Diçka po ndodh me socialdemokracitë anglo-amerikane

/Redi Muçi/

Jeremy Corbyn, lideri i sapozgjedhur i Partisë Laburiste në Britani, ka mbërthyer vëmendjen e opinionit publik me planin e tij për t’i dhënë fund masave shtrënguese, për të rritur shpenzimet publike, për të  përkrahur sindikatat si dhe për të ndjekur penalisht Tony Blair-in për krime lufte. Po për arsimin në Britani, vendlindjen anglo-saksone të reformës që Edi Rama dhe Lindita Nikolla miratuan në parlamentin shqiptar rishtazi, cili është qëndrimi i kryetarit të opozitës në parlamentin britanik?

  1. Një Shërbim Kombëtar Arsimimi (NES)

Sipas Corbyn-it ky institucion do të projektohet sipas modelit të Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS). Ai do të sigurojë jetëgjatësinë e arsimimit që do jetë po aq i domosdoshëm dhe falas për të gjithë sa ç’është edhe NHS-ja.

  1. Tarifat e studimit

Fshirja totale e tarifës së studimit në universitet për të rikthyer grantet që qeveria u jep institucioneve të arsimit të lartë. Madje Corbyn-i u shpreh: “Dua t’i kërkoj falje nga ana e Partisë Laburiste gjeneratës së fundit të studentëve për vendosjen e tarifave të larta dhe zëvendësimin e granteve me hua studentore nga qeveria e mëparshme laburiste. Unë i kundërshtova këto masa në atë kohë – siç bënë edhe shumë të tjerë – dhe tani kemi mundësinë të ndryshojmë drejtim.”  Kjo masë pritet të kundërshtohet fuqimisht nga bordet menaxheriale të universiteteve, shumë prej të cilave po lobojnë për rritjen e mëtejshme të tarifave të studimit. Disa parashikime e kanë përcaktuar koston e këtij ndryshimi te vlera £10 miliardë.

  1. Shkollat private

Si shumë të tjerë Brenda Partisë Laburiste, Corbyn-i synon t’u heqë shkollat private statusin e “institucioneve bamirëse” që gëzojnë aktualisht, megjithëse e pranoi se kjo do të jetë e vështirë për t’u arritur.

  1. Studentët e punësuar në profesion

Për të gjithë studentët të cilët kalojnë një periudhë kohe të punësuar në kompani të ndryshme me qëllim përfitimin e eksperiencës, Corbyn-i propozon caktimin e një page në standardin e pagës minimale në Britani.

  1. Arsimi për adultët

Ka premtuar se do të shtojë shpenzimet e shtetit për aksesin në universitet të personave në moshë madhore që dëshirojnë të vazhdojnë studimet universitare. Ky shërbim do mbulohet nga paratë e mbledhura nga rritja e taksave për korporatat me 2%.

  1. Kujdesi për fëmijët

I sigurt se do ketë mbështetjen e prindërve, Corbyn-i ka propozuar shërbim falas për kujdesin ndaj fëmijëve në vitet e para të jetës.

***

Bernie Sanders

Rivali kryesor i Hillary Clinton-it në garën brenda Partisë Demokratike për presidentin e ardhshëm të SHBA-ve është pikërisht Bernie Sanders-i. Në debatin e fundit televiziv me konkurrentët e tjerë brenda partisë Sanders-i u shpreh: “Në 40 vitet e fundit klasa e mesme e vendit ka ardhur në zhdukje. Programin tim për arsimin do ta financoj nëpërmjet një takse mbi spekulimet e Wall Street-it, që jo vetëm do mundësojë aksesin falas në çdo kolegj dhe universitet publik për të gjithë studentët, por do të ulë shkallën e interesit të borxhit studentor, çka përbën një krizë të rëndë për vendin tonë.” Dhe më tej: “Por nëse kërkojmë arsim falas për kolegjet dhe universitetet publike, miliona të rinj e të reja duhet që të ngulin këmbë te kjo kërkesë, duke u dhënë Republikanëve një ofertë që s’mund të refuzohet.” Por cilat janë propozimet konkrete të senatorit të Vermontit:

  1. Rritja e buxhetit për përgjysmimin e tarifave

Nëse qeveria do të investonte $18 miliardë çdo vit, atëherë tarifat e studimit mund të përgjysmoheshin. Shumë prej kolegëve të mi në Washington do të thoshin se ne nuk mund të bëjmë një investim në këto shifra për të rinjtë e vendit. Por ata e kanë gabim. Nëse do të shkurtonim me më pak se gjysmë buxhetin e propozuar para dy javësh nga presidenti Obama për shpenzimet ushtarake – $561 miliard – dhe në vend të tij të investonim këto para në mundësi arsimimi për studentët e sotëm, atëherë tarifa e shkollimit do ulej me 55%. Prandaj ju sfidoj të gjithëve… pyetni veten se cili është prioriteti ynë?”

  1. Borxhi studentor

“Për mendimin tim, aspekti më revoltues i krizës së borxhit studentor është se çdo vit qeveria federale fiton miliarda dollarë nga borxhet studentore – $127 miliard në 10 vjet. Ne duhet të ndalojmë praktikën e përfitimit të miliarda dollarëve nga borxhet studentore të marra nga familjet me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Kjo është një politikë jashtëzakonisht regresive. Ne duhet të ristrukturojmë programet e huave duke i hequr fitimet nga sistemi dhe duke ua kthyer ato huamarrësve në formën e faljes së borxhit dhe uljes së interesit.”

  1. Pagat e mësuesve

Problemi kryesor moral, ekonomik dhe politik i kohëve të sotme është niveli grotesk i pabarazisë në të ardhura dhe në pasuri që po përjetojmë. Ka diçka që s’shkon kur vitin e shkuar 25 menaxherët më të pasur të institucioneve financiare (hedge funds) fituan më shumë sesa rroga e 425.000 mësuesve të shkollave publike. Na duhet të rishqyrtojmë prioritetet tona.

  1. Arsimi parashkollor

Nuk ka problem më të rëndësishëm sesa arsimimi i fëmijëve. Kam shqetësimin se në shumë raste ne po dështojmë me fëmijët tanë. Duhet të hedhim poshtë nocionin se edukimi fillon në moshën 4 apo 5-vjeçare. Për një kohë shumë të gjatë, shoqëria jonë e ka nënvlerësuar nevojën për edukim cilësor dhe gjithëpërfshirës për vitet e para të fëmijërisë.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.