Studenti kthehet në shtëpi
/Klodi Leka/
Pak ditë kanë mbetur nga kthimi i studentëve në shtëpi. Krishtlindjet dhe gëzimet e tjera të fundvitit i japin mundësi gjithsecilit të kthehet në gjirin e familjes për të kaluar disa ditë të bukura e të rehatshme. Kjo është ideja! Mirëpo mbase nuk do të ngjajë kështu. Për shumëkënd rrëfimi i zakonshëm familjar ka për të qenë tejet i vështirë. Si dhe gëzimet në kushtet e rritjes spekulative të çmimeve dhe rënies së të ardhurave ekonomike.
Kjo krizë ka prekur së fundmi edhe universitetin. Logjika mbetet e njëjtë: rritje spekulative e tarifave dhe kostove të jetës studentore dhe rënie drastike e fuqisë paguese. Ndaj dhe rrëfimi studentor për mbarëvajtjen e jetës, shkollës dhe kryeqytetit është kaq i parehatshëm. Babait ka për t’i thënë se tashmë i duhet të sigurojë shumë më shumë të ardhura për shpenzimet e shkollës, konviktit dhe nevojave të tjera, pavarësisht punës apo papunësisë së tij. Nënës se kafshata duhet përgjysmuar. Vëllezërve, fqinjëve dhe gjithë ëndërrimtarëve të tjerë se dëshira për të shkuar në universitet është e pamundur, pasi reformat qeveritare në bashkëpunim me kastat burokratike po e kthen të drejtën e shkollimit në privilegj ekonomik.
Më tej. Rrëfimi ka për të qenë edhe më tragjik. Prindërve dhe çdokujt që akoma rron me iluzionin e universitetit klasik, atyre që përgatisin qytetarë të ndërgjegjshëm dhe punëtorë profesionistë do tu thuhet se kjo ide ka marrë fund tashmë, në pastë ekzistuar ndonjëherë. Se universiteti nuk të bën student, por kafepirës jo dhe aq për fajin tonë. Se profesorët nuk ngjallin më kureshtje dhe admirim, por përçmimin e sofistëve, të tregtarëve të dijes. Se bibliotekat (ah bibliotekat!) janë imazhe romantike pa baza reale, pasi për to pakkush flet dhe pakkush i ka vizituar. Se konviktet nuk janë vatra të ngrohta me kushte normale banimi dhe studimi, por dhomëza skandaloze pa kushtet minimale të ngrohjes dhe higjienës. Se mensa publike është mit i realizmit socialist.
Rrëfimi medoemos ka për të qenë edhe politik. Askush s’i arratiset politikës. Studenti ka për të rrëfyer se kartat e famshme studentore rezultuan rrenë çmeritëse e burokratëve; se këshillat studentorë kanë rënë me kohë; se bursat dhe lehtësirat e tjera sociale të shtetit janë shpikje humoristike sa për të larë gojën; se abonetë nuk kushtojnë 600 lekë dhe as që gjenden në kioskat përkatëse, por trifish më shumë në tregun e zi; se domosdoshmëria studentore për të vizituar teatrot, operat dhe institucionet e tjera të kulturës as që ia vlen të diskutohet.
Përballë këtij rrëfimi familjarët do të shokohen jo pak. “Si është e mundur?!” – do të sokëllijë babai i tensionuar. “Ne kemi dëgjuar nga kryeministri dhe televizionet se reforma nuk do t’i rrisë tarifat, se universiteti do të bëhet serioz dhe i punës, se në konvikte po investohet dhe se studentëve po u përmirësohen kushtet, se burokratët e korruptuar do të zbohen dhe se profesorët do të disiplinohen!” Por si, si është e mundur vallë?! “Ngaqë ke dëgjuar së tepërmi kryeministrin televizioneve i dashur baba, ja pse!” – do të belbëzojë studenti ironik.
“Por, nuk ke dëgjuar televizioneve për lëvizjen studentore, për asambletë dhe zaptimet, për ligjëratat dhe zemërimet. Sepse televizionet janë vënë në shërbim të pallavrave kryeministrore. Nuk ke dëgjuar për këngët e reja dhe kërkesën realiste për arsim publik falas, baba! Sepse televizionet janë kthyer në skena mediokre për këndezë banalë, të cilët s’bëjnë gjë tjetër veç të dhunuarit mendërisht me logjikën e krizës. Por ti mos u mërzit, ne po lëvizim, po këndojmë, po veprojmë. S’kemi për t’iu bindur reformave, tarifave dhe logjikave të tyre. Ne kemi për t’i përmbysur ato” – do të thotë studenti me grushtin dhe buzëqeshjet e ngritura gjithë zemërim.
E bash për këtë arsye, ditën e enjte në orën 10 në oborrin e Korpusit Qendror (Politeknikut) do të mbahet një asamble universitare me pjesëmarrje të gjerë studentësh e pedagogësh për të diskutuar rreth babait naiv të rrënuar ekonomikisht dhe birit të në kryengritje e sipër.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.