Letra

Ç’përfaqëson Çe Gevara sot? Për shumëkënd fytyrën joshëse të Guerrillero Heroico-s së Alberto Kordës me shikimin e përhumbur drejt një të ardhmeje të panjohur e shpresëplotë. Por edhe më pak se kaq: fytyrën e ngrirë të ndonjë rrokstari të përhershëm, që s’mund të na thotë asgjë përpos se është bukur me qenë cool. Për të tjerë, një foto që shpreh revolucionarizimin simbolik, heqjen publike se i përkasin një dimensioni papajtueshmërie politiko-shoqërore, por që rëndom nis dhe përfundon me shëtitjen e ikonës revolucionare nëpër pub-e, si për të thënë: e kreva detyrën time revolucionare. Tani po pi një birrë me paratë e babit drejtor. Për do të tjerë, të rehatuar në vetëkënaqësinë cinike të antikomunizmit për gjithçka e kurdoherë, thjesht kriminelin e radhës komunist, atë që gjatë qeverisjes së përkohshme në Kubë s’harronte të përdorte edhe dhunën revolucionare përveç shembullit të sakrificës dhe oratorisë frymëzuese. Për të gjithë bashkë: një figurë e të shkuarës së pakthyeshme, një farë Don Kishoti, që s’tremb më as sa një dordolec fushash.

Po fusha e domethënies së Çesë është më e gjerë se kaq. Është ajo që bën shumëkënd, të rinj e më pak të rinj, të ëndërrojnë të pamundurën, ta marrin seriozisht atë, ta shndërrojnë veten në trupa politikë të çlirimit dhe emancipimit anekënd. Është emri i prapëseprapës: i të qenit i dëshpëruar në pozicionin shoqëror e prapëseprapë i të gjeturit të fuqive për t’u kryengritur; i të qenit rehat shoqërisht, kushedi mjek i ri si ai dikur, e prapëseprapë i të ndjerit turp se ecën mbi një planet me mizërinë e fakirëve që presin solidaritet me kauzën e tyre; i të dashuruarit me jetën, e prapëseprapë i gatshëm për ta falur atë; i të kushtëzuarit në një shtet a komb, e prapëseprapë i të frymëzuarit e vepruarit përtej ngushticës origjinare.

Në letrën e mëposhtme drejtuar prindërve, ai shkruan se po ndjen e Rosinantës, duke qenë i vetëdijshëm për donkishotizmin revolucionar që e degdiste prej Kongos në Bolivi. Ama donkishotizmi modern nuk është as qesharak, as dëshpërues. Si të kishte lexuar Ernst Bloch-un, ëndrrat revolucionare nuk janë makthet e natës, por ëndërrimi syhapur i ditës, flakërimi i fytyrës prej siluetës së një të vërtete që pret mendje e trupa kolektivë për t’u prodhuar në kushte shoqërore aq poshtëruese, sa vetëm të ëndërruarit dhe të vepruarit në emër të tyre do ta bënte jetën minimalisht të jetueshme. Dhe sot, më shumë se në 68-n, prej Tahririt, Taksimit, Çiapas, zaptuesve të Wall Street-it, protestuesve të Rios, e pse jo edhe Vjeshtës antikimike shqiptare, tingëllojnë aktuale fjalët e tij: Bëhuni realistë, kërkoni të pamundurën!

– Arlind Qori

 

/Ernesto Çe Gevara/

 

Letër Fidelit

Fidel,

Në këtë çast më kujtohen shumë gjëra, atëherë kur të takova te Maria Antoni dhe kur më propozove të vij, më kujtohet edhe shqetësimi rreth pregatitjeve.

Një ditë na pyetën se kënd do të duhej lajmëruar në rast vdekjeje, dhe kjo mundësi reale na befasoi të gjithëve. Pastaj kuptuam të vërtetën se në revolucion (nëse është i vërtetë), njeriu ose fiton ose vdes. Shumë ranë rrugës gjersa fituam.

Sot çdo gjë duket më pak dramatike, sepse jemi më të pjekur, sepse çështja po përsëritet. E ndjej se kam kryer atë pjesë të detyrës, e cila më ka lidhur për revolucionin kuban në dheun e saj, prandaj po përshëndetem me ty, me shokët, me popullin i cili ka ngelur i imi.

Vendosmërisht heq dorë nga funksionet e mia në udhëheqësinë e Partisë, nga pozita ime ministrore, nga grada e majorit, nga cilësia ime e kubanit. Asgjë, në mënyrë ligjore, nuk më lidh për Kubën, përveç lidhjeve të natyrës tjetërfare, të cilat emërimet nuk mund t’i presin.

Duke kujtuar jetën time të deritanishme, mendoj se kam punuar në mënyrë mjaft të ndershme dhe vetëmohuese në forcimin e fitores së revolucionit. Gabimi im i vetëm serioz ishte që nuk pata më shumë besim në ty që nga ditët e para në Siera Maestra dhe që s’i kuptova mjaft shpejt cilësitë tuaja të prijësit dhe të revolucionarit.

Kam përjetuar ditë të mrekullueshme dhe pranë teje ndjeva krenarinë që i përkas popullit tonë në ditët e lavdishme e të pikëllueshme të krizës së Karaibeve.

Rrallë ndonjë burrë shteti ka ditur të shkëlqejë aq lart sa ti ato ditë; jam krenar po ashtu që të kam ndjekur pa luhatje dhe që kam pranuar plotësisht mënyrën tënde të mendimit, të shikimit dhe të vlerësimit të rrezikut dhe të parimeve.

“Sierat” e tjera në botë kërkojnë kontributin e mundësive të mia modeste. Unë mund të bëj atë që ty s’ta lejojnë funksionet tuaja më të larta në Kubë dhe çasti i ndarjes sonë erdhi.

Ta dish se këtë e bëj me ndjenjë të përzierë të kënaqësisë dhe të dhembjes: këtu po lë pjesën më të ndritshme të shpresave të mia ndërtuese dhe qeniet më të dashura të cilat i dua, e po e lë edhe popullin i cili më ka pranuar si bir të vetin; krejt kjo edhe më tutje do të jetë pjesë e personalitetit tim. Në fushëbetejat e reja do të sjell besimin që më kë rrënjosur, frymën revolucionare të popullit tim, ndjenjën  se po kryej detyrën më të ndritshme: të luftoj kundër imperializmit kudo që gjendet. Kjo e forcon dhe e zbut qindfish çfarëdo plage qoftë.

Përsëris se e shkarkoj Kubën nga çdo përgjegjësi përveç asaj që rrjedh nga shëmbëllesa e saj. E nëse çasti im i fundit do të bie nën tjetër qiell, mendimi im i fundit do t’i dërgohet këtij populli, e veçmas ty. Ty të jam mirënjohës për mësim dhe shembull dhe do të përpiqem t’ju qëndroj besnik në të gjitha sjelljet e mia edhe më të imta. Gjithnjë jam identifikuar me politikën e jashtme të revolucionit tonë dhe këtë e bëj më tutje. Kudo që do të gjendem do të ndiej përgjegjësi, sepse jam revolucionar kuban dhe si i tillë do të veproj. Fëmijëve të mi dhe gruas nuk u lë kurrfarë pasurie dhe nuk më vjen keq: bile më vjen edhe mirë të mos kërkoj asgjë për ta, sepse shteti do t’u japë sa është e nevojshme për jetë dhe arsim.

Do të kisha edhe shumë të të them ty dhe popullit tonë, por e ndjej se s’është e nevojshme, se fjalët s’mund të shprehin atë që do të dëshiroja dhe s’vlen të harxhohet letër më.

Gjer në fitore, gjithmonë: atdheu ose vdekja.

Të përqafoj me afshin tim revolucionar,

ÇE

1965

 

Letër Prindërve

Të dashur prindër,

Edhe njëherë po ndjej nën thembra brinjtë e Rosinantës; sërish po nisem me mburojë në dorë.

Para gati dhjetë vjetësh ju pata shkruar një tjetër letër lamtumirëse. Nëse më kujtohet mirë, u ankova se nuk qeshë më i miri ushtar dhe më i miri mjek; sa i përket mjekut, kjo më s’më intereson: si ushtar, ndërkaq, s’jam aq i keq. Asgjë në esencë s’ka ndryshuar, përveç se sot jam shumë më i vetëdijshëm, se marksizmi im është thelluar dhe është bërë më i qartë. Besoj në luftën e armatosur si e vetmja zgjidhje për popujt, të cilët luftojnë për çlirimin e vet dhe jam rehat në bindjet e mia. Shumë do të më quajnë adventurist dhe unë i tillë jam, por i llojit të veçantë: unë bie në mesin e atyre që lëkurën e vet e vejnë në rrezik për të mbrojtur të vërtetat e veta. Ndoshta kjo do të jetë hera e fundit. Unë këtë nuk e dëshiroj, por kjo i përgjigjet preventinës logjike të probabilitetit. Nëse do të jetë kështu, iu qafi për herë të fundit.

Ju kam dashur shumë, vetëm s’kam ditur ta shpreh butësinë time; jashtëzakonisht jam i ashpër në sjelljet e mia dhe mendoj se nganjëherë s’më keni kuptuar. S’ishte e lehtë të kuptohem; por sot ju lus vetëm të më besoni.

Tani vullneti, të cilin e kam kalitur me kënaqësi artistike do të mbajë këmbët e mia të dridhshme me gjoksin e lodhur. Do të bëj atë që kam ndërmend. Më kujtoni, kohë pas kohe, mua kondotierin e vogël të shekullit njëzet. Puthje Celisë, Robertit, Huan Martinit dhe Pototinit, Beatriçes, të gjithëve. Ju përqafon djali juaj i humbur dhe kokëfortë,

Ernesto

Marrë nga: “Socializmi e njeriu”. RILINDJA, Prishtinë 1978

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Lër një përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.