Shpirti brenda makinës

/Jani Varoufakis/

Në një natë të zezë pis, në fillimvitet e shekullit të nëntëmbëdhjetë, një grup miqsh ku bënte pjesë autorja Mary Shelley dhe poeti Lord Byron, u takuan në një kështjellë në rrethinat e peizazhit baritor të Zvicrës. Gjatë gjithë natës qielli flakëriu me vetëtima dhe shiu ra stuhishëm. Nën dritën e përhumbur të qiririt, mes krakëllimash dhe gulçimash që lëshonte rezidenca tek përballej me furtunën, grupi i shkrimtarëve tanë vendosi të bënte një lojë: secili do të trillonte një histori tmerri, më pas do të përzgjidhnin më lebetitësen prej tyre.

Mary Shelley trilloi historinë e Dr. Viktor Frankenshtajnit, një doktor i ndershëm i cili qe dhënë me mish e me shpirt për të mposhtur vdekjen në një kohë kur ajo fshihej prapa çdo kthine. Kolera, gripi i zakonshëm dhe të kequshqyerit po e mpaknin popullatën. Viktori, një shkencëtar i shkëlqyer, ishte i vendosur të ngadhënjente mbi vdekjen. Kur bashkëshortja e tij e dashur zuri shtratin, vendosmëria e tij u shtua edhe më. Për të mposhtur vdekjen, atij i duhej fillimisht ta kuptonte atë, të përbrendësonte shkaqet e jetës që e kthenin mishin dhe gjakun në frymë të gjallë. Kështu që nisi të eksperimentonte mbi kufomat duke arnuar bashkë pjesët e ruajtura më mirë – organet e njërit, kokën e një tjetri, duart e të tretit, e kështu me radhë. Ideja e tij ishte përdorimi i fuqisë magjike të elektricitetit për t’i shtënë afshin e jetës krijesës së tij. Sepse nëse do ia dilte të sajonte një trup të gjallë nisur nga këto materiale fillestare, mposhtja e vdekjes, mendonte, të do ishte hiçmosgjë.

Papritur, krijesa e doktor Frankeshtajnit u trand. Mes mundimesh të stërmëdha erdhi në jetë, u ngrit nga tavolina e operimit duke ecur me këmbët e veta. Fill pastaj filloi të lypte përkujdesje. Viktori, i pështjelluar nga frika dhe neveria prej asaj që kishte sajuar, ia mbathi duke e braktisur krijesën e tij në mëshirë të fatit.

I paaftë për t’u integruar brenda një shoqërie armiqësore, përbindëshi që krijoi Viktori u hakmor për braktisjen dhe vetminë drejt së cilës e shtyu krijuesi i tij, duke vrarë shumë njerëz – mes të cilëve vetë gruan e Viktorit. Përfundimisht, pasi doktori e ndoqi deri në Polin e Veriut me shpresën se do ta shkatërronte, duke mbajtur kështu mbi vete përgjegjësinë për kërcënimin që i kishte sjellë njerëzimit, përbindëshi,  në një akt të dëshpëruar mbijetese, iu kundërvu krijuesit të tij duke e vrarë noktor Frankeshtajnin.

 

Sindroma e Frankenshtajnit

Në kohën kur shkruante Mary Shelley, luftërat napoleonike në Evropën kontinentale nuk kishin përfunduar ende. Ndërkohë që në Britani po lindte shoqëria e tregut, ashtu si në Amsterdam – qendra tjetër e shoqërisë tregtare – kudo tjetër ajo ishte vetëm një mundësi e largët. Pavarësisht kësaj, megjithëse Byron-i, Shelley dhe shokët e tyre mund të kenë qenë romantikë, ata e kishin vënë gishtin mbi pulsin e historisë. Romani tejpamës i Shelley-it pasqyronte ankthin e një shkrimtareje të ndjeshme ndaj ndikimit që do të kishte teknologjia mbi shoqërinë.

Në kapitullin 3 pamë se si fitimi u kthye në qëllim në vetvete pasi sipërmarrësit e parë i hynë borxheve përpara se të vinin prodhimin në lëvizje. Pa fitim ata të do ishin bërë skllevër të huadhënësve të tyre – ashtu si doktor Fausti në fund u kthye në skllavin e Mefistofelit. Për të siguruar fitimin atyre u duhej të konkurronin me njëri-tjetrin për myshterinj. Për të afruar myshterinjtë, u detyruan t’i ulnin çmimet e produkteve të tyre. Për të ulur çmimet, u përpoqën vazhdimisht të shtrydhnin sa më shumë produkte nga e njëjta sasi pune e paguar. Nëse risitë në inxhinierinë mekanike apo shpikjet në teknologji u jepnin përparësi në këtë luftë për mbijetesë, atëherë këto të fundit adaptoheshin në prodhim.

Motori me avull i James Watt-it dhe shumë shpikje të tjera që e kanë pasuar janë kthyer në pjesë integrale të shoqërive të tregut vetëm për shkak të fitimit dhe konkurrencës mes sipërmarrësve në kërkim të fitimit. Supozoni për një moment sikur Watt-i të kishte jetuar në Egjiptin e lashtë të faraonëve dhe ta kishte shpikur motorin me avull asokohe! Ç’do të kishte ngjarë me të? Imagjinoni sikur Watt-i të kishte marrë pëlqimin e faraonëve për të prezantuar përpara tyre shpikjen e tij! Më e shumta që mund të priste do të qe ngazëllimi i pushtetarit të Egjiptit dhe ekspozimi i motorëve të tij përpara vizitorëve të pallatit, duke vënë në dukje se sa përparimtare ishte perandoria e tij. Në mungesë të sipërmarrësve që konkurrojnë për fitime dhe duke marrë parasysh qindra mijëra skllevërit që faraoni kishte nën urdhrat e tij, motori i Watt-it nuk do të ishte përdorur kurrë për të gjeneruar energji nëpër ferma e punishte, le’ më pastaj fabrika.

Fillimisht, përdorimi i një makine i jepte sipërmarrësit një përparësi ndaj konkurruesve të tjerë duke e rritur prodhimtarinë për çdo punëtor. Por padyshim, kjo përparësi zhdukej sapo të njëjtën gjë e bënte çdo sipërmarrës tjetër. Pak më tutje, do të përftohej një tjetër risi teknologjike, fillimisht nga një apo dy sipërmarrës inovatorë, por që më pas do të kthehej në normë për të gjithë industrinë. Falë këtij procesi pafundësisht ripërtëritës, njerëzimi ka përftuar një ushtri gjigante skllevërish mekanikë, saqë sot nuk ekziston pothuajse asnjë aspekt i jetës që të mos ketë në shërbim, në njërën prej hallkave të tij, makineritë.

Teksa ato vazhdojnë punën pa u ankuar, ne mund të fillojmë të ëndërrojmë për një të ardhme ku çdo punë e lodhshme do të mekanizohet plotësisht, duke na mundësuar një jetë më të rehatshme brenda një shoqërie pa punë apo angari – një shoqëri paksa të ngjashme me atë të Star Trek-ut, në të cilën njerëzit eksplorojnë universin, duke u përsiatur mbi sprova filozofike në direkun e anijes qiellore Sipërmarrja, ku ushqimi del automatikisht nga një vrimë në mur – një “riprodhues” – së bashku me gjithçka tjetër për të cilën ka nevojë apo dëshiron ekuipazhi, nga rrobat dhe veglat deri tek instrumentet muzikore dhe bizhuteritë.

Pa prit një moment! Realiteti sikur s’po ravijëzohet si i tillë, apo jo? Krijesat tona – makinat e montuara në çdo fabrikë, terren, zyrë dhe dyqan – kanë ndihmuar në prodhimin e shumë produkteve dhe i kanë ndryshuar katërçipërisht jetët tona, por ato nuk e kanë zhdukur varfërinë, urinë, pabarazinë, angaritë e madje as ankthin për nevojat tona bazike në të ardhmen. Po a munden ta arrijnë ato një gjë të tillë? Në disa raste, duket se po ngjet e kundërta. Makinat punojnë pa pushim duke prodhuar të mira të mahnitshme në sasi të mëdha, por në vend se kjo të na e bënte më të lehtë jetën, ne gjendemi të ligështuar si kurrë më parë. Ndoshta nuk i lidhim më si dikur fëmijët me zinxhir nëpër makinat qepëse të fabrikave, por siç detyrohet çdo punëdhënës nga konkurrenca të përbrendësojë risinë më të re teknologjike, edhe shumica prej nesh ndjehemi të prangosur nga teknologjia jonë, të shantazhuar gjithnjë e më tepër nga nevoja për të mbajtur ritmin e kërkesave të saj.

Shumë prej nesh kanë punë më pak cilësore sesa më parë dhe ndjehemi më të pasigurt se kurrë më parë – dhe akoma më shumë në ankth që fëmijët tanë të sigurojnë një punë e cila do t’u mundësojë atyre privilegjin e rropatjes së pasigurt nga një detyrë e rëndomtë për të mbajtur çatinë mbi kokë. Në shumë aspekte ngjajmë me brejtësit në rrotën e tyre lëvizëse: pavarësisht se sa shpejt vrapojmë, nuk po shkojmë në të vërtetë askund. Që këndej mund të dalim në përfundimin se makinat nuk po punojnë për të mirën tonë; ka raste kur duket sikur ne punojmë furishëm që t’u shërbejmë atyre.

Nga ky këndvështrim, romani i Mary Shelley-t mund të shërbejë si një alegori: një paralajmërim ndaj lexuesve të shekullit të nëntëmbëdhjetë se, nëse nuk tregoheshin të matur, në vend se t’i shërbente njerëzimit, teknologjia do të krijonte përbindësha për të na skllavëruar, terrorizuar e madje shkatërruar; se këto krijesa të lindura nga gjenialiteti njerëzor – ashtu si jeta që doktor Frankenshtajni ia doli të krijonte nga pjesë kufomash – do të ktheheshin kundër krijuesve të tyre, duke sjellë pasoja tragjike.

Historitë që tregojmë zbulojnë shumëçka mbi ne. Duke gjykuar mbi letërsinë dhe kinemanë prej industrializimit e tëhu, nga tregimi Qulli i ëmbël i Vëllezërve Grimm dhe Ndihmësi i Magjistarit i Goethe-s, te filma si Blade Runner dhe The Terminator, duket se jemi shumë të frikësuar nga krijesat tona. Nga të gjitha këto histori, ka një vepër fantashkencore që, për mendimin tim, lartohet si pasardhësja e denjë e Frankenshtajnit të Mary Shelley-t, të paktën si një alegori e prirjes së shoqërive të tregut për të përdorur teknologjinë si mjet që na skllavëron në vend se të na çlirojë: The Matrix.

 

The Matrix dhe Karl Marksi

Krijesa e sajuar nga pjesë të ndryshme kufomash nga doktor Frankenshtajni vret njerëz për shkak të angështisë së papërballueshme ekzistenciale. Makinat te filmat The Terminator kërkojnë të shfarosin njerëzimin si pjesë e planit të tyre për të sunduar planetin. The Matrix, megjithatë, shkon një hap më tutje, duke shpërfaqur një Tokë në të cilën makinat kanë marrë tashmë kontrollin, por ende përpiqen të na mbajnë gjallë.

Arsyeja pse makinave nuk iu volit të na lënë të vdesim është se para se ato të merrnin pushtetin, ne – njerëzit – kishim shteruar burimet e energjisë në Tokë dhe e kishim mbuluar planetin me një re të zezë të padepërtueshme që bllokon energjinë diellore. Të vetmet burime energjie që mbeten janë trupat njerëzorë. Pasi na kanë burgosur nëpër lëvozhga speciale ku ushqehemi dhe ujitemi si të ishim bimë hidroponike, dhe nga ku nxehtësia e prodhuar nga metabolizmi ynë mund të grumbullohet dhe të përdoret për furnizimin me energji të shoqërisë së tyre, makinat kanë zbuluar se edhe po të ushqehemi me të gjitha lëndët e nevojshme dhe të ruhemi në kushte optimale, të mbyllur nëpër lëvozhga, të izoluar nga ndërveprimi, shpresa e liria, njerëzit vdesin shpejt. Prandaj makinat krijojnë matricën (the Matrix): një realitet virtual i simuluar nga kompjuterë, i cili mund të projektohet në trutë e njerëzve të skllavëruar, duke u lejuar mendjeve tona ta përjetojnë jetën ashtu siç ishte përpara se të ndodhnin të gjitha këto, duke na mbajtur të pavetëdijshëm mbi gjendjen e skllavërisë dhe shfrytëzimit.

Filmat e mëdhenj futuristë si The Matrix na prekin nervin sepse na flasin mbi të tashmen. The Matrix është një reflektim – mund ta quash një dokumentar i shprehur përmes metaforës – i kohëve tona ose të paktën i angështive tona. Ai paraqet frikën e një mekanizimi kaq tërësor, e një transformimi në mall të trupave tanë dhe një skllavërimi të mendjeve tona kaq të suksesshëm, saqë ne nuk jemi më as të vetëdijshëm për to, pasi vetë teknologjitë që na sundojnë na kanë bërë të verbër ndaj këtij realiteti. Në fakt, The Matrix shpreh frikën se kjo mund të ketë ndodhur tashmë, por ne nuk mund ta dimë një gjë të tillë.

Karl Marksi, mendimtari i mirënjohur revolucionar i shekullit të nëntëmbëdhjetë, shkroi dikur se mjetet e prodhuara të prodhimit – makinat – janë “forca të cilës duhet t’i përulemi”. Mund të thuhet se The Matrix pasqyron përkryerjen e këtij procesi: na tregon situatën drejt së cilës Karl Marksi mendonte se na shtynte evolucioni i shoqërisë së tregut. (Fakti se doktor Marksi ishte veçanërisht i ndikuar nga Frankenshtajni i Shelley-t nuk duhet të na habisë; ata që dinë të shkruajnë mirë mbi ekonominë i huazojnë idetë e tyre më të arrira nga artistët, shkrimtarët, shkencëtarët.)

E prapëseprapë, sipas Marksit, brenda ekonomisë sonë ekziston ajo që mund ta quajmë valvul sigurie, e cila mund të na japë arsye për të shpresuar: një prirje e brendshme e shoqërive të tregut, e përforcuar nga mekanizimi i punës, për të gjeneruar kriza përpara se makinat t’ua marrin tërësisht kontrollin punëtorëve, çka e parandalon përjashtimin e të gjithë punës njerëzore nga prodhimi i gjërave.

 

Sindroma e Ikarit

Të kujtohet tregimi i Ikarit? Se si i keqpërdori krahët që i ati, Dedali, farkëtoi për të prej dylli dhe pendësh që ai të arratisej nga labirinti i mbretit Minos? Në fund, Ikari fluturoi shumë pranë diellit, dylli iu shkri dhe u plandos në detin Egje.

Shoqëritë e tregut priren kah e njëjta marrëzi. Fillimisht, shkojnë gradualisht, me shumë mund, drejt automatizimit, ngjashëm me Ikarin në nisjen e fluturimit në përpjekjen për t’u ngritur nga toka, por hap pas hapi puna e punëtorëve shtrydhet jashtë procesit të prodhimit teksa adaptohen teknologjitë e ndryshme të reja, prej motorëve me avull të shekujve të tetëmbëdhjetë dhe të nëntëmbëdhjetë deri te robotët e ditëve tona. Hap pas hapi, kostoja e prodhimit të një buloni, rrobe a makine bie ca më shumë, dhe konkurrenca mes prodhuesve të makinave apo rrobave i ul çmimet. Megjithatë vjen një moment kur ndryshimi teknologjik merr frenat në dorë, duke ia mbathur drejt diellit. Kostoja e prodhimit të një mikroçipi apo një iPhone-i fillon të ulet në mënyrë të përnjëhershme. Kemi mbërritur tashmë në këtë fazë. Nëse sot viziton një fabrikë moderne të prodhimit të automjeteve apo të smartphone-ve e laptopëve, të bien në sy ushtritë e  robotëve mekanikë që punojnë pothuajse pa ndërhyrje njerëzore. Por siç e dimë, shoqëria e tregut që e cyt përpara këtë proces ushqehet me fitime, të cilat mund të përftohen vetëm nëse çmimet  janë mbi kostot. Problemi lind nga tri forcat që i shtyjnë çmimet të bien poshtë këtij niveli.

Së pari, automatizimi i prodhimit i ul kostot e prodhimit. Së dyti, konkurrenca e paskrupullt mes prodhuesve ua pamundëson atyre t’i ngrenë çmimet sipër kostove (në rënie). Kjo sjell efektin e shtrydhjes së fitimeve në minimumin e tyre të mundshëm. Së treti, robotët që kanë zëvendësuar punëtorët nuk shpenzojnë para për të blerë produktet që kanë prodhuar. Kjo sjell zvogëlimin e kërkesës. Sipas Marksit, këto tri forca në fund i shtyjnë çmimet të bien poshtë nivelit të nevojshëm për të mbuluar kostot dhe për të shtyrë përpara procesin. Ky është momenti kur, ashtu si Ikari, shoqëria e tregut i ndjen flatrat e veta të shkrihen. Me automatizimin që po zhvillohet sot me një ritëm të furishëm, mundësia që çmimet të plandosen shumë më shpejt krahasuar me kapacitetin e reagimit të kompanive rritet gjithnjë e më shumë.

Në praktikë ngjarjet rrjedhim si vijon. Përballë çmimeve në rënie, sipërmarrësit, që detyrohen nga konkurruesit e tjerë për të huazuar vlerë nga e ardhmja në mënyrë që të investojnë në makineritë e fundit, zbulojnë se fitimet te të cilat i kishin varur shpresat po veniten. Kur çmimet e shumë produkteve bien njëkohësisht nën kostot, disa sipërmarrës, më të brishtët e më pak efecientët, pësojnë humbjet më të mëdha dhe falimentojnë. Ata u japin bankierëve të tyre lajmin e hidhur se nuk do të jenë në gjendje t’i kryejnë pagesat e kredive, çka shkakton kataraktin e pasojave që diskutuam më sipër: trandet ekonomia dhe ia beh kriza.

E kemi parë këtë situatë më parë, veçse tani ndeshemi me një shkak më të thellë të krizës: tkurrjen, shtrydhjen e njerëzve nga procesi i prodhimit. Pikërisht në këtë moment tregu i punës njerëzore rikthehet në skenë, duke rimarrë të paktën një pjesë të vogël të procesit të prodhimit nga makinat. Por si tamam?

Ashtu si makinat, kriza i shtyn edhe njerëzit drejt plogështisë: ata bëhen të tepërt. Në këtë moment, çdo sipërmarrës që ia ka dalë të mbijetojë me biznesin e tij kupton dy gjëra. E para është se meqenëse shumë prej konkurrentëve të tij kanë falimentuar, konkurrenca është zbehur. Kjo i lejon të rrisë çmimet pak sipër kostove, duke i dhënë një shtysë fitimit. Tjetra është se tanimë i bie më lirë marrja hua e punëtorëve sesa futja në prodhim e makinave – ndoshta për shkak të nevojës problematike që kanë njerëzit për të ngrënë, çka i shtyn ata të pranojnë, pas njëfarë pike, çfarëdolloj çmimi për punën e tyre. Rezultati i gjithë kësaj është se në mesin e krizës punëtorët rifitojnë pëlqyeshmërinë në sytë e punëdhënësve dhe fitojnë pak terren përkundrejt makinave. Në fakt, në krizën më të rëndë globale që mbahet mend – që vijoi pas rënies së vitit 2008 – punëtorët bënë një rikthim të tillë të shumtë në numër në ekonominë e tregut ndërkombëtar.

Ndonjëherë thuhet se zotat më hakmarrës përmbushin dëshirat tona më të përflakta. Dëshira më e zjarrtë e punëdhënësve është të heqin qafe elementin plëngprishës njerëzor nga bizneset e tyre, teksa ruajnë pronësinë mbi makineritë e prodhimit dhe fitimet që dalin nga ky monopol. Çdo zot i cili e përmbush këtë dëshirë duhet të jetë me gjithë mend hakmarrës. Ashtu si Mida, dëshira e të cilit për të kthyer në ar gjithçka që i prekte dora e bëri të trishtë e të vetmuar, të pamundur për të prekur të dashurit e tij përveçse duke i vrarë, punëdhënësit e uritur për fitime kuptojnë se automatizimi sjell efekte të kundërta nga ç’ prisnin: humbje të fitimit, e madje më keq akoma – krizë e cila mund t’i falimentojë.

Një tjetër alegori me të cilën mund të përshkruhet zullumi i shoqërisë së tregut është tregimi i mirënjohur i Sizifit, mbretit të dënuar nga Zeusi që të shtyjë një shkëmb më të përpjetë një kodre, vetëm për ta parë se si rrokulliset poshtë pak para se të arrijë majën, prapë e prapë deri në pafundësi. Në mënyrë të ngjashme, shoqëritë e tregut janë të dënuara të përpiqen vazhdimisht të realizojnë diçka që zhbëhet vetëm pak përpara se të përmbushet: ta nxjerrin elementin njerëzor jashtë prodhimit të mallrave.

Nuk e di ç’mendon, por unë gjej diçka qetësuese te kjo ironi.

 

Rezistenca nuk është kurrë e kotë

Rreth viteve kur Mary Shelley shkruante Frankenshtajnin, një grup punëtorësh anglezë të njohur si luditë protestuan kundër humbjes së vendit të punës nëpër fabrikat e pambukut dhe leshit, ku tashmë tezgjahët punonin me motorë me avull, duke shkatërruar makinat. Luditët janë ndër protagonistët më të keqkuptuar të historisë. Mllefi i tyre nuk ishte ndaj makinave në vetvete, megjithëse shkatërruan plot syresh; ata kundërshtonin faktin se pronësinë mbi makinat e kishin fare pak vetë. Kundërshtia e tyre ishte ndaj marrëdhënies sociale, jo teknologjisë.

Ajo që luditët nuk mundën ta arrinin – të kufizonin marrshin përparues të makinave – është arritur, të paktën herë pas here, nga momentet prej Ikari të shoqërisë së tregut – në ato momente historike kur një ngërç i shkaktuar nga kombinimi i automatizimit me bankierët është kthyer në krizë. Kjo nënkupton se ndërsa automatizimi vazhdon me një ritëm mbresëlënës, kjo përbën vetëm një copëz të tablosë.

Nëse i hip sot avionit për në Bangladesh për të vizituar një fabrikë që prodhon bluza, do të mahnitesh nga pamja e mijëra punëtorëve, jo makinave, që qepin pa pushim. Këto pamje do të ngjanin jashtëzakonisht shumë me ato të shfaqura në filmin e vitit 1936 të Charlie Chaplin-t Kohët Moderne. Në të, personazhi i Chaplin-it është punëtor fabrike në një njësi montimi në seri që është vazhdimisht në lëvizje, një risi e cila, prej shpikjes së saj më 1913, e kishte revolucionarizuar prodhimin. I detyruar të punojë gjithmonë e më shpejt që të mbajë ritmin e makinave, ai shpejt fillon të sillet edhe vetë si një e tillë, duke dalë jashtë kontrollit, derisa përfundon i papunë dhe në burg.

Duke gjykuar nisur nga ekzistenca e njëkohshme e fabrikave të krahut të lirë të punës dhe e fabrikave futiriste të robotizuara, Marksi duket se ka pasur të drejtë, të paktën në një aspekt: qasja specifike e shoqërive tona të tregut ndaj risive teknologjike nuk lidhet vetëm me zëvendësimin e punëtorëve me robotë, por edhe me mekanizimin e punëtorëve atëherë kur niveli i pagave i bën ata më tërheqës sesa robotët.

Dhe këtu hasim në një tjetër ironi që duhet t’u japë pak shpresë njerëzve në garën me makinat. Punësimi i njerëzve vjen gjithmonë me përparësinë se punëtorët, ndryshe nga makinat, i riciklojnë pagat e tyre, sado të vogla qofshin, duke ndihmuar në sigurimin e një tregu për bluza dhe mallra të tjera për prodhimin e të cilave japin kontribut. Sipas të njëjtës logjikë, nëse këto paga bien – siç ndodh kur puna bëhet më e mekanizuar dhe kërkon më pak mjeshtëri – do të vijë një moment kur ato do të bëhen tepër të ulëta për të ndihmuar në shitjen e të mirave që ata prodhojnë.

E parë nga ky këndvështrim, është në të mirën e të gjithë shoqërisë së tregut – në fund të fundit, edhe të punëmarrësve – që punëtorët t’i rezistojnë mekanizimit të tyre sepse është pikërisht kjo që i vë fre procesit fitimshkatërrues të automatizimit. Një tjetër paradoks i fshehur në themelet e shoqërisë së tregut: megjithë kundërshtimin e të gjithë punëdhënësve, aftësia e punëtorëve për t’u organizuar në sindikata për të kërkuar shkurtim të orëve të punës, paga më të larta dhe kushte më njerëzore përbën kundërhelmin ndaj sindromës së Ikarit.

Te Star Trek-u heronjtë tanë e gjejnë shpesh veten duke u përballur me hordhitë e Borgut, një entitet kolektiv i mekanizuar që ka për qëllim ta transformojë çdo qenie që takon në shëmbëlltyrën e vet dhe mesazhi që i drejton njerëzimit është: “Ju do të asimiloheni – rezistenca është e kotë!” Përkundrazi, rezistenca nuk është kurrë e kotë!

 

Makina-skllevër apo makina-pronarë?

Mund të vësh në dukje se për automatizimin e plotë të prodhimit do të na duhej të prodhonim makina që do të mund të projektonin makina të reja. Këtu ke të drejtë. Në ditët e sotme, vlera më e madhe e këmbimit prodhohet nga projektuesit, jo nga punëtorët e linjës së prodhimit apo mbikëqyrësit. Për të të dhënë një shembull praktik, nga rreth £600 që kushton sot një iPhone, më pak se £150 i shkojnë fabrikës që e prodhon në Kinë. Pjesa tjetër i shkon Apple-it si pagesë për të ashtuquajturat të drejta intelektuale të autorit. Prandaj, i gjithë spekulimi ynë për një botë tërësisht të automatizuar si te The Matrix është i kotë, nëse gjenialiteti i njeriut, kapaciteti i tij për të sjellë risi, për të projektuar makina dhe të mira që nuk ekzistojnë aktualisht, nuk mund të riprodhohet nga makinat. A mund të zhvillohen makinat mjaftueshëm sa të përmbushin të tilla detyra? Shumëçka varet nga përgjigjja e kësaj pyetjeje.

Nëse ato munden, atëherë ne mund të përfytyrojmë një proces prodhimi të vënë në punë tërësisht nga një ushtri punëtorësh androidë të sofistikuar që punojnë jo vetëm si punëtorë krahu, por edhe si shpikës, projektues dhe menaxherë për të gjitha angaritë që duhet të kryejë njerëzimi. Ne njerëzit, ndërkohë, do të mund të jetonim të gjithë si Sokrati, Platoni dhe Aristoteli, duke u fjalosur në agora mbi domethënien e gjithçkaje – veçse në këtë skenar të së ardhmes asnjeri nuk do të ishte i detyruar të kryente të gjithë ato punë të vështira që duhet të bënin gratë dhe skllevërit e antikitetit. Nga ana tjetër, ne mund të përfundojmë si bateri njerëzore të mbyllura nëpër lëvozhga, dritëshkurtër ndaj skllavërimit tonë.

Derisa të përmbushet njëri nga dy skenarët, ajo që dimë është se shumë shpejt makinat do të jenë në gjendje të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme, gjëra të cilat sot as që mund t’ia nisim t’i imagjinojmë. Në vitet në vijim, për shembull, ka për të qenë shumë vështirë të dallosh, kur flet në telefon me një ofrues shërbimi, nëse je duke folur me një njeri apo me një makinë. Kjo do të shkatërrojë disa milionë vende pune në të gjithë botën. Pyetja e vërtetë shtrohet: a do të zëvendësohen këto vende pune nga vende të reja të cilat vetëm njerëzit mund t’i kryejnë si duhet?

Nëse shoqëria jonë mbetet e organizuar kështu siç është në të tashmen, me një grup të vogël që ka të drejtën të vjelë fitimet që prodhohen nga makinat, atëherë unë dyshoj se jo. Në botën tonë shumë larg ideales, që dallon kaq shumë nga ajo e Star Trek-ut, ata që kontrollojnë teknologjinë janë të përkushtuar ta përdorin atë në mënyrë që të rrisin fitimet dhe pushtetin e tyre. Ëndrra e çdo punëdhënësi, tekembramja, nuk është një shoqëri në të cilën askush nuk duhet të punojë, ku fitimi është i pakuptimtë dhe ku çdokush shijon barazisht frytet e përbashkëta që shërbehen nga makina të projektuara prej makinave të tjera. Ëndrra e tyre është që, pasi t’i kenë zëvendësuar të gjithë punëtorët e tyre me androidë përpara kujtdo tjetër, të kenë mundësi të akumulojnë fitimin dhe pushtetin që nuk mund ta zotërojnë garuesit e tjerë, të cilët, nga ana e vet, krijojnë tregun për produktet e tyre duke vazhduar së punësuari punëtorë.

Nëse kam të drejtë për këtë që them, shoqëritë e tregut nuk do të evoluojnë në mënyrë të natyrshme drejt shoqërisë së mirë, të ngjashme me atë të Star Trek-ut, të cilën korporatat gjigante të teknologjisë këmbëngulin se janë duke na e sjellë. Kam frikë se na pret diçka më e ngjashme me The Matrix, e kontrolluar jo nga makinat, por nga krerët tejskajshmërisht të pasur dhe të pushtetshëm të këtyre kompanive. Në qoftë kështu, nuk është më thjesht çështje e të priturit me durim derisa Google-at, Apple-at, Tesla-t, Amazon-ët dhe Microsoft-ët e të sotmes të na shërbejnë më të mirën e botëve në një pjatë argjendi.

Atëherë, ç’duhet të bëjmë?

 

Sekreti i vlerës së këmbimit: njerëzit

Në dekadat e fundit ka dalë mbi ujë një argument i ri interesant. Meqenëse triumfi i inteligjencës artificiale mbi atë njerëzore është i pashmangshëm, atëherë në vend se të ndryshojmë organizimin e shoqërisë sonë, me ligjet e saj dhe të drejtat mbi pronësinë, le të bëjmë të kundërtën për ta ndalur këtë proces të ngadaltë dhe ruajtur humanizmin tonë të roitur: le ta përqafojmë ndryshimin dhe të nxitemi drejt teknologjive që na lejojnë të bëhemi “pasnjerëzorë”, të pandashëm nga makinat e sofistikuara që do të krijohen. Me fjalë të tjera, nëse nuk mund t’i mposhtësh, bashkoju atyre!

Për t’i kuptuar siç duhet rrjedhojat e këtij vizioni kontrovers, duhet që fillimisht t’i përgjigjemi pyetjes: ku dallon një njeri me vullnet dhe shpirt të vetin nga një robot i avancuar?

Në filmin e vitit 1982 Blade Runner, protagonisti, Rik Dekard (që luhet nga Harrison Ford-i), ka detyrën e vështirë dhe të palakmueshme të zbulimit dhe shkatërrimit të robotëve sinjerëzorë që janë arratisur nga kolonitë e largëta jashtëtokësore – ku ishin izoluar nga njerëzit, të frikësuar nga forca dhe inteligjenca e tyre – për të gjetur rrugën e kthimit në Tokë. Problemi është se me përmirësimin e teknologjisë së androidëve, këto “kopje” janë sofistikuar gjithnjë e më shumë duke u bërë të padallueshme nga njerëzit. Në detin e pafund të njerëzimit në Los Angeles, Dekardi e ka përherë e më të vështirë të pikasë shënjestrat e veta, dhe kur modeli më rishtar e i avancuar i andoridëve fillon të ketë ndjenja dhe dëshirën për liri, detyra e Rikut bëhet mbinjerëzore. Te filmi Blade Runner, Riku – dhe publiku – detyrohet të shtrojë pyetjen se ç’do të thotë të jesh njeri.

Tani mendo sikur je e shurdhër dhe ke një pajisje në vesh, apo sikur këmba jote të zëvendësohej me një këmbë tjetër bionike. A do të ishe përsëri njeri? Sigurisht që po. Supozo më tej se do të fillonim të të zëvendësonim organet, njërin pas tjetrit, me organe mekanike: zemër bionike, mushkëri mekanike, mëlçi dhe veshka artificiale. A do të ishe ende njeri? Sigurisht që po. Po sikur të ndërhynim në tru? Po sikur, për shembull, të të vendosnim një mikroçip në një zonë strategjikisht të përzgjedhur të trurit – siç ndodh për të  mpakur simptomat e pacientëve që vuajnë nga sëmundja e Parkinsonit – në mënyrë që të të përmirësonim reflekset? Sërish, supozoj se pas gjithë kësaj teknologjie ti do të ishe e njëjta Ksenia.

Po sikur, më pas, të zëvendësonim një copë tjetër të trurit tënd? E më pas një tjetër? E një tjetër? Për t’i rënë shkurt, nëse do të vazhdonim kështu, diçka do të zëvendësohej te ti që do të thoshte se ti s’do të ishe më ti, e përfundimisht do të arrinte një pikë ku do të ishe kthyer në një android. Ndoshta s’jemi në gjendje të përcaktojmë saktësisht se ç’pjesë përbërëse, nëse do të zëvendësohej tek unë apo te ti, do të na kapërcente matanë. Mjafton të kuptojmë, përmes mungesës së saj, se ajo ekziston.

Po të supozojmë se e bëjmë diçka të tillë jo vetëm me ty, por me të gjithë njerëzit nëpër botë. Kjo do të nënkuptonte se gjithkush në botën e Blade Runner-it do të ishte një “kopje” – përfshi këtu edhe Rik Dekardin – apo se ne nuk do të ishim skllavëruar nga Matrix-i, por do të ishim kthyer në makinat që e vinin atë në punë: një situatë e dëshirueshme për ata që përfytyrojnë një të ardhme pasnjerëzore. Duke lënë mënjanë të gjitha çikërrimat dhe kundërshtitë sentimentale që mund të kesh lidhur me një të ardhme të tillë, kam frikë se në terma katërçipërisht ekonomikë një shoqëri e tillë androidësh do të ishte pashmangshmërisht plot cene.

Le të rikthehemi te The Matrix dhe të shtrojmë pyetjen se cili është ndryshimi midis ekonomisë së atjeshme dhe llojit tonë të ekonomisë? Përgjigja është se në ekonominë tonë gjithçka varet nga vlera e këmbimit, ndërsa në atë të The Matrix vetë koncepti i vlerës së këmbimit është absurd, i pakuptimtë. Padyshim që ekziston një ekonomi komplekse në botën e The Matrix: nevojitet një armatë e tërë makinash për ta ruajtur, duke i zëvendësuar vazhdimisht pjesët e tyre mekanike me pjesë të reja, duke projektuar teknologji të reja, duke prodhuar makina të reja dhe e përditësuar Matrix-in. Por në mungesë të njerëzve të ndërgjegjshëm të pajisur me arsye dhe vullnet të lirë, nuk ka kuptim të flasësh për vlerën e këmbimeve mes makinave, pasi nuk ka njeri për t’i vlerësuar.

Mendo për një moment për një orë të vjetër mekanike! Secila prej rrotullave dhe sustave brenda saj punon në mënyrë të pavarur dhe të koordinuar për të treguar orën e saktë të ditës. Ky është një sistem plot me këmbime komplekse energjie. Por të thuash pjesët e saj krijojnë vlerë këmbimi për njëra-tjetrën është padyshim qesharake. Të jetuarit në një botë pasnjerëzore të populluar vetëm me “kopje” do të ishte njësoj si të jetuarit brenda një ore apo një laptopi: një sistemi të ndërvarur pjesësh mekanike që veprojnë pa ndërhyrjen e njeriut, të afta për të ndërtuar struktura, forma, madje edhe qytete të mrekullueshme, por të paafta për të prodhuar vlera këmbimi.

Këto qytet-shtete do të përngjanin më tepër me hojet e bletëve sesa me shoqërinë, anëtarët e tyre më shumë me bletët sesa qytetarët. Kjo nuk do të mund të quhej më shoqëri tregu. Madje as shoqëri.

 

Burime shprese

Na pëlqen ose jo, është vetëm çështje kohe përpara se teknologjia të krijojë kopje njerëzore të afta për të kryer pjesën më të madhe të punëve. Por ndërsa bota pasnjerëzore është po aq e padëshirueshme sa ç’është edhe e paaftë për të mbajtur në këmbë një ekonomi, zgjidhja nuk mund të gjendet as tek e kundërta e saj: të ndalojmë risitë teknologjike që mund të na çlirojnë nga angaritë e jetës, të gjenerojnë energji të pastër dhe të sintetizojnë barna që shpëtojnë jetë. Më lejo të shprehem qartë për këtë: e dashuroj teknologjinë dhe përfitimet e pafund që mund t’i sjellë njerëzimit dhe planetit, ashtu siç Mary Shelley, jam i sigurt, që e dashuronte idenë se shkenca mund të mposhtte sëmundjet. Por një gjë është të dashurosh teknologjinë dhe një tjetër të rrish rehat në qoshkun e historisë teksa njerëzimi kthehet gradualisht në gjeneratorët e fuqisë së The Matrix – qoftë edhe për faktin se diçka e tillë minon atë që e mban ekonominë gjallë.

Por kush mund ta parandalojë shtysën e pandalshme të mekanizimit të prodhimit prej shkaktimit të krizave të njëpasnjëshme, duke i dënuar brez pas brezi punëtorët me keqpunësim apo papunësi të plotë? Kush mund të shfaqet si Fantazma e Krishtlindjeve për të paralajmëruar Ebenezer Skruxhët e botës sonë të mekanizuar lidhur me të ardhmen për të cilën janë duke punuar?

Si për ironi, me hovin që po merr teknologjia, ne mund të zbulojmë se nuk jemi të vetmit që po përpiqen ta mbajnë shpirtin njerëzor në kabinën e drejtimit. Në skenën përmbyllëse te Blade Runner-i, Rik Dekardi bie në dashuri me një android tek i cili kanë lindur emocionet – një prej atyre që duhej të hiqte qafe. Pasi kupton se rrezikon të humbasë humanizmin e tij duke eliminuar “kopjen”, Dekardi vendos të mos u bindet urdhrave duke u arratisur me të dhe duke i lejuar të dashurës së tij androide të gjejë shpirtin e saj të papërcaktueshëm. Gjëra të tilla mund të jenë të pamundura në realitet, por në një shoqëri që e ka vendosur të na kthejë në androidë, ideja se jo vetëm që ne do të rezistojmë, por edhe se androidët mund ta tejkalojnë natyrën e tyre mekanike, na jep një rreze shprese se teknologjia nuk do të na çojë detyrimisht drejt Matrix-it distopik; se diçka më pranë Star Trek-ut është e arritshme.

Duke lënë mënjanë të tilla shpresa të ekzagjeruara, le t’i kthehemi tani shpresës së madhe dhe të realizueshme që kemi në dorë: bindjes, ose të paktën bindjes sime, se njerëzit kanë një aftësi të pashtershme për t’i bërë ballë gërryerjes së shpirtit dhe zhvlerësimit të punës së tyre. Fundja, The Matrix nuk është një histori skllavërimi; është historia e rezistencës dhe çlirimit tonë nga skllavërimi. Burimi tjetër i shpresës është dijësimi se ne kemi një aleat tjetër të shkëlqyer gjatë kësaj përpjekjeje: nëse procesi i automatizimit do të jetë i suksesshëm më shumë se ç’duhet, një krizë e llojit të Ikarit do ta ndjekë me patjetër, duke e ngadalësuar atë.

Padyshim që ne nuk duhet ta harrojmë asnjëherë se krizat shkatërrojnë jetën e miliona vetëve, brezave të tërë, prandaj nuk duhet t’i varim shpresat te to. Njëkohësisht, tërmetet periodike të ekonomisë sonë ofrojnë mundësi për rimëkëmbjen e punës së njeriut. Falimentet dhe krizat e bëjnë më të lirë, të paktën përkohësisht, për bizneset e mbijetuara punësimin e punëtorëve të rropatur në vend të robotëve të shtrenjtë. Çdo krizë mbart brenda saj rimëkëmbjen. Dhe e anasjella.

 

Një Transformim i Madh i ri dhe ndryshe

Krizat kanë një tjetër përparësi. Kohë para se të lindje ti, përgjatë të ashtuquajturave kohë të mira kur borxhi i tejskajshëm i krijuar nga bankat po ushqente flluskën madhështore që shpërtheu përfundimisht në vitin 2008, biseda nëpër tavolinat e ngrënies, nëpër media, në parlament ishte e tjetërbotshme: pjesëtarët e klasës së mesme flisnin pafundësisht lidhur me çmimin në rritje të shtëpisë të tyre, investimet e tyre të suksesshme, bindjen se krizat ishin një çështje e së shkuarës. Kjo ishte një periudhë e trishtë dhe pezmatuese. Megjithëse u trondita dhe u xhindosa me vuajtjen që solli kriza e vitit 2008, më kujtohet edhe se sa i çliruar u ndjeva kur flluska plasi: të paktën e vërteta e situatës sonë u bë e qartë. Përulësia mund të rikthehej.

Sigurisht që është acarues fakti se e vetmja mënyrë për të ruajtur shpirtin dhe arsyen tonë është përmes flijimeve të herëpashershme në altarin e përgjakur të krizave ekonomike. Kjo është arsyeja pse duhet të ndërmarrim një Transformim të Madh të ri dhe të ndryshëm, duke u siguruar që puna e makinave të përdoret në mënyrë eficiente dhe t’i shërbejë gjithkujt. Pra si do të ngjante një gjë tillë?

Ja një ide se si t’i bashkërendojmë interesat e njerëzimit me zhvillimin e makinave. Fare shkurt, kjo masë e thjeshtë dhe praktike do të bënte që një pjesë e makinave të çdo kompanie të bëhej pronë e të gjithëve – me përqindjen e fitimeve që do t’i korrespondonte asaj pjese e cila do të derdhej në një fond të përbashkët që do të ndahej barazisht me të gjithë. Mendo se çfarë ndikimi do të kishte kjo gjë në rrugëtimin e historisë njerëzore!

Aktualisht, automatizimi i vazhdueshëm e zvogëlon pjesën e të ardhurave totale që u shkon punëtorëve, duke kanalizuar gjithnjë e më shumë para në xhepat e të pasurve, që janë pronarë të makinave. Por siç e pamë, kjo sjell uljen e kërkesës për produktet e tyre pasi shumica ka gjithnjë e më pak para për të shpenzuar. Mirëpo, nëse një pjesë e fitimeve do të shkonte automatikisht nëpër llogaritë bankare të punëtorëve, atëherë kjo trysni që e ul kërkesën, shitjet dhe çmimet do të zhbëhej, duke e kthyer të gjithë njerëzimin në përfituesin e punës së makinave.

Për aq kohë sa puna e kualifikuar e njeriut është e nevojshme për projektimin e makinave që prodhojnë të tjera makina, automatizimi i plotë i procesit të prodhimit nuk ka për të ndodhur. Në këtë rast, efekti i shpërndarjes së fitimeve që përshkrova më lart do të ishte ruajtja e çmimeve pak a shumë në të njëjtin nivel, ndërkohë që të ardhurat rriten, e si rrjedhojë produktet bëhen gjithmonë e më të përballueshme.

Dhe nëse ndodh ndonjëherë që procesi i prodhimit të robotizohet plotësisht, ku njerëzve nuk do t’u duhet më të punojnë për projektimin apo manifakturimin e robotëve që prodhojnë të tjerë robotë, atëherë të gjitha çmimet dhe gjithë të ardhurat do të bien gradualisht derisa çdo produkt do të jetë njësoj si ajri që thithim: kaq i bollshëm saqë askush nuk ka pse të paguajë për të, sado i çmuar qoftë. Atëherë, dhe vetëm atëherë, do të mund të krenohemi duke thënë, ashtu si kapiteni Pikard i Star Trek-ut: “Njerëzit nuk janë më të fiksuar me akumulimin e sendeve. Ne e kemi eliminuar urinë, dëshirën dhe nevojën për pronësi. Tanimë e kemi tejkaluar foshnjërinë.”

Edhe pse mund të të duket se e kam humbur fillin dhe jam pleksur në një fantazi fantastiko-shkencore – siç do të pohojë shumëkush – mos u shqetëso! Jam mes miqsh të shkëlqyer. Në një ese mbi “mundësitë ekonomike të nipërve tanë”, një prej ekonomistëve më të shquar që ka jetuar ndonjëherë, John Maynard Keynes, shkroi si më poshtë: “Dashuria për paratë si zotërim… do të demaskohet duke dalë ashtu siç është: një çrregullim i neveritshëm, një nga ato prirjet gjysmëkriminale e gjysmëpatologjike që u lihen në dorë duke u rrëqethur specialistëve të sëmundjeve mendore.”

Edhe pse e shkroi këtë në vitin 1930, kur ideja e robotizimit të plotë të prodhimit ishte shumë më e tepruar se çfarë është sot, Keynes-i i ngjan shumë kapiten Pikardit. Apo jo?!

Për ta thënë copë: neve si specie na nevojitet sa më shpejt një mënyrë për përdorimin e të gjithë kapacitetit tonë teknologjik pa qenë nevoja që periodikisht të shkatërrojmë jetën e një pjese të mirë të njerëzimit dhe përfundimisht të skllavërojmë veten tonë në duart e të paktëve. Për ta bërë këtë na nevojitet fillimisht të rishpërndajmë mes veti pasuritë, që makinat që ne kemi krijuar mund të prodhojnë, nëpërmjet pronësimit të pjesshëm të këtyre makinave.

Çfarë na ndalon nga realizimi i saj? Kundërshtia e vendosur e asaj minorance të vockël por shumë të fuqishme që ka pronësinë mbi makinat, tokën, blloqet e zyrave dhe, sigurisht, mbi bankat. Çfarë mund të bëjmë përballë rezistencës së tyre?

Më ndiq! Përgjigja do të vijë shumë shpejt.

E përktheu Redi Muçi

Pjesë e shkëputur nga libri i Jani Varoufakisit “Duke folur me vajzën time mbi ekonominë  – Një histori e shkurtër e kapitalizmit”.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.