Rreth shënjuesve revolucionarë

/Alain Badiou/

…Ajo që ta vret syrin – nga Greqia në Francë – është impotenca e dukshme e forcave përparimtare për të ndalur sadopak ritmin me të cilin fuqitë ekonomike dhe shtetërore po i nënshtrojnë popujt ndaj ligjit të ri (e prapëseprapë të kahershëm e themelor) të liberalizmit të gjithkahshëm.

Jo vetëm që forcat përparimtare nuk po çapen përpara dhe s’po arrijnë as ndonjë fitore të kufizuar, por ato që po rriten janë forcat e fashizmit dhe – përkundër rënies iluzore të nacionalizmit racist dhe ksenofobik – tanimë po pretendojnë të udhëheqin kundërvënien ndaj dekreteve të administratës evropiane.

Më duket sikur shkaku rrënjësor i kësaj impotence nuk gjendet mbramësisht në inercinë popullore, as në mungesën e kurajës apo mbështetjen që shumica u jep “të këqijave të domosdoshme”. Mjaft shembuj na kanë treguar se burimet e një rezistence popullore masive dhe energjike ekzistojnë. Megjithatë, prej këtyre përpjekjeve nuk ka lindur një formë e re e të menduarit për politikën, as prej retorikës së protestave ndonjë fjalor i ri, dhe shefat e sindikatave ia kanë dalë mbanë t’i bindin njerëzit se duhen pritur…zgjedhjet.

Mendoj se ajo që po përjetojmë sot ka të bëjë me faktin se shumica e kategorive politike që përdoren nga aktivistët për të menduar dhe transformuar situatat aktuale nuk janë – siç duket – gjerësisht operative.

Pas lëvizjeve të vrullshme të viteve 1960-1970, kemi hyrë në një periudhë shumë të gjatë kundërrevolucionare si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht e ideologjikisht. Ky kundërrevolucion ka shembur besimin dhe fuqinë që dikur i mundësonin ndërgjegjes popullore të përdorte fjalët më elementare të politikës emancipuese – fjalë, për të përmendur disa rastësisht, si “luftë klasash”, “grevë e përgjithshme”, “revolucion”, “demokraci masash” e të tjera si këto. Fjala kyçe “komunizëm”, e cila mbizotëronte në skenën politike që prej fillimit të shekullit XIX, paskëtaj ka marrë trajtën e njëfarë turpi historik. Fakti që ekuacioni “komunizëm baras totalitarizëm” duket kaq i natyrshëm dhe pranohet unanimisht përbën një indikator të mënyrës se sa keq dështuan revolucionarët gjatë viteve katastrofike 1980. Afërmendsh, ne nuk mund ta shmangim kritikën therëse dhe të rreptë ndaj mënyrës se si u katandisën shtetet socialiste dhe partitë komuniste në pushtet, sidomos në Bashkimin Sovjetik. Mirëpo kjo kritikë duhet të bëhet nga pozitat tona. Ajo duhet të ushqejë teoritë dhe praktikat tona, t’i ndihmojë ato të përparojnë, pa na shtyrë në ndofarë dorëzimi të vrerët që bashkë me ujin e pisët historik derdh tutje edhe fëmijën politik. Kjo ka prodhuar një gjendje të habitshme: ndërsa shohim një episod historik me rëndësi kapitale për ne, kemi brendësuar – praktikisht pa kufizim – pikëpamjen e armikut. Dhe ata që nuk kanë bërë kësisoj, thjesht kanë këmbëngulur në përdorimin e retorikës së zymtë të vjetër, athua se s’kishte ndodhur asgjë.

Nga të gjitha fitoret e armikut tonë, kjo fitore simbolike është nga më të rëndësishmet.

Në kohët e komunizmave të vjetër, ne talleshim me atë që e quanim gjuhë e drunjtë, apo gjuhë me klishe të rëndomta – fjalë të zbrazëta dhe mbiemra pompozë.

Ta pret mendja! Mirëpo ekzistenca e një gjuhe të përbashkët është  po ashtu si puna e një ideje të bashkëndarë. Efikasiteti i matematikës në shkenca – dhe nuk mund të mohohet se matematika është një gjuhë e drunjtë madhështore – ka të bëjë me faktin se ajo formalizon idenë shkencore: aftësinë për të formalizuar shpejt analizën e një situate dhe pasojat taktike të asaj analize. Hiç më pak nuk kërkohet në politikë. Kjo përbën një shenjë vitaliteti strategjik.

Sot, një prej pikave më të mëdha të forcës së ideologjisë demokratike zyrtare ka të bëjë pikërisht me faktin se ajo ka në dispozicion një gjuhë të drunjtë që flitet në të gjitha mediumet dhe nga të gjitha qeveritë pa përjashtim. Kush mund ta besojë se terma si “demokracia”, “liritë”, “të drejtat e njeriut” buxheti i drejtpeshuar”, “reformat” etj., janë ndoçka më shumë se elemente të një gjuhe të drunjtë të kudogjendur?! Afazikët e vërtetë jemi ne – militantët pa strategji emancipimi, dhe prej kohësh madje! Dhe nuk ka për të na shpëtuar gjuha e pashmangshme dhe simpatike e demokracisë së lëvizjeve. “Poshtë kjo apo ajo”, “së bashku do të fitojmë”, “jashtë”, “rezistencë”, “është e drejtë të rebelohesh”… Kjo gjuhë mundëson afektet kolektive momentale të të mbledhurit dhe faktikisht është mjaft e vlefshme – mirëpo e lë tërësisht të pazgjidhur çështjen e një strategjie të qartë. Kjo është një gjuhë tejet e varfër për një diskutim mbi të ardhmen e veprimeve emancipuese.

Çelësi i suksesit politik gjendet me siguri në forcën e rebelimit, në gjerësinë dhe kurajën e tij; por edhe në disiplinën dhe në deklarimet që ka mundësi të përçojë – deklarime që kanë të bëjnë me një të ardhme strategjike pozitive dhe që zbulojnë një mundësi të re që kishte mbetur e padukshme nga propaganda e armikut. Prandaj ekzistenca e lëvizjeve të vrullshme popullore nuk përfton nga vetja një vizion politik. Ajo që e ngjiz një lëvizje mbi bazat e afekteve individuale ka gjithnjë karakter mohor: si puna e atyre që burojnë nga mohime abstrakte si “poshtë kapitalizmi”, “ndalni pushimet nga puna”, “jo politikave të shtrëngimit”, apo “poshtë trojka evropiane”, të cilat nuk kanë tjetër efekt pos saldimit provizor të lëvizjes me brishtësinë mohore të afekteve të saj; sa për mohimet më specifike, përderisa shënjestra e tyre është precize dhe bëjnë bashkë shtresa të ndryshme të popullsisë, si p.sh. “poshtë Mubaraku” gjatë Pranverës Arabe, ato mund të arrijnë me të vërtetë rezultate, por nuk mund të ndërtojnë kurrsesi politikën e atyre rezultateve – siç e shohim sot në Egjipt dhe Tunizi, ku partitë fetare reaksionare korrin fitoret e lëvizjes me të cilën nuk kanë asnjë lidhje të vërtetë.

Çdo politikë bëhet regjimentimi i asaj që afirmon dhe propozon, dhe jo i asaj që mohon dhe refuzon. Politika është një bindje aktive dhe e organizuar, një mendim në veprim që dëfton mundësitë e padukshme. Parulla si “rezistencë!” me siguri i bëjnë njerëzit bashkë, por ato rrezikojnë që ta shndërrojnë një mbledhje të tillë në hiç më shumë sesa një përzierje entuziaste dhe gazmore ekzistence historike dhe brishtësie politike, për t’u bërë – me të fituar armiku (i cili është më i mirëpajisur politikisht, ligjërimisht dhe qeveritarisht) – një dyfishim i trishtë dhe një përsëritje sterile e dështimit.

Atë që duhet sot për t’i shtrënguar forcat reaksionare të tërhiqen nuk do ta gjejmë te karakteri ngjitës i një afekti mohor rezistence, por te disiplina e bashkëndarë e një ideje të përbashkët dhe te përdorimi i gjerë dhe në rritje i një gjuhe homogjene.

Rindërtimi i një gjuhe të tillë përbën imperativ vendimtar. Për këtë qëllim kam synuar të rifus, ripërkufizoj dhe riorganizoj gjithçka që sillet rreth fjalës “komunizëm”. Fjala “komunizëm” kumton tri gjëra themelore: Së pari, kumton vëzhgimin analitik sipas të cilit në shoqëritë sunduese të së sotmes, liria – me fetishizimin demokratik të së cilës jemi mësuar tashmë – përcaktohet tërësisht nga pronësia. “Liria” nuk është veçse liria për të blerë çdo mall të mundshëm pa ndonjë kufi të paracaktuar, dhe mundësia për të bërë “ç’të duash” lidhet rreptësisht me shtrirjen e kapacitetit për të blerë.  Dikush që i ka humbur të gjitha mundësitë për të blerë diçka nuk ka asnjë lloj lirie, siç duket sheshit për shembull në rastin e “vagabondëve” të cilët liberalët anglezë të fillimeve të kapitalizmit i ekzekutonin pa teklif me varje. Prandaj Marksi, në Manifestin komunist, deklaron se të gjitha urdhëresat e komunizmit, në një farë mënyre, mund të reduktohen në një: zhdukja e pronës private.

Së dyti, “komunizmi” shënjon hipotezën historike sipas të cilës nuk është e nevojshme që liria të sundohet nga pronësia dhe që shoqëritë njerëzore të udhëhiqen nga një oligarki e ngushtë biznesmenësh të fuqishëm dhe shërbëtorët e tyre në politikë, polici, ushtri e media. Ekziston mundësia e një shoqërie në të cilën mbizotëron ajo që Marksi e quan “shoqërizim i lirë”, ku puna prodhuese kolektivizohet, ku përparon zhdukja e kontradiktave të mëdha jobarazimtare (midis punës intelektuale dhe asaj fizike, midis qytetit dhe fshatit, midis burrave dhe grave, midis drejtuesve dhe punëtorëve etj), dhe ku vendimet që kanë të bëjnë me gjithkënd merren nga të gjithë. Këtë mundësi barazimtare duhet ta trajtojmë si parim mendimi dhe veprimi, dhe jo ta lëmë të na ikë.

Së fundi, “komunizmi” përshënjon nevojën e një organizimi politik ndërkombëtar. Ai orvatet të vërë në lëvizje të menduarit krijues të njerëzve, të ndërtojë – në mënyrë të papërzier me gjendjen aktuale – një fuqi të brendshme në çdo situatë të dhënë. Qëllimi është që kjo fuqi të ketë mundësinë të ndryshojë realen në drejtimin e parashkruar nga nyjëtimi i parimeve me subjektivitetin aktiv të të gjithë atyre që kanë vullnetin për ta transformuar situatën në fjalë.

Kësisoj fjala “komunizëm” emërton procesin tërësor përmes të cilit liria çlirohet nga nënshtrimi i saj jobarazimtar ndaj pronësisë. Që kjo fjalë ka qenë më e kundërshtuara me këmbëngulje nga armiqtë tanë ka të bëjë me faktin se ata nuk mund ta durojnë këtë proces i cili në fakt do ta shkatërronte lirinë e tyre, norma e të cilës është e fiksuar te pronësia. Përderisa kjo është ajo që armiqtë tanë urrejnë më shumë, atëherë duhet t’ia nisim me rizbulimin e saj.

Marrë me shkurtime nga The Guardian.

Përkthyer nga: Arlind Qori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.