por edhe shtypi racist në Jug e përdori si argument mbi supremacinë e bardhë. 

Ndeshja e dytë në vitin 1938 ishte histori tjetër. Komunistët në Amerikë organizuan dëgjimin e ndeshjes në radio nga Harlemi në Birmingham, grumbullime që u shndërruan në mbledhje masive, ndërsa Hitleri urdhëroi mbylljen e kinemave që të gjithë të ishin përpara radiove. Louis-i e fitoi ndeshjen brenda 1 raundi, ndërsa në Gjermani u ndërpre sinjali i radios kur u kuptua që humbja nuk mund të shmangej. 

Louis-i e mbrojti titullin për 12 vite, kohëzgjatja më e suksesshme në histori. Poetja Maya Angelou shkruante “zezaku i pamposhtur, ai që i bëri ballë njeriut të bardhë dhe e mposhti me grushtet e tij. Në njëfarë kuptimi, në ato grushte ai mbante shpresat tona, ndoshta edhe ëndrrat për hakmarrje”. 

30 vite pas ndeshjes Martin Luther King-u shkruante në veprën “Pse nuk mund të presim?: 

“Para 25 vitesh, një prej shteteve në Jug adaptoi një metodë të re të dënimit me vdekje: helmimin me gaz në një dhomë të mbyllur. Në fazat e hershme të dënimit, në dhomë vendosej një mikrofon për të dëgjuar fjalët e fundit të të dënuarit. Viktima e parë ishte një zezak i ri. Teksa gazi shpërndahej në dhomë, nga mikrofoni dëgjoheshin këto fjalë: Më shpëto Joe Louis! Më shpëto!”

Në një shoqëri kaq dhunshëm raciste, boksi u shndërrua në mundësi për të shprehur zemërimin, në shpagim moral për pengesat e ngjyrës, talentin e humbur dhe shpirtin luftarak që formonte ekzistencën e negërve në Amerikë. 

Mbreti i botës

Identiteti i Ali-ut mori formë mes viteve ‘50 dhe ‘60, teksa përpjekjet për liri dhe përplasjet racore ishin në kulmin e tyre. 

Ai lindi me emrin Cassius Clay në Luisvill të Kentakit në vitin 1942. I ati, një artist i frustruar, e siguronte jetesën duke lyer shtëpi. Luisvilli i rinisë së Ali-ut ishte komunitet me segregacion racor, ku të ishe zezak nënkuptonte të ishe pjesë e klasës shërbyese. 

Por Clay mund të ndeshej dhe po aq bukur mund të fliste, më mirë se cilido atlet apo figurë publike me ngjyrë. Joe Louis-i thoshte: “Menaxheri im flet për mua. Unë flas në ring”. Clay fliste brenda dhe jashtë ringut. 

Megjithatë ai ishte më shumë se thjesht fjalë. Ali-u fitoi medaljen e artë në lojërat olimpike të vitit 1960, vetëm 18 vjeç. Kur u kthye, ishte i dashuruar pas medaljes. Wilma Rudolph-i tregon se ai “flinte, dilte për vrap, shkonte në kafene me medaljen. E kishte gjithnjë me vete.”

Javën pas kthimit nga lojërat olimpike, Clay shkoi të merrte një hamburger me medaljen gjithnjë në qafë. Si zakonisht iu mohua shërbimi për shkak të ngjyrës së tij. Paskëtaj medalja përfundoi në fund të lumit të Ohajos. 

Ali-u filloi të aktivizohej politikisht, duke gjetur përgjigje për pyetjet e tij në fjalimet e Malcolm X në takimet e Kombit të Islamit. Ai dëgjonte Malcolm-in: “Ju mund të mendoni se ne jemi si negrit e tjerë që predikojnë kthimin e faqes tjetër nëse dikush i qëllon. Provojeni me ne dhe do përfundoni të vdekur!”

Luftëtari i ri dhe Malcolm X u bënë shokë personalë dhe politikë. Malcolm-i qëndroi pranë Ali-ut kur stërvitej për ndeshjen kundër kampionit Sonny Liston. Me praninë e Malcolm X në kampin e stërvitjes, shtypi filloi të shkruante se Ali-u do t’i bashkohej Kombit të Islamit. Në një moment tha: “Nëse vazhdoni të më pyesni me këmbëngulje, ndoshta bashkohem vërtet!”

Teksa të gjithë parashikonin fitore të lehtë për Liston-in, Malcolm X shpalli fitoren e Ali-ut: “Clay do të fitojë. Ai do të ketë për ne një domethënie më të madhe se Jackie Robinson-i. Robinson-i është hero i establishmentit, Clay do të jetë heroi ynë…”

Ali-u, më i shpejtë, i fortë dhe i guximshëm nga ç’mendohej, tronditi botën dhe fitoi ndeshjen. Menjëherë pasoi fraza e famshme: “Jam mbreti i botës!” 

Kur ai thoshte se ishte më i madhi i të gjitha kohërave, nuk e kishte gabim. Trajneri i tij njëherë tha duke buzëqeshur: “Ai shkatërroi një brez të tërë boksierësh duke i mbajtur duart ulur. Të gjithë që e provonin të luftonin me duart ulur shkatërroheshin, ndërsa Ali-u ishte aq i shpejtë sa e përdorte në avantazh të tij.” 

Ali-u vendosi standarde të reja mbi shpejtësinë në ring. “Jam aq i shpejtë, sa mund të fik dritën e të shtrihem në krevat përpara se të bëhet errësirë!”

Gjatë karrierës së tij, ai fitoi 56 nga 61 ndeshje, me 37 nokaut. Ditën pasi mposhti Liston-in, Clay deklaroi publikisht se do t’i bashkohej Kombit të Islamit.

Fjalët nuk mund ta përshkruajnë stuhinë që pasoi. Kampioni ishte pjesë e një grupi që i quante të bardhët djaj dhe predikonte përdorimin e dhunës po ta donte puna në vetëmbrojtje. Ali-u u sulmua jo vetëm nga bota e sportit, por edhe nga pjesëtarë të Lëvizjes për të Drejta Civile.

Ndërsa Jimmt Cannon-i, shkrimtari më i famshëm i sportit, shkruante: “Boksi që në zanafillat e tij të kalbura ka qenë distrikti i dritave të kuqe të botës së sportit, por kjo është hera e parë që po përdoret si instrument i urrejtjes!”

Gjatë kësaj kohe Ali-u këmbëngulte se bashkimi i tij me Kombin e Islamit ishte thellësisht religjioz dhe aspak politik. 

“Nuk kam ndërmend të vras veten për t’iu pëlqyer njerëzve që nuk më duan. Integrimi është i gabuar. Të bardhët nuk e duan, myslimanët nuk e duan. Pse e paskan gabim vetëm myslimanët?! Nuk kam qenë kurrë në burg, as në gjykatë. Nuk u jam bashkuar marshimeve dhe kurrë nuk kam mbajtur pankarta. Pra çfarë nuk shkon?!” 

Por ngjashëm me Malcolm X, i cili asokohe po mendonte të shkëputej politikisht nga Kombi i Islamit, edhe Ali-u e kishte të pamundur të shpjegonte botëkuptimin e tij fetar pa folur gjuhën e masave që përpiqeshin për çlirimin e tyre. 

“Unë nuk jam i krishterë. Nuk mund të jem, kur të gjithë negrit që luftojnë për integrimin përfundojnë të vrarë. Ata goditen me gurë, kafshohen nga qen dhe më pas të bardhët u vënë zjarrin kishave tona. Njerëzit duan që të jem më shumë si Joe Louis-i apo Suggar Ray. Epo të dy këta kanë vdekur dhe zezaku mesatar jeton akoma në të njëjtat kushte. Apo jo?! Ne ende jetojmë në ferr.”

Gjatë kësaj kohe ai njihej si Cassius X, por Elijah Muhammad-i i dha emrin Muhammad Ali, një nder tepër i madh dhe njëkohësisht mjet për t’u siguruar se Ali-u do të rreshtohej me të në përplasjen me Malcolm X, gjë të cilën Ali-u më vonë do ta cilësonte si gabimin më të madh që kishte bërë në jetë. 

Ndryshimi i emrit në të tillë mënyrë nuk kishte ngjarë kurrë në sporte, dhe për mediat sunduese dhe zyrtarët e boksit e gjitha kjo ishte si një shpullë fytyrës. 

Brenda natës, në varësi të emrit që zgjidhje ta thërrisje, tregoje edhe qëndrimet mbi Lëvizjen për të Drejta Civile dhe eventualisht luftën në Vietnam. 

Të gjitha këto ndodhnin në kohën kur beteja e negërve për çlirim ishte shtrirë nga jugu në veri. Gjatë verës së vitit 1964 numëroheshin 1000 arrestime të aktivistëve, 30 bombardime të ndërtesave dhe 36 djegie kishash nga ekstremistët e Ku Klux Klan-it. 

Në vitin 1964 ndodhi e para e kryengritjeve urbane në getot veriore. Influenca e Ali-ut rritej gjithnjë e më shumë. Çdo ndeshje pas ndryshimit të emrit u shndërrua në betejë pro dhe kundër revolucionit. Floyd Patterson-i, një ish-kampion me ngjyrë, në një intervistë para ndeshjes me Ali-në, me flamurin amerikan hedhur krahëve, thoshte:

“Kjo ndeshje është kryqëzatë për ta rimarrë titullin nga zezakët myslimanë. Si katolik, ndeshja me Clay-n është detyrë patriotike. Do ta kthej kurorën në Amerikë.”

Gjatë ndeshjes Ali-u e brutalizoi Patterson-in, duke e goditur dhe bërtitur: “Eja bardhosh! Eja Amerikë e bardhë!” 

Më pas, në ndeshjen me Ernie Terrell-in i cili këmbëngulte ta thërriste Clay dhe jo Ali, Ali-u e godiste dhe përsëriste pas çdo goditjeje: “Si e kam emrin?! Si quhem?!”

Udhëheqësi i ardhshëm i Panterave të Zeza Eldridge Cleaver do të shkruante në autobiografinë e tij të vitit 1968 “Shpirt ne akull”: “Gjiri i derrave dhe ndeshja Ali-Patterson ishin dy grushtet më te fuqishme e të bukur në fytyrën e Amerikës së bardhë.”


Rezistenca ndaj luftës së Vietnamit

Në vitin 1966 ushtria thërriti Ali-në të shlyente detyrimin ushtarak në Vietnam. 

Ai e mori vesh lajmin në mesin e një grupi reporterësh, dhe përgjigja e tij mbetet një nga frazat më të paharrueshme dhe ikonike: “Plako, unë nuk kam asnjë hatërmbetje me ata të Vietkongut!”

Kjo deklaratë ishte e jashtëzakonshme sepse në atë kohë nuk ishte përhapur ende rezistenca kundër luftës në Vietnam. Në revistën Life gjendeshin tituj të tipit “Lufta në Vietnam ia vlen të fitohet”, ndërsa kënga “Baladë e Beretave të Gjelbra” po thyente çdo rekord. Ali-u qëndronte kundër kësaj fryme.

 Siç tregonte aktivisti i shquar Daniel Berrigan: “Lëvizja kundër luftës ishte thuajse tërësisht e bardhë. Ali-u e ndryshoi këtë. Ai nuk ishte akademik, bohem apo shenjtor. Askush nuk e hidhte dot poshtë me pretekstin se kishte frikë nga lufta.”

Reagimi kundër tij ishte i shpejtë, gati histerik. Jimmy Cannon-i shkruante:

“Ai e ka vendin me këngëtaret që nuk i dëgjon askush, budallenjtë që ngasin motorë, djemtë më flokë të gjata e zhulaq dhe vajzat e shëmtuara, me kalamajtë që kërcejnë lakuriq në mbrëmje sekrete mature, me studentët që revoltohen pasi marrin çekun e babait, me rreckamanët që refuzojnë të punojnë dhe rrinë e lypin.”

Ndërsa poetja Sonia Sanchez kujton Ali-në e atyre viteve:

“Është vështirë të kuptohet tani emocioni i atyre viteve. Ishin kohëra kur askush nuk e refuzonte dot rekrutimin ushtarak. Ishte luftë që po vriste vëllezërit tanë zezakë, dhe në mes të kësaj tragjedie u shfaq ky djalë i ri e gazmor, tepër i bukur, duke thënë ‘jo’ me guxim! Veç imagjinojeni për një moment! Kampioni i peshave të rënda, njeriu i magjive, e përçoi luftën jashtë ringut, në politikë. Sa fort luftoi! Mesazhi i tij u përcoll!”

Vendimi i tij nuk solli vetëm urrejtje, por edhe shumë mbështetje e përkrahje. Kjo është arsyeja pse pavarësisht përndjekjes dhe kërcënimeve, ai qëndronte i fortë. Në një konferencë shtypi më vonë atë vit, ai pritej të kërkonte falje. Gjithnjë kishte thashetheme se do t’i tërhiqte fjalët e tij mbi luftën. Teksa pritej të ndodhte kjo, ai u ngrit dhe tha: “Vazhdoni të më pyesni sa të doni mbi luftën në Vietnam. Unë këndoj gjithnjë të njëjtën këngë: Plako, nuk kam sherr me Vietkongun!”

Tanimë ishte viti 1967, dhe Martin Luther King-u iu bashkua zërave kundër luftës. 

Në konferencën e parë ku shpalli qëndrimin e tij, King-u u shpreh: “Siç thotë Ali-u, në jemi të gjithë të varfër me ngjyrë, viktima të një sistemi shtypës.”

Të dy lidhën miqësi, për të cilën kemi mësuar vetëm nëpërmjet përgjimeve dhe raporteve të FBI-së. Ky është një transkript i bisedës mes të dyve, ku Ali-u është quajtur “C”.

“MLK-ja foli me C-në, u përshëndetën ngrohtë. C-ja e ftoi në ndeshjen e tij të radhës, MLK-ja i tha se do t’i pëlqente shumë të ishte aty. C-ja i tha se e ndiqte me vëmendje, e kishte si vëlla dhe e mbështeste 100%, por punët ishin vështirësuar, dhe MLK-ja duhej të ruhej dhe të kishte kujdes nga ata ‘bardhoshët’.”

E vetmja herë kur të dy ishin bashkë në publik ishte më vonë atë vit, kur Ali-u iu bashkua King-ut në Luisvill, ku po zhvillohej një betejë e përgjakshme për strehim. Ali-u ju drejtua protestuesve duke thënë:

“Në përpjekjen tuaj për liri, drejtësi dhe barazi jam me ju. Erdha në Luisvill sepse nuk mund të rri i heshtur kur populli im, ata me të cilët jam rritur, gjaku im, po rriheshin vetëm sepse duan liri, drejtësi dhe barazi në strehim.”

Më vonë asaj dite ai e bëri të qartë qëndrimin e tij në mesin e lëvizjes për çlirim dhe asaj kundër luftës, kur një reporter e pyeste vazhdimisht mbi luftën:

“Pse më kërkoni të vesh një uniformë dhe të shkoj 10,000 milje larg shtëpisë, të hedh bomba e plumb mbi njerëzit në Vietnam, ndërkohë që negrit në Luisvill trajtohen si qen?! Jo, nuk do të shkoj 10,000 milje nga shtëpia për të ndihmuar në vrasjen dhe djegien e një tjetër kombi dhe populli të varfër, vetëm për të siguruar dominimin e pronarëve të skllevërve. Kjo është dita kur ligësive të tilla duhet t’u vijë fundi.

Më kanë thënë se duke vazhduar kështu do të humbas miliona. Por unë do ta them sërish, sa të mundem. Armiku i vërtetë i popullit tim është këtu në Amerikë. Nuk do ta bëj me turp besimin tim, popullin apo veten duke u shndërruar në një vegël që fshikullon ata që luftojnë për lirinë e tyre.

Nëse do të mendoja se lufta do t’i sillte ndonjë të mirë popullit tim prej 22 milionë vetësh, nuk do të lindte nevoja të më thërrisnin se do të shkoja vetë të nesërmen. Duke u qëndruar besnik besimeve të mia, nuk kam asgjë për të humbur. E çfarë pastaj po më burgosën?! Në burg kemi qenë prej 400 vitesh.”
Refuzimi i tij për të luftuar në Vietnam u bë lajm i faqeve të para në gjithë botën. Po ashtu mbështetja për të u shtri nga Guajana në Kajro. 

Më 19 qershor 1967 Ali-u u gjykua nga një juri krejtësisht e bardhë në Hjuston. Vendimi i zakonshëm në raste të tilla ishte 18 muaj burg. Ali-u u dënua 5 vite dhe iu konfiskua pasaporta. Ai apeloi menjëherë vendimin. Ali-u ende i pamposhtur në ring, e humbi titullin në letër sepse refuzoi ushtrinë.

Mbështetja për të erdhi dhe nga aty ku nuk pritej. Floyd Patterson-i, i cili ishte ndikuar nga lëvizjet përqark tij, tha: “Më bezdis që Clay po detyrohet të paguajë sepse po bën atë që është e drejtë. Në Amerikë atleti nuk supozohet të flasë mbi politikën, veçanërisht nëse ka qëndrime ndryshe nga zyrtaret dhe mund të ketë ndikim te shumëkush brenda klasës punëtore që e ndjek boksin me dashuri.”

Asokohe 1000 civilë vietnamezë vriteshin çdo javë nga ushtria amerikane. 100 ushtarë vdisnin çdo ditë, lufta kushtonte 2 miliardë në muaj dhe lëvizja kundër luftës vinte në rritje. Qëndresa e Ali-ut është më shumë se simbolike. Siç shkruhej asokohe: “Ai e bëri pakënaqësinë të dukshme, të dëgjueshme, tërheqëse dhe pa frikë”.

Në 1968 Ali-u ishte në liri me kusht, i braktisur nga Kombi i Islamit, në vështirësi financiare, pa titullin e tij kampion, por më i vendosur se kurrë. Atë vit mbajti 200 fjalime nëpër kampuse:

“Nga unë pritet të shkoj përtej detit që të çliroj popullin e Vietnamit të Jugut, ndërkohë që populli im brutalizohet në vendin tonë. Jo pra ta marrë djalli! Do doja t’iu thosha atyre që mendojnë se kam humbur shumë; përkundrazi kam fituar gjithçka. Kam paqe në zemër, ndërgjegje të lirë dhe të pastër. Mbi të gjitha jam krenar. Zgjohem i lumtur, bie për të fjetur i lumtur, e nëse përfundoj në burg përsëri do të jem i lumtur.”

Karriera e tij si boksier vazhdoi teksa lëvizja për çlirim zbehej gjithnjë e më shumë. Klasa sunduese Amerikane shkatërroi disa sektorë të lëvizjes, disa të tjerë i akomodoi sipas dëshirës. Ali-u u kthye në ring tepër më i avashtë se në fillimet e tij, por zbuloi se mund të duronte edhe grushtet. Dhe i duroi deri kur u shkatërrua fizikisht.

Pavarësisht se jo më ai i dikurshmi, ai mbetej figurë tepër e dashur. Presidentët e ftonin në Shtëpinë e Bardhë dhe, siç e përmendëm, u shfaq edhe për të ndezur pishtarin e lojërave olimpike. Jim Brown-i, një atlet që ia kushtoi jetën organizimit, tha: “Ali-u që Amerika mësoi të donte, nuk ishte Ali-u që desha unë. Luftëtari që unë doja kishte humbur prej kohësh.”

Po nëse e tashmja e Ali-ut është zaptuar nga klasat sunduese, e kaluara e tij na përket ende neve. Sipas Tommie Smith-it: “Nuk mund të shtrihem dhe thjesht të harroj. Zemra dhe shpirti im janë ende në betejë dhe besoj se gjithçka për të cilën luftuam në ‘68 ende nuk është zgjidhur, por do të zgjidhet në të ardhmen.”

Smith-i ka të drejtë: rezistenca e Ali-ut kundër racizmit dhe luftës i përket jo vetëm viteve ‘60, por krejt të ardhmes kolektive të njerëzimit.

E përktheu Frenklin Elini

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: The Undefeated

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.