Hyjmë apo hidhemi?

/Arlind Qori/

Gjatë bashkëpirjes poetiko-filozofike të paradokohshme në Logun e Shkëndijës, rasti e donte të merrja përsipër përkthimin, leximin dhe komentimin e një sprove të shkurtër të Ascanio Celestini-t, titulluar Lo sciopero dei filosofi. Ndryshe nga italishtja që e ka foljen scioperare, shqipes i mungon folja grevoj, çka më shtyu që në brendi të tekstit ta përshtat në (filozofët) hynë në grevë. Derisa u vetëdijesova se të hyrit në grevë dhe ajo që bënë filozofët nuk lidheshin mirë konceptualisht. Filozofët, në shembullin e punëtorëve, nuk kishin hyrë ndokund, por thjesht kishin braktisur punën, ose më konkretisht kishin zaptuar mjetet e prodhimit “intelektual”. Në të tilla raste, ku subjektet më shumë dalin sesa hyjnë, përdorimi i togfjalëshit “hynë në grevë” ishte i pakuptimtë.

Po pse folja e parë që të vjen ndër mend për të shënjuar veprimin e grevës është hyj? Me gjasë na ndihmon e shumëcituara fjali e Heidegger-it: Gjuha është streha e të qenit. Sidomos po ta përthyejmë historikisht dhe shoqërisht të qenit, gjuha pasqyron përvojën tonë me grevën. Në dekadat e fundit, forma më konstante, paçka se rëndom e dështuar, e marrëdhënies së shqiptarëve me grevën ka qenë greva e urisë. Kjo e fundit, pas suksesit të vet të parë dhe të fundit (studentët e 91-shit), ka shënuar përpjekjet e grupeve të ndryshme politike e shoqërore për të arritur qëllimet e tyre, dhe meqë kërkon futjen e subjekteve në një strehë (dhomë, sallë kuvendi, tendë bulevardi, furgon etj.), shprehet gjuhësisht si të hyrit në grevë. Dhe po t’i shtosh kësaj edhe mbivendosjen ideologjike të hyrjeve të tjera, si hyrja në KSBE, KE, NATO, BE etj., s’është fort çudi që mendja të shkojë aty ku rreh më shpesh gjuha.

Të hyrit në grevë (të urisë) ka disa karakteristika. Pikësëpari shënjon një pretendim zakonisht joekonomik, ose më saktë një pretendim që edhe kur është ekonomik vlen më shumë si lutje a lypje mëshire, dhe që synon të zgjojë dhembshurinë e të adresuarve. Këta të fundit rëndom janë institucione shtetërore, çka nënkupton se të hyrit në grevë ka si parakusht një farë besimi në dhembshurinë apo mirëkuptimin e institucioneve të tilla, të cilat mund të vonojnë në dhënien e të drejtës, por për shkak të presionit të vetëflijimit mund të dorëzohen. Kur kjo e fundit nuk ndodh, atëherë pretenduesit kanë të njëjtën shpresë tek opinioni publik i paanshëm, presioni i hamendësuar i të cilit mund ta mposhtë një institucion kryeneç. Meqenëse të hyrit në grevë (urie) strukturohet kësisoj, atëherë kontradikta kryesore nuk është ajo midis grupeve a klasave shoqërore, por midis një të tëre organike të mirështresëzuar dhe një qeverie armiqësore me të gjithë. Pra populli një i tërë – të varfër, të mesëm e të pasur bashkë – kundër një qeverie të njëmijë e një të zezave, që nuk përfaqëson askënd e tradhton këdo. Ky përfytyrim, rëndom i konsideruar populist, u frigohet kontradiktave në mes të popullit dhe në raste të skajshme e kërkon armikun si elementin e huaj-parazitar-subversiv, i cili trazon rehatinë imagjinare që fsheh problemet e thella.

Po historia e grevave është ajo e hedhjes në grevë për arsye ekonomike, që metaforikisht shënjon një shkëputje të befasishme; pra pezullimin e punës nga punëtorët, bllokimin e hyrjeve të ndërmarrjeve etj. Të hedhurit në grevë kërkon një subjekt ekonomik (rëndom punëtorinë); nuk lyp mëshirë, por imponon vullnetin që buron nga një konceptim i drejtësisë i farkëtuar në kushte të vështira pune, sidomos prej faktit se bllokimi i prodhimit i ndikon traumatikisht pronarët, shtetin e mbarë shoqërinë; mund të kërkojë solidaritet te qytetarët, por si ndihmë, dhe jo si kusht; po ashtu mund të prodhojë solidaritet te punëtorë të tjerë, duke kërcënuar kështu shtrirjen e grevës deri në hopin cilësor të grevës së përgjithshme; e mbi të gjitha, nuk e përfytyron shoqërinë si një të tërë idilike të mirështresëzuar, por si një të tërë kontradiktore të keqndarë.

Siç duket, shqipja fjalorase pranon si neutralen bëj grevë, ashtu edhe radikalen hidhem në grevë. Ama në një shoqëri ku historia e grevave ekonomike, anipse politikisht mund të kulmojnë në greva të përgjithshme, është e tejvarfër (hiq, paradoksalisht në dukje, grevën e përgjithshme punëtore të 91-shit që rrëzoi qeverinë e fundit të PPSH-së), hedhja në grevë pamundësohet gjuhësisht. Për arsye të strukturimit neoliberal ekonomik të këtyre dy dekadave (privatizim masiv, çindustrializim, papunësi e madhe, thërrmim dhe emigrim të punëtorisë etj.), radikaliteti ekonomik i të hedhurit në grevë është i paqenë. Në një vend ku më lehtë pushohet nga puna një punëtor sesa fiket një cigare, është vështirë që praktika e grevës, e bashkë me të gjuha, të ekzistojë. Edhe kur ekziston, si së fundmi me grevën e shoferëve dhe faturinove të autobusëve urbanë, nuk ka më tragjizmin e hedhjes në grevë (atë të kërkesës për kushte më njerëzore pune, mosgjobitje për ritme të papërballueshme pune apo pagesa sigurimesh), por farsën e daljes përpara kamerave për hall të pronarit babaxhan që uljen e normës së fitimit do ta kompensojë me rritjen 130% të çmimit të biletës. Të paktën deri atëherë kur punëtorët do ta marrin seriozisht Orwell-in se “nëse ka shpresë, ajo gjendet te proletarët”, dhe lakanisht do ta kthejnë gjuhën në shtëpinë torturuese të subjektit.

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.