Përgjigje Tarifës

/Arlind Qori/

Nga ku tjetër përveçse në pisqollën propagandistike e pronarit të vet, gazetën Mapo, do të vinte sulmi i radhës ndaj kundërshtuesve të reformës klienteliste në arsimin e lartë?! E provuan me qasje telenoveliste të shpjegimit të radikalizmit shoqëror me mosbërjen e seksit sa dhe si duhet, nxitën rektorë e studentë si entitete eksperimentesh pavlloviane të organizohen në forume e të mbajnë qëndrime publike pikërisht si reagim ndaj rivendosjes në qendër të vëmendjes publike të ligjit të arsimit të lartë nga aktivitetet simbolike dhe masive të Lëvizjes Për Universitetin, por nuk mjaftoi. Lypej edhe “margaritari” polemizues i Fatos Tarifës, rektor i Universitetit të Nju Jorkut Tiranë.

Përpara se t’u jap përgjigje kritikave përmbajtësore, dua të merrem një fije me mungesën e minimumit të etikës së komunikimit publik. Tarifa shkruan se është nxitur për të shkruar nga shfaqjet e mia publike në dy debate televizive, përkatësisht në Top Show dhe Zonë e Lirë, në të parin prej të cilëve e kisha përballë. Mirëpo siç thotë, me kërkim ndjese, emri im nuk i kujtohet. E besoj që është ashtu, mirëpo mund t’i shpenzonte tri sekonda kohë për të gjetur emrin e mbiemrin tim, kësisoj i jepte mundësi edhe lexuesve të tij të orientoheshin e jo të kërkonin në tym armikun imagjinar. Sidoqoftë, harrimi dhe mospërmendja e emrit të personit idetë e të cilit të kanë prishur rehatinë për t’ju përgjigjur me një shkrim të tërë nuk duhen parë vetëm si mungesë etike komunikimi publik, por edhe si tentativë për ta vendosur veten badihava në një pozicion të epërm thëniesimi prej të cilit tjetri mezi shihet dhe është i papërfillshëm. Jo se është vërtet i tillë, por se vetëpozicionimi si autoritet akademik imagjinar e bën harrimin nistor t’i japë argumentit forcën që nuk e ka. Pra Tarifa nuk arrin në përfundimin se joserioziteti i argumenteve të mia e justifikon mosmbajtjen mend të emrit, por nga mosmbajtja mend e emrit arrin në përfundimin se argumentet e mia nuk janë serioze.

Unë, nga ana tjetër, ia di emrin Fatos Tarifës. Për kuriozitet, jo se dua të përhap ndonjë insinuatë, emrin ia kam mësuar gjatë majit të vitit 2005, kur, akoma më i ri se sot, informohesha nga regjistrimet e transmetuara në media se Tarifa, ambasadori ynë i atëbotshëm në Uashington, bënte allishverishe me punë tenderash. Gjithsesi jam gati të vë dorën në zjarr se kanë qenë shpifje dashakëqija se zotnia duket goxha burrë.

Me punën e tij shkruese, paskëtaj, jam njohur aq pak sa më kanë lidhur studimet në kritikën e karakterit ideologjik të ligjërimit politik në Shqipëri, ku kam përdorur si objekt kritike edhe nja dy libra të tij të cilët as po i përmend, as po i gjykoj se lexuesi do të më konsiderojë të anshëm. Më seriozisht akoma më kanë lidhur me të dhe tre kolegë të tij të UET-së botimet e njëpasnjëshme në vitet 2012-2013 nga UET Press të katër librave me fokus nevojën e reformimit të arsimit të lartë, reformim i cili, për të katërt, duhej bazuar ndër të tjera në lejimin e universiteteve private (të transformuara ose jo në entitete jofitimprurëse) për të përfituar financim nga shteti. Nga libri i Tarifës mund të sjell në vëmendjen e publikut mufkën e evidentimit të universiteteve private si institucione të cilat, në krahasim me universitetet publike, kanë “…një liri akademike substancialisht më të madhe për stafet pedagogjike…”[1] Mufkë logjike se do guxim intelektual prej marroku të përdorësh edhe ndajfoljen “substancialisht”, edhe mbiemrin në shkallën krahasore “më të madhe”. Substancat dallojnë prej njëra-tjetrës në cilësi dhe jo në sasi. Nëse universitetet private do të dallonin substancialisht nga ato publike, logjika ta do që ato të konsideroheshin vatra të lirisë akademike, kurse universitetet publike shkretëtira të kësaj lirie. Gjithsesi prirem të besoj se mufka logjike ka qenë thjesht lapsus.

Kështu që po merrem me mufkën përmbajtësore, e cila ka rëndësi pikërisht për të kritikuar ligjin aktual në arsimin e lartë. A ka liri akademike më të madhe në universitetet private sesa në ato publike? Lakmuesi është i thjeshtë: Nëse ka liri akademike brenda një institucioni, kjo varet nga shpeshtësia dhe radikaliteti i kritikës së brendshme, pra i kritikës që universitarët i bëjnë institucionit ku punojnë dhe drejtuesve të tyre. Pavarësisht se Tarifa pretendon gabimisht se unë e të tjerë aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin nuk i kritikojmë institucionet ku punojmë e studiojmë dhe drejtuesit e tyre (mjafton të përmend zaptimin e Fakultetit të Shkencave Socialenëntorin e shkuar ku objekt kritikash dhe akuzash janë bërë edhe dekani i FSHS dhe rektori i UT apo shkrimin tim kritik ndaj pushimit kryekëput të padrejtë dhe të motivuar privatisht të kolegut Hysamedin Feraj nga dy të parët), as ai, askurrkush prej kolegëve të tij në institucionet private nuk bëzan as kritikën më të vogël ndaj mënyrës se si shkojnë punët në institucionet e tyre. Jo vetëm kaq, por nuk kanë as luksin të heshtin, por duhet medoemos, për të justifikuar pagën, jo të përdorin megafonin, siç më duhet mua për t’u folur të shumtëve, por të bëhen vetë megafona të interesave të pronarëve të tyre duke e mjeruar në langaraqosje figurën e profesorit dhe intelektualit.

Jo më kot kolegët dhe bashkëmenduesit e Tarifës në komisionin qeveritar të reformimit të arsimit të lartë, paçka se me spaleta akademike pompoze, kanë hartuar drafte dhjetërafaqëshe të përmbytura nga fjalë si treg, po ku nuk gjendet askund, për besë askund, as sa për sy e faqe, koncepti mendim kritik apo kritikë – abc-ja e çdo përpjekjeje studimore shkencore. Pikërisht pamundësia strukturore e vetëkritikës së universiteteve me pronar e mësimdhënës me mëditje më ka shtyrë, ndër të tjera, të mos i konsideroj universitete, por diplomore.

I quaj diplomore jo për të fyer studentët apo ndonjë koleg të heshtur që s’bëzan për të marrë rrogën, por sepse, së pari, të thuash universitet privat është oksimoron, pra termat kundërshtojnë njëri-tjetrin. Ose kemi universitet (universalitet të hapur e demokratik), ose kemi privatësim, privim e përjashtim (tarifa të larta, despotizëm edhe ligjor të pronarit etj.). Së dyti, si ndërmarrje fitimprurëse, ato ofrojnë shërbim për një kërkesë masive. Çfarë kërkon tregu sot në Shqipëri? Studiues të mirë? Profesionistë të zotë? Shumë pak, ose jo aq shumë sa do të justifikonte investimet masive në arsim. Në një vend periferik si yni, tregu kërkon punonjës administrate për të siguruar tjetërsimin dhe privatizimin e të mirave publike dhe punonjës privatë të punësuar kryesisht në firma me marrëdhënie klienteliste me qeverinë e ku, përpara zotësive, qëndron trafiku i interesave. Pra tregu kërkon diploma, diplomoret ofrojnë diploma. A nuk falin e shesin diploma edhe universitetet publike? Rëndom po. Mirëpo ndryshe nga privatët që kësisoj përmbushin natyrën e tyre si ndërmarrje që u intereson parësisht fitimi, publiket kësisoj e tradhtojnë natyrën e tyre. Marrim një shembull krahasimor: Po sikur privatët të mos shisnin nota e diploma, por të kërkonin hesap studimor rigorozisht? Do të falimentonin në masë. Po sikur të gjithë pedagogët që falin apo shesin nota te publiket të reshtnin së vepruari kësisoj? Universitetet publike, si institucione pa qëllim fitimi dhe me financim bazik të garantuar, jo vetëm që nuk do të mbylleshin, por do të lulëzonin duke përmbushur natyrën e tyre. Këtu qëndron një nga arsyet e kundërshtimit të reformës privato-qeveritare. Do t’i shtyjë universitetet publike të kthehen në diplomore që falin diploma për të mbijetuar në treg.

Për të shpjeguar nga pikëpamja sistemore karakteristikat e diplomoreve në një vend si Shqipëria më është dashur të përdor qasjen teorike të Immanuel Wallerstein-it mbi marrëdhëniet midis qendrës dhe periferisë së kapitalizmit si sistem-bote. Sigurisht që Tarifa i jep të drejtën vetes të më kritikojë për cektinë e interpretimit të Wallerstein-it, por pa dhënë asnjë argument përveç llogjeve të tipit: Ta dinte Wallerstein-i “… se teoria e tij do të kuptohej, ose do të interpretoj kaq keq, si në rastin në fjalë, ai, ndoshta nuk do ta kishte marrë mundimin t’i kushtonte jetën dhe krijimtarinë e tij përpunimit të një teorie të tillë.” Bën vaki dhe e interpretoj keq Wallerstein-in, por ndërhyrja e Tarifës jo vetëm që nuk më privilegjon duke më ndriçuar, por prej saj kuptoj se këshillat duhet t’i kërkoj tjetërkund pasi Tarifa me ç’duket rreth Wallerstein-it, paçka se i përket sociologjisë si vetë ai, do të ketë lexuar vetëm paragrafin hyrës të artikullit të Wikipedia-s. E vërej këtë sepse bën një ngatërresë që gjuhësisht duket e imët, por që për njohësit e Wallerstein-it është me rëndësi parësore. Atë që Wallerstein-i e quan sistem-bote (world-system), Tarifa ynë e sjell si sistem botëror (world system). Po e lë ta bëjë vetë Wallerstein-i dallimin: “Vini re vizën në mes në fjalët sistem-bote, ekonomi-bote dhe perandori-bote. Vënia e vizës në mes ka pasur për qëllim nënvizimin e faktit se nuk po flasim për sisteme, ekonomi, perandoritë (mbarë) botës, por për sisteme, ekonomi, perandori që janë botë (megjithëse me mjaft mundësi dhe zakonisht, nuk e përfshinin krejt globin).”[2]  Apo më imtësisht akoma kur e lidh edhe me ekonominë: “Është sistem ‘bote’ jo sepse përfshin të gjithë botën, por sepse është më i gjerë se çdo njësi politike e përkufizuar juridikisht. Dhe është ‘ekonomi-bote’ sepse fija lidhëse bazike midis pjesëve të sistemit është ekonomike, paçka se diçka e tillë është përforcuar në njëfarë mase nga lidhjet kulturore e eventualisht edhe marrëveshjet politike…”[3]

Po si më vyen Wallerstein-i për të kuptuar reformën në arsimin e lartë në Shqipëri? Jo vetëm duke iu referuar veprave të tij që kanë për synim të drejtpërdrejtë trajtimin e strukturimit të universitarizmit dhe shkencave shoqërore si sheshuese të fërkimeve që sjell zhvillimi i kapitalizmit si sistem-bote[4], por edhe duke nxjerrë rrjedhoja nga diferencimet e thella nënstrukturore që ndajnë vendet e qendrës nga ato të periferisë si Shqipëria. Wallerstein-i mendon se si rezultat i pabarazive që rezultojnë në zhvendosje të tepricave nga periferitë drejt qendrave, ekonomia kapitaliste i ngjason disi ideologjisë së tregut të lirë vetëm në vendet e qendrës. Ato prodhojnë privilegjet e shteteve të forta, burokracive të qëndrueshme dhe profesionale, ndarjen relative të shtetit nga transaksionet ekonomike të brendshme, përqendrimin e kapitalit prodhues dhe financiar, punën e kualifikuar, mbizotërimin e shtresës së mesme etj. Në vendet e periferisë, të zëna në rrjetën e strukturës së sistemit-botë kapitalist, mbizotërojnë marrëdhënie shoqërore parakapitaliste ose të një kapitalizmi të hibridizuar të cilat mbështeten kryesisht në eksportet e lëndëve të para, prodhimi i mallrave që kërkojnë punë më pak të kualifikuar, mbizotërimin e punëve shtëpiake ose të formave të aktiviteteve të vogla të ekonomisë së mbijetesës. Prej tyre mund të nxirret edhe rrjedhoja që në të tilla vende, si Shqipëria, shteti dhe biznesi i madh nuk janë entitete relativisht të pavarura si në vendet e qendrës, por të ndërthurura në marrëdhënie patronalo-klienteliste të cilat, ndryshe nga ç’mendojnë qytetërimoristët, nuk bazohen në veçoritë kulturore të popujve, por në hierarkizimin e vendeve si hallka të kapitalizmit si sistem-bote. Kjo më shtyn të mendoj, si më sipër, se privatët në Shqipëri nuk i përgjigjen një kërkese për dije, por për diploma.

Tarifa i referohet po ashtu shkëmbimit të batutave në emision në të cilin, pasi e konsideroi qasjen time për çlirimin e njeriut nga domosdoshmëria e mbijetesës ekonomike si kërkues të “shoqërisë komuniste që idealizoi Marksi”, iu përgjigja të mos e trajtonte Marksin si teoricien idealist, por si materialist. Tarifa më përgjigjet duke bërë dallimin midis filozofisë idealiste dhe idealizimit si proces i përkryerjes apo absolutizimit të një qenieje. Sigurisht që filozofia idealiste (Kanti, Fihtja, Shelingu, Hegeli etj.) nuk mund të reduktohet në terma me konotacion edhe moralizues si ideali apo idealizimi. Gjithsesi ideali (idealizimi) është produkt i idealizmit filozofik pikërisht sepse mendon se përkryerja e një qenieje arrihet në përmbushjen e saj e cila nuk kushtëzohet nga rrethanat materiale (ose raportet shoqërore), por nga një ngulmim imanent i vetë idesë që gjendet brenda qenies. Në këtë kuptim, Marksi as mund të trajtohet si mendimtar idealist (për çka bie dakord edhe Tarifa), as komunizmi si koncept nuk mund të marrë trajtën e idealit përderisa, së paku për Marksin e “Ideologjisë gjermane”, “komunizmi … nuk është një gjendje që duhet krijuar, nuk është një ideal të cilit duhet t’i përshtatet realiteti. Ne quajmë komunizëm lëvizjen reale, që i jep fund gjendjes së tanishme. Kushtet e kësaj lëvizjeje rrjedhin nga premisa që ekziston tani.”[5] Edhe po të mos e ketë lexuar “Ideologjinë gjermane”, Tarifës do t’i mjaftonte kërkimi pakminutësh në rrjet për të gjetur këtë pasazh të shumëcituar të Marksit i cili, ndryshe nga ç’i mvesh Tarifa, nuk mendon se komunizmi është ideal e, për pasojë, nuk ka ç’idealizon. Pra komunizmi nuk do të ishte realizim i ndonjë ideje abstrakte të njeriut, as lartësim në nivelin e idesë platoniane, por produkt i pamundësisë për të kapërcyer kontradiktat shoqërore brenda kapitalizmit. Duke parafrazuar Žižek-un, komunizmi nuk duhet parë si shoqëri e përkryer e së ardhmes, por si emri i kontradiktave të papajtueshme të kapitalizmit dhe i tentativës për të mos pranuar përjetësinë e këtyre kontradiktave. Ai është veprimi subjektivizues i futjes në krizë dhe i transformimit të tyre.

Tarifa vëren qortueshëm, nga ana tjetër, pohimin tim në “përfytjen” televizive me përfaqësuesit e diplomoreve private, se nuk kam ndonjë qejf të madh për t’u marrë me politikë pasi bëj punën më të bukur në botë: më paguajnë për të lexuar. Jo “vetëm” për të lexuar – siç më keqciton ai, por për të lexuar. Afërmendsh që puna ime apo e kolegëve të mi as konsiston, as do të duhej të konsistonte vetëm në të lexuarit për hir të të lexuarit. Mirëpo Tarifa ndoshta nuk arrin të kuptojë se në një debat televiziv, ku nuk përdoret vetëm arsyeja e ligjërimit universitar, por edhe retorika e artikulimit të kauzave qytetare, e folura mund të jetë edhe sinekdokike. Pra theksimi i një tipari të së tërës i cili, si i spikatur, mëton të përfaqësojë të tërën. Për aq sa e përfytyroj unë botën, të lexuarit e ka të tillë spikatje, madje edhe subversive ndaj ideologjisë hegjemone pjesë propaganduese e të cilës është edhe shkrimi i Tarifës.

Tjetër kritikë e Tarifës, së cilës ia vlen t’i përgjigjem për hir të përdorimit të shpeshtë të saj, është se kundërshtuesit e reformës klienteliste qeveritare nuk janë veçse një grusht radikalësh apo militantësh. Edhe sikur te kundërshtuesit të rendisim vetëm aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin dhe studentët e pedagogët që solidarizohen me kauzën në protesta, numri del të jetë i konsiderueshëm. Me sa më thotë kujtesa, hiq protestat kundër armëve kimike, në protestën tonë të fundit ka pasur dukshëm më shumë pjesëmarrës se në të gjitha protestat e pavarura nga partitë politike të realizuara në dekadën e fundit. Mirëpo kundër financimit të diplomoreve private, shkurtimit të fondeve për universitetet publike, cenimit të autonomisë organizative dhe lirisë akademike nuk kemi dalë vetëm ne, por mbarë trupa pedagogjike e shprehur në vendime kolegjiale departamentesh, këshillash fakulteti e senati së paku të Universitetit të Tiranës. Për të mos përmendur pastaj qëndrimin e Forumit për Liri Akademike, nismëtar, ndër të tjera, edhe i një peticioni kundër ligjit aktual të firmosur nga qindra pedagogë. Në fakt i pakët sa një grusht është numri i mbështetësve të ligjit. Hiq qeveritarët, që e kanë për detyrë të mbrojnë profkat e tyre, pothuajse të gjithë mbështetësit publikë të saj kanë qenë pronarë diplomoresh private, drejtues akademikë të tyre si Tarifa dhe një numër rrogëtarësh pedagogjikë të tyre që recitojnë në kor koreano-verior të njëjtin tekst. Sa do prekej Orwell-i po ta dinte se në fushën akademike do të ripohohej me forcë parulla: Liria është skllavëri!

Në mbyllje, s’po dua të merrem me sugjerimet e të moçmit që na këshillon të mos e shpenzojmë rininë kot me zemërata e vrazhdësi, por të shijojmë jetën. Thjesht dua të vë në dukje se kundërshtia jonë nuk është “revolucion, kot për qejf”, por shprehje e kushteve studimore e jetësore të sa e sa studentëve të cilët, ndryshe nga revolucionarët ndërrimmendës si Cohn-Bendit-i, nuk janë çuna babi të terezitur – siç i quante Pasolini më 1968 duke simpatizuar policët si bij varfanjakësh. Studentët e sotëm u përkasin në masë shtresave të gjera shoqërore dhe në universitete ka ende vend edhe për fëmijët e të varfërve. Mirëpo si rezultat i fanatizmit neoliberal në ekonomi dhe arsim, jo vetëm ata, por edhe një pjesë e atyre që i përkasin shtresës së mesme po përjashtohen prej shkollave e po proletarizohen. Sot masa e madhe studentore detyrohet të punojë gjatë shkollës dhe të mbetet e papunë pas saj. Kjo është, parësisht, kauza e tyre mbështetës i të cilëve jam edhe unë. Dhe veza, Tarifë i dashur, nuk është as produkt i mendimit, as prodhuese e mendimit. Ajo është instrumenti kurajoz i përfytjes me dhunën qeveritare në jetën universitare publike, është çjerrësja e maskës së tolerancës qeveritare dhe tërheqësja e vëmendjes së lodhur publike nga domosdoshmëria për të shpëtuar ç’mund dhe ç’vlen të shpëtohet nga universitetet e sotme publike.

 

Shënime:

[1] Tarifa, Fatos. (2013). Arsim i lartë për një shoqëri të hapur. Tiranë: UET Press, f. 47

[2] Wallerstein, Immanuel. (2004). World-systems analysis. Durham: Duke University Press, f. 16-17

[3] Wallerstein, Immanuel. (1974). The Modern World-system I: Capitalist Agriculture and the Origins of the European World-Economy in the Sixteenth Century. Orlando: Academic Press, Inc., f. 15

[4] Shih: Wallerstein, Immanuel. (1999). The end of the world as we know it: Social Science for the Twenty-First Century. Minneapolis: University of Minnesota Press

[5] Marks, K. Engels, F. (1983). Ideologjia gjermane. Tiranë: 8 Nëntori, f. 35

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.