/Liri Kuçi/
Së vogli kultivohemi se në jetë duhet të jemi punëtorë: kush punon fiton, duhet të punosh që të bësh përpara (i parë, për+para!). Me erërat moderne e postmoderniste të fryra së këndejmi, sot ne e gjejmë veten bash një popull shumë punëtor, që gjithnjë e më shumë po ecën për+para.
Sigurisht që kur në vegjëli na thoshin se duhet të ishim punëtorë, kuptonin këtu punëdashës, pra jo dembelë, paçka se në njëfarë mënyre ajo çka kanë uruar e dëshiruar po realizohet literalisht: sot po rritet një brez punëtorësh. Punëtorë në ndërtim, punëtorë në fasoneri, në fabrika e call center-a. Sot me demek atë që do ta kesh duhet ta blesh, ndaj duhet të punosh që të blesh e ta kesh. Të paguash, të blesh, të kesh (Cash-kesh) është lidhorja që na bën të jemi të parët për të bërë par(a). E ky popull që s’ble se s’ka, së pari detyrohet të shesë, të shesë të vetmen gjë që zotëron, fuqinë e vet punëtore. Detyrohet kështu të shitet, sa më lirë, e në të parin rast që i jepet.
Pas rrymës reformatore që mësyu së fundmi në Shqipëri, meqë na duhet të blemë gjithçka – ushqimin, jetesën, veshëmbathjet deri edhe shkollimin – s’mbetet veçse të shesësh shpirtin, “t’i shesësh shpirtin shejtanit”. Kupto: shejtani i barazvlefshëm me pronarin, privatin, shtetin, që ndodh të përbëjnë një gjëkafshë të përbashkët të përbindshme; shejtanin shtet-pronar privat që po përpin çdokënd.
Shoqëria është kthyer njëmend në “shoqëri kontrolli”, në atë që Foucault-ja e ka pranuar si të ardhmen tonë të afërt, duke parashikuar krizë të madhe e cila manifestohet me reforma në shkolla, industri, spitale e burgje. S’ka pse të habitemi nëse burgu sot i ngjan uzinës, spitalit apo shkollës përderisa të gjitha këto ngjajnë si burgje! “…Por të gjithë e dinë se këto institucione kanë marrë fund herët a vonë. Bëhet fjalë vetëm t’u zgjatet agonia, të merren njerëzit me diçka sa të zënë vend forcat e reja…”. Logjika e tregut, ideja e vendimmarrjes (apo sipërmarrjes), diktojnë sot fatalisht funksionimin e brendshëm, dhe jo vetëm, të të ashtuquajturave institucione publike, por që nxisin dhe një lloj sjelljeje hipnotike të publikut.
“Suksesi më i madh i lojërave televizive sot, shpjegohet pikërisht me faktin se ato pasqyrojnë dhe përputhen me situatën aktuale të ndërmarrjes… Na thonë se edhe sipërmarrjet paskan shpirt, gjë që është përnjëmend lajmi më i frikshëm në botë. Marketingu është bërë mjeti sundues i kontrollit shoqëror dhe po na formon racën e pacipë të eprorëve të rinj.” Njësoj po ndodh edhe këtu me aplikimin e ligj-reformës në arsimin e lartë. E gjithë davaja orientohet kah ideja e sipërmarrjes, pra kthimi i universitetit në një ndërmarrje private, e cila nxit një konkurrencë të pamëshirshme nën emrin e emulacionit të shëndoshë, shtysë e shkëlqyer që i kundërvë fakultetet e studentët midis tyre, duke i përçarë në vetvete.
Sikur të mos mjaftonte e pamëshirshmja konkurrencë përpirëse e logjikës së funksionimit të institucioneve publike, tashmë jo çdokush e ka të mundur të jetë pjesë e të tillë konkurrence (që i përngjan vërtet një loje idiote televizive) sepse, përpara se të hyjë në fakultet, çdo student peshohet njëherë monetarisht. Nëse nuk arrin ta paguash dot shumën e kripur të universitetit, atëherë studenti le të vrasë veten! E sido që të tingëllojë, le të vrasë veten, mor’ po le të punojë! Mirëpo po sikur të vrasë veten teksa punon, si bëhet kësaj?
Diçka e tillë ka ndodhur dhe s’është bërë gjë hiç! Rasti konkret është i Bestarit, të riut nga Durrësi i cili, për shkak pamundësisë ekonomike dhe dëshirës së paepur për të vazhduar studimet e larta, detyrohej të punonte në ndërtim, ku me një pjesë të të ardhurave të mbante familjen e me tjetrën të shkollohej. Që prej një viti, Bestari ishte shtylla e vetme e familjes së tij, pasi i ati ndërroi jetë një vit më parë. Edhe pse duhej të fillonte studimet e larta universitare, iu desh të punonte për një periudhë të gjatë që të siguronte të ardhura të mjaftueshme për shkollimin e mëtejshëm, por edhe për nënën e të motrën, pasi shteti nuk garantonte asnjë lloj mbështetjeje as për mbijetesën e familjes së tij, as për studimet e Bestarit. Pavarësisht vetësakrifikimit të së ardhmes së tij, gjithçka rezultoi të ishte fatale për të. Teksa punonte gjatë verës, Bestari u rrëzua nga skela dhe ndërroi jetë një muaj më parë. Nuk mundi ta gëzonte ëndrrën për t’u bërë infermier as në të hyrë të kësaj vjeshte. Humbja e birit të një familjeje, e shokut të të shumtëve dhe qytetarit të këtij vendi, u përtyp hidhur nga një rreth i ngushtë, por pa vëmendje a reagim më gjerë, ashtu siç duhej të ndodhte. Pasiguria e të ardhmes së familjes së tij vazhdon të avitet nëpër këmbë edhe sot, pasi shteti e instancat përkatëse nuk kanë marrë asnjë masë për sigurimin e jetesës së tyre. Jo vetëm kaq, por edhe pse në më shumë se një muaj pas ngjarjes nuk është bërë asnjë çapitje për kontrollin e kushteve të punës në të cilat detyrohen të punojnë shumë të tjerë sot. Puna në të zezë sot veçse e pasiguruar, pa kushte e shfrytëzuese, tanimë është e pamatshme dhe e pallogaritshme shoqërisht jo vetëm për fitimet, por edhe për dëmet e pakthyeshme që shkakton.
More mirë që arsimin po e privatizojnë, mirë që po konkurrojnë universitete për fonde e studentë për letra të ambalazhuara si diploma, apo sa mirë akoma që u dashka të punojnë paraprakisht apo gjatë studimeve për të blerë të drejtën e arsimit! Po pse kaq rëndë duhet paguar fatura e të qenit student?! Të përçudnuar, pa përkrahje, punëtorë në universitet, të shfrytëzuar e të zhveshur nga çdo e drejtë, a nuk mjafton?! Duhet edhe e përtejmja?!
E pra momenti kur njerëzit bëhen të famshëm, u përkujtohet vepra, u thuren lavde, u ngrenë buste e emërtojnë shtëpi-muze për nder të tyre do të ndodhte vetëm utopikisht në këtë rast, pasi për të gjorët njerëz të thjeshtë, punëtorë-punëdashës (e të detyruar) me aspirata të pastra për jetën, dijen, as që i vë kush në kandar.
Sot sipërmarrjet që shtojnë makinat, ulin rrogat, zgjasin oraret e punës e nënshtrojnë punëtorët janë zgjidhja optimale që tregu e shteti ofrojnë për njerëzit që të jetojnë e të arsimohen. Sheshit sot kanë dalë në shitje! E drejta shitet si shërbim, shërbimi si cilësor, shkolla si privilegj e jeta si detyrim që nuk mund ta kryesh po nuk e pe veten herët a vonë në klientelën e gjithçkashitshme.
Shpirtshitur, dritëshkurtër! Institucionit të sotëm të munguar të dijes, universitetit të mohuar e të pabanuar i duhet biletë nga e përtejmja.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).