Rimendimi i njohjes

/Nancy Fraser/

Në vitet 70-80, përpjekjet për “njohjen e dallimeve” dukeshin të mbushura plot me premtime emancipuese. Shumë nga ata që hodhën slogane rreth seksualitetit, gjinisë, etnisë dhe racës synonin jo vetëm pranimin e identiteteve të mohuara deri tani, por edhe të sillnin një dimension tjetër më të pasur për të luftuar rishpërndarjen e pasurisë dhe pushtetit. Më ndërrimin e shekullit, temat e njohjes dhe identitetit u bënë edhe më të përhapura, ndonëse sot shumë syresh bartin domethënie të ndryshme: nga Ruanda deri në Ballkan, çështjet e “identitetit” kanë ndezur lëvizje që synojnë spastrimin etnik dhe madje dhe gjenocid – por edhe lëvizje të mobilizuara për t’u rezistuar atyre.

Nuk ka ndryshuar vetëm karakteri, por edhe shkallët e këtyre përpjekjeve dhe luftimeve. Pretendimet për njohjen e këtyre ndryshimeve tani drejtojnë shumë nga konfliktet sociale, nga fushata për sovranitet kombëtar dhe autonomi nënkombëtare, te betejat rreth multikulturalizmit, deri te lëvizjet internacionale për të drejtat njerëzore, të cilat synojnë respekt universal dhe respektim të ndryshimeve kulturore. Ato gjithashtu janë bërë mbizotëruese brenda lëvizjeve shoqërore si feminizmi, i cili më parë fokusohej në rishpërndarjen e burimeve. Sigurisht që beteja të tilla mbulojnë një rang të gjerë aspiratash, nga ato tërësisht emancipuese te kauzat e dënueshme (shumica syresh bie diku në mes). Megjithatë, kërkimi i një gjuhe të përbashkët ia vlen të merret në konsideratë. Pse sot, pas rënies komunizmit të stilit sovjetik dhe përshpejtimit të globalizimit, konflikte të shumta po marrin këtë trajtë? Pse kaq shumë lëvizje i ngrenë pretendimet e tyre në idiomën e njohjes? 

Për ta bërë këtë pyetje duhet të marrim në konsideratë edhe rënien relative të mëtimeve për rishpërndarje barazimtare. Gjuha e shpërndarjes, dikur gramatika hegjemone e kontestimit politik, sot është më pak e pranueshme. Lëvizjet që jo shumë kohë më parë kërkonin me ngulm ndarjen e barabartë të burimeve materiale dhe pasurive nuk janë zhdukur. Por falë retorikës agresive neoliberale mbi botëkuptimin barazimtar, deri te mungesa e ndonjë modeli të besueshëm të “socializmit të arritshëm” dhe te përhapja e dyshimeve rreth qëndrueshmërisë së socialdemokracisë kejnesiane përballë globalizmit, roli i tyre është reduktuar ndjeshëm. 

Ne po përballemi me një retorikë të re politike, e cila mbështetet në dy shtylla. Së pari, kjo lëvizje nga rishpërndarja te njohja po ndodh pavarësisht – ose për shkak – një përshpejtimi të globalizmit ekonomik, në të njëjtën kohë kur po ndodh dhe shtrirja agresive e kapitalizmit është duke e përkeqësuar radikalisht pabarazinë ekonomike. Në këtë kontekst, çështjet e njohjes po shërbejnë gjithnjë e më pak për të plotësuar, komplikuar dhe pasuruar luftën për rishpërndarje, e gjithnjë e më shumë për ta margjinalizuar, errësuar dhe zhvendosur atë. Ky mund të quhet problemi i zhvendosjes.  Së dyti, lufta e sotme për njohje po ndodh në një moment kur po rritet ndërveprimi dhe komunikimi ndërkulturor, kur rritja e hovit të migracionit dhe orientimi i mediave globale po hibridizojnë dhe shumojnë format kulturore. Rrënjët e këtyre luftërave shpesh shërbejnë për të thjeshtëzuar dhe ringjallur identitetet e grupit e jo për të promovuar bashkëveprimin midis konteksteve ndërkulturore që janë në rritje. Ato synojnë të inkurajojnë ndasitë, jotolerancën, shovinizmin, patriarkalizmin dhe autoritarizmin. Ky mund të quhet problemi i sendëzimit

Të dyja problemet – zhvendosja dhe sendëzimi – janë jashtëzakonisht serioze: për aq kohë sa politikat e njohjes zhvendosin politikat e rishpërndarjes, ato mund të nxisin pabarazitë ekonomike: teksa materializon identitetet grupore, kjo rrezikon të sanksionojë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ngrirjen e vetë antagonizmave që supozohet t’i ndërmjetësojnë. Nuk është çudi që shumë prej tyre krejt lehtësisht i kanë larë duart e tyre nga “politika identitare”—ose propozojnë përjashtimin e të gjitha betejave kulturore. Për disa, kjo do të thotë të rijapësh përparësi ndarjes klasore mbi gjininë, seksualitetin, “racën” dhe etninë. Për të tjerët, do të thotë ringjallje e ekonomizmit. Ndërsa për disa të tjerë do të thotë refuzim i të gjithë kauzave “minoritare” dhe këmbëngulje në asimilimin e normave të shumicës – në emër të shekullarizmit, universalizmit apo republikanizmit.

Këto reagime janë të kuptueshme, ndonëse të keqdrejtuara. Jo të gjitha format e politikave të njohjes janë njëlloj problematike: disa përfaqësojnë kundërpërgjigje emancipuese kundër padrejtësive serioze të cilat nuk mund ndreqen vetëm nga rishpërndarja. Për më tepër, kultura është një fushëbetejë legjitime madje dhe e nevojshme, një vend padrejtësish i ndërthurur fort me pabarazinë ekonomike. Të konceptuara drejt, betejat për njohje mund të ndihmojnë në rishpërndarjen e fuqisë dhe pasurisë dhe promovojë ndërveprimin dhe bashkëpunimin midis trajtave të larmishme të ekzistencës shoqërore. 

Çdo gjë varet nga si shërbehet njohja. Këtu dua të këmbëngul se ne kemi nevojë t’i rimendojmë politikat e njohjes sipas një mënyre që mund të zgjidhë, ose të paktën të zbusë problemet e zhvendosjes dhe sendëzimit. Kjo do të thotë t’i konceptualizosh betejat për njohje në mënyrë që të mund të integrohen me betejat e rishpërndarjes, në vend se t’i zhvendosim dhe dobësojmë ato. Gjithashtu nënkupton zhvillimin e një mënyre njohjeje që mund të akomodojë kompleksitetin e identiteteve shoqërore, në vend që të promovojë sendëzimin dhe ndarjen. Këtu po propozoj një rishqyrtim të njohjes.

Modeli i identitetit

Qasja e zakonshme e politikave të njohjes – çka unë e quaj ‘model identiteti’ –nis nga ideja hegeliane sipas të cilës identiteti ndërtohet në mënyrë dialoguese, përmes procesit të njohjes reciproke. Sipas Hegelit, njohja projekton një lidhje reciproke ideale midis subjekteve, në të cilat secili e sheh tjetrin si të barabartë, po ashtu edhe të veçuar prej tij. Kjo lidhje është e rëndësishme për subjektivitetin: dikush bëhet subjekt individual vetëm për shkak të njohjes dhe i të njohurit nga një subjekt tjetër. Njohja nga të tjerët është thelbësore për të zhvilluar vetëdijesimin. Të të mohohet njohja – ose të jesh i ‘keqnjohur’ – do të thotë të pësosh njëkohësisht një shtrembërim të marrëdhënies së vetes me veten dhe të dëmtosh identitetin e vetes. 

Ithtarët e modelit të identitetit e zhvendosin skemën e njohjes hegeliane në terrenin kulturor dhe politik. Ata pretendojnë që t’i përkasësh një grupi që është zhvlerësuar nga kultura mbizotëruese do të thotë të jesh i keqnjohur, të vuash një çrregullim të marrëdhënies me veten. Si rezultat I takimeve të përsëritura me vështrimin stigmatizues të dikujt që i përket një kulture mbisunduese, anëtarët e grupeve të përçmuara brendësojnë imazhe negative te vetvetes dhe ndjehen të përjashtuar nga zhvillimi i një identiteti kulturor të shëndetshëm. Në këtë perspektivë, politikat e njohjes kanë si qëllim të rregullojnë zhvendosjen e vetvetes duke kontestuar tablonë poshtëruese të kulturës mbisunduese të grupit. Kjo propozon që anëtarët e grupeve të keqnjohura t’i refuzojnë këto imazhe në emër të vetëpërfytyrimit të identitetit të tyre të brendshëm dhe të bashkohen duke sjellë një kulturë vetafirmuese të tyren,e cila të jetë e pranuar publikisht, e kjo të fitojë respekt dhe vlerësim në shoqëri. Rezultati, kur është i suksesshëm, është ‘njohja’: një lidhje e pashtrembëruar me vetveten.

Pa dyshim ky model identiteti përmban disa njohuri të mirëfillta mbi efektet psikologjike të racizmit, seksizmit, kolonizimit dhe imperializmit kulturor. Megjithatë ky model është teorikisht dhe politikisht problematik. Duke barazuar politikën e njohjes me politikën e identitetit, ai inkurajon sendëzimin e identiteteve të grupit, si dhe zhvendosjen e rishpërndarjes. 

Zhvendosja e rishpërndarjes 

Së pari le të shqyrtojmë mënyrat në të cilat politikat e identitetit tentojnë të zhvendosin luftën për rishpërndarje. Duke heshtur gjerësisht përballë pabarazive ekonomike, modeli i identitetit e trajton keqnjohjen si dëm kulturor të mëvetësishëm: shumë nga ithtarët e tij e injorojnë krejtësisht padrejtësinë e shkaktuar nga shpërndarja dhe përqendrohen në përpjekjet për të ndryshuar kulturën; nga ana tjetër, të tjerë e marrin seriozisht keqshpërndarjen dhe dëshirojnë ta korrigjojnë atë. Megjithatë të dy rrymat përfundojnë duke zhvendosur pretendimet rishpërndarëse.

Rryma e parë e sheh keqnjohjen si një problem zhvlerësimi kulturor. Rrënjët e padrejtësisë janë shihen te përfytyrimet poshtëruese, të parrënjosura shoqërisht. Për këtë rrymë, nyja e problemit gjendet te ligjërimet e luhatshme dhe jo te kuptimi dhe normat e instuticionalizuara. Duke objektifikuar kulturën, te dyja rrymat e abstragojnë keqnjohjen nga matrica institucionale e saj dhe e errësojnë gërshetimin e saj me padrejtësinë e shpërndarjes. Për shembull, ata mund të mos vënë re lidhjet (e institucionalizuara në tregjet e punës) midis normave androcentrike, të cilat zhvlerësojnë aktivitetet e koduara si ‘femërore, dhe pagave të ulëta të grave punëtore. Sidoqoftë, ata anashkalojnë lidhjet e institucionalizuara brenda sistemeve të mirëqenies sociale midis normave heteroseksiste që delegjitimojnë homoseksualitetin, nga njëra anë, dhe mohimit të burimeve dhe përfitimeve për homoseksualët dhe lesbiket nga ana tjetër. Duke shpërfillur lidhje të tilla, ato e zhveshin keqnjohjen nga bazat e saj strukturo-shoqërore dhe e barazojnë me identitetin e shtrembëruar. Me reduktimin e politikave të njohjes në politikën e identitetit, politika e rishpërndarjes zhvendoset.

Rryma e dytë e politikave të identitetit nuk e injoron keqshpërndarjen. Ajo vlerëson që padrejtësitë kulturore shpesh janë të lidhura me ato ekonomike, por keqkupton karakterin e lidhjeve. Duke përkrahur efektivisht një teori ‘kulturoriste’ të shoqërisë bashkëkohore, ithtarët e kësaj perspektive supozojnë se keqshpërndarja është thjesht një efekt dytësor i keqnjohjes. Për ta, pabarazitë ekonomike janë shprehje e thjeshtë e hierarkive kulturore – kështu, shtypja klasore është një efekt superstrukturor i zhvlerësimit kulturor të identitetit proletar (ose, siç thuhet në Shtetet e Bashkuara, i ‘klasizmit’). Nga kjo pikëpamje del se e gjithë keqpërndarja mund të rregullohet në mënyrë indirekte nga politika e njohjes: të rivlerësosh identitetet e zhvlerësuara padrejtësisht do të thotë të sulmosh burimet e thella të pabarazisë ekonomike; nuk nevojitet politikë e qartë rishpërndarëse.

Në këtë mënyrë, ithtarët kulturorë të politikës së identitetit thjesht përmbysin pretendimet e një forme të mëparshme të ekonomizmit vulgar: ata mundësojnë që politika e njohjes të zhvendosë politikën e rishpërndarjes, ashtu si marksizmi vulgar dikur mundësoi që politika e rishpërndarjes të zhvendoste politikën e njohjes. Në fakt, kulturizmi vulgar nuk është më adekuat për të kuptuar shoqërinë bashkëkohore sesa ishte ekonomizmi vulgar.

Natyrisht, kulturizmi mund të kishte kuptim nëse dikush do të jetonte në një shoqëri në të cilën nuk kishte tregje relativisht autonome, një në të cilën modelet e vlerës kulturore rregullonin jo vetëm marrëdhëniet e njohjes, por edhe ato të shpërndarjes. Në një shoqëri të tillë, pabarazia ekonomike dhe hierarkia kulturore do të shkriheshin pa problem; zhvlerësimi i identitetit do të përkthehej në mënyrë të përsosur dhe menjëherë në padrejtësi ekonomike, si dhe keqnjohja do të përfshinte drejtpërdrejt keqshpërndarjen. Për pasojë, të dyja format e padrejtësisë mund të rregullohen me një goditje të vetme, dhe një politikë e njohjes që do t’i përgjigjej me sukses keqnjohjes do t’i kundërvihej edhe shpërndarjes së gabuar. Por ideja e një shoqërie thjesht ‘kulturore’ pa marrëdhënie ekonomike – magjepsëse për breza antropologësh – është shumë larg realitetit, në të cilin tregtarizimi ka përshkuar disi të gjitha shoqëritë, të paktën duke shkëputur pjesërisht mekanizmat ekonomikë të shpërndarjes nga modelet e vlerës dhe prestigjit. Pjesërisht të pavarur nga modele të tilla, tregjet ndjekin një logjikë të tyren, të cilat as kufizohen plotësisht nga kultura, as i nënshtrohen asaj; si rezultat ato gjenerojnë pabarazi ekonomike që nuk janë thjesht shprehje e hierarkive të identitetit. Në këto kushte, ideja se dikush mund të korrigjojë të gjithë keqshpërndarjen me anë të një politike të njohjes është thellësisht zhgënjyese: rezultati i saj neto mund të jetë vetëm zhvendosja e përpjekjeve për drejtësi ekonomike.

Sendëzimi i identitetit

Sidoqoftë, zhvendosja nuk është problemi i vetëm: politika e modelit të njohjes së identitetit tenton gjithashtu ta sendëzojë identitetin. Duke theksuar nevojën për të përpunuar dhe shfaqur një identitet kolektiv autentik dhe të vetëgjeneruar, ushtrohet presion moral mbi individët që të përputhen me një kulturë të caktuar grupi. Disidenca kulturore dhe eksperimentimi shkurajohen, në mos u vihet shenja e barazisë me pabesnikërinë. E njëjta gjë ndodh edhe me kritikën kulturore, përfshirë përpjekjet për të eksploruar ndarjet brenda grupeve, si për shembull ato gjinore, seksuale dhe klasore. Kështu, në vend se ta mirëprisnin shqyrtimin e fijeve patriarkale brenda një kulture të nënrenditur, tendenca e modelit të identitetit është që ta etiketojë një kritikë të tillë si “joautentike”. Efekti i përgjithshëm është të imponosh një identitet grupi të vetëm dhe të thjeshtuar në mënyrë drastike të grupit, i cili mohon kompleksitetin e jetës së njerëzve, shumëllojshmërinë e identifikimeve të tyre dhe tërheqjet e lidhjeve të tyre të ndryshme. Për ironi të fatit, modeli i identitetit shërben si mjet për mosnjohje: duke sendëzuar identitetin e grupit, ai përfundon duke errësuar politikën e identifikimit kulturor, betejat brenda grupit për autoritetin – dhe pushtetin – e përfaqësimit të tij. Duke i fshehur këto beteja, kjo qasje maskon fuqinë e fraksioneve mbisunduese dhe përforcon mbisundimin brenda grupeve. Kësisoj modeli i identitetit i dorëzohet farelehtë formave shtypëse të komunitarizmit, duke promovuar konformizëm, intolerancë dhe patriarkalizëm.

Në mënyrë paradoksale, modeli i identitetit priret të mohojë premisat e tij hegeliane. Në fillim u ngrit mbi supozimin se identiteti është dialogjik, i ndërtuar përmes ndërveprimit me një subjekt tjetër, por pastaj përfundon duke vlerësuar monologjizmin – duke supozuar se njerëzit e keqnjohur mund dhe duhet ta ndërtojnë vetë identitetin e tyre. Më tej supozohet se një grup ka të drejtë të kuptohet vetëm në termat e tij – se askush nuk mund të justifikohet kur e sheh tjetrin nga një perspektivë e jashtme ose në kundërshtimin me vetinterpretimin e tjetrit. Sidoqoftë, kjo bie ndesh me pikëpamjen dialoguese, duke e bërë identitetin kulturor një përshkrim automatik të vetëgjeneruar, të cilin dikush ua paraqet të tjerëve si një obiter dictum. Duke kërkuar t’i mbrojë vetëpërfytyrimet ‘autentike’ kolektive nga të gjitha sfidat e mundshme në sferën publike, kjo lloj politike e identitetit vështirë se nxit ndërveprim shoqëror përmes dallimeve: përkundrazi, inkurajon separatizmin dhe enklavat.

Modeli i identitetit të njohjes është thellësisht difektoz. Si teorikisht i mangët dhe politikisht problematik, ai barazon politikën e njohjes me politikën e identitetit dhe, duke vepruar kështu, inkurajon si sendëzimin e identiteteve të grupit dhe zhvendosjen e politikës së rishpërndarjes.

Keqnjohja si nënrenditje statusore

Për pasojë, unë do të propozoj një qasje alternative: atë të trajtimit te njohjes si çështje e statusit shoqëror. Nga kjo perspektivë, çka kërkon njohje nuk është identiteti specifik i grupit, por statusi i anëtarëve të grupit si partnerë të plotë në ndërveprimin shoqëror. Për pasojë, mosnjohje nuk do të thotë zhvlerësim dhe deformim i identitetit të grupit, por nënrenditje shoqërore – në kuptimin e parandalimit për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në jetën shoqërore. Për të ndrequr këtë padrejtësi ende kërkohet një politikë e njohjes, por në ‘modelin e statusit’ kjo nuk reduktohet më në çështjen e identitetit: përkundrazi, nënkupton një politikë që synon tejkalimin e nënrenditjes duke e ngritur statusin e palës së nënrenditur në anëtare të plotë të shoqërisë, e aftë të marrë pjesë në të njëjtin nivel me pjesën tjetër.

Po shpjegohem. Ta shohësh njohjen si çështje statusi do të thotë t’i shqyrtosh modelet e institucionalizuara të vlerave kulturore sipas efekteve të tyre në pozicionin relativ të aktorëve socialë. Nëse dhe kur modele të tilla i trajtojnë aktorët si të barabartë, të aftë për të marrë pjesë në të njëjtën nivel me njëri-tjetrin në jetën shoqërore, atëherë mund të flasim për njohje reciproke dhe barazi të statusit. Kur, në të kundërt, ata trajtohen si inferiorë, të përjashtuar, tërësisht të ndryshëm, ose thjesht të padukshëm – me fjalë të tjera, si më pak se partnerë të plotë në ndërveprimin shoqëror – atëherë mund të flasim për mosnjohje dhe nënrenditje statusore. Nga ky këndvështrim, mosnjohja nuk është as një deformim psikik dhe as një dëm kulturor i mëvetësishëm, por një relacion i institucionalizuar i nënrenditjes shoqërore. Të jesh i keqnjohur nuk do të thotë thjesht se për ty mendojnë keq apo se përçmohesh dhe zhvlerësohesh në sytë e qëndrimeve, besimeve dhe përfytyrimeve të të tjerëve. Ka të bëjë kryesisht me mohimin e statusit të një partneri të plotë në bashkëveprimin shoqëror, si pasojë e modeleve të institucionalizuara të vlerës kulturore që e trajtojnë dikë si të padenjë për respekt ose vlerësim.

Për modelin e statusit, për më tepër, mosnjohja nuk transmetohet përmes përfytyrimeve ose ligjërimeve kulturore të vetëqëndrueshme. Siç e kemi parë, ai përjetësohet përmes modeleve të institucionalizuara – me fjalë të tjera, përmes funksionimit të institucioneve sociale që rregullojnë ndërveprimin sipas normave kulturore që pengojnë barazinë. Për shembull, ligjet e martesave që i përjashtojnë partneritetet e gjinisë së njëjtë si të paligjshme dhe perverse; politikat e mirëqenies sociale që stigmatizojnë nënat beqare si keqtrajtuese seksuale të papërgjegjshme; dhe praktikat e policisë, të tilla si profilizimet racore, që i lidh personat e racuar me kriminalitetin. Në secilën prej këtyre rasteve, ndërveprimi rregullohet nga një model i institucionalizuar i vlerave kulturore që i vendos disa kategori aktorësh socialë si normativë dhe të tjerët si të mangët ose inferiorë: ‘heteroseksual’ është normale, ‘homoseksual’ është perverse; ‘Familjet me kryefamiljare’ nuk janë të përshtatshme, ‘të bardhët’ i binden ligjit, ‘zezakët’ janë të rrezikshëm. Në secilën rast, rezultati është t’u mohosh disa anëtarëve të shoqërisë statusin e plotë si partnerë në bashkëveprim, të aftë për të marrë pjesë në të njëjtin nivel me pjesën tjetër.

Siç tregojnë këta shembuj, mosnjohja mund të marrë një larmi formash. Në shoqëritë e sotme komplekse e të diferencuara, vlerat që pengojnë barazinë janë institucionalizuar në një mori vendndodhjesh institucionale dhe në mënyra cilësisht të ndryshme. Në disa raste, mosnjohja është ligjëruar dhe kodifikuar shprehimisht në ligjin zyrtar; në raste të tjera është institucionalizuar përmes politikave qeveritare, kodeve administrative ose praktikave profesionale. Ajo mund të institucionalizohet edhe në mënyrë joformale – në modele shoqërimi, zakone të hershme ose praktika shoqërore të sedimentuara të shoqërisë civile. Por pavarësisht nga ndryshimet në formë, thelbi i padrejtësisë mbetet i njëjtë.

Sipas modelit të statusit, mosnjohja përbën një formë të nënshtrimit të institucionalizuar dhe një shkelje serioze të drejtësisë. Kudo dhe sido që të ndodhë, një kërkesë për njohje është në rregull. Por vini re saktësisht se çfarë do të thotë kjo: duke mos synuar identitetin e grupit, por kapërcimin e nënrenditjes, në këtë qasje pretendimet për njohje kërkojnë ta trajtojnë palën e varur si një partner i plotë në jetën shoqërore, i aftë për të bashkëvepruar me të tjerët. Ato synojnë, me fjalë të tjera, t’i çinstitucionalizojnë modelet e vlerave kulturore që pengojnë barazinë e pjesëmarrjes dhe t’i zëvendësojnë ato me modele që e kultivojnë atë. Ndreqja e mosnjohjes tani nënkupton ndryshimin e institucioneve sociale – ose, më saktësisht, ndryshimin e vlerave që rregullojnë ndërveprimin të cilat pengojnë barazinë e pjesëmarrjes në të gjitha vendndodhjet e rëndësishme institucionale. Format e ligjësuara kërkojnë ndryshime ligjore, format e ngulitura në politika kërkojnë ndryshime të politikave, format shoqatore kërkojnë ndryshime shoqatore e kështu me radhë: mënyra dhe agjencia e ndreqjes ndryshon, si edhe faqja institucionale. Por në çdo rast, qëllimi është i njëjtë: korrigjimi i mosnjohjes nënkupton zëvendësimin e modeleve verore të institucionalizuara që pengojnë barazinë e pjesëmarrjes me të tjera që e mundësojnë ose nxisin atë.

Konsideroni përsëri rastin e ligjeve të martesës që mohojnë barazinë pjesëmarrëse për homoseksualët dhe lezbiket! Siç e pamë, rrënja e padrejtësisë është institucionalizimi në ligj i një modeli heteroseksist vlerash kulturore që i trajton heteroseksualët si normalë dhe homoseksualët si të çoroditur. Riparimi i padrejtësisë kërkon çinstitucionalizimin e këtij modeli vleror dhe zëvendësimin e tij me një tjetër që promovon barazinë. Sidoqoftë, kjo mund të bëhet në mënyra të ndryshme: një mënyrë do të ishte t’u japësh çifteve homoseksuale dhe lezbike të njëjtën njohje që gëzojnë aktualisht  heteroseksualët duke legalizuar martesat e gjinisë së njëjtë; një tjetër do të ishte çinstitucionalizimi i martesës heteroseksuale, shkëputja e të drejtave si sigurimi shëndetësor nga statusi martesor dhe caktimi i tyre mbi ndonjë bazë tjetër, siç është shtetësia. Megjithëse mund të ketë arsye të konsiderueshme për të preferuar një nga këto qasje, në parim te dyja do të promovonin barazinë seksuale dhe do të korrigjonin këtë rast të mosnjohjes.

Në përgjithësi, modeli i statusit nuk zotohet a priori për ndonjë lloj të veçantë ndreqjeje të problemit të keqnjohjes; në fakt, lejon një sërë mundësish, në varësi të nevojave të palëve të nënrenditura për të marrë pjesë barazisht në jetën shoqërore. Në disa raste, ato mund të kenë nevojë për t’u çliruara nga barra e veçantisë së mbishkruar ose të ndërtuar; në të tjera, dallushmëritë e vëna re pak duhet të merren në konsideratë. Në të tjera raste, mund të kenë nevojë për ta zhvendosur vëmendjen te grupet mbisunduese ose të favorizuara, duke theksuar veçantinë e tyre, e cila është trajtuar rrejshëm si universalitet; në të kundërt, mund të kenë nevojë të dekonstruktojnë termat në të cilat përpunohen diferencat. Në të gjitha rastet, modeli i statusit i lidh ndreqjet me rregullimet konkrete që e pengojnë barazinë. Kësisoj, ndryshe nga modeli i identitetit, ai nuk u njeh një privilegj a priori qasjeve që vlerësojnë specificitetin e grupit. Përkundrazi, lejon në parim atë që mund ta quajmë njohje universale dhe njohje dekonstruktive, si dhe njohjen pohuese të diferencës. Edhë një herë, pika vendimtare është se në rastin e modelit të statusit politika e njohjes nuk ndalet tek identiteti, por kërkon ndreqje institucionale për dëme të institucionalizuara. Duek u fokusuar te kultura në format e saj të rrënjosura në shoqëri (përkundër atyre të mëvetësishme), kjo politikë rreket ta kapërcejë nënrenditjen statusore duke ndryshuar vlerat që rregullojnë ndërveprimin, vendosur modele të reja verore të cilat ushqejnë barazinë e pjesëmarrjes në jetën shoqërore.

Si ta trajtojmë keqshpërndarjen

Ekziston edhe një ndryshim i rëndësishëm midis modeleve të statusit dhe identitetit. Për modelin e statusit, modelet e institucionalizuara të vlerave kulturore nuk janë pengesat e vetme për barazinë në pjesëmarrje. Pjesëmarrja e barabartë pengohet edhe kur disa aktorëve u mungojnë burimet e nevojshme për të bashkëvepruar me të tjerët si të barabartë. Në raste të tilla, keqshpërndarja përbën një pengesë për barazinë e pjesëmarrjes në jetën shoqërore, rrjedhimisht edhe një formë nënshtrimi dhe padrejtësie shoqërore. Ndryshe nga modeli i identitetit, modeli i statusit e kupton drejtësinë shoqërore në dy dimensione të dallueshme analitikisht: një dimension të njohjes, i cili ka të bëjë me efektet e kuptimeve dhe normave të institucionalizuara mbi pozicionin relativ të aktorëve socialë; dhe një dimension i shpërndarjes, i cili përfshin shpërndarjen e burimeve të disponueshme për aktorët socialë.

Kështu, secili dimension shoqërohet me një aspekt të veçantë analitik të rendit shoqëror. Dimensioni i njohjes korrespondon me rendin e statusit të shoqërisë, pra me kushtetutën, nga modelet e ngulitura shoqërore me vlerë kulturore, të kategorive të përcaktuara kulturore të aktorëve socialë – grupe të statusit – ku secili dallohet nga nderi, prestigji dhe respekti relativ që gëzon përkundrejt të tjerëve. Dimensioni shpërndarës, në të kundërt, korrespondon me strukturën ekonomike të shoqërisë, pra me themelimin, nga regjimet e pronës dhe tregjet e punës, e kategorive të aktorëve, ose klasave të përcaktuara ekonomikisht, që dallojnë për nga burimet e tyre diferenciale.

Çdo dimension, për më tepër, shoqërohet me një formë të dallueshme analitikisht të padrejtësisë. Për dimensionin e njohjes, siç e pamë, padrejtësia që e shoqëron është mosnjohja. Për dimensionin shpërndarës, padrejtësi është shpërndarja e gabuar, në të cilën strukturat ekonomike, regjimet e pronave ose tregjet e punës i privojnë aktorët nga burimet e nevojshme për pjesëmarrje të plotë. Secili dimension, në fund të fundit, i korrespondon një forme të veçantë të nënrenditjes: dimensioni i njohjes i korrespondon, siç e pamë, nënrenditjes së statusit, të rrënjosur në modelet e institucionalizuara të vlerave kulturore; dimensioni shpërndarës, përkundrazi, i përgjigjet nënrenditjes ekonomike, të rrënjosur në tiparet strukturore të sistemit ekonomik.

Në përgjithësi, modeli i statusit vendos problemin e njohjes brenda një kornize më të madhe shoqërore. Nga ky këndvështrim, shoqëritë paraqiten si fusha komplekse që përfshijnë jo vetëm format kulturore të renditjes shoqërore, por edhe format ekonomike të renditjes. Në të gjitha shoqëritë, këto dy forma të renditjes janë të ndërlikuara. Në kushtet kapitaliste, asnjëri nuk është plotësisht i reduktueshëm te tjetri. Përkundrazi, dimensioni ekonomik shkëputet relativisht nga dimensioni kulturor, pasi arenat e tregtarizuara në të cilat mbizotëron veprimi strategjik, diferencohen nga arenat e patregtarizuara, në të cilat mbizotëron ndërveprimi i rregulluar nga vlera. Rezultati është një shkëputje e pjesshme e shpërndarjes ekonomike nga strukturat e prestigjit. Në shoqëritë kapitaliste, modelet e vlerës kulturore nuk diktojnë në mënyrë rigoroze shpërndarjet ekonomike (në kundërshtim me teorinë kulturore të shoqërisë), as pabarazitë e klasave ekonomike nuk reflektojnë thjesht hierarkitë e statusit; përkundrazi, keqshpërndarja ndahet pjesërisht nga mosnjohja. Për modelin e statusit, pra, jo e gjithë padrejtësia shpërndarëse mund të kapërcehet vetëm nga njohja. Nevojitet gjithashtu një politikë rishpërndarjeje.

Sidoqoftë, shpërndarja dhe njohja nuk janë të ndara tërësisht nga njëra-tjetra në shoqëritë kapitaliste. Për modelin e statusit, të dy dimensionet janë të ndërlidhura dhe bashkëveprojnë shkakësisht me njëri-tjetrin. Çështjet ekonomike si shpërndarja e të ardhurave kanë nëntekste njohjeje: modelet e vlerës të institucionalizuara në tregjet e punës mund të privilegjojnë aktivitetet e koduara si ‘mashkullore’, ‘të bardha’ e kështu me radhë në raport me ato që kodohen si ‘femërore’ dhe ‘të zeza’. Në të kundërt, çështjet e njohjes – gjykimet me vlerë estetike, për shembull – kanë nëntekste shpërndarëse: qasja e reduktuar në burimet ekonomike mund të pengojë pjesëmarrjen e barabartë në bërjen e artit. Rezultati mund të jetë një rreth vicioz nënrenditjeje, pasi rendi i statusit dhe struktura ekonomike ndërthuren dhe përforcojnë njëra-tjetrën.

Ndryshe nga modeli i identitetit, modeli i statusit e trajton mosnjohjen në kontekstin e një kuptimi më të gjerë të shoqërisë bashkëkohore. Nga ky këndvështrim, nënrenditja statusore nuk mund të kuptohet e veçuar nga rregullimet ekonomike, as njohja e abstraktuar nga shpërndarja. Përkundrazi, vetëm duke marrë parasysh të dyja dimensionet së bashku mund të përcaktohet se çfarë e pengon barazinë pjesëmarrëse në çdo rast të veçantë; vetëm duke ngacmuar ndërlidhjet komplekse të statusit me klasën ekonomike mund të përcaktohet se si të ndreqet më mirë padrejtësia. Modeli i statusit funksionon kësisoj kundër tendencave për të zhvendosur përpjekjet për rishpërndarje. Duke hedhur poshtë pikëpamjen se mosnjohja është një dëm kulturor i mëvetësishëm, kuptohet se nënrenditja statusore shpesh lidhet me padrejtësinë në shpërndarje. Ndryshe nga teoria kulturore e shoqërisë, këtu shmanget thjeshtimi i karakterit kompleks të këtyre lidhjeve: duke vlerësuar që jo e gjithë padrejtësia ekonomike mund të kapërcehet vetëm me njohje, mbrohet një qasje që integron haptazi pretendimet për njohje me pretendimet për rishpërndarje, dhe kësisoj zbut problemin e zhvendosjes.

Modeli i statusit gjithashtu shmang sendëzimin e identiteteve grupore: siç e pamë, ajo që kërkon njohje nuk është identiteti specifik i grupit, por statusi i individëve si partnerë të plotë në ndërveprimin shoqëror. Ky orientim ofron disa përparësi. Duke u përqendruar në efektet e normave të institucionalizuara mbi kapacitetet për ndërveprim, modeli shmang hipostatizimin e kulturës dhe zëvendësimin e ndryshimit shoqëror me inxhinierimin e identitetit. Po kështu, duke refuzuar privilegjimin e përgjigjeve ndaj mosnjohjes që vlerësojnë identitetet ekzistuese të grupeve, ajo shmang esencializimin e udhëzimeve aktuale dhe parandalimin e ndryshimeve historike. Në fund, duke e vendosur barazinë pjesëmarrëse si standard normativ, modeli i statusit i vendos pretendimet për njohje përpara proceseve demokratike të justifikimit publik, duke shmangur kështu monologjizmin autoritar të politikës së autenticitetit dhe duke vlerësuar bashkëveprimin transkulturor dhe jo separatizmin dhe enklavat grupore. Në vend të inkurajimit të komunitarizmit shtypës, modeli i statusit lufton kundër tij.

Për ta përmbledhur: përpjekjet e sotme për njohje shpesh marrin pamjen e politikës së identitetit. Me synimin për t’iu kundërvënë përfytyrimeve kulturore nënçmuese ndaj grupeve të nënrenditura, ato e shkëpusin mosnjohjen nga matrica e saj institucionale dhe i presin lidhjet e saj me ekonominë politike dhe, përderisa propozojnë identitete kolektive ‘autentike’, nuk i shërbejnë ndërveprimit ndërmjet diferencave, por theksojnë separatizmin, konformizmin dhe intolerancën. Rezultatet priren të jenë dyfish të këqija: në shumë raste, betejat për njohje në të njëjtën kohë zhvendosin betejat për drejtësi ekonomike dhe promovojnë forma shtypëse të komunitarizmit.

Zgjidhja, megjithatë, nuk gjenet në refuzimin e politikës së njohjes. Kjo do të ishte të dënosh miliona njerëz që të vuajnë rëndë padrejtësitë që mund të korrigjohen vetëm përmes njëfarë njohjeje. Çka nevojitet është një politikë alternative e njohjes, një politikë jo-idenitare që mund ta ndreqë mosnjohjen pa inkurajuar zhvendosjen dhe sendëzimin. Siç kam argumentuar, modeli i statusit siguron bazën e kësaj. Duke e kuptuar njohjen si çështje të statusit dhe duke shqyrtuar lidhjen e saj me klasën ekonomike, mund të merren hapa për ta zbutur, në mos për ta zgjidhur plotësisht, zhvendosjen e betejave për rishpërndarje dhe duke shmangur modelin e identitetit, mund të fillohet duke e zvogëluar, nëse nuk mund te zhduket tërësisht, prirja e rrezikshme e sendëzimit të identiteteve kolektive.

E përkthyen Briseida Halilaj dhe Sindi Beqiri

Marrë nga revista New Left Review, maj-qershor 2000

Imazhi: RLS New York City

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.