Vërtetizmi dhe e Vërteta

/Arlind Qori/

Vërtetizmi (truism në anglisht) ka domethënien e një të vërtete të vetëmjaftueshme, të pahedhshme poshtë logjikisht e për pasojë të pamohueshme nga përvoja, por megjithatë fare të padobishme përderisa nuk i shton asgjë të re kuptimit shoqëror. Pamohueshmëria nga përvoja është vetëm shkak i domosdoshmërisë logjike të ekzistencës së saj, çka mund të jepet nga shembulli i rrëfenjës kritike popullore mbi klerikun shëronjës që me siguri hyjnore thoshte për të sëmurin: pas yshtjes që i bëra, ky o vdes, o rron!

Risia e vërtetizmave shqiptare gjendet në përmbysjen e raportit shkakësor midis pamundësisë logjike për ta hedhur poshtë diçka dhe pasojës konkrete të saj. Ja që këtu ndodh e kundërta meqenëse vazhdimësia përkeqësuese, këmbëngulja shkatërrimtare dhe rrënimi ortekor janë aq të pandalshëm, saqë e shndërrojnë veten në pohime gati logjikisht të pamohueshme. Kuptohet që e kam fjalën për mënyrën si qeveriset Shqipëria. Si mund të mohohet karakteri vërtetist i veprimeve të tilla që nisin prej cenimit formës së shtetit, kur sillet ndër mend marrëveshja e ndarjes së detit, regjistrimi etniko-fetar apo varrezat greke në jug, deri tek rrënimi i përmbajtjes së tij politiko-ekonomike që për mungesë hapësire po e lë në kujtesën afatshkurtër e afatmesme të secilit?! Madje, se e kam merak nga frika se mos më quajnë revolucionar laptopist që thotë se të gjithë janë njëlloj: vërtetizëm është edhe që në këtë situatë çdo forcë tjetër politike do të mishëronte një alternativë më të mirë se qeveria e sotme (kuptohet jo për meritë të vet, por për “dhuratë” mbresëlënëse qeveritare), sigurisht përveç pasuesve të naltmadhnisë që batakçillëqeve do t’u shtonin edhe budallallëkun e pashoq e të mezigjendshëm nëpër botë. Mohuesit e këtyre vërtetizmave kufizohen në rrugën drejtvizore të segmentit të mangësisë që vlen edhe për klerikun e mësipërm: të jenë të mangët mendërisht ose moralisht. E megjithatë, duke u shndërruar në vërtetizma, pohimet e mëparshme jo vetëm që nuk na mësojnë ndonjë gjë të re, por po ashtu fashisin të Vërtetën e situatës shqiptare duke pamundësuar karakterin emancipues të sintezës dialektike midis kuptimit dhe veprimit.

Karakteri vërtetist i antiqeveritarizmit të këtyre 20 viteve, e sidomos të viteve të fundit, fsheh përmes mjegullnajës ideologjike jo vetëm kuptimin e të Vërtetës, por edhe përdorimin e saj si armë politike për përmbysjen e situatës dhe ndërtimin e një hapësire politike të pathemeltë ku popullit do t’i duhej të shpikte e rishpikte format e udhëheqjes së vetes. Tipari i parë i vërtetizmit të situatës shqiptare ka të bëjë me evidentimin simptomatik të fajit. Ky i fundit i mvishet qeverisë (më saktë Berishës sa kohë vërtetist është edhe pohimi se gjithkush tjetër brenda atij këshilli është gjymtyrë e të mësipërmit) dhe pikë. Përtej pikës nuk shkohet. S’ka fjali ta shpjegojë më tutje e më thellë këtë pohim. Kështu, marrëdhënia shkakësore përmbyset duke bërë që korrupsioni të mos shihet si produkt i organizimit social-ekonomik që e prodhon atë, por si i vetëmjaftueshëm e gjithëshpjegues nëse merret në konsideratë karakteri djallëzor i udhëheqësit. Ja p.sh., pse ka papunësi? Se keqqeverisemi dhe të aftët zbohen nga partiakët e radhës. Po ç’po bënin një ditë më parë këta të paaftë që u zunë vendin të aftëve? Po ngroheshin në diell. Mos, ruajna zot, diçka e tillë ka të bëjë më një sistem social-ekonomik që papunësinë e ka element organik e të papunët i përdor politikisht si ushtri rezervë shantazhuese dhe që prej 20 vitesh i ka zhveshur shqiptarët nga pronësia mbi pasuritë publike, nga mjetet e prodhimit e mirëqenies, nga e përbashkëta e rrënuar për të përfituar privatisht të paktët?! Nëse sistemi social-ekonomik privatizues e përjashtues shqiptar e kufizon çdo ditë e më tepër terrenin e mirëqenies, detyrimisht që pasojë e kësaj do të jetë lufta e fakirëve të rreshtuar nga njëri krah në tjetrin për thërrimet mbijetuese, e po ashtu edhe shfrytëzimi qeveritar i një terreni të tillë për të ushtruar autoritarizëm e vjedhur me mbështetjen në dukje qorre, por në fakt sistemisht të shpjegueshme të fakirëve të vet. Kështu, mjegullnaja ideologjike krijon shpresën e rreme se me të ikur tirani i vjetër, do të dalë lepuri nga kapela e magjistarit e do të shumohet si peshqit e Krishtit duke ngopur të pangopurit e duke u dhënë shpresë të pashpresëve.

Mjegullnaja ideologjike e vërtetizmit antiqeveritar arrin që nëpërmjet paraqitjes së një antagonizmi gjysmak të fshehë antagonizmin e vërtetë, atë midis pakicave të organizuara ekonomikisht e politikisht që përmes pronësimit të të papronësueshmes zgjerojnë e thellojnë parakushtet e varfërisë: shpronësimin, shfrytëzimin, tëhuajsimin, çorganizimin politik etj. E kuptohet që të parëve u nevojitet kuislingu i radhës e sa më i papajtueshëm të bëhet antagonizmi real, aq më fashistoide nevojitet qeverisja.

Për vërtetizmin antiqeveritar, qeverisja autoritariste nuk është produkt i theksimit të shfrytëzimit, por krijesë e vetëlindur e mendjes arkaike të kreut të qeverisë. Për të, terreni i betejës nuk është ai social-ekonomiku, por ai kulturor-qytetërimori. Për të, fushëbeteja është ajo midis kapitalizmit me fytyrë njeriu të perëndimit dhe gjurmëve të fashizmit oriental që gjenden në Shqipërinë e sotme, a thua se fashistët po të ishin oksidentalë do të ishin më humanë (ai oksidentali i la ca milionë të vdekur). Për të, mjafton fytyra prej njeriu e ish-aktorit Regan (që meqë ra fjala, përveç fundamentalistëve të tregut, gjithkush po i etiketon politikat e tij turbokapitaliste si shkaktare të krizës ekonomike, për të mos përmendur ndyrësitë në politikën e jashtme ndaj fqinjëve të Amerikës Qendrore) që ta bëjë antitezë të Mugabes. Rama flet për këtë paradoks të Berishës në blogun e tij: “Saliu citon Reganin dhe adhuron Mugaben” dhe për dreq lidhëzës “dhe” i jep konotacionin e shprehjes së kontradiktës në vend të shtimit të dy cilësive të ngjashme së njëjtës kryefjalë. Shuarja e antagonizmit real nëpër mjegullën e antagonizmit të rremë bën që të harrohet se pas çdo Mugabeje qëndron një shumëllojshmëri lidhjesh ekonomike ndërkombëtare që i kalon papushim fitimet nga pallatet “demokratike” perëndimore drejt tendave fashisto-orientale dhe anasjelltas. Kështu, antagonizmi real, përtej veçorive vendore, mbart prej Kajros në Uiskonsin e Tiranë të njëjtën problematikë dhe i motivon të papronët nëpër sheshe kah forma të ngjashme emancipimi.

Po ashtu, për vërtetizmin antiqeveritar, shfrytëzuesit nuk janë sistemorë, por rrethanorë. Për të, fajin e kanë lidhjet e shkurtra qeveri-biznes e jo karakteri rrënues i marrëdhënieve strukturore midis bizneseve të cilat duke synuar me çdo kusht fitimin dhe duke qenë të kërcënuara nga konkurrenca mes vedi nxisin, përkrahin e financojnë lidhjet korruptuese me qeverinë. (Meqë konkurrenca me të papronët s’ekziston kërkund pasi aty beteja është fituar që pa nisur, ajo mes vedi zor se ndodh mbi mundësitë për të shpikur ndonjë shërbim shoqërisht të dobishëm, por thjesht nëpërmjet privatizimit që shndërron çdo të mirë publike nga vlerë përdorimi të përdorshme falas nga të gjithë në mall, pra në diçka që bëhet e pamjaftueshme për t’u konsumuar publikisht e për pasojë i duhet vënë çmim).

E meqë vërtetizmit antiqeveritar i humb nga vëmendja antagonizmi real, në shpjegimin dhe denoncimin e situatës rreket të krijojë antagonizma apo thyerje të rreme etike si ato midis biznesit të ndershëm dhe atij korruptues. Edhe kjo mund të përbëjë një vërtetizëm lehtësisht të dallueshëm empirikisht ku ndonjë punishteje të vogël i nevojiten mrekullira për të mbijetuar, ndërkohë që të tjerët kanë rifeudalizuar Shqipërinë. Gjithsesi, themelet e kësaj ndarjeje janë strukturore e s’kanë të bëjnë me etosin e biznesit. Druhem ta quaj etikë biznesi siç e quajnë nganjëherë në mënyrë oksimoronike (si me thënë pushtues çlirimtar) një lëndë të tillë nëpër universitete përderisa etika nënkupton disa kufizime morale, ndërkohë që etosi nënkupton tërësinë e zakoneve apo mënyrave të sjelljes së një grupi. Kështu, etosi i biznesit është fitimi, ndjekja me çdo kusht e tij dhe frenimi i deridikushëm i kësaj prirjeje nuk vjen nga imperativë moralë, por thjesht nga kërcënimi i ndonjë force publike që ende ndikohet nga qytetarët. Madje edhe koncepti në dukje etik, por përmbajtësisht qesharak i përgjegjësisë shoqërore të biznesit s’është gjë tjetër veçse tentativë zbukurimi imazhi që me gjasë rrit edhe shitjet duke i hequr thesit të spekulimeve të ditës ndonjë qindarkë për veprimtari të dobishme shoqërisht. (Kujtoj këtu seriozitetin kretin të kompanive të naftës që dëmin ekologjik rreken ta mbulojnë me gjethet e ca pemëve të mbjella aty-këtu. Nëse ndonjë sipërmarrës ndërtimi ka nevojë për këshillë, i them që pasi ta shkatërrojë tërësisht shtratin e lumit, të ndërtojë ndonjë pishinë ku të paktën një herë në vit metroseksualët t’i lënë vend pllaquritjes të fëmijëve të jetimores, të paraprirë afërmendsh nga ndonjë fjalim ceremonial prekës i aksh zyrtari pranë të cilit me siguri do të ndrisë buzëqeshja farëngrënëse e bamirësit).

Enkas e lashë për në fund përkufizimin e së Vërtetës, megjithëse gjurmë të saj ngritën krye gjatë ballafaqimit me vërtetizmin. Raporti i saj me vërtetizmin nuk është kontradiktor pasi atë çka vërtetizmi e pohon përciptas si alfën dhe omegën e situatës, e Vërteta e pohon si element të saj, duke i dhënë kuptim të ri këtij të fundit. E Vërteta, pikë së pari, nuk niset nga karakteristikat mjedisore, por nga një kumt emancipimi që mbështetet në qenien e shumësisë si kusht i pazhbëshëm i politikës. Shumësia është e pamundur pa një konceptim radikal të barazisë mes qytetarëve që lirinë e tyre e shohin të lidhur ngushtë me fatin e përbashkët. E Vërteta është ajo çka e përmbys një situatë që nga logjika e saj e brendshme është ose joproblematike, ose problematika është e zgjidhshme brenda situatës, ose ajo përbën fatalitet përballë të cilit duhet të dorëzohemi apo të bëjmë rregullime të pjesshme. E Vërteta lidhet me atë çka nuk duket në situatën shoqërore, me grupet e padukshme, me të papronët e të tëhuajësuarit, me theksimin e antagonizmit mes tyre dhe shfrytëzuesve. E Vërteta është e padukshmja e situatës që duket vetëm nga pozitat e angazhimit për përmbysjen e situatës. Ajo është utopikja si e pashprehshme dhe e parealizueshme në gjuhën e situatës, por pikërisht duke ndërtuar koncepte të reja apo duke u dhënë kuptim krejt të ri koncepteve ekzistuese, subjektet e saj arrijnë ta emërtojë atë dhe procedurat e saj (Kështu merr kuptim parulla e Majit 68: Bëhuni realistë, synoni të pamundurën!). E Vërteta është ajo që nga subjektet që krijojnë një raport besnikërie me të, lumpen-proletarë, të papunë, punëtorë, të diskriminuar të çfarëdolloj forme, veprimtarë etj…, shihet si krejt e mundshme, madje e vetmja e mundshme reale, e vetmja e mundshme që ekziston në potencë para se të mishërohet konkretisht.

E vërteta është ajo çka në rastin shqiptar jo vetëm nuk e mjegullon antagonizmin real, por as e pranon thjesht përciptas si fatalitet të pandryshueshëm apo si domosdoshmëri të mirëqenies së përgjithshme, e mbi të gjitha synon ta përmbysë jo vetëm duke përmbysur qeverinë, por edhe duke përmbysur qeverinë. E Vërteta është ajo çka fitoren ndaj qeverisë e sheh si përparim të domosdoshëm, por jo si pikëmbërritje. Përderisa qëllimi emancipues nënkupton shumësinë që bashkëjeton në liri e barazi, e Vërteta kërkon militantizmin politik të gjithkujt që i rri besnike asaj për të mos lejuar askënd që të nesërmen e përmbysjes së parë të rithurë rrjetën e vjetër, qoftë edhe me fytyrë të re. E vërteta kërkon që utopinë apo ëndrrën shqiptare të tradhtuar më 1912, 1944 dhe 1991 ta mishërojë duke ndrequr papjekurinë e kahershme: pas përmbysjes, populli nuk kthehet në shtëpi duke pritur i mallëngjyer bëmat e Mesisë së rradhës, por e zë përfundimisht agorën, Tahririn e tij, për të mos e lëshuar më, për të krijuar e rikrijuar veten e hapësirën e përbashkët pa negociuar vetëvendosjen në liri e barazi. E Vërteta që në dialogun në distancë midis dy besnikëve të së vërtetës, Bertolt Brecht-it dhe Heinrich Mann-it, merr këtë formë: Pushteti vjen nga populli. Po për të vajtur, ku vete?…Në shtetin tonë popullor askush nuk do të vijë më nga populli, sepse nuk ka për të ekzistuar asgjë tjetër përveçse popullit!

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.