Mbi dekretin e Green Pass-it

/Massimo Cacciari, Giorgio Agamben/

Teksti i mëposhtëm është shkruar nga dy intelektualë të shquar italianë të ditëve tona dhe përmban një kritikë të Green Pass-it, ose certifikatës së vaksinimit. Kjo kritikë vjen si pasojë e faktit që në Itali kjo certifikatë tashmë është e detyrueshme për të frekuentuar hapësirat publike dhe për të marrë një sërë shërbimesh publike, për të lëvizur brenda dhe jashtë vendit, si dhe, sipas kryeministrit Italian, ajo do të jetë e detyrueshme edhe për punëtorët.

***

Diskriminimi i një kategorie njerëzish, të cilët shndërrohen automatikisht në qytetar të serisë B, është në vetvete një fakt shumë i rëndë, pasojat e të cilit mund të jenë dramatike për jetën demokratike. Një çështje e tillë, që ka të bëjë me të ashtuquajturin Green Pass, po trajtohet me një lehtësi të pavetëdijshme. Regjimet despotike kanë vepruar gjithnjë mbi bazën e praktikave diskriminuese, të cilat në fillim kanë qenë mbase të kontrolluara, por më pas kanë marrë dhenë. Nuk është rastësi që në Kinë kanë deklaruar se synojnë të vazhdojnë me gjurmimet dhe kontrollet edhe pas përfundimit të pandemisë. Ia vlen të kujtojmë këtu “pasaportën e brendshme” të cilën qytetarët e Bashkimit Sovjetik duhej t’ua tregonin autoriteteve për çdo zhvendosje që bënin. Kur më pas një eksponent politik u drejtohet atyre që nuk vaksinohen duke përdorur një zhargon fashist se “do t’i spastrojmë me anë të Green Pass-it” do të thotë se kemi shkuar përtej çdo garancie kushtetuese.

Mjerë ne nëse vaksina kthehet në një lloj simboli politiko-fetar. Kjo jo vetëm do të përfaqësonte një devijim antidemokratik të patolerueshëm, por do të ishte në kontrast me vetë evidencën shkencore.

Askush nuk po bën thirrje për të mos u vaksinuar! Një gjë është mbrojtja e dobishmërisë së vaksinës, tjetërçka, tërësisht e ndryshme, është heshtja përballë faktit që vazhdojmë të mbetemi në një fazë “eksperimenti masiv” dhe që mbi shumë aspekte themelore të këtij problemi debati shkencor është tërësisht i hapur. Gazeta Zyrtare e Parlamentit Evropian e 15 qershorit shprehet qartë: “Është e nevojshme të shmanget çdo diskriminim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë i personave që nuk janë të vaksinuar, edhe i atyre që kanë zgjedhur të mos vaksinohen.” Si mund të ishte ndryshe?! I vaksinuari jo vetëm mund të infektojë të tjerët, por mundet edhe të sëmuret: në Angli nga 117 vdekje të reja 50 i kishin marrë të dyja dozat. Në Izrael llogaritet që vaksina mbulon 64% të atij që e ka marrë. Të njëjtat firma farmaceutike kanë deklaruar zyrtarisht se është e pamundur të parashikohen dëmet e vaksinës në afatgjatë, meqenëse nuk kanë qenë në gjendje që t’i bënin të gjitha testet gjenotoksitetit dhe kancerogjenicitetit. Revista “Nature” ka përllogaritur që sidoqoftë fiziologjikisht 15% e popullsisë nuk do ta marrë vaksinën. Pra për sa kohë do ta përdorim Green Pass-in?

Të gjithë janë të kërcënuar nga praktikat diskriminuese. Paradoksalisht, më shumë “të aftësuarit” e Green Pass-it sesa të pavaksinuarit (të cilët propaganda e regjimit do të donte t’i trajtonte si “armiq të shkencës” e madje ithtarë të praktikave magjike), nga momenti që të gjitha lëvizjet e tyre do të ishin të kontrolluara dhe kurrë nuk do të merrej vesh se si dhe nga kush. Nevoja për të diskriminuar është e lashtë sa shoqëria, e sigurisht ajo ka qenë e pranishme edhe në shoqërinë tonë, por të bërit e saj sot ligj është diçka që vetëdija demokratike nuk mund ta pranojë dhe kundër së cilës duhet sakaq të veprojë.

E përktheu Alfred Bushi

Imazhi: Napolike

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.