Rrugëtimi i 1 Majit

/Alfred Bushi/ “Tetë ore punë, tetë orë pushim, tetë orë gjumë” – Në Australinë e 1855-ës këto kërkesa i hapën udhën luftës së përgjithshme për të drejtat e punëtoreve në nivel ndërkombëtar. Disa vite më vonë revolta e fillimmajit 1886 në Çikago u shndërrua në një prej çasteve më domethënëse që qëndron në rrënjët e Festës së Punëtorëve. Më 1 Maj të atij viti (e shtunë) edhe pse ditë pune, katërqind mijë punëtorë të dymbëdhjetë mijë fabrikave të Shteteve të Bashkuara vendosen të mos punonin, por të bënin një marshim proteste. Atë ditë gjithçka u zhvillua në mënyre paqësore, por në ditët në vijim grevat dhe manifestimet vazhduan në qytetet më të industrializuara të vendit duke e bërë situatën më të tensionuar, deri në pikën ku policia qëlloi mbi turmën duke vrarë katër punëtorë të cilët ishin mbledhur përballë një fabrike për të protestuar kundër shkarkimeve nga puna. Përgjatë një tjetër proteste u hodh një bombë pikërisht teksa policia po afrohej drejt foltores në podium për të urdhëruar shpërndarjen e protestuesve. Pas shpërthimit policia qëlloi mbi turmën duke vrarë me dhjetëra prej tyre. Shumë nga të lënduarit nuk pranuan që të shkonin në spital prej frikës se mos i arrestonin. Një ditë pas, në një protestë në Miluoki, policia qëlloi sërish mbi protestuesit duke vrarë nëntë prej tyre. Për sa u përket ndodhive të Çikagos, tetë eksponentë të njohur anarkistë u dënuan me vdekje, pa asnjë prove mbi përfshirjen e tyre në atentat. Dy prej tyre dënimi me vdekje iu kthye në burgim të përjetshëm, njëri u gjend i vdekur , katër të tjerët u varën në burg më 11 Nëntor 1887. Kujtimi i ‘Martirëve të Çikagos” u bë simbol I luftës për tetë-orëshin. Në zanafillë, e drejta e tetë-orëshit u kërkua në Australi me 1855 dhe u vendos për herë të parë më 1866 në Ilinois, me aq kufizime dhe pengesa saqë e bënin të pamundur aplikimin e saj. Hyrja në fuqi e ligjit në Çikago ishte lënë më 1 Maj 1867, ditën kur do organizohej një manifestim i madh në të cilin 12 mijë punëtorë i dhanë jetë marshimit më të madh të organizuar ndonjëherë në një qytet amerikan. Konvencionalisht origjina e festës-protestës i atribuohet një manifestimi të organizuar në Shtetet e Bashkuara nga Kalorësit e Punës në Nju Jork, më 6 shtator 1882. Kalorësit, dy vjet më vonë, në një manifestim të ngjashëm aprovuan një rezolutë që përcaktonte festimin e kësaj ngjarjeje çdo vit. Organizata të tjera sindikaliste, të afërta me Internacionalen e punëtoreve ( lëvizjeve socialiste dhe anarkiste) sugjeruan që si ditë feste të lihej 1 Maji. Ngjarjet që shënjuan përfundimisht këtë datë, duke e kthyer në simbol të betejave të punëtoreve, ishin ato famëkeqe të majit 1886 në Çikago, ku protestat dhe grevat e ndryshme të punëtorëve shkaktuan përleshje të përgjakshme me policinë. Në Europë festa u zyrtarizua dy vjet më vonë në Paris përgjatë punimeve të Internacionales se Dytë. Më 1 maj 1890 u organizua një manifestim i madh në Paris për t’iu kërkuar autoriteteve publike uljen legale të orarit të punës në tetë orë. Kështu për herë të parë në histori në të gjitha shtetet e botës njëkohësisht klasa punëtore e organizuar protestonte për emancipimin e saj.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.