Marrëdhëniet seksuale dhe lufta e klasave

/Aleksandra Kollontaj/

Aleksandra Mihajllovna Kollontaj (1872-1952) mbetet një prej figurave kryesore të Revolucionit Socialist të Tetorit në Rusi. Pos që ishte e angazhuar në luftën revolucionare për ndryshime politike e shoqërore, ajo paralelisht bëri një punë të madhe në çështjet e emancipimit të gruas, lirisë seksuale dhe përgjithësisht përparimit kulturor të klasës punëtore.

E shkruar më 1921, kjo është një prej veprave të saj kyçe, ku ajo shtjellon nga prizmi marksist marrëdhëniet seksuale ndër epoka shoqërore dhe formacione ekonomike të ndryshme, veçanërisht duke u marrë me epokën e kapitalizmit dhe me moralin borgjez.

E inkuadruar si e re fillimisht në qarqet e intelegjencies radikale të klasës së mesme, e më pas edhe në Partinë Socialdemokrate Ruse, Kollontaj u shqua gjithnjë për shpirtin e saj novator e revolucionar. Fillimisht pjesëtare e krahut menshevik, pas vitit 1914 kalon në krahun bolshevik të partisë. Në vitin 1908 u detyrua ta lëshojë Rusinë, pasiqë ndiqej prej regjimit carist.

Pas Revolucionit të Tetorit, asaj iu dha pozita e Komisares së Popullit për Mirëqenie Sociale, kurse më 1919 themeloi dhe drejtoi për kohë të gjatë “Zhenotdel”-in, Departamentin e Gruas në kuadër të KQ të PKBS-së, ku emri i saj mori dhenë falë fushatave të saj për emancipimin e gruas, kundër analfabetizmit anekënd vendit, për edukimin e gruas mbi martesën etj.

Edhe brenda partisë ajo ishte një kritike e madhe, duke u bërë pjesë e asaj që njihej si krahu majtist i partisë. Më 1923 u dërgua ambasadore në Norvegji, më 1926 në Meksikë dhe në vitet 1930-1945 shërbeu në Suedi. Kollontaj vdiq më 1952, por emri e vepra e saj vazhdon të lartësohet si një prej feministeve radikale më të zëshme që ka njohur historia. Interesimi mbi veprën e saj u rrit sidomos pas viteve ’60, me rritjen e radikalizmit majtist dhe antitradicionalizmit konservator te të rinjtë e të rejat në Evropë e ShBA.

Idetë feministe të Kollontajt lidhen medoemos me luftën për çlirim klasor të proletariatit dhe me kritikën ndaj vetë marrëdhënieve në prodhim. Ajo mbronte idenë e dashurisë së lirë, barazisë së plotë mes gjinive, besonte se socializmi nuk do të triumfonte kurrë pa ndryshime radikale të marrëdhënieve seksuale e seksualitetit. Ajo besonte se në fazën e dytë të komunizmit, sikurse shteti, edhe familja do ta humbiste rëndësinë e saj. Atëherë – sipas saj – gruaja e burri do të punonin për shoqërinë, e jo për familjen dhe mbështetjen do ta gjenin tek shoqëria, e jo tek familja. Kështu që, ajo u bënte thirrje të rinjve e të rejave revolucionare ta harronin nostalgjinë për familjen tradicionale në një shoqëri e cila do të përkujdesej edhe për fëmijët, sikurse për të rriturit, pa i mohuar askujt lidhjet prindërore.  

Këto dhe ide tjera tejet radikale të Kollontajt – që për më tepër mund t’i lexoni edhe në këtë libërth të saj të shqipëruar – kanë shërbyer dhe shërbejnë si një armë e fuqishme në luftën emancipuese në shoqëri.

Lexim të këndshëm!

* * *

Ndër shumë probleme që lypin shqyrtimin dhe vëmendjen e njerëzimit bashkëkohor, problemet seksuale janë padyshim prej më të rëndësishmeve. Nuk ka vend a komb, përveç “ishujve” legjendarë, ku çështja e marrëdhënieve seksuale të mos jetë duke u bërë një çështje urgjente dhe e nxehtë. Njerëzimi sot po jeton përmes një krize akute seksuale, e cila është tejet e pashëndetshme dhe e dëmshme për të qenë e tejzgjatur.

Nëpërmjet rrugëtimit të gjatë të historisë njerëzore, ju me gjasë nuk do të gjeni ndonjë periudhë kur problemet e seksit të kenë zënë një vend të këtillë qendror në jetën e shoqërisë: kur çështja e marrëdhënieve ndërmjet sekseve të ketë qenë porsi një prestigjiator, dukë tërhequr vëmendjen e miliona njerëzve të shqetësuar; kur dramat seksuale të kenë shërbyer si një burim i këtillë i pashtershëm frymëzimi për çfarëdolloj arti.

Për sa kohë që kriza vazhdon e rritet prore e më seriozisht, njerëzit po e shohin veten drejt një situate vazhdimisht e më të pashpresë dhe janë duke u përpjekur dëshpërimisht ta zgjidhin “çështjen e pazgjidhshme” nëpërmjet çdo mjeti të disponueshëm. Por pas çdo përpjekjeje të re për të zgjidhur problemin, nyja e paqartë e marrëdhënieve personale po bëhet edhe më lëmsh. Sikur nuk po mund ta shquajmë një dhe të vetmen fije që përfundimisht do të mund të na çonte kah suksesi i të rregulluarit të lëmshit kokëfortë. Problemi seksual është si një rreth vicioz – dhe sado të frikësuar të jenë njerëzit e ndonëse shumë rendin pas kësaj a asaj mënyre, ata janë të paaftë ta shpërthejnë këtë rreth.

Grupe me prirje konservatore argumentojë se duhet t’i rikthehemi kohërave të lumtura të së kaluarës, duhet t’i ringrejmë shtyllat e vjetra të familjes dhe duhet t’i përforcojmë normat tanimë të provuara të moralitetit seksual. Apologjetët e individualizmit borgjez thonë se duhet të shkatërrojmë të gjitha kufizimet hipokrite të kodit démodé të sjelljes seksuale. Këto “lecka” të panevojshme dhe shtypëse duhet të hidhen arkivave dhe vetëm ndërgjegjja individuale, vullneti individual i gjithsecilit mund të vendosë për të tilla çështje intime. Socialistët – anaprapthi – garantojnë se problemet seksuale kanë për t’u zgjidhur vetëm kur të jetë zgjidhur riorganizimi i strukturës socio-ekonomike të shoqërisë.

A mos kjo “shtyjmë problemin deri nesër” nënkupton se akoma s’e kemi gjetur një dhe të vetmen “fije magjike”? A nuk e paskemi gjetur – apo së paku lokalizuar – këtë “fije magjike” që shpresojmë se do ta shprishë tërë lëmshin? A nuk është dashur ta kemi gjetur tashmë, mu në këtë moment?

Historia e shoqërisë njerëzore, historia e luftës së vazhdueshme ndërmjet grupeve e klasave të ndryshme shoqërore me synime e interesa të kundërta, na jep çelësin për ta gjetur këtë “fije”. Nuk është e para herë që njerëzimi kalon përmes një krize seksuale. Nuk është herë e parë që presioni i një vale të vorbullt idesh e idealesh të reja ta ketë mjegulluar kuptimin e qartë dhe të përcaktuar të urdhëresave morale mbi marrëdhëniet seksuale. “Kriza seksuale” ishte pjesërisht akute në kohën e Rilindjes dhe Reformës, kur një përparim i madh shoqëror drodhi krenarinë dhe fisnikërinë patriarkale e feudale, të cilat në sfond përdoreshin për të kontrolluar në mënyrë absolute. Kësisoj, ky përparim i hapi rrugë zhvillimit dhe themelimit të një force të re shoqërore – borgjezisë.

Morali seksual i botës feudale ishte zhvilluar prej thellësive të “mënyrës fisnore të jetesës” – ekonomisë kolektive dhe udhëheqësisë autoritare fisnore që ndrydh vullnetin individual të pjesëtarit. Kjo përplasej me kodeksin e ri e të çuditshëm të borgjezisë që po ngrihej. Morali seksual i borgjezisë ngrihet mbi parime që janë në kontradiktë të plotë me bazën e moralitetit të feudalizmit. Individualizmi i rreptë dhe ekskluziviteti e izolimi i “familjes-bërthamë” zëvendësuan vënien e theksit mbi “punën kolektive” që ishte karakteristikë e strukturës ekonomike edhe lokale, edhe regjionale të jetës patrimoniale. Në kapitalizëm, etika e konkurrencës, parimet triumfuese të individualizmit dhe pronës ekskluzive private u rritën dhe shkatërruan çdo gjë që kishte ngelur nga ideja e komunitetit, e cila në një farë mase ishte e përafërt me të gjitha trajtat e jetës fisnore.

Për një shekull të tërë, përderisa laboratori kompleks i jetës po përmbyste normat e vjetra me formula të reja dhe po arrihej harmonia e jashtme e ideve morale, njerëzit vejevinin hutueshëm ndërmjet dy kodeve krejtësisht të ndryshme seksuale dhe përpiqeshin të akomodonin veten tek të dyja.

Por në këto ditë të shndritshme e piktoreske të ndryshimit, kriza seksuale, ndonëse e thellë, nuk e pati karakterin kërcënues që ka arritur në ditët tona. Arsyeja kryesore për këtë është se në “ditët e mëdha” të Rilindjes – në “epokën e artë” kur drita e shndritshme e një kulture të re shpirtërore vërshoi botën që po vdiste me ngjyrat e saj të kthjellëta, vërshoi jetën bosh e monotone të Mesjetës – kriza seksuale preku vetëm një pjesë relativisht të vogël të popullsisë. Larg të qenit e tillë, pjesa më e madhe e popullsisë, fshatarësia, u prek vetëm në mënyrë tejet indirekte dhe veçse atëherë kur, dalëngadalë, në rrjedhën e shekujve, ndodhi një ndryshim në bazën ekonomike, në marrëdhëniet ekonomike në fshat.

Në krye të shkallëve sociale u ndez një betejë e hidhur ndërmjet dy botësh të kundërta shoqërore. Kjo përfshiu njëkohësisht një luftë ndërmjet idealeve, vlerave dhe mënyrave të ndryshme se si ata i shihnin gjërat. Ishin këta njerëz që përjetuan dhe u kërcënuan prej krizës seksuale që po zhvillohej. Fshatarët, dyshues ndaj çdo të gjëje të re, vijuan të qepen vendosmërisht pas traditës tanimë të provuar fisnore, të cilën e kishin bartur prej të parëve të tyre, dhe vetëm nën presionin e domosdoshmërisë së skajshme, modifikuan dhe adaptuan këtë traditë sipas konditave ndryshuese të mjedisit të tyre ekonomik. Bile edhe nën peshën e luftës ndërmjet botës borgjeze e feudale, kriza seksuale shmangu “klasën e taksapaguesve”.

Ndërkohë që shtresa e lartë e shoqërisë ishte e vendosur në shkatërrimin e qasjeve arkaike, fshatarët në fakt dukej që ishin më të interesuar të kacavirreshin fort pas traditave të tyre. Pavarësisht shakullimave të pandalshme që kërcënonin nga lart dhe tronditnin vetë truallin nën këmbët e tyre, fshatarët – posaçërisht fshatarësia ruse – ia dolën që ta konservonin të paprekur ndër shekuj bazën e kodit të tyre seksual.

Sot çështja qëndron krejtësisht ndryshe. “Kriza seksuale” nuk ka kursyer bile as fshatarësinë. Sikurse një sëmundje ngjitëse, ajo “nuk njeh as grada e as statuse shoqërore”. Ajo përhapet prej pallateve e rezidencave kah lagjet e stërmbushura të klasës punëtore, viziton vendbanimet e qeta të mikroborgjezisë dhe pastaj merr rrugë për në zemër të fshatit. Ajo ka si cak viktimat në vilat e borgjezisë evropiane, në bodrumet e mykura të familjeve punëtore, sikurse edhe në kasollet e tymosura të fshatarëve. S’para funksionon thënia “mos u mbroj, mos ik” kundër konfliktit seksual. Të mendosh se vetëm pjesëtarët e shtresave kamnore të shoqërisë po luftojnë me këto probleme dhe janë në grahma nga këto probleme, përbën një gabim të rëndë. Valët e krizës seksuale po shtrihen matanë pragjeve të shtëpive punëtore dhe po krijojnë situata konflikti që janë po aq akute dhe të thekshme sa edhe vuajtjet psikologjike të “botës së rafinuar borgjeze”.

Kriza seksuale nuk ka më vetëm vëmendjen e “të kamurve”. Problemet e seksit preokupojnë shtresa të gjera të shoqërisë – ato shqetësojnë klasën punëtore përgjatë jetës së tyre të përditshme. Prandaj është e vështirë që ta kuptosh se pse kjo temë jetike dhe e ngutshme trajtohet me këso indiference. Kjo indiferencë është e pafalshme. Një prej sfidave me të cilat përballet klasa punëtore është sulmi i saj drejt “kalasë së rrethuar të së ardhmes”, që padyshim është sfidë e përftimit të një marrëdhënieje më të shëndetshme e më të kënaqshme ndërmjet sekseve.

Cilat janë rrënjët e kësaj indiference të pafalshme ndaj një prej sfidave thelbësore të klasës punëtore? Si mund ta shpjegojmë për veten tonë mënyrën hipokrite se si “problemet seksuale” i reduktojmë në nivelin e “çështjeve private” që nuk janë të vlefshme për tendosje dhe vëmendje të kolektives? Pse është injoruar fakti që përgjatë historisë një prej tipareve të vazhdueshme të luftës shoqërore ka qenë përçapja për të ndryshuar marrëdhëniet ndërmjet sekseve dhe llojin e kodeve morale që i përcaktojnë këto marrëdhënie; dhe se mënyra se si ngrihen marrëdhëniet personale brenda një grupi të caktuar shoqëror ka pastaj një ndikim jetik mbi përfundimin e luftës ndërmjet klasave shoqërore armike?

Tragjedia e shoqërisë sonë s’është vetëm se trajtat e zakonshme të të sjellit dhe parimet që rregullojnë këto sjellje janë thyer, por se një valë spontane përpjekjesh të reja po zhvillohet brenda strukturës sociale, duke i dhënë njeriut shpresa dhe ideale që akoma nuk mund të realizohen.

Ne jemi njerëz që jetojmë në botën e marrëdhënieve të pronës, një bote kontradiktash të mprehta klasore dhe morali individualist. Ne prore jetojmë e mendojmë nën dorën e rëndë të vetmisë së pamënjanueshme të shpirtit. Njeriu e përjeton këtë “vetmi” qoftë në qytetet plot me britma, zhurmë e njerëz, qoftë në një turmë shokësh të ngushtë e bashkëpunëtorësh. Për shkak të vetmisë së tyre, njerëzit janë në gjendje të kapen në mënyrë grabitqare e të sëmurë pas ëndrrakotave për të gjetur një “bashkëshort shpirti” në mes të pjesëtarëve të seksit të kundërt. Ata shohin tek Erosi tinëzar të vetmin mjet për t’u joshur, qoftë edhe veç për njëfarë kohe, larg prej trishtimit të vetmisë së pashmangshme.

Ndofta, në asnjë periudhë njerëzit s’e kanë ndjerë vetminë shpirtërore kaq thellë e ngulmueshëm sa po e ndjejnë në kohën e sotme. Njerëzit, me gjasë, nuk kanë qenë kurrnjëherë në kësi depresioni dhe kaq të rënë nën ndikim mpirës të kësaj vetmie.

Vështirë se mund të jetë ndryshe. Errësira kurrë nuk duket aq e errët, sikurse kur e ka një dritë që ndriçon para.

Individualistët, që veç sa për sy e faqe organizohen në një kolektiv me individët e tjerë, tani kanë shansin të ndryshojnë marrëdhëniet e tyre seksuale, ashtu që ato të jenë të bazuara në parimin kreativ të miqësisë dhe shoqërisë, në vend se të jenë në diçka kryekëput fiziologjike. Morali individual i pronës i ditëve të sotme ka zënë krejt qartazi të shihet si diçka paralizuese dhe shtypëse. Duke kritikuar cilësinë e marrëdhënieve seksuale, njeriu modern është duke bërë shumë më shumë sesa mospranimi i trajtave të vjetruara të sjelljes dhe të kodit të tanishëm moral. Shpirti i tij vetmitar është duke e kërkuar përtëritjen e vetë thelbit të këtyre marrëdhënieve. Ai rënkon dhe dirgjet për “dashuri të madhe”, për një gjendje përzemërsie dhe kreativiteti, vetëm e cila e ka fuqinë për të përhumbur shpirtin e ftohtë të vetmisë prej të cilës vuajnë “individualistët” e sotshëm.

Në qoftë se kriza seksuale në ¾ është rezultat i marrëdhënieve të jashtme socio-ekonomike, në ¼ varet nga “psikika jonë e pastër individualiste”, e ushqyer nga ideologjia sunduese borgjeze. “Mundësia për të dashuruar” e njerëzve sot është, siç vë në pah shkrimtarja gjermane Majzel-Hes[1], në dobësim e sipër. Burri dhe gruaja e shohin njëri-tjetrin me shpresën e gjetjes për veten – nëpërmjet një personi tjetër – të një mjeti për një shkallë më të gjerë të kënaqësisë shpirtërore dhe fizike. Nuk ka dallim se a janë ata të martuar me partnerin apo nëse atyre nuk iu intereson edhe aq se çfarë po ndodh me personin tjetër, se çfarë po ndodh me emocionet dhe proceset psikologjike të tyre.

“Individualizmi i vrazhdë” që stolis epokën tonë, mbase askund më shumë nuk bie në sy sesa në organizimin e marrëdhënieve seksuale. Një person dëshiron të shpëtojë prej vetmisë së tij dhe në mënyrë naive imagjinon sikur të qenit “në dashuri” i jep atij të drejtën ndaj shpirtit të personit tjetër – të drejtën për ta ngrohur vetveten në rrezet e këtij bekimi të veçantë të afërsisë emocionale dhe mirëkuptimit. Ne, individualistët, i kemi pasur emocionet tona të kalbura nën kultin kokëfortë të “egos”. Ne imagjinojmë sikur mund ta arrijmë lumturinë e të qenit në një gjendje të “dashurisë së madhe” me ata që i kemi pranë, pa pasur nevojë të “japim” ndonjë gjë nga vetja.

Pretendimet që ngremë ndaj “partnerit tonë të kontraktuar” janë absolute e të pandara. Ne nuk jemi në gjendje të zbatojmë më të thjeshtin rregull të dashurisë: që personi tjetër duhet trajtuar me konsiderata të larta. Koncepte të reja të marrëdhënieve në mes të sekseve tashmë po ravijëzohen. Ato do të na mësojmë se si t’i realizojmë marrëdhëniet të bazuara në idetë me të cilat nuk është se jemi familjarizuar: ato të lirisë së plotë, barazisë dhe miqësisë së çiltër. Por deri atëherë, njerëzimi ka për të pritur në të ftohtë me vetminë e tij shpirtërore dhe mundet vetëm të ëndërrojë për “kohërat e arta”, kur të gjitha marrëdhëniet ndërmjet njerëzve do të ngrohen prej rrezeve të “diellit zot”, do të marrin një kuptim bashkësie dhe do të edukohemi në kushte të reja jetese.

Kriza seksuale s’mund të zgjidhet për sa kohë që nuk e kemi një reformë radikalë të psikës njerëzore, dhe për sa kohë që mundësitë e njeriut për të dashuruar të mos jenë rritur. E, një transformim bazik i marrëdhënieve socio-ekonomike përgjatë linjave komuniste është esencial poqese duam psikën ta ri-formojmë. Kjo është një e “e vërtetë e kahmotshme”, por nuk kemi rrugëdalje tjetër.

Kriza seksuale assesi nuk do të reduktohet, pavarësisht se ç’lloj martese a marrëdhënieje personale priren që të provojnë njerëzit.

Historia kurrnjëherë s’ka parë asi varietete marrëdhëniesh personale: martesa të pandashme me “familje stabile”, “bashkime të lira”, shkelje sekrete të kurorës; një vajzë teksa jeton haptazi me të dashurin e saj në të ashtuquajturën “martesë e egër”; martesa palësh, martesa në treshe dhe bile edhe martesa të koklavitura të katër njerëzve – pa përmendur trajtat e ndryshme të prostitucionit komercial. Njësoj keni dy kode morale që bashkëjetojnë krah-për-krah edhe tek fshatarësia, gjithashtu – një përzierje e trajtave të vjetra fisnore dhe familjes borgjeze në zhvillim. Kështu, merrni tolerimin e “shtëpizave të vajzave”[2], krah-për-krah me qasjen se kurvëria, apo fjetja e vjehrrit me nusen, janë të pandershme.

Është i befasishëm fakti që, para syve të trajtave kontradiktore e të koklavitura të marrëdhënieve të sotme personale, njerëzit janë në gjendje të ruajnë një besim në autoritetin moral dhe janë në gjendje t’i japin kuptim këtyre kontradiktave e të hapërojnë para përmes këtyre kodeve morale reciprokisht shkatërrimtare e të papajtueshme. Qoftë edhe përligjja e zakonshme – “Unë jetoj nga morali i ri” – nuk e ndihmon askënd, qyshse morali i ri është akoma veçse në proces thurjeje. Detyra jonë është ta nxjerrim situatën prej kaosit të normave të sotme kontradiktore seksuale dhe t’i kthjellojmë parimet e një morali që i përgjigjet shpirtit të klasës përparimtare dhe revolucionare.

Përpos mospërputhjeve tashmë të lartpërmendura të psikikës bashkëkohore – individualitetit të skajshëm, egoizmit që është shndërruar në kult – “kriza seksuale” është përkeqësuar si pasojë e dy tipareve të psikologjisë së njeriut modern:

  1. Ideja e “posedimit” të partnerit me të cilin martohesh;
  2. Besimi se dy gjinitë janë të pabarabarta, se ato janë të një rëndësie jo të barabartë në secilin aspekt, në secilën sferë, përfshirë sferën seksuale.

Morali borgjez, me familjen e tij introverte individualiste, bazuar krejtësisht mbi pronën private, ka kultivuar me kujdes idenë se njëri partner duhet ta “posedojë” tjetrin. Dhe ka qenë shumë e suksesshme. Ideja e “posedimit” tash është më e përhapur sesa nën sistemin patrimonial të marrëdhënieve martesore.

Gjatë periudhës së gjatë historike që u zhvillua nën patronazhin e “fisit”, ideja e burrit që posedon gruan e tij (nuk ka pasur asnjëherë ndonjë mendim mbi gruan që e ka në posedim të padiskutueshëm burrin e saj) nuk ka shkuar përtej posedimit thjesht fizik. Gruaja obligohej të qëndronte besnike fizikisht – ama shpirti mbetej i saj. Madje edhe kalorësit e njohën të drejtën e grave të tyre për të pasur ‘chichesbi’ (shokë e admirues platonikë) dhe për të pranuar “devocion” prej kalorësve e ‘minesingerëve’ [3] të tjerë. Është borgjezia ajo që me kujdes ka rritur e ushqyer idealin e posedimit absolut të “Unit” – jo vetëm fizik, por edhe emocional – të “partnerit të kontraktuar”, duke e zgjeruar kësisoj konceptin e të drejtave të pronës edhe në të drejtë mbi tërë botën shpirtërore e emocionale të personit tjetër. Kështu, struktura familjare u përforcua dhe stabiliteti u garantua mu në kohën kur borgjezia po luftonte për dominim. Ky është ideali që ne e kemi pranuar si trashëgimi tonën dhe jemi gatitur ta shohim si një absolute të pandryshueshme morale!

Ideja “pronës” i përshkon tejpërtej kufijtë e “martesës së ligjshme”. E bën të ndihet si një përbërës i pashmangshëm i bashkimit më të “lirë” të dashurisë. Dashnorët bashkëkohorë – me gjithë respektin e tyre për liri – nuk janë të kënaqur vetëm nga njohja e besnikërisë fizike të personit që duan. Për ta hequr qafe kërcënimin e përhershëm të vetmisë, ne “hidhemi në sulm” ndaj emocioneve të personit që duam me të tillë mizori e mungese delikatese, saqë brezat që do vijnë nuk kanë për të na kuptuar. Ne pretendojmë në të drejtën për ta ditur çdo sekret të qenies së këtij personi. Dashnori modern do ta harronte pabesnikërinë fizike më shpejt sesa pabesnikërinë “shpirtërore”. Ai/ajo, çdo emocion të provuar jashtë kufijve të marrëdhënies së tyre “të lirë” e sheh si humbje të pasurisë së tij/saj personale.

Njerëzit “në dashuri” janë pabesueshëm të pandjeshëm në marrëdhëniet e tyre me një person të tretë. Secili nga ne, padyshim që e ka vrojtuar këtë situatë të çuditshme se si dy njerëz që duan njërii-tjetrin nxitojnë – para se ta njohin shoku-shokun sa duhet – që të ushtrojnë të drejtat e tyre ndaj të gjitha marrëdhënieve që personi tjetër i ka krijuar gjer në atë kohë, që të hetojnë përbrenda qosheve më të thella të jetës së partnerit të tyre. Dy njerëz që deri dje ishin të panjohur për njëri-tjetrin e që u bënë bashkë gjatë një çasti të vetëm ndjenjash erotike të anasjellta, sulen për ta marrë zemrën e qenies së personit tjetër. Ata duan ta ndjejnë se kjo psikikë e çuditshme dhe e pakuptueshme, me përvojën e saj të së kaluarës që kurrë s’mund të ndrydhet, është një zgjatim i vetes së tyre.

Ideja se çiftet e martuara janë pronë e njëri-tjetrit është aq e pranuar saqë kur një çift i ri – që gjer më dje jetonin secili në jetët e tyre të ndara – sot janë duke folur me njëri-tjetrin pa u skuqur fare dhe duke bërë fjalë për një person të tretë, i cili është shok i vetëm njërit nga ata të dy – kjo na vjen si diçka e panatyrshme. Por ky lloj “intimiteti” është i mundshëm veçse për ata njerëz që kanë qenë duke punuar së bashku për një periudhë të gjatë kohore. Zakonisht, një lloj i pandershëm afërsie zëvendëson këtë ndjenjë të çiltër – mashtrimi i yshtur prej idesë së gabuar se një marrëdhënie fizike ndërmjet dy njerëzve është bazë e mjaftueshme për t’u zgjeruar paskëtaj te të drejtat e posedimit të qenies emocionale të njëri-tjetrit.

“Pabarazia” e gjinive – pabarazia e të drejtave të tyre, vlera e pabarabartë e përvojave të tyre fizike e emocionale – është rrethana tjetër e rëndësishme që shfytyron psiken e njeriut bashkëkohor dhe është një arsye për thellimin e “krizës seksuale”. “Morali i dyfishtë” – i qenësishëm edhe për shoqërinë patrimoniale, edhe për atë borgjeze – me rrjedhën e shekujve ka helmuar burrin dhe gruan. Këto qëndrime janë aq shumë pjesë e jona, saqë janë më problematike për t’u hequr qafe sesa idetë rreth posedimit të njerëzve, të cilat i kemi trashëguar vetëm prej ideologjisë borgjeze.

Ideja se gjinitë nuk janë të barabarta, qoftë në fushën e përvojave fizike e emocionale, nënkupton se i njëjti veprim do të gjykohet ndryshe, varësisht nëse ishte i një burri a i një gruaje. Qoftë edhe anëtari më “përparimtar” i borgjezisë, i cili për kohë të gjatë ka kundërshtuar tërë kodin e moralit të sotëm, lehtësisht mund ta shohë veten të kurthuar në këtë pikë, qyshse edhe ai, në të gjykuarit e një burri dhe një gruaje, për të njëjtin veprim të tyre do të bënte gjykime të ndryshme.

Mjafton një shembull i vetëm.

Paramendojeni sikur një anëtar i intelegjencies së klasës së mesme, i cili është i lexuar, i përfshirë në politikë e çështje shoqërore – që, me pak fjalë është një “personalitet”, bile një “figurë publike” – fillon të flejë me kuzhinieren e tij (një gjë jo vështirë e paramendueshme për të ndodhur), bile edhe martohet ligjërisht me të. A do ta ndryshonte shoqëria borgjeze qëndrimin e saj ndaj këtij njeriu? A mos kjo ngjarje do të hidhte qoftë edhe hijëzën më të vogël të dyshimit ndaj vlerave të tij morale? Natyrisht se jo!

Tani paramendoje një situatë tjetër. Një grua e respektuar e shoqërisë borgjeze – një figurë shoqërore, një studente, mjeke a shkrimtare a çkadoqoftë – shoqërohet me shërbëtorin e saj dhe, për ta kompletuar skandalin, martohet me të. Si do të reagonte shoqëria borgjeze ndaj kësaj gruaje gjer më aty të “respektuar”? Ata do ta vërshonin me “neveri”, natyrisht! Dhe mos harroni, aq më keq për të nëse bashkëshorti i saj, shërbëtori, është i hijshëm ose ka “kualitete të tjera fizike”. “Ashiqare prandaj paska rënë në dashuri”, kish për të qenë nënqeshja e borgjezisë hipokrite.

Nëse zgjedhja e një gruaje ka të bëjë ndonjë gjë me “karakterin individual”, ajo s’ka për t’u falur prej shoqërisë borgjeze. Kjo qasje është një lloj prapakthimi në traditat e kohërave fisnore. Shoqëria akoma dëshiron që një grua, kur vendos ta bëjë zgjedhjen e saj, ta marrë parasysh rangun e statusin dhe mësimet e interesat e familjes së saj. Shoqëria borgjeze s’mund ta shohë një vajzë si një person të mëvetshëm, të ndarë prej njësisë/familjes së saj dhe as jashtë qarkut të izoluar të obligimeve e virtyteve shtëpiake.

Shoqëria bashkëkohore shkon edhe më larg sesa shoqëria antike fisnore në të vepruarit si kujdestarë të gruas, duke e mësuar atë jo vetëm të martohet, por edhe të bie në dashuri veçse me ata persona që janë “të lavdërueshëm” për të.

Ne vazhdimisht po takojmë burra cilësish të konsiderueshme shpirtërore e intelektuale që kanë përzgjedhur si shoqe të jetës ndonjë grua të padenjë e të zbrazët, e cila në asnjë mënyrë nuk i përputhet vlerës shpirtërore të të shoqit. Ne e marrim këtë si diçka normale dhe as që mendojmë dy herë rreth kësaj. Prej të gjithë shokëve, ai për të cilin të vjen më së shumti keq është Ivan Ivanoviçi, i cili e kalon jetën me një grua aq të padurueshme. Por në qoftë se e njëjta do të ndodhtë anasjelltas, ne do t’i përplasnim duart dhe do të bërtisnim me shqetësim: “Si është e mundur që një grua kaq e shquar si Maria Petrovna të bjerë në dashuri me një kurrkushhiç të këtillë?! Kam filluar të dyshoj në vlerat e Maria Petrovnës.”

Nga na vjen ky kriter i dyfishtë? Për ç’arsye? Padyshim që shpjegimi qëndron në faktin që ideja e gjinive me “vlera të ndryshme” është bërë, ndër shekuj, pjesë e ngjizjes psikologjike të njeriut. Ne jemi mësuar ta vlerësojmë një grua jo si një personalitet me cilësi e dobësi individuale pavarësisht përvojës së saj fizike e emocionale, por vetëm si shtojcë të një burri. Ky burrë, bashkëshorti apo i dashuri, rrezaton dritën e personalitetit të tij mbi gruan dhe është ky reflektim, e jo vetë gruaja, ajo që ne e shquajmë si përkufizim të vërtetë të pleksjes së saj emocionale e morale. Në sytë e shoqërisë, personaliteti i një burri mund të ndahet më lehtësisht prej veprimeve të tij të sferës seksuale. Personaliteti i një gruaje gjykohet pothuajse ekskluzivisht në termat e jetës së saj seksuale. Kjo lloj qasjeje buron prej rolit që ka luajtur gruaja në shoqëri ndër shekuj dhe vetëm se tani po zë fill dalëngadalë një rivlerësim i këtyre përqasjeve, së paku në letër.

Vetëm një ndryshim në rolin ekonomik të gruas dhe përfshirja e saj e pavarur në prodhim, mundet dhe do të na shpjerë kah venitja e këtyre ideve të gabueshme dhe hipokrite.

Nëse duam ta zgjidhim problemin seksual, duhet të ballafaqohemi me tri rrethana bazike që janë duke e shfytyruar psikikën moderne: egoizmi i skajshëm, ideja që partnerët e martuar posedojnë njëri-tjetrin dhe pranimi i pabarazisë së gjinive në terma përvoje psikike e emocionale. Njerëzit do ta gjejnë “çelësin magjik” me të cilin mund të arratisen prej situatës së tyre vetëm kur psika e tyre do ta ketë një rezervuar të mjaftueshëm “ndjenjash konsiderate”, kur aftësia e tyre për të dashuruar të jetë më e madhe, kur ideja e lirisë në marrëdhëniet personale të jetë bërë fakt dhe kur parimi i kamaraderisë të ketë triumfuar mbi idenë tradicionale të “pabarazisë” e nënshtrimit. Problemet seksuale nuk mund të zgjidhen pa riedukimin radikal të psikes sonë.

Por a nuk ngjan si kërkesë e tepërt? A s’është sugjerimi – utopik e i pabazë – nocioni naiv i një idealisti ëndërrimtar? Sinqerisht, si do t’ia rritni njerëzimit “potencialin për të dashuruar”? A nuk janë marrë mu me këtë, njerëz të urtë të të gjitha kombeve, qysh prej kohësh që s’mbahen mend, duke nisur prej Budës e Konfucit, e duke përfunduar tek Krishti? E kush mund të na thotë nëse “potenciali për të dashuruar” është rritur? A nuk është kjo ëndërr syhapur qëllimmirë rreth zgjidhjes së krizës seksuale thjesht një pranim i dobësisë dhe një refuzim për të vazhduar së kërkuari “çelësin magjik”?

A jemi në këtë situatë? A është riedukimi radikal i psikikës sonë dhe qasja ynë ndaj marrëdhënieve seksuale diçka kaq e pashpresë, kaq e larguar nga realiteti? A nuk mundet dikush të thotë se, përkundrazi, ndërkohë që ndryshimet e mëdha shoqërore dhe ekonomike janë në zhvillim e sipër, po krijohen kushtet që lypin dhe cytin një bazë të re të përvojës psikologjike që është në vijë me atë që jemi duke folur? Një klasë tjetër, një grupim i ri shoqëror, po vjen për ta zëvendësuar borgjezinë, bashkë me ideologjinë e saj borgjeze dhe kodin e saj individualist të moralit seksual. Klasa përparimtare, ndërkohë që forcohet, nuk mund t’ia huqë në farkëtimin e një ideje të re rreth marrëdhënieve ndërmjet gjinive, që trajtësohet në marrëdhënie të ngushtë me problemet e klasës së saj shoqërore.

Evolucioni i koklavitur i marrëdhënieve socio-ekonomike që zhvillohet para syve tanë – i cili ndryshon tërë idetë tona mbi rolin e gruas në jetën shoqërore dhe shkul me rrënjë moralin seksual të borgjezisë – ka dy rezultate kontradiktore.

Në një anë, ne shohim orvatjet e palodhshme të njerëzimit për t’iu përshtatur konditave të reja socio-ekonomike që po ndryshojnë. Kjo shpërfaqet qoftë në përpjekje për të ruajtur “format e vjetra”, megjithëse duke i mveshur një përmbajtje të re (respektimi i formave të jashtme të martesës së qëndrueshme monogame me një pranim, në praktikë, të të drejtës së partnerëve) apo shpërfaqet në miratimin e formave të reja të cilat, sidoqoftë, përfshijnë të gjitha elementet e kodeksit moral të martesës borgjeze (bashkimi “i lirë”, ku pronësia kompulsive e partnerëve është më e madhe sesa brenda martesës legale).

Në anën tjetër, ne shohim paraqitjen e ngadaltë, por të sigurt, të formave të reja të marrëdhënieve ndërmjet gjinive që dallojnë nga normat e vjetra në formë të jashtme dhe në shpirt.

Njerëzimi nuk është duke sëmbarë udhën e tij kah këto ide të reja me shumë besim, por ne duhet të shohim kah përpjekjet e tij, sado të turbullta të jenë për momentin, qëkurse janë përpjekje të lidhura si mishi me thoin me detyrat e proletariatit si klasë – me kapjen e “kalasë së rrethuar të së ardhmes”. Në qoftë se në mesin e labirinteve të ndërlikuara të normave seksuale kontradiktore e të ngatërruara dëshironi të gjeni fillet e marrëdhënieve më të shëndetshme ndërmjet gjinive – marrëdhënie që janë premtuese për ta nxjerrë njerëzimit prej krizës seksuale – duhet të largoheni prej “kuarteve të kulturuara” të borgjezisë e psikes së tyre individualiste dhe t’i hidhni një sy vendbanimeve kruspull të klasës punëtore. Atje – në mes të llahtarit dhe mjerimit të kapitalizmit, në mes të lotëve dhe mallkimeve – gufojnë motivet e jetës.

Ju mund ta shihni procesin e dyfishtë – të cilin vetëm sa e kemi përmendur – duke u zhvilluar vetvetiu mbi jetët e proletariatit, i cili duhet të mbijetojë nën presionin e kushteve të rënda ekonomike, i shfrytëzuar vrazhdësisht prej kapitalizmit. Ju mund t’i shihni dyja: procesin e “përshtatjes pasive” dhe atë të kundërshtimit ndaj realitetit ekzistues.

Influenca destruktive e kapitalizmit shkatërron bazën e familjes së punëtorit dhe e shtynë atë pavetëdijshëm t’i “përshtatet” konditave ekzistuese. Kjo nxjerr në shesh një sërë situatash në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet gjinive, të cilat janë të ngjashme me ato në klasat e tjera shoqërore. Nën trysninë e pagave të ulëta, punëtori detyrohet pashmangshmërisht që të martohet në një moshë të shtyrë. Nëse njëzet vjet më parë një punëtor martohej zakonisht në moshën 20-25 vjeçare, tash mund ta bartë barrën e familjes vetëm pas moshës tridhjetëvjeçare. Sa më të larta kërkesat kulturore të punëtorit – sa më shumë që ai çmon mundësinë e të qenit në kontakt me jetën kulturore, ndjekjen e teatrove dhe leksioneve, leximin e gazetave e revistave, kalimin e kohës në luftë e politikë apo përcjelljen e aktiviteteve si arti apo leximi etj. – aq më vonë ai rend për t’u martuar. Ama, nevojat fizike nuk është se marrin parasysh ndonjë zgjidhje financiare: ato këmbëngulin ta bëjnë të tyren. Beqari nga klasa punëtore, në të njëjtën mënyrë sikurse beqari i klasës së mesme, sheh tek prostitucioni një grykëderdhje nevojash fizike. Ky është shembull i përshtatjes pasive të klasës punëtore ndaj konditave të pafavorshme të ekzistencës së tyre.

Marrim një tjetër shembull. Kur punëtori martohet, niveli i ulët i pagës e detyron familjen punëtore ta “rregullojë” lindjen e fëmijëve ashtu siç e detyron edhe familjen borgjeze. Raste të shpeshta të infanticidit[4], rritja e prostitucionit – të gjitha këto janë shprehje e të njëjtit proces. Të gjitha këto janë shembuj të përshtatjes së klasës punëtore me realitetin që e rrethon. Por ky proces nuk është karakteristik vetëm për proletariatin. Të gjitha klasat e pjesët e tjera të popullsisë, të kapura në procesin botëror të zhvillimit kapitalist, reagojnë në të këtë mënyrë.

Në e bëjmë dallimin veçse kur zëmë të flasim rreth forcave aktive krijuese në punë – që i kundërvihen, në vend se t’i përshtaten, realitetit shtypës – dhe rreth idealeve e përpjekjeve për marrëdhënie të reja ndërmjet gjinish. E veçse përbrenda klasës punëtore po merr formë kjo kundërvënie aktive.

Kjo nuk do të thotë se klasat dhe pjesët e tjera të shoqërisë (veçanërisht intelegjencia e klasës së mesme e cila, sipas rrethanave të ekzistencës së vet shoqërore, qëndron pranë klasës punëtore) nuk i përshtaten formave “të reja” që po sendërtohen prej klasës përparimtare punëtore. Borgjezia, e nxitur nga një dëshirë instinktive për t’i ajrosur me jetë të re format e saj të vdekura dhe të mekura të martesës, kacavirret pas ideve “të reja” të klasës punëtore. Por idealet dhe kodi i moralit seksual që po zhvillon klasa punëtore nuk i përgjigjet kërkesave klasore të borgjezisë. Ato pasqyrojnë kërkesat e klasës punëtore dhe kësisoj shërbejnë si një armë e re në luftën e saj shoqërore. Ato ndihmojnë për t’i shkallmuar themelet e sundimit shoqëror të borgjezisë. Le ta bëjmë këtë pikë më të qartë përmes një shembulli.

Përçapja e intelegjencies së klasës së mesme për ta zëvendësuar martesën e qëndrueshme me lidhje më të lira e më lehtë të shkëputshme të martesës civile, shkatërron bazën thelbësore të stabilitetit shoqëror të borgjezisë.

Nga ana tjetër një rrjedhshmëri më e madhe në marrëdhëniet ndërmjet gjinive përkon e madje është rezultat indirekt i një prej detyrave bazike të klasës punëtore. Mohimi i elementit të “nënshtrimit” në martesë është duke i shkatërruar lidhjet e fundit artificiale të familjes borgjeze. Ky akt “nënshtrimi” nga ana e njërit anëtar të klasës punëtore ndaj tjetrit, në të njëjtën mënyrë si kuptimi i pronësisë në marrëdhënie, ka një efekt të dëmshëm mbi psiken proletare. Nuk është në interes të kësaj klase revolucionare që të zgjedhë vetëm anëtarë të caktuar si përfaqësues të pavarur të saj, detyrë e të cilëve është t’i shërbejnë interesave të klasës para interesave të familjes individuale e të izoluar.

Përplasjet ndërmjet interesave të familjes dhe interesave të klasës që ndodhin në kohët e një greve apo gjatë një lufte aktive, si dhe kuti moral me të cilin i sheh këto ngjarje proletariati, janë prova mjaftueshmërisht të qarta të bazës së ideologjisë së re proletare.

Të supozojmë që çështjet familjare i kërkojnë një biznesmeni që ta nxjerrë kapitalin e tij nga firma në një kohë kur ndërmarrja është në vështirësi financiare. Morali borgjez e vlerëson prerazi këtë veprim: “Së pari vijnë interesat e familjes.” Mund ta krahasojmë me këtë sjelljen e punëtorëve ndaj një grevëthyesi që shpërfill shokët e tij dhe shkon në punë në kohë greve për ta ruajtur familjen e tij së vdekuri urie. “Së pari vijnë interesat e klasës.” Marrim një tjetër shembull. Dashuria dhe besnikëria e burrit të klasës së mesme ndaj familjes së tij janë të mjaftueshme për ta larguar gruan e tij prej të gjithë interesimit për çkadoqoftë jashtë mureve të shtëpisë dhe përfundon duke e lidhur atë me rritjen e fëmijëve dhe me kuzhinën. “Burri ideal mundet ta përkrahë familjen ideale” – është mënyra se si e sheh këtë borgjezia.

Por si e shohin punëtorit një pjesëtar “të ndërgjegjshëm” të klasës së tyre që i mbyll sytë gruas apo të dashurës së tij ndaj luftës shoqërore? Për hir të lumturisë individuale, për hir të familjes, morali i klasës punëtore do të kërkonte që gruaja të marrë pjesë në jetën që zhvillohet përtej pragut të derës. “Robërimi” i gruas në shtëpi, mënyra se si interesat e familjes janë të vendosura mbi gjitha tjerat, ushtrimi i përhapur i të drejtave absolute pronore të burrit mbi gruan – që të gjitha këto po shkërmoqen prej parimit bazë të ideologjisë së klasës punëtore – parimit të “solidaritetit shoqëror”. Ideja se disa anëtarë janë të pabarabartë dhe duhet t’i nënshtrohen anëtarëve të tjerë të së njëjtës klasë është në kontradiktë me parimin proletar bazë të kamaraderisë.

Ky parim kamaraderie është elementar për ideologjinë e klasës punëtore. Ky parim i jep ngjyrim dhe e përcakton krejt moralin proletar në zhvillim, një moral që ndihmon në riedukimin e personalitetit të njeriut, duke e lejuar atë që të jetë i aftë për të ndjerë, i aftë për liri, në vend se të jetë i lidhur për një sens pronësie, i aftë për kamaraderi dhe jo për pabarazi e nënshtrim.

Ekziston një e vërtetë e moçme se çdo klasë e re që zhvillon si rezultat një përparim në ekonomi dhe kulturë materiale, i ofron njerëzimit një ideologji të re të përshtatshme. Kodi i sjelljes seksuale është pjesë e kësaj ideologjie. Megjithëkëtë, është e vlefshme nëse themi diçka rreth “etikës proletare” apo “moralit seksual proletar”, në mënyrë që ta kritikojmë idenë e tejkonsumuar se morali seksual proletar nuk është asgjë më shumë sesa “superstrukturë” dhe se aty s’ka vend për asnjë ndryshim në këtë aspekt përderisa të mos ketë ndryshuar baza ekonomike e shoqërisë. Sikur ideologjia e një klase të caktuar të jetë formuar vetëm kur ka plasur avaria e marrëdhënieve shoqëro-ekonomike, duke garantuar dominimin e asaj klase! E gjithë përvoja e historisë na mëson se një grup shoqëror punon jashtë ideologjisë së tij, dhe rrjedhimisht të tij moralit seksual, gjatë procesit të luftës së tij me forcat shoqërore armiqësore.

Vetëm me ndihmën e vlerave të reja shpirtërore, të krijuara brenda klasës dhe që i përgjigjen nevojave të saj, kjo klasë do t’ia dalë që ta forcojë pozicionin e saj klasor. Ajo mund ta marrë me sukses pushtetin nga grupet armiqësore në shoqëri vetëm duke u mbajtur pas këtyre normave e idealeve të reja.

Të kërkosh për kriteret elementare të një morali që do të mund të pasqyronte interesat e klasës punëtore dhe ta vëresh se normat seksuale në zhvillim janë në përputhje më këto kritere – kjo është detyra që duhet trajtuar prej ideologëve të klasës punëtore.

Ne duhet ta kuptojmë se vetëm duke u bërë të vetëdijshëm mbi procesin krijues që po zhvillohet brenda shoqërisë dhe mbi kërkesat e reja, idealet e reja dhe normat e reja që janë duke u formësuar, vetëm duke e pasur të qartë moralin seksual të klasës përparimtare, mund t’i japim kuptim kaosit dhe kontradiktave të marrëdhënieve seksuale dhe ta gjejmë fijen që do të na mundësonte shkoklavitjen e lëmshit të problemeve seksuale.

Duhet ta mbajmë mend se vetëm një kod morali seksual që është në harmoni me problemet e klasës punëtore mund të shërbejë si armë e rëndësishme në forcimin e pozicionit luftarak të klasës punëtore. Përvoja e historisë na mëson kaq shumë. Çfarë mund të na ndalojë së përdoruri këtë armë në interes të klasës punëtore, e cila është duke luftuar për një sistem komunist dhe për marrëdhënie të reja ndërmjet gjinive – që janë edhe më të thella edhe më gazmore?!

Përzgjedhja, përkthimi, shënimet hyrëse dhe shënimet sqaruese: Fitim Salihu

[1] Gretë Majzel-Hes (1879-1922) ishte një shkrimtare feministe hebreje nga Austria, e cila shkroi romane, novela dhe ese mbi domosdoshmërinë e çlirimit seksual të gruas. – vërejtje e përkthyesit.

[2] Në fshatrat tradicionale ruse, vajzat e reja shpesh mblidheshin së bashku për të marrë me qira një kasolle të vjetër apo një dhomë në shtëpinë dikujt. Ato do mblidheshin aty gjatë mbrëmjeve për të treguar histori, për të bërë qëndisma me grep dhe për të kënduar. Djemtë e rinj do vinin për t’u bashkuar në argëtim. Disa thonë se këto argëtime ishin orgji, ndonëse ka motërzime kundërshtare rreth këtij përfundimi. – vërejtje e autores.

[3] “Minnesang” është traditë e teksteve dhe këngëve të shkruara në Gjermani që lulëzuan nga shekulli XII gjer në shekullin XIV. Njerëzit që shkruanin e performonin “Minnesang” njiheshin si “Minnesinger” (gjermanisht: “Minnesänger”). Emri i tyre rrjedh prej fjalës ‘minne’ të gjermanishtes mesjetare, që tregon se tema kryesore e këtyre këngëve ishte dashuria. – v.p.

[4] Vrasja e foshnjave të sapolindura, shpeshherë nga prindërit. – v.p.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.