Shtysa e fundit drejt greminës

/Arlind Qori/

Është provuar në të gjitha mënyrat: nga rrënimi infrastrukturor, keqpagimi i pedagogëve, propaganda antipublike, shpërfillja e zhvatja tarifore e deri tek angazhimi baritor i studentëve në mitingje në mes të orës së mësimit…e përsëri universiteti publik me gjysmë fryme ja ka dalë të lëkundet në buzë të greminës pa rënë teposhtë. Veçse tashmë Reforma Financiare në Arsimin e Lartë ka dhembshurinë ta shpëtojë “kafshëzën e gjorë” nga vuajtjet e tepërta duke i dhënë dashamirësisht shtysën e fundit.

Pika më e nxehtë (jo edhe aq nga zjarri i debatit, sesa nga rëndësia e asaj që pritet të digjet) e kësaj reforme financiare mbetet jo thjesht financimi i universiteteve private nga buxheti i shtetit, por mbi të gjitha pakësimi i pritshëm i fondeve të universiteteve publike pikërisht për përfitimin e privatëve. Më saktësisht, kjo reformë parashikon që paratë që deri më tash u takonin përjashtimisht universiteteve publike do të ndahen midis tyre dhe privatëve në varësi të konkurrencës midis tyre për frymë të gjalla – studentë.

Reforma në fjalë kërkon ta maskojë kalimin e fondeve publike në duar private nëpërmjet vendosjes së kushteve formale ndaj këtyre të fundit. Kështu, që universitetet private të fitojnë të drejtën e konkurrimit për fondet publike duhet që të kalojnë fazën e akreditimit dhe të shpallen juridikisht jofitimprurëse. Pompoziteti i formalitetit të kushteve fsheh konkretësinë kokëforte sipas të cilës procesi i akreditimit, cilado qofshin institucionet shtetërore ose “të pakorruptueshmet” agjenci ndërkombëtare që e kryejnë atë, deri më tash nuk ka skualifikuar ndonjë garues e gjasat janë që as në të ardhmen kjo të mos ndodhë, megjithëse Ministria e Arsimit premton se kësaj radhe procesi i akreditimit do të jetë më rigoroz. (Edhe herën e parë të njëjtën gjë premtoi e me ç’duket tashmë e pranon edhe vetë se s’është kryer ashtu siç duhet e prandaj do ta përsërisë. Gjithsesi, sa kohë dështoi në të parën, besimi se do ja dalë mbanë në të dytën është krejt utopik sa kohë nuk shpjegohet në detaj se cilat do të jenë risitë dhe ç’metodologji do të përdoret). Kështu që askush të mos habitet që për çdo prag viti akademik, çdo universitet, me çfarëdo emri, qesharak ose jo, të përplasë me tingull traumatik damkën “I akredituar” në ekranet televizive.

Pikë edhe më e nxehtë (gjithnjë në kuptimin e mësipërm të zjarrmisë) është ajo e kthimit të universiteteve private nga fitimprurëse në jofitimprurëse për të përfituar fondet publike. Kësaj here është vendosur që auditimin (duket si fjalë shtangëse, por në fund të fundit nënkupton thjesht kontrollin) ta kryejë ndonjë kompani ndërkombëtare e specializuar për këtë punë. E gjitha kjo thjesht shton mjegullën justifikuese të një procesi lehtësisht të parashikueshëm. Edhe sikur për një çast të mos dyshojmë për paanësinë e aksh kompanie (megjithëse edhe ajo do të përzgjidhet nga institucionet shtetërore e do të dyshohet si e përkëdhelur nga duart e atyre universiteteve që do të tentojnë të fshehin karakterin e tyre fitimprurës), një rrethanë mbetet e pakapërcyeshme: çfarë do ta ndalonte një universitet privat që për të përfituar fonde publike të shpallej jofitimprurës formalisht ndërkohë që fitimin e pronarëve do ta fshihte fare lehtë nëpër shkresurina si shpenzime për paga apo investime universitare? (Kureshtarëve u këshillohet ambientimi me rastin e punëtoreve të një fabrike peshku në Lezhë, të cilave firma “detyrohet” formalisht t’u derdhë në bankë një pagë që e respekton kufirin minimal të pagës së vendosur nga qeveria, por që me të dalë nga sporteli bashkëkohor duhet t’ia kthejnë nën dorë gjysmën e pagës pronarit që i pret krahëhapur pak më tutje).

Skeptikët mund të pyesin se pse duhet dyshuar se universitetet private nuk do të jenë realisht jofitimprurëse? Arsyeja qëndron në përvojën përmbytëse të deritashme, sipas të cilës pothuajse çdo institucion arsimor privat ka pasur për qëllim fitimin. E nëse diçka është themeluar për të fituar, duhet që pronarët të takojnë Krishtin në rrugën për Damask që të ndërrojnë mendje brenda natës. Meqë Krishti nuk shfaqet rëndom, atëherë gjasat janë që universitetet private sërish të synojnë fshehtas atë që deri më tash e kanë kërkuar haptas – fitimin. Të paktën kjo është logjika elementare e ekonomisë kapitaliste, përkrahësit e së cilës arrijnë deri aty sa mohojnë edhe këtë parim bazë të fitimit kur u duhet të justifikojnë si me magji karakterin specifik të kapitalizmit arsimor. (Disa prej tyre madje, pohojnë kryelartë se është kuadri ligjor shqiptar ai që s’i ka lejuar t’i themelojnë universitetet si fondacione jofitimprurëse, e prandaj nga dashuria e madhe për dijen janë shtrënguar të nxjerrin fitime nga kjo punë. Deri më tash është parë e dëgjuar për sipërmarrje fitimprurëse që për të fituar më shumë kamuflohen si fondacione jofitimprurëse, por kësaj here çudia ka ndodhur në vendin e shqipeve: fondacionet nga halli janë themeluar si biznese, megjithëse kanë harruar se meqë s’kanë pasur për qëllim fitimin, këtë të fundit duhet ta kishin zbrazur nëpër jetimore e jo ndër xhepa). Kështu që ajo që pritet të ndodhë është që universitetet private fitimprurëse ta garantojnë fitimin nëpërmjet kontributeve publike.

Si pasojë e reduktimeve të pritshme të fondeve për universitetet publike, këto të fundit pritet të gjymtohen jo vetëm financiarisht, por mbi të gjitha përmbajtësisht. Pikë së pari, duke i orientuar krejtësisht kah tregu rrënohet përfundimisht karakteri i tyre kritik ndaj shoqërisë e tregut si strukturë ekonomike aktuale e saj. Pikërisht në kohën e një prej krizave më të rënda që po pëson kapitalizmi botëror, roli emancipues i universiteteve do të duhej të ishte shqyrtimi kritik i tregut, i pasojave shkatërrimtare të tij jo vetëm në mirëqenie, por edhe në dimensionet politike. Në vend të kësaj, universitetet do të vendosen në këmishën e forcës së strukturës ekonomike duke fashitur përgjithmonë karakterin e mësipërm kritiko-emancipues.

Kur e lidh këtë të fundit me skemën e financimit, rezultati del shpërthyes. Meqë universitetet publike dhe private do të konkurrojnë për të njëjtat fonde publike si kudo në treg, nuk duhet harruar se në këtë të fundit rol kryesor zë reklama, çka vihet re mediatikisht në çdo fillim viti akademik. Kuptohet që reforma financiare pret që çështja e preferencës së studentëve për cilësinë e universiteteve të përcaktohet nga renditja e tyre periodike, por (lënë mënjanë këtu objektivitetin dhe ndershmërinë e renditjes) edhe kjo nuk i ka frenuar universitetet private të pushtojnë hapësirën reklamore. Risia e reformës në fjalë është se për të mbijetuar në tregun e ri të fondeve publike, këtë gjë duhet ta bëjnë edhe universitetet publike. Pra me vënien në zbatim të kësaj reforme, një universiteti që duhet të kishte për detyrë kritikën shoqërore, e brenda saj edhe kritikën e reklamës si mjet propagande e trushpëlarjeje, i del nevoja e stërvitjes në artin e të shiturit të sapunit për djathë.

Nga ana tjetër, reforma financiare fare hapur pohon se nga skema e re e shpërndarjes së fondeve publike pritet që tarifa e shkollimit në universitetet publike të rritet. Kjo do të ndodhë jo vetëm për shkak se një pjesë e fondeve pritet t’u shkojnë universiteteve fitimprurëse private, por mbi të gjitha sepse qëllimi i kësaj reforme është që universiteti publik t’i nxjerrë vetë kostot e tij. Kjo krahëmarrje bazohet mbi dogmën ideologjike se gjithçka që merret duhet të paguhet të paktën brenda kostos. Ajo çka mohon një qasje e tillë është se shkollimi nuk përbën mall konsumi si p.sh. çamçakëzi (më erdhi të merrja si shembull për shpoti prezervativin, por më pas u kujtova se në gjithnjë e më shumë vende ai shpërndahet falas pasi nuk konsiderohet mall që blihet nga kush ja mban xhepi, por si mjet jetik që i takon gjithkujt), por një të drejtë themelore. Dallimi midis mallit dhe të drejtës qëndron në atë se i pari ka çmim tregu e blihet në varësi të të ardhurave, ndërkohë që shërbimet për jetësimin e të dytës u garantohen qytetarëve pavarësisht nga aftësia për të paguar. Dogmatizmi ideologjik i reformës financiare e kupton arsimin universitar si mall që duhet të blihet me çmim tregu (të paktën në kosto) e meqë tarifat aktuale të studentëve, megjithëse ndër më të lartat në Evropë të llogaritura si përqindje e pagës mesatare, nuk mbulojnë kostot, ato duhen rritur medoemos. Ndërkohë që kuptimi emancipues i shkollimit universitar si e drejtë që i takon gjithkujt e që aktualizohet nga ata që zgjedhin rrugën e studimit kërkon që tarifa të jetë simbolike e kështu të përballohet nga gjithkush. Përkundër kësaj, reforma financiare propozon një skemë huamarrjeje bankare nga ana e studentëve që nuk do të përballojnë dot tarifat e reja, çka do t’ia nënshtronte të ardhmen e tyre borxheve të panevojshme të së shkuarës. (Skeptikët që i druhen varfërisë së buxhetit të shtetit, mund të gjejnë përgjigje fare thjeshtë në ndryshimin strukturor të politikave fiskale të cilat deri më tash e kanë varfëruar buxhetin duke ulur taksat për oligarkët e duke i rritur për të varfrit. Do të mjaftonte taksimi progresiv i oligarkëve për të mundësuar cilësi dhe tarifa më të ulëta, dhe jo vetëm në arsim).

Për ta reduktuar disi retorikën tregtare në qasjen ndaj universitetit, reforma në fjalë rreket ta justifikojë rritjen e tarifave me pretendimin “iluminist” sipas të cilit kur studentët të paguajnë më tepër, ata do ta marrin më seriozisht çështjen e studimit. (Në dokumentin paraprirës të kësaj reforme financiare, të quajtur Green Paper, arrihej deri në përfundime me ton vërtetues të tipit: “përvoja ka treguar se kur studentët paguajnë më tepër, i përkushtohen më shumë studimit”. Në fakt, nëse përvoja e universiteteve private me tarifa më të larta ka treguar ndonjë gjë, kjo ka qenë krejt e kundërta e pohimit të mësipërm). Një qasje e tillë është jo vetëm e pavërtetë, por krejt skematike. Serioziteti i studentit varet kryekëput nga serioziteti i universitetit, i lëndëve përkatëse, i pedagogëve, i kushteve infrastrukturore, i cilësisë së arsimit parauniversitar, i kulturës arsimdashëse të shoqërisë, i preferencës së fushës së studimit apo i ardhmërisë profesionale në të. Prandaj çdo raport para e paguar-seriozitet studimor është më së paku imagjinar.

Nga ana tjetër, e gjithë kjo manovër për të transferuar fondet nga universitetet publike kah ato private “pasurohet” me shqetësime për kauza të vjetra të mbrojtura nga universiteti publik, si p.sh. ajo e autonomisë financiare. Tashmë, qeveria zotohet që fondet që universiteti publik do të marrë do të administrohen nga vetë ai duke thjeshtuar kështu ecejaket burokratike. Veçse në këtë rast harrohet të thuhet se universiteti publik pritet të administrojë gjithnjë e më pak fonde për sa kohë një pjesë e tyre do t’u kalojnë privatëve. Kështu, do të gjendemi përballë kalimit nga Shilla e robërisë në mirëqenie relative në atë të lirisë në varfëri absolute. Në fund të fundit, dogmatizmi ideologjik neoliberal i “s’ka rrugë tjetër” e redukton gjithnjë situatën në zgjedhjen apolitike midis formave të larmishme të së keqes, pa guxuar kurrë themelimin emancipues të së mirës.

Forma më e skajshme e të keqes është zhdukja e universiteteve publike. Reforma financiare, megjithëse nuk e përmend askund, të paktën potencialisht e mbart rrezikun e mbylljes së të gjitha universiteteve publike në garën e pabarabartë (infrastrukturore, rrogëtare, reklamore, lobiste etj) me ato private. Nëse kjo nuk ka për të ndodhur, meritë nuk ka asnjë grimë reforma financiare, por fakti që ende në mendjet e qytetarëve universiteti publik konsiderohet si terren serioziteti që vjen për inerci të së shkuarës. Gjithsesi, nëse shtysa e fundit drejt greminës s’do t’ia arrijë qëllimit, kjo nuk përbën arsye për t’u qetësuar. Politika emancipuese nuk mbështetet në frymëmarrjen çliruese të shmangies së të keqes më të madhe, por në tentativën e guximshme të themelimit të së mirës më të madhe: atë të një universiteti publik kritik në qasje, shkencor në metodologji, të mjaftueshëm në infrastrukturë, autonom në administrim, pjesëmarrës nga studentë e pedagogë dhe të lirë në tarifa.

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.