Ç’do të thotë të jesh revolucionar sot?

/Slavoj Žižek/

Në vend të pyetjes së çmendur se a është ideja e komunizmit ende me vend, duhet të bëhet pyetja e kundërt: si duket gjendja jonë nga perspektiva e komunizmit? Kjo është dialektika mes të vjetrës dhe të resë.

Komunizmi, në terma hegelianë, është universalitet konkret, është i përjetshëm jo në kuptimin e tipareve abstrakte të cilat mund të aplikohen në secilën situatë, por në sensin që ai ka aftësinë, potencialin e të rizbuluarit në secilën situatë të re historike. Për të qenë i saktë, ajo çka është e përjetshme në komunizëm është të rizbuluarit e tij të herëpashershëm.

Për të qenë revolucionar sot duhet ta shohim problemin parimor te vetë kapitalizmi, jo në problemin teknologjik, jo në manipulimin e natyrës, jo në politikën autoritare, madje as në racizëm dhe seksizëm, por në totalitetin e kapitalizmit. Megjithëse mund të duket utopike, duhet t’i përmbahemi kapërcimit të kapitalizmit si qëllim i mbramë. Nuk mjafton kapitalizmi me fytyrë njerëzore, në kuptimin që disa të majta e përfytyrojnë kapitalizmin me fytyrë njerëzore – “pak më të mirë”, “pak më tolerant”. Ky është minimumi i pangegociueshëm i të qenit revolucionar komunist sot, por gjithashtu s’vlen as kthimi te ndonjë formë e vjetër e socializmit historik, edhe nëse maskohet me luftën antikolonialiste.

Utopia nuk është ëndërr konservatore e rifitimit të disa të kaluarave të idealizuara para kataklizmës, as imazhi i një të ardhmeje të ndritur, aq më pak utopike është ideja liberalo-pragmatiste që ne mund t’i zgjedhim problemet gradualisht një e nga një.

Kur ne bëjmë pyetje radikale, zakonisht përgjigja është “njerëzit po vdesin në Ruanda kështu që harrojeni luftën antiimperialiste, por parandalo masakrën!”; ose “ t’i harrojmë këto debate teleologjike për kapitalizmin global, e të bëjmë diçka se njerëzit po vdesin”. Situata revolucionare ndodh kur pikërisht afrimi hap pas hapi në mënyrë realiste-pragmatiste nuk ecën. Kjo është utopia e vërtetë. Kjo do të thotë se duhet të luftojmë kundër racizmit, kundër seksizmit etj., ne duhet të bëjmë aleanca taktike me të gjitha të majtat liberale, ne duhet të bashkëpunojmë edhe me liberalët të cilët thonë se duhet t’i mbrojmë vlerat e demokracisë.

Rishpikja e komunizmit do të thotë gjithashtu se nuk është e mjaftueshme të lidhemi me idenë e komunizmit. Prirjet që çojnë në atë drejtim duhet t’i lokalizojmë ose gjejmë brenda problemeve tona, në antagonizmin konkret që nuk mund të zhduket brenda hapësirës së kapitalizmit global.

Situata historike sot jo vetëm që nuk na detyron ta braktisim nocionin e proletariatit, përkundrazi ajo na detyron që ta radikalizojmë nocionin marksist të proletariatit, të punëtorit të shfrytëzuar produkti i të cilit qëndron larg tij; ai është reduktuar në subjekt pa substancë. Ajo duhet të radikalizohet në nivel ekzistencial, përtej imagjinatës marksiste, në një subjekt të reduktuar në një pikë jetëshkurtër të cogito-s karteziane.

Ne duhet ta rinovojmë Marksin, jo duke bërë kompromis me Marksin sepse ai ishte shumë utopik, por duke i shtyrë nocionet e tij të proletarizimit edhe më tej, deri në nivel apokaliptik.

Ajo që duhet të shërbejë sot si fillimi i të qenit komunist është lokalizimi në vazhdim e sipër i këtyre dimensioneve të proletarizimit.

Përkthyer nga: Arlind Manxhuka

Marrë dhe përkthyer nga ligjërata e Slavoj Žižek-ut: What does it mean to be a revolutionary today

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.