Rama është armik i punëtorëve dhe i demokracisë

/Alfred Bushi/

Në një bashkëbisedim me një sipërmarrës të zellshëm i cili ankohej se nuk gjente fuqi punëtore të mjaftueshme për të përballuar punën e madhe që kishte, Rama, me një lehtësi prej fodulli dhe vetëkënaquri, i është përgjigjur  kështu: “Me këtë pagë që ke ti këtu i ke të sigurt punëtorët e huaj nga Bangladeshi nga Afganistani, nga India. I ke pronto, nuk dinë as shqip dhe nuk merren me thashetheme. Sa të fillojnë me mësu shqip, fillo ndërroi se i futet krimbi, jo politika, jo demokracia jo më the të thashë.” Se çfarë realisht e ka shtyrë kryeministrin e vendit të pohojë këto fjalë, në një kohë kur papunësia e varfëria në vend janë rritur dhe fushata zgjedhore ka nisur prej kohësh, mbetet mister. Mosmarrja seriozisht e kundërshtarëve të tij dhe vetëbesimi se edhe këto zgjedhje i ka të fituara mund të jenë një shpjegim. Ndërkohë që Ramën nuk mund ta gjykojmë për atë që mendon për veten e partinë e tij, mundemi, nga ana tjetër, të hedhim disa hipoteza mbi atë se çfarë ai mendon për të tjerët, për vendin që qeveris. “Mbreti është lakuriq” – do të thërriste fëmija në përrallën e Andersenin. Vërtet, më lakuriq se kaq nuk e kemi parë ndonjëherë, një lakuriqësi që e shfaq të vdekshëm dhe të dobët politikisht.

Thellimi i politikave neoliberale

Privatizimet e të mirave publike, nëpërmjet koncesioneve  dhe PPP-ve, reformat e ndryshme neoliberale si ajo në arsimin e lartë, shteti minimal janë veçoritë thelbësore të 8 vjetëve të qeverisje  Rama. Vetëqeverisja e sferës ekonomike nga pronarët e mëdhenj e të mesëm dhe tërheqja totale e shteti e kanë shndërruar vendin e punës në një El dorado për pronarët dhe në një ferr për punëtorët. Por kjo me ç’duket në kohë krize është e pamjaftueshme. Rritja e fitimit është i vetmi imperativ që njeh sipërmarrësi i sotëm. Kështu, qëllimi i politikave ekonomike duhet të jetë thjesht ulja e kostove dhe mospengimi i rritjes së fitimeve. Lufta, nëpërmjet sindikatave të vjetra e të korruptura dhe mosndërhyrjes institucionale, ndaj çdo përpjekjeje të punëtorëve për t’u organizuar sindikalisht në mënyrë të lirë e demokratike, është imperativi i dytë i neoliberalzimit, i cili është i lidhur ngushtë me të parin. Përgjatë qeverisjes së tij Rama ka dëshmuar bindshëm se është një shërbëtor i përulur i interesave të oligarkisë dhe pronarëve në tërësi, fillimisht duke privatizuar ç’kishte mbetur nga pararendësit e tij dhe më pas duke i intensifikuar politikat neoliberale në shërbim të tyre. Kështu, propozimi për të marrë punëtorë të huaj, në një kohë kur të dhënat e tregut të punës tregojnë për një rritje të papunësisë, dëshmon qartë se interesi i Ramës është fitimi i pronarëve dhe jo mirëqenia e shoqërisë. Për neoliberalët punësimi i plotë, pagat e larta dhe shteti asistencial janë një kosto e lartë për sipërmarrësit të cilët, edhe një herë, duhet të mendojnë vetëm për fitimin. Ndërkohë trajtimi i punëtorëve të huaj si skllevër me kontratë na shpie shekuj pas, kur punëtorët trajtoheshin si gjysmë njerëz pa asnjë të drejtë dhe ku puna ishte sinonim i skllavërimit. Për më tepër, ardhja e skllevërve të rinj me kontratë jo vetëm synon të rrisë armatën e të papunëve por edhe të groposë çdo përpjekje të mundshme për organizim sindikal e për rrjedhojë çdo kërkesë sado minimale për përmirësim të kushtet e punës. Nëse punëtorët e fasonerive sot punojnë nën diktatin e padiskutuar të padronit i cili mund t’i heqë nga puna sipas dëshirës e interesit, në shumë raste pa kontrata pune e pa sigurime, me paga minimale e në disa raste nën minimalen, me orë shtesë të papaguara, me pushime vjetore të papaguara, me raporte mjekësore të papagura, me kontrata të paligjshme që parashikojnë gjoba e dënime të ndryshme nëse punëtori bën një gabim, me ardhjen e skllevërve të rinj me kontratë kjo gjendje do të arrijë atë të Anglisë së shekullit XIX, siç e përshkruan Engelsi në veprën e tij monumentale “Gjendja e klasës punëtore në Angli”.

Demokraci për zotërinjtë

Pa fjalën si artikulim racional analizues dhe bindës demokracia, si formë e organizimit të shoqërisë njerëzore në çdo rrafsh të artikulimit të saj, do të kishte pak kuptim, do të ishte thjesht praktikë formale pa përmbajtje. Kjo do të thotë se vetëdijesimi nuk ndodh vetëm në rrafshin praktik, por edhe në atë ideologjik. Mjafton të imagjinoni ç’do të ishte demokracia greke pa diskutimet nëpër agora-t ku trajtoheshin çështjet e rëndësishme të interesit të përbashkët mbi të cilat më pas do të votohej. Me gjasë njerëzit thjesht do të ngrinin dorën për të votuar çfarë do t’u thoshte më i forti ose më i pasuri, pa u kujdesur për të mirë e të keqen, të drejtën e të gabuarën. Do të ndodhte ajo që ndodhi në Rajhtagun gjerman kur deputetet ia dhanë me vullnetin e tyre pushtetin absolut Fyhrerit duke hequr dorë nga pushteti ligjvënës. Shkurt është pikërisht fjala si artikulim racional e organizativ,vetëdijesimi, që e shqetëson kaq shumë Ramën kur flet për demokracinë si rrezik që duhet shmangur jo vetëm në vendin e punës, por edhe në rrafshe të tjera të jetës politiko-shoqërore. Nëse njerëzit fillojnë të flasin në vendin e punës,fjalët e para, ashtu siç bën fëmija, do të jenë më jetiket: paga e ulët, norma e lartë e punës, orët e shtesë të papaguara, kontrata e punës, organizimi e me radhë. E nga këtu vetëdijesimi do t’i yshtë njerëzit drejt rivendikimeve të tjera, derisa çdo grup shoqëror do të arrijë lirinë dhe barazinë. Pra heqja e fjalës nuk nënkupton tjetër veçse mungesë diskutimi, vetëdijesimi e organizimi, e për rrjedhojë mungesë lirie e barazie. Sot vendi i punës dhe organizimi i punës e pamundësojnë një artikulim të tillë të fjalës. Punëtorët sot janë pothuajse të izoluar nga largësia, zhurma, pushimet e shkurtra ose inekzistente gjatë punës. Ardhja e skllevërve të huaj me kontratë nuk është gjë tjetër veçse ashpërsimi i logjikës së heshtimit dhe shtypjes së fjalës. Për Ramën, si gjysmënjerëz ata nuk kanë gjuhë, e për rrjedhojë nuk janë të rrezikshëm për padronin. Bashkë me punëtorin vendas ata nuk janë tjetër veçse zgjatim i veglës së punës. Fjala dhe arsyeja e tyre duhet të arrijnë deri aty sa të kuptojnë urdhrat dhe imperativin e padronit. Skllavit nuk ka çfarë i duhet fjala, arsyeja, pasi për çdo gjë mendon padroni. Demokracia, e cila tashmë nuk është më demokraci, kthehet kështu në një hapësirë ekskluzive për zotërinjtë, paradoksalisht në një demokraci për zotërinjtë dhe të lirët.

Nëse nesër skllevërit me kontratë do të vijnë në vendin tonë, lufta e punëtorëve për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore në vendin e punës do të marrë karakter ndërkombëtar. Emancipimi nga shfrytëzimi nuk ndalet përballë dukjes të mungesës së gjuhës. Punëtorët kanë një gjuhë të përbashkët, që është ajo e luftës ndaj kapitalit dhe padronit që gjithnjë e më shumë po merr trajtën e skllavopronarit. Një luftë e cila hap pas hapi do të arrijë të shndërrohet në një luftë politike. Fabrikat e metropoleve kanë qenë gjithnjë vende ku punonin punëtorë të kombësive të ndryshme dhe kjo nuk e ka penguar organizimin e tyre, pasi punëtorët nuk kanë atdhe. Të tilla do të jenë dhe betejat tona të ardhshme, ndërkombëtare e gjithnjë e më të domosdoshme.

Imazhi: Sky News

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.