Teza mbi Fojerbahun

/Karl Marks/

1

E meta kryesore e gjithë materializmit të mëparëshëm – duke përfshirë dhe atë të Fojerbahut – është, se sendi, realiteti, ndieshmërija merret vetëm me formën e objektit, ose në formën e soditjes, dhe jo si veprimtari e ndieshme njerëzore, si praktikë, jo në mënyrë subjektive. Prandaj ngjau që ana aktive, në kundërshtim me materjalizmin, të zhvillohet prej idealizmit, por vetëm në mënyrë abstrakte, sepse, natyrisht, idealizmi nuk njeh si të tillë veprimtarinë reale, të ndieshme. Fojerbahu don që të ketë punë me objekte të ndieshme, që dallohen me të vërtetë nga objektet e menduara, por ai veprimtarinë njerëzore nuk e merr si veprimtari objektive. Prandaj në “Esencën e krishterimit” ai konsideron, si me të vërtetë njerëzore, vetëm veprimtarinë teorike, kurse praktika merret dhe fiksohet vetëm në formën e ndyrë judaike të çfaqjes së saj. Prandaj ai nuk e kupton rëndësinë e veprimtarisë “revolucionare”, “kritike-praktike”.

2

Çështja në se mendimi njerëzor mund të arrijë të vërtetën objektive, – nuk është aspak një çështje e teorisë, por një çështje praktike. Në praktikë njeriu duhet të provojë të vërtetën, d.m.th. realitetin dhe fuqinë e mendimit të tij, të provojë se mendimi i tij ka të bëjë me këtë botë. Diskutimi mbi realitetin ose irrealitetin e një mendimi, që izolohet nga praktika, është një çështje thjesht skolastike.

3

Teorija materjaliste, që thotë, se njerëzit janë prodhime të rrethanave dhe të edukimit, se, rrjedhimisht, njerëzit e ndryshuar janë prodhimet e rrethanave të tjera dhe të një edukate të ndryshuar, – kjo teori harron, se janë pikërisht njerëzit, që ndryshojnë rrethanat, dhe se edukuesi duhet vetë të edukohet. Prandaj ajo arrin medoemos ta ndajë shoqërinë në dy pjesë, njëra nga të cilat qëndron mbi shoqërinë (për shembull tek Robert Oueni).

Përputhja e ndryshimit të rrethanave dhe të veprimtarisë njerëzore mund të shqyrtohet dhe të kuptohet racionalist vetëm si praktikë revolucionare.

4

Fojerbahu niset nga fakti, se feja e largon njerinë nga vetëvehtja dhe e ndan botën më dysh, në një botë fetare, të imagjinuar, dhe në një botë reale. Puna e tij është ta shkrijë botën fetare në bazën e saj tokësore. Por ai nuk sheh, se, pasi të kryhet kjo punë, mbetet akoma për t’u bërë gjëja kryesore. Pikërisht fakti, se baza tokësore shkëputet nga vetëvehtja dhe vendoset në retë, si mbretëri e pavarur, nuk mund të shpjegohet, veçse me përçarjen dhe kontradiktat e brëndëshme të kësaj baze tokësore me vetëvehten. Pra, kjo e fundit duhet të kuptohet, së pari, në kontradiktën e saj, për ta revolucionarizuar më vonë praktikisht, duke zhdukur kontradiktën. Kështu, pra, për shëmbull, pasi të jetë zbuluar, se sekreti i familjes së shënjtë është familja tokësore, kjo vetë duhet t’i nënshtrohet kritikës teorike dhe të transformohet praktikisht në mënyrë revolucionare.

5

I pakënaqur nga mendimi abstrakt, Fojerbahu i drejtohet soditjes së ndieshme; por ai nuk e konsideron ndieshmërinë si veprimtari praktike, si veprimtari të ndieshme njerëzore.

6

Fojerbahu e shkrin esencën fetare në esencën njerëzore. Por esenca njerëzore nuk është një gjë abstrakte, që ka një individ i veçantë. Në realitetin e saj ajo është tërësija e marrëdhënieve shoqërore.

Prandaj Fojerbahu, duke mos u marrë me kritikën e kësaj esence reale, është i detyruar:

  1. të bëjë abstraksion nga zhvillimi i historisë, të konsiderojë ndjenjën fetare (Gemüt) në vetëvehte dhe të supozojë individin njerëzor abstrakt – të izoluar;
  2. prandaj, për të esenca njerëzore mund të kuptohet si “lloj”, si përgjithësi e brëndëshme, e heshtur, që lidh individët e shumtë me lidhje thjesht natyrore.

7

Prandaj Fojerbahu nuk sheh, se “ndjenja fetare është vetë një prodhim shoqëror dhe se individi abstrakt, i analizuar prej tij, i përket në realitet një forme shoqërore të caktuar.

8

Jeta shoqërore është në thelb praktike. Të gjitha misteret, që e tërheqin teorinë në misticizëm, gjejnë zgjidhjen e tyre racionale në praktikën njerëzore dhe në të kuptuarit e kësaj praktike.

9

Pika më e lartë, që mund të arrijë materjalizmi soditës, domethënëmaterjalizmi, që nuk e kupton ndieshmërinë si veprimtari praktike, është soditja e individëve të veçantë në “shoqërinë civile”.

10

Pikëpamja e materjalizmit të vjetër është shoqëria “civile”; pikëpamja e materjalizmit të ri është shoqërianjerëzore, ose njerëzimi i shoqërizuar.

11

Fillozofët vetëm në mënyra të ndryshme e kanë shpjeguar botën, por puna është që ta ndryshosh atë.

Shkruar nga K. Marksi në pranverën e vitit 1845

Marrë nga: K. Marks, F. Engels, “Vepra të zgjedhura në dy vëllime, vëllimi II”, Tiranë: Instituti i Partisë pranë K.Q. të P.P.SH. 1958, f. 380-382

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.