Sfidë oligarkisë nga minierat e Shqipërisë: “Pushtetin punëtorëve!”

/Christian Elia/

“Gjyshi im ka punuar në minierë qysh kur ajo u hap. Im atë ka punuar për 37 vjet. Përpara një viti doli në pension, por meqenëse pensionet e minatorëve janë të ulëta ka qenë i detyruar të rikthehej në minierë për të shtuar pak të ardhurat. Më pas vij unë. E gjithë familja ime ka punuar gjithë jetën nën tokë. Është koha për të ndryshuar jetën e shumë njerëzve; duhet ta bëjmë vetë sepse askush nuk do ta bëjë për ne.”

Këto janë fjalët e Elton Debreshit pas mbarimit të turnit në minierë, ende i mbuluar i tëri nga pluhuri. Pas zgjimit në orën 5:00 të mëngjesit, ai niset nga fshati ku jeton me gruan dhe katër fëmijët drejt qendrës së Bulqizës ku e pret së bashku me punëtorët e tjerë autobusi i pronarit të minierës për t’i çuar në punë. Në 6:30 hyhet në minierë dhe dritën e diellit e sheh vetëm në 13:30. Heq kaskën, fik llambën dhe ndez një cigare. Ky është vetëm fillimi i ditës së tij. Pas drekës në shtëpi nis aktiviteti politik.Ka një takim në qendrën rinore të një qyteze që është tre orë larg Tiranës, mes maleve, afër kufirit me Maqedoninë e Veriut. Eltoni është kandidati i parë i pavarur i zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri. Diçka e tillë nuk ka ndodhur që nga rënia e regjimit më 1991. Ka edhe tre fytyra të reja, por që kanë dalë nga partia Vetëvendosje, e cila pas fitores së zgjedhjeve në Kosovë ka zbritur edhe në Shqipëri. Eltoni është i vetmi në historinë Shqipërisë së kohëve të fundit që kandidon jashtë triadës së pushtetit: Partisë Socialiste të kryeministrit Rama, Partisë Demokratike të udhëhequr nga Lulzim Basha dhe Lëvizjes Socialsite për Integrim të udhëhequr nga gruaja e Presidentit aktual të Republikës Ilir Meta, e cila luan rolin e ekuilibrueses. 

Për Bulqizën, miniera është fati saj i pashmangshëm. “Kromin e zbuluan teknikët italianë në vitet 1930. Ata nuk gërmonin galeri, por merrnin gurët plot me mineral ngarkuar me gomarë dhe i çonin në Itali. Më 1948, pas Luftës, regjimi shqiptar gjeti hartat e gjeologëve italianë dhe vendosi të shfrytëzonte minierat e kromit, duke ndërtuar qytetin e Bulqizës, i cili asokohe ishte fshat.” – tregon Sami Curri, gazetar investigativ i lindur dhe i rritur në Bulqizë. “Gjyshi im ka qenë një prej atyre që kanë shpërthyer eksplozivin e parë për hapjen e minierës. Me punë vullnetare është ndërtuar qyteti i vjetër, ndërsa me punën e të burgosurve politik është ndërtuar më pas qyteti i ri. Në vitet e arta jetonin 11,000 minatorë, me familjet e tyre”.

Bulqiza gjendët në fund të luginës: dy anët e qytetit lidhen nga një rrugë dhe janë të rrethuara me male të gërryera nga minierat, të ngjajnë si ishin plagë. “Këtu çdo familje është e lidhur me minierat. Një të ardhme tjetër as nuk e mendojmë. Askush nuk do të të thotë që do të largohet, që duan të ndryshojnë jetë. Duan siguri sepse viktimat e kushteve të rrezikshme në miniera janë të përditshme në Bulqizë. Në fillim kromi ishte me bollëk dhe nxirrej lehtësisht. Ndërsa sot jo, duhet gërmuar gjithnjë e më thellë. Dhe kjo është gjithnjë e më e rrezikshme, edhe sepse pas privatizimeve të viteve 1990, përveç pagave të mjerueshme, mirëmbajtja e galerive është problemi i fundit i pronarëve. Zyrtarisht sot ka rreth 2000 minatorë, por bashkë me punëtorët e parregullt, ku përfshihen gra dhe minorenë, janë edhe më shumë. Minierat aktive të kromit administrohen nga 36 sipërmarrje, me pronësi të panjohura, që hapen dhe mbyllen, por kryesorja është Albchrom-i, pjesë e fondit Balfin, në pronësi të oligarkut Samir Mane, me 650 të punësuar. Sipas të dhënave zyrtare, nga 2014 janë të paktën 32 punëtor të vdekur në galeritë e Bulqizës dhe zonave përreth. Se sa janë të aksidentuarit në vendin e punës është e pamundur të njihet, por pothuajse çdo ditë ka nga një aksident. Shpesh pronarët deklarojnë që bëhet fjalë për persona të futur në minierë pa leje, madje në një rast personat janë nxjerrë jashtë minierës duke u detyruar të thonë se janë aksidentuar në pyll. E gjithë kjo për një pagë prej 35,000 lekësh në muaj (286 euro) plus një shtesë për ushqimin prej 15,000 lekësh (123 euro). Për orë të tëra të kaluara nën tokë. Gjendja është akoma më e vështirë për gratë: shumë syresh janë të veja, punojnë më shumë se tetë orë në ditë për 800 lekë, apo për të shitur një kile krom me 2.5 lekë. Nuk kanë as sigurime e as pension, dhe janë pa mbrojtjen e duhur”, përfundon Samiu. Megjithatë tregu i kromit është fitimprurës: Samir Mane është miliarderi i parë i historisë së Shqipërisë. Nga minierat kromi transportohet në fabrikat e përpunimit të Elbasanit dhe Tiranës, ku shndërrohet në ferro-krom dhe shitet kryesisht në Evropë, ose nëse është i papërpunuar ngarkohet në portin e Durrësit dhe çohet në Kinë. Në nëntor të 2020, gjatë debatit mbi tranzicionin energjetik , BE-ja deklaroi se synon të fokusohet në blerjen e kromit nga Shqipëria me qëllim shkëputjen nga lëndët djegëse fosile për t’u përqendruar tek elektriciteti (ndër të tjera, kromi shërben për bateritë). Eurodeputeti francez Dominique Bilde paraqiti një kërkesë për raportim pikërisht për kushtet e punës të minatorëve. Më 2019 Elton Debreshi themeloi Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB): protesta dhe greva, ndër vite, kishte pasur, por ishte herë e parë që minatorët  ngrinin krye. Eltoni u pushua nga puna menjëherë. “Në qytet nuk e kuptonin të gjithë. Disa nuk më përshëndetnin më, mendonin se doja të ndryshoja pronarët dhe se do të kumbisnim të vetmen punë që mund të kishin, të tjerë ndryshonin rrugë kur më takonin pasi kishin frikë se mund të pushoheshin nga puna. Jam ndjerë vetëm, por ditë pas dite, viktimë pas viktime, mbështetësit kanë nisur të shtohen. Kam gjetur punë në një tjetër minierë sepse ata kanë nevojë për punëtorë ekspertë dhe nuk do të ndalem.” – tregon Eltoni.

Një ndihmë e papritur ka ardhur nga kryeqyteti. Janë djemtë dhe vajzat e Organizatës Politike. Redi, Arlindi, Kosta, Joana, Enrikoja dhe shumë të tjerë i kanë ardhur në ndihmë Eltonit. Irdi është një prej tyre: “Për ne çështjet e punës janë beteja kryesore në Shqipëri. Lufta e minatorëve këtu, e punëtorëve të fasonerisë, rafinerisë, call center-ave… Jemi tridhjetë vjeçarë, kemi studiuar dhe nuk mund të jemi përgjithmonë pengje të tre partive që janë në shërbim të oligarkëve, të cilat kanë blerë për pak para pasuritë e vendit pas rënies së regjimit të Hoxhës, që fitojnë e nuk paguajnë taksa. Nga ana tjetër Edi Rama në televizionet italiane krenohej që këtu nuk ka sindikata, duke i ftuar sipërmarrësit italianë të investonin këtu. Boll më! Duhet të arrijmë te të gjithë punëtorët që luftojnë e të vihemi në shërbim të tyre. Nuk kemi se u mësojmë atyre, por mund të jemi të dobishëm për ta: komunikimi, rrjetet sociale, dokumentimi. Jetojmë këtu , bashkë me ta dhe i mbështesim. Eltoni është kandidati ynë i përbashkët dhe duam të krijojmë një lidhje mes punëtorëve të të gjithë vendit. Edhe sikur më 25 prill të mos arrijmë ta zgjedhim Eltonin deputet, prapëseprapë do të kemi hapur një shteg të ri për ndryshimin. Pas tridhjetë vjetësh jemi gjithnjë përpara të njëjtit udhëkryq: të emigrojmë ose të trajtohemi si skllevër. Boll më!”

Programi politik i Eltonit është shumë i thjeshtë: një status të veçantë për punëtorët e minierave dhe mbrojtje bazike për punëtorët në tërësi. Në qendrën rinore kanë ardhur shumë persona për të dëgjuar Eltonin. Një djalë shumë i ri e pyet nëse ndihet në vështirësi  kur kandidatët e tjerë thonë se nuk  ka kryer studimet universitare dhe se nuk mund të shkojë në Parlament. Eltoni, i palëkundur, përgjigjet: “Pikërisht falë tyre, njerëz si unë nuk kanë arritur të studiojnë dhe si të vetmen mundësi kanë pasur minierën, prandaj është më mirë të më zgjidhni mua.” Njeri prej të pranishmëve – që nuk e merr rrogën prej tre muajsh – e pyet se çfarë do të bëjë pasi të zgjidhet. “Statuti duhet të përfshijë njohjen e sëmundjeve profesionale dhe pensione të përshtatshme. Reumatizmi, problemet me shikimin, dëmtimi i mushkërive… I njihni të gjitha sëmundjet e minatorëve. I hasni çdo ditë në familjet tuaja. Nuk do të ndalojmë së luftuari derisa të ketë një formim të duhur profesional, paga të përshtatshme e të sigurta, pasi disa kompani zhduken sa hap e mbyll sytë, ndryshojnë emër; kam kolegë të mi që nuk e dinë as për kë punojnë. Çdo mëngjes ngrihemi, i vështrojmë fëmijët tanë dhe nuk e dimë nëse do t’i shohim përsëri. Çdo mëngjes pimë kafe me djem me të cilët jemi rritur, futemi në minierë dhe nuk e dimë nëse do t’i shohim përsëri apo jo. Boll më!”

Përbri Eltonit, duke e dëgjuar me vëmendje, është Lahimi, i ati. Kur i biri flet për viktimat ai mallëngjehet. Hedh pak raki për të mos menduar për këto gjëra dhe bën shaka me të birin i cili, si besimtar praktikant, nuk pi alkool. “Ashtu si tani edhe në kohët e mia ishte e vështirë. Por në atë kohë ishte më ndryshe sepse minatorët trajtoheshin si  heronj të shoqërisë. Kur ra regjimi isha i gëzuar: imagjinoja një të ardhme tjetër për fëmijët e mi, lirinë. Por ç’liri është kjo?! Unë me një pension qesharak duhet të shkoj akoma në minierë për të shtuar pak të ardhurat. Dhe im bir, si shumë të tjerë, duhet të futet në miniera gjithnjë e më të thella e gjithnjë e më të rrezikshme. Në kohën e regjimit të Hoxhës, për mua ishte e dhimbshme të punoja me të burgosurit politikë. Nuk më mungon ajo kohë, nuk i mungon askujt. Mirëpo nuk do ta kisha menduar kurrë që sot punëtorët do të kishin më pak të drejta sesa në periudhën e diktaturës. Diçka ka shkuar mbrapsht.” – buzëqesh hidhur, duke kthyer gotën e rakisë. “Kur Eltoni më tha që donte të themelonte një sindikatë, isha i shqetësuar. I thashë mirë, bir, por nëse bëhesh si sindikalistët e vjetër, që shkojnë pas partive, do t’më japësh llogari. Por ai ka punuar mirë: në Bulqizë këta djem rrezikojnë jetën për pak lekë, të cilat i shpenzojnë në lokalet e qytetit. Nuk kanë ç’bëjnë tjetër, nuk kanë të ardhme. Edhe ëndrrat ua kanë marrë”.

Botuar në revistën italiane “L’Espresso”

E përktheu dhe përgatiti Alfred Bushi

Fotot: Camilla De Maffei

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.