/Inxhi Brisku/
Ky shkrim mbetet në kufijtë e një opinioni, që mori formë nga një thashethemnajë së cilës po i këmbëngulet fort për të shpjeguar apo më mirë vetëjustifikuar qëndrimin apatik të shumë shokëve studentë në lidhje me reformën e arsimit të lartë. Dua të theksoj që nuk e kam assesi qëllim të qëndroj në pozita paternaliste, domethënë të udhëzoj të tjerët se ç’duhet bërë dhe c’nuk duhet bërë. Ky është më shumë një reflektim personal.
Thuhet se studentët nuk marrin pjesë në protesta ngaqë këto të fundit janë politizuar, “kapur nga komunistët”, të cilët e shikojnë si një kauzë që e kanë privatizuar (sa paradoksale!!!) për të mbijetuar.
Së pari, ata që artikulojnë këtë gjë së paku nuk e njohin fare realitetin ku jetojmë. Këtu papunësia është shumë e lartë, kushtet e punëtorëve janë për faqe të zezë, stërmundohen në punë e tejshfrytëzohen më keq së në shekullin e XIX. Pjesa më e madhe e ekonomive të vogla shtëpiake (qoftë bujqësia, edhe dyqanet) janë duke shkuar drejt falimentimit dhe njerëzit po i drejtohen emigrimit pasi rrezikohen nga uria. Pra nëse do të bëhej fjalë për një kauzë për të mbijetuar nuk është edhe aq e vështirë.
Gjithashtu nuk i kuptoj fjalët “politizim i kauzës”. Njeriu është një qenie shoqërore, rrjedhimisht politike. E çuditshme sesi pjesëmarrja në forumet partiake, që përgjithësisht nxitet nga qëllime pragmatiste, lëvdohet si shkathtësi, por kur vjen punë për të protestuar me qëllim ndryshimin e situatës së studentëve thuhet se nuk është mirë të përzihesh me politikën. Mbase është e vërtetë që individualizmi dhe pragmatizmi është aq i lartë sa cilido sheh punën e vet, të marrë diplomën, më pas do të paguajnë prindërit ose nga aktivizimi në parti do të gjejmë ndonjë punë.
Si mund të quhen të privatizuara e të personalizuara protestat kur bëhet fjalë për publiken, arsimin publik, për shoqërinë?! Kjo kauzë nuk është assesi e privatizuar sepse u përket të gjithëve. Mund të përmenden gjëra të thjeshta teknike, që tregojnë përbashkësinë e çështjes. Të tërë janë ftuar, kudo është sqaruar, gazeta janë shpërndarë, në protesta flasin dhe qytetarë nga rruga sepse universiteti është publik dhe i përket të gjithë shoqërisë.
Cilët u kanë bërë rezistencë, që nga fillimet e tyre, reformave neoliberale si kjo e arsimit të lartë? Të djathtët i kanë propaganduar dhe implementuar fuqishëm, atyre që vetëm emri u ka mbetur socialistë u ka mbetur të bien dakord germë për germë. Vetëm kritikët e sistemit kanë rritur rezistencën e shoqërisë ndaj këtyre reformave varfëruese. Studenti lexon, kritikon, vepron. Nuk duhet të jetë një subjekt pasiv që pret t’i jepet formë, por një qenie aktive për të shembur të vjetrën dhe për të ndërtuar të renë.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).