Stalinizmi si kapitalizëm shtetëror

/Tony Cliff/

Tony Cliff-i është një prej kontribuuesve më origjinalë të marksizmit teorik. Qysh herët ai dallon midis trockistëve tradicionalë, të cilët i qëndronin besnikë përkufizimit të Trockit mbi Bashkimin Sovjetik stalinist si shtet punëtor i degjeneruar, duke e konceptuar atë si kapitalizëm shtetëror. Për këtë mbështetej te logjika e akumulimit të kapitalit, shtrydhja e fshatarësisë (shkulakëzimi), tejshfrytëzimi i punëtorëve (në vend të vetëkontrollit dhe vetëqeverisjes punëtore) për hir të një industrializimi të shpejtë që Bashkimit Sovjetik ia impononte rivaliteti me fuqitë kapitaliste të kohës, në kushtet e bllokimit të ndërkombëtarizimit të revolucionit etj. Pavarësisht kritikave të shumanshme, qasja e Cliff-it shërben edhe në betejën kundërideologjike të dy dekadave të fundit, në të cilën, sidomos sipas botëkuptimeve më reaksionare të mundshme, problemet e thella ekonomiko-shoqërore shqiptare burojnë nga fakti se ne akoma nuk e kemi rrëzuar komunizmin siç duhet. Cliff-i duket sikur thotë të anasjellën: pra asgjë nuk ka ndryshuar në thelb, veçse si të parin, ashtu edhe të dytin i konsideron dy forma të strukturimit kapitalist të shoqërisë. Shpërdredhja dialektike është pikërisht kjo: Paralaksisht ndryshon këndvështrimi i subjektit mbi objektin. Dhe medoemos objekti, si i ndërmjetësuar pazgjidhshëm me subjektin, ndryshon përmbajtje tërësisht. Provokuese jo vetëm politikisht, por edhe intelektualisht: Po sikur në Shqipëri kapitalizmi, anipse shtetëror, të jetë themeluar më 1944?

***

Autopsi

…Po të kishte qenë Rusia vend socialist apo regjimi stalinist shtet punëtorësh, qoftë edhe i degjeneruar a i deformuar, kolapsi i stalinizmit do të nënkuptonte se kishte ndodhur një kundërrevolucion. Natyrisht që punëtorët do ta kishin mbrojtur një shtet punëtorësh bash ashtu siç mbrojnë gjithnjë sindikatat e tyre, sado djathtiste dhe burokratike qofshin, kundër atyre që rreken t’i shkatërrojnë. Punëtorët e dinë prej përvoje se sindikata, sado e dobët, është organizatë mbrojtjeje punëtorësh. Në një vend pune me organizim sindikal punëtorët marrin paga më të larta dhe kanë kushte më të mira pune sesa aty ku mungojnë sindikatat.

A e mbrojtën punëtorët në Rusi dhe Evropën Lindore regjimin më 1989-1991? Sigurisht që jo! Punëtorët ishin tërësisht pasivë[1]. Asokohe pati më pak dhunë se gjatë grevës së minatorëve në Britani më 1984-1985. I vetmi vend ku regjimi u mbrojt, dhe dhunshëm, ishte Rumania. Po edhe aty nuk u mbrojt nga punëtorët, por nga Securitate, policia sekrete.

Së dyti, po të kishte qenë kundërrevolucion, njerëzit në krye të shoqërisë do të ishin rrëzuar. Mirëpo, karakteristikë e kolapsit të regjimit stalinist ishte se vazhdoi të ishte në krye i njëjti personel, nomenklatura, që menaxhonte ekonominë, shoqërinë dhe politikën në stalinizëm. Vitet 1989-1991 nuk ishin një hap prapa apo një hap përpara për njerëzit në krye, por thjesht një hap anash.

Kësisoj, është e qartë se nuk pati ndonjë ndryshim cilësor midis regjimit stalinist dhe atij që ekziston tashmë në Rusi dhe Evropën Lindore. Askush nuk e mohon se sot regjimi është kapitalist – ergo, ishte kapitalist që më parë…

 

Argumente kundër teorisë së kapitalizmit shtetëror

Teorisë së kapitalizmit shtetëror i janë kundërvënë tre argumente. Së pari, kapitalizmi është identik me pronën private. Në Rusi mjetet e prodhimit qenë pronë shtetërore dhe jo private.

Së dyti, kapitalizmi nuk përputhet me planifikimin. Ekonomia ruse ishte ekonomi e planifikuar.

Së treti, në Rusinë staliniste ishte e nevojshme bërja e një revolucioni politik për të ndryshuar strukturën qeverisëse, dhe kaq, ndërsa në kapitalizëm është e domosdoshme që revolucioni të jetë edhe shoqëror, dhe jo vetëm politik.

Do të merremi me secilin argument me radhë.

Më 1947 Prudoni, një socialist francez konfuz, shkroi në Filozofinë e mjerimit se kapitalizmi ishte baras me pronën private. Marksi, në kritikën dërrmuese ndaj Prudonit, të titulluar Mjerimi i filozofisë, shkruante: “Prona private është abstraksion juridik.” Nëse prona private është baras me kapitalizmin, atëherë gjatë skllavërisë kishim kapitalizëm pasi kishte pronë private; gjatë feudalizmit po ashtu. Idetë e Prudonit janë një mishmash. Forma e pronësisë është vetëm formë, dhe nuk na tregon gjë për përmbajtjen. Mund të kemi pronë private me skllavërinë, me bujkrobërinë dhe me punën me mëditje. Nëse ndonjëri na thotë: “Kam një shishe plot me gjëra”, ai s’po na thotë se me çfarë gjërash e ka. Mund të jetë verë, ujë ose plehra. Meqenëse ena dhe përmbajtja nuk janë e njëjta gjë, e njëjta përmbajtje mund të shtihet në enë të ndryshme. Uji mund të shtihet në shishe, në gotë ose në kupë. Nëse prona private mund të përmbajë skllavërinë, bujkrobërinë dhe punën me mëditje, atëherë me siguri që edhe skllavëria mund të shkojë si me pronën private, ashtu edhe me pronën shtetërore. Piramidat e Egjiptit janë ndërtuar nga skllevërit. Jam i sigurt që asnjë skllav s’i ka thënë shokut: “Shyqyr që s’po punojmë për një pronar privat, por për faraonin, pra shtetin, që na ka në pronësi.” Në kohërat mesjetare marrëdhëniet mbizotëruese ishin ato midis bujkrobërve që jetonin në fshatra dhe zotërisë feudal të çifligut. Mirëpo kishte edhe një formë tjetër bujkrobërie – bujkrobërit punonin në pronat e kishës. Fakti që kisha nuk ishte pronë private e ndokujt nuk e bënte më të lehtë barrën e skllevërve në tokat e kishës.

Po rreth argumentit të dytë, se në Rusinë staliniste kishte ekonomi të planifikuar, ndërsa në kapitalizëm nuk ka plan? E pasaktë! Karakteristikë e kapitalizmit është se ka plan në njësinë individuale, por nuk ka planifikim ndërmjet njësive. Në fabrikën e Fordit ka plan. Ata nuk do të prodhojnë një motor e gjysmë për makinë, as tre rrota për makinë. Ka komandë qendrore që vendos se sa motorë, rrota etj. do të prodhohen. Ka plan, por ka anarki midis Fordit dhe General Motors-it. Në Rusinë staliniste kishte plan për ekonominë ruse, por nuk kishte plan midis ekonomisë ruse dhe, fjala bie, ekonomisë gjermane.

Argumenti i tretë rreth dallimit midis një revolucioni politik dhe një revolucioni shoqëror bie poshtë në një situatë ku shteti është depoja e pasurisë. Franca e 1830-s pati revolucion politik. U përmbys monarkia dhe u vendos republika. Kjo nuk e ndryshoi strukturën shoqërore sepse pronarët e pasurisë ishin kapitalistët, jo shteti. Aty ku shteti është depoja e pasurisë, marrja e pushtetit politik sundimtarëve përbën marrje të pushtetit ekonomik të tyre. Nuk ka ndarje midis revolucionit politik dhe revolucionit shoqëror.

Hyrja dhe përkthimi: Arlind Qori

Marrë nga: Tony Cliff – Marxism at the Millenium

Shënime:

[1] Hiq të paktën rastin shqiptar, ku punëtoria e organizuar në sindikata, edhe pse e zhgënjyer mjaft shpejt pas 1992 dhe e shpërndarë emigracionit prej çindustrializimit neoliberal, ishte forca shoqërore kryesore antiregjim sidomos më 1991. (Shën. përkth.)

One comment

  1. Prudoni nuk e ka shkruar librin ne 1947👀😜
    Pertej shakase ( per shkak se te gjithe nxitojne, kur shkruajne, kur flasin, kur filozofojne apo gjykojne), kenveshtrimi eshte interesant, por jo bindes.

Leave a Reply to Mira Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.