Do doja të isha student

/Kurt Tucholsky/

“Asokohe isha kandidat për mësues shumë i ri.” – thonë disa. Kështu e kanë lexuar në libra. Nuk isha kandidat shumë i ri, por më kujtohet mirë koha kur i kisha mbaruar studimet dhe nuk kisha provime për të rishikuar, i përulesha një mësuesi të madh, për leksionet e të cilit nuk isha i denjë: aty m’u bënë të qarta disa gjëra. Atëherë i kuptova të gjitha ato që dikur, para tre vitesh, nuk ia kisha haberin; aty pashë lidhjet dhe dëgjova me kujdes dhe nuk humba asnjë moment; atëherë isha student i vëmendshëm dhe i dobishëm. Mirëpo atëherë ishte shumë vonë. Prandaj do doja të isha sërish student.

E keqja është se midis moshës tridhjetë dhe dyzetëvjeçare s’na mbetet asnjë moment për të marrë frymë. Për dreq kjo kohë ikën me revan, paçka se është faza e fundit kur njeriu mund të mësojë; më pas njeriu veç i jep kapitalit dhe jeton prej tij. Studentët pesëdhjetëvjeçarë janë përjashtim. Sa keq!

Të pushosh, të ndalesh, të përmbledhësh, të rishikosh, të rimesosh – nuk kemi harruar vetëm njohuritë shkollore, për çka nuk do të na vinte edhe aq keq nëse do t’i kishim ruajtur metodat e t’menduarit. Po rrezikojmë të mbetemi mbrapa. Nuk është se dua te jem student vetëm për hir të radios dhe makinave. Do doja të isha student për të kuptuar dalëngadalë, mbi baza shkencore, se ku konsiston jeta njerëzore. “Nuk do t’ia arrij dot asaj dite” – thonë njerëzit në qytetet e mëdha kur bie fjala për ta kuptuar botën në tërësinë e vet, çka na mohohet që në rini. Kanë të drejtë: mbetemi përjetësisht të jashtëm, thjesht spektatorë.

Sa bukur duhet të jetë të studiosh me gjithë forcat dhe me krejt peshën e eksperiencës! Të përqendrohesh tërësisht te një çështje intelektuale! Të mos ia nisim sërish nga fillimi, por të përparojmë vërtet. Të përshkosh një shteg dhe jo njëzetë; të bësh një gjë dhe jo tridhjetetre. Asnjëri prej nesh nuk duket se ka kohë, kur në fakt të gjithë duhet të gjejmë pak. Shumë pak kanë para dhe ne ecim kaq shpejt sepse na shtyjnë, kurse disa të tjerë nga frika se, po të qëndrojnë, do të bien.

Student tridhjetë vjeç… kjo do të kërkonte përpjekje, punë, energji dhe suksese, i cili nuk arrihet kollaj, nuk të vjen menjëherë në pjatë argjendi. Çfarë rezultatesh do të arrish duke studiuar atëherë kur nuk ia ke më nevojën! Kur do të doje! Kur dija të hyjë nga dyer të hapura tejpërtej dhe jo nga një deriçkë që mezi hapet, sinë rini!

S’ka nevojë të dish gjithçka. “Mate kohën e jetës tënde!” – thoshte Seneka – “se nuk mjafton për shumëçka”. E ka fjalën për gjëra që njeriu duhet t’i harrojë, në rast se i ka ditur ndonjëherë. Po unë nuk e kam fjalën për këtë. Po flas për etjen për dije, që na është mohuar sepse ne duhet të japim mësim gjatë gjithë kohës. Të japim, atëherë kur duam të marrim. Myshteria shtyhet në banakun e dyqanit dhe shitësja shikon gjithë ankth nga dera e hyrjes së ushqimeve. Ku humbi furnitori?

Do doja të isha student. Mirëpo kur e mendoj mes sa “rrethesh” dhe organizatash studentore origjinale gjermane më duhet të zgjedh, atëherë më mirë të mos jem student. Ad exercitium vitae parati estisne? Sumus.

E përktheu Alban Pira

Marrë nga: Kurt Tucholsky –Gesamelte Werke, Band 7. Rowohlt Taschenbuch, f. 37-38

Imazhi: Bauhaus

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.