Dy elbasanllinj për gjuhë dhe letërsi

/Klodi Leka/

Kuja e një shkrimtareje tashmë edhe parlamentare se në qarkun e Elbasanit sapo u është vene dryni katër shkollave fillore dhe se shkolla e lartë, universiteti, është në krizë serioze për të rinj – aq sa në degën e gjuhë-letërsisë gjer më tani janë regjistruar vetëm dy tetëmbëdhjetëvjeçarë, në krye të herës më shkundi me keqardhje dhe habi. Ama kur u kujtova se ky qytet vazhdon të ketë universitetin e tij, të pushton ndjenja e absurdit, ngërdheshjes, por edhe njëfarë melankolie. Absurdi sepse Elbasani prej kohësh zor se mund të jetë një qytet për dije të larta. Për opinionin publik, ai është kthyer në simbol të qytetit pa ligj, të çindustrializuar, të roitur e të rrënuar nga dhuna fisnore, kriminale e politike. Ngërdheshjes ngaqë dy-tre herët e fundit që më ka qëlluar të ndodhem në Elbasan këto vitet e fundit jam përballur me pamjen distopike të një qyteti që e ka humbur rrugën, i pisët, pa gjallëri, me një tufë qensh endacakë nëpër këmbë, xhandarmërinë dhe frikë kudo dhe me një krenari të thyer qytetare.

Tani, melankolia. Për ta përballuar shpirtërisht të shëmtuarën, pashpresën, kandaharizimin urban, kam kultivuar zakonin (e keq jo, por mbase qesharak) që përballë Shqipërisë, në ato tre katër qytete historike që nuk janë shpikje pa shije të shekullit XX, por bartin edhe rrënojat pa lavdi të bashkësive të vjetra, t’i këqyr përmes syzeve romantike të leximeve tē vogla dhe të rrëmujshme të historisë, religjonit dhe letërsisë, pra t’i bëj lavd kujtesës së harruar. Veç kështu mundesh, për shembull, ta durosh Durrësin. Durrësi si Durrës është për kiamet, por jo Durrësi imagjinar si një qytet mbi dy mijë-vjeçar që ka jetuar kolonët grekë, luftërat romake, krishterimin e hershëm martir, Bizantin, anzhutë, venedikasit, feudalët rebelë arbër, osmanët, të dreqin e të birin, një qytet që ka pasur vazhdimisht jetë e ngjarje.

Kështu edhe Elbasani. Ky qytet është mëkëmbur shumë herë. Herën e parë në shek e V-VI, kur i ngritur si një qendër qytetare përgjatë rrugës romake tregtare, ushtarake e civile Egnatia, u rrënua nga dyndjet barbare, nga fiset sllave, bullgarët, ostrogotët etj. Ai u ringrit fuqishëm dhjetë shekuj më vonë nga Mehmeti II, Ngadhënjimtari, pushtuesi i Kostandinopojës, si qendër ushtarake e civile pas tërheqjes së tij nga rrethimi i Krujës, duke lënë pas një nga kalatë më të mëdha e të banueshme fushore dhe një nga xhamitë më të vjetra në Shqipëri. Prej këtu ai përjetoi rritje të hovshme, duke u bërë kryeqendër e madhe e Shqipërisë Osmane, aq sa nga shekulli i XVII e tutje Elbasani do të ishte pararojë e zejtarisë, esnafeve, tregtisë, të një jete civile manifakturale e multifetare, për të cilën ka shkruar me superlativa edhe udhëtari e kronikani i famshëm osman Evlija Çelebiu.

Janë jo të paktë edhe letrarët e tij, poetët e bejteve dhe divanit, shkrues në arabisht dhe persisht të një prej letërsive më të mëdha e të pazbuluara në Shqipëri. Është interesant fakti se në të gjitha tentativat për periodizimin e letrave shqipe, që nga Eqerem Çabej, Maksimilian Lambertz-i, Stuart E. Man-i e deri te teksti i historisë zyrtare të letërsisë shqipe të 1982, Elbasani përfshihet si qark kulturor qoftë për shkrime të traditës biblike, qoftë për arte orientale dhe qoftë për leksikografinë e gramatikën laike. Ai është edhe kryeqendër e mesjetare për artet pamore duke nxjerrë piktorë si Onufri dhe i biri, apo Kostandin Shpataraku, i cili ishte i pari që futi elementin laik popullor (“shpatarakët”) në pikturën kishtare.

Elbasani është gjithashtu një nga qytetet më avangardë të Shqipërisë sa i përket përpjekjeve për të kultivuar të shkruarin shqip dhe janë jo të paktë dijetarët që kanë lënë kontribut në këtë fushë. Më i njohuri ndër ta është Konstandin Kristoforidhi, shkrimtar dhe gjuhëtar, krijues i fjalorëve, abetareve dhe pionier i prozës moderne shqiptare. Por përpjekjet janë shumë më të hershme. Që nga abetarja me alfabet arab e Daut Boriçit në shekullin XIX, abetarja e bejtexhinjve, tek alfabeti autentik i Theodhor Begomilit në shekullin XVII, i quajtur Anonimi i Elbasanit e më tej, rrallë ka pasur një pasion për shkrimtarinë sa në këtë qytet. Kontributi i tij në arsim vazhdoi edhe gjysmën e parë të shekullit XX, me Shkollën Normale, bibliotekat dhe intelektualët e tij.

Tani, sado skandaloze qoftë, pyetja është se përtej melankolisë për të shkuarën e humbur të dijes dhe zejes, për çfarë do t’i nevojitet një të riu elbasanas a librazhdiot të studiojë gjuhë dhe letërsi? A do të punësohen ata si të tillë? E në u punësofshin, a do të kenë një jetë të përmbushur materiale dhe shpirtërore si arsimtarë në qytet? Edhe nëse do të sakrifikoheshin për misionin e lartë të pedagogjisë, për t’u mësuar shkrim e këndim vocërrakëve, a do të mund ta ndalojnë hemorragjinë sociale, zbrazjen, ikjen, shpërnguljen? Edhe nëse nuk do të jenë mësues të rëndomtë, por filologë, kritikë letrarë, shkrimtarë dhe do të punojnë në kërkime për Begomilin, dhiatën dhe abetaret e Kristoforidhit, sa vlerë do të kenë këta të fundit si njerëz të vlerave përballë klikave akademike, mercenarizmit politik taulantballs, krimit të rrugës? Zero, pikë shansi dhe vlefte.

Të shpenzosh tri, katër, pesë vite të jetës tendë për të studiuar gjuhë dhe letërsi në një qytet e vend si ky i yni, është punë boshe, bjerrakohje, stërkëmbësh ndaj vetes. Prandaj jam i mendimit se duhet të jemi më se mirënjohës me këta dy të rinj që vendosin t’i përkushtohen gjuhës dhe letërsisë, paçka se me gjasë janë rrugëhumbur në shpresat e prindërve për të pasur një shkollar në shtëpi, për t’u mburrur me të në dashtë nevoja edhe me koston e papunësisë, për ta pasur atë copë indulgjence sa për të larë gojën në sytë e farefisit dhe Zotit, i cili në mendjet e shqiptareve ekziston në formë kaotike si fat bixhozi, rënie bingoje, rastësi fatlume. Përtej melankolisë për Elbasanin e shekujve XVII, XVIII, XIX, në Elbasanin e shekullit të XXI për të jetuar lart e bukur duhet të jesh antishkollë, antizeje, antihistorik, të jesh njeri i dhunës e i dallaveres, të llogorizohesh në këtë apo atë kastë, me këtë apo atë fis kokaine.

Këta janë barbarët e rinj e të brendshëm që e kanë shkatërruar Elbasanin. Kjo është historia e shkëlqimit dhe shkërmoqjes së një qyteti që i kishte të gjitha mundësitë të ishte tjetërqysh, një pasuri me të cilën do të mburreshim të gjithë. Prandaj edhe kujat janë bërë të lodhshme e nervozuese ngaqë supozojnë skandalin, tronditjen, a thua se jetojmë në një hapësirë dhe kohë normale, kur këtu s’ka mbetur më asgjë për t’u habitur. Le të shpresojmë se këta dy rioshë e ata pak të tjerë që do të regjistrohen në këtë degë në vazhdim të kenë pasionin për të zbuluar përmasën historike të vetvetes dhe ndonjë kumt profetik për t’i qëndruar besnik, nëse në krye të dy vjetëve, të fyer e të poshtëruar në rropatjet e vështira të mbijetesës, nuk do të thartohen e të shpien në dreq gjithçka, të marrin rrugën e mërgimit, të nëmurave të perëndimit ose nëntokës së trafikut të drogës, ku Elbasani, pa mburrje, është bërë një via Egnatia e re.

Imazhi: Edvin Xhejks/Robert Elsie

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.