Rileximi i 20 shkurtit

/Klodi Leka/ Lajmërimi i protestës së 20 shkurtit nga Partia Demokratike duket se ka eklipsuar të gjitha problemet e tjera me të cilat ndeshemi këto kohë. Që nga facebook-u te shtypi i shkruar, ekranet televizive, debati parlamentar dhe gjer në opinionin e tryezave të kafeneve, kjo protestë ka zëvendësuar çështjet e minimumit jetik, rritjes së çmimeve, transportit publik etj. Për lëvruesen publike të këtyre problematikave, median, çështja e xhepave të qytetareve është reduktuar në tematikë të dorës së dytë, duke i dhënë gjithë hapësirën dhe kohën televizive statuseve të ububushme te fejsbukistit Berisha, për të cilin marshimi i 20 Shkurtit është “bashkangjitje në valën e rebelimit ballkanik kundër oligarkëve dhe klasës së korruptuar politike”. Herë duke ngritur paralele me skenarin ukrainas dhe herë të tjera duke ia ngritur paralelet me regjitë e njohura tashme, ato të ’97s. Pas tij, në radhët e shfletimit gazetaresk shpaloset poetika gjuhësore e kryepartiakut Basha që fton “shtresat më të nëpërkëmbura të shoqërisë në revoltë kundër papunësisë dhe varfërisë”. Në mbyllje, isoja pasohet nga njeri prehër në tjetrin, jo më pak lolo se të sipërpërmendurit. Por çfarë nxjerrim nga e gjitha kjo? Çfarë fshihet pas kësaj kakofonie? Po të shikosh me vëmendje, sot në Tiranë janë ndezur pa përjashtim të gjithë zhurmuesit. Dikush flet për rrëmuja, dikush tjetër për banda të armatosura kosovare që do të zbarkojnë në bulevard, të tjerë për turlifarlloj skenarësh hollivudianë. Shkurt, hamendësimet kane arritur në atë pikë saqë i ngjajmë asaj pulës në tregimthin e klasës së dytë, e cila, pasi rrëkëlleu gabimisht nja dy gota verë, vraponte si e marrë në kërkim të një strehe.. për t’i shpëtuar qiellit që thyhej përmbi krye. Ne jemi pulat në këtë rast. Pulat e dehura që vrapojnë çmendurisht drejt llogoreve. Për t’u shpëtuar kështu trazirave në qiell (jo metaforikisht). Irealiteti i krijuar këto ditë, pra polarizimi i situatës dhe shoqërisë në dy kampe kundërshtare, nuk ka tjetër synim veç rishpërndarjes dhe ripozicionimit (të rrejshëm) krah dy figurave kryesore politike. Në njërin krah berishistët, që me paturpësinë më të pashoqe, gjashtë muaj pas rënies formale vetëshpallen fenerë të rrugëdaljes dhe mospajtimit me tunelin. Në krahun tjetër, antiberishistët, përbrendësuesit e mëdhenj të armikut (Berishës) si urgjencë sistematike kombëtare, si e keqe që duhet shkulur me rrënjë, por që hëpërhë, ironikisht, s’bëjnë dot drejtësi nga meraku se mos e shpallin martir (athua se drejtësia është martirizim!). Mospërputhje të shkërdhyera logjike që për qëllim të vetëm kanë përhapjen sa më të gjerë të frikës (burim legjitimiteti për klasën tonë politike). Aq sa çdo akt mospajtimi ndaj qeverisjes aktuale ndyhet si bashkëpunim me të keqen e rrëzuar. Çdo kritike ndaj “opozitës” si rreshtim me të keqen në pushtet. Çdo refuzim ndaj te dyjave utopi. Pra, qëllimi është që të mos lihet kurrfarë hapësire për t’u arratisur nga qarku i ngushtë dhe mediokër i të keqes, i partiakëzimit. Gjithashtu, kjo protestë është tregues i faktit se në Tiranë nuk ka opozitë. Ka vetëm pushtete. Pushtet ekonomik, politik dhe institucional të regjimit të shkuar, mbrojtja e të cilit është kusht ekzistencial për vazhdimësinë e mëtejshme të “opozitës”, për zgjerimin e saj në klasë politike dhe ekonomike të rangut oligark. Dhe pushtet të sapoardhur në fuqi, por i pafuqishëm përballë mekanizmave dhe rrenojës së trashëguar nga paraardhësit. I pafuqishëm për të ndërmarrë hapa guximtarë rimëkëmbës; i pafuqishëm për të ndëshkuar pararendësit; i pafuqishëm për të ndërtuar institucione dhe ekonomi ambicioze; i pafuqishëm për t’iu kundërvënë atyre që për tetë vite me radhë u pasuruan nga hiçi me djersën dhe punën e qytetarëve shqiptarë. Pafuqi që nuk çon tjetërkund veçse ne aplikimin e të njëjtave politika rripshtrënguese neoliberale. Pra, përballja e 20 shkurtit nuk është beteja jonë. Nuk është sepse palët nuk dallojnë nga njëra-tjetra, të paktën jo në rezultat, dhe pse në forma dhe rrethana politike dallimi është disi i dukshëm. Nuk është beteja jonë pasi Partia Demokratike nuk ka as legjitimitetin politik, as institucional dhe as moral për të qenë opozitë. Kemi një forcë politike që në kushtet e të funksionarit të drejtësisë, treçereku i deputetëve të saj (ish-ministra të korruptuar, të fortë qytezash, parekuqë etj) do te gjendeshin pas hekurave. Si horizont intelektual Partia Demokratike është tokë e djerrë, jo vetëm si forcë e provuar, por edhe si përfaqësuese e të djathtës konservatore, ide e falimentuar tashmë. Për ironi, përballja e 20 shkurtit mund të ishte “revoltim i shtresave më të nëpërkëmbura të shoqërisë kundër varfërisë dhe papunësisë” në kuadër ” të revoltimit ballkanik kundër oligarkëve dhe politikës së korruptuar”. Mund të ishte në qoftë se në Tiranë do të kishte opozitë. Një opozitë që i edukon, organizon dhe i drejton të nëpërkëmburit drejt vetëvendosjes së drejtësisë ndaj privatizuesve oligarkë të pasurive tona publike, vrasësve dhe poshtëruesve të popullit që sot e pretendojnë veten si autoritete morale për të na udhëhequr. Mund të ishte rebelim ndaj uljes drastike të pagës minimale, rritjes së çmimeve, rritjes së çmimit për transportin publik dhe ringritjes së biznesit me paratë publike. Por jo, ajo përballje është përpjekje për të legjitimuar një copë “opozitë”, një copë jo të vogël pushteti dhe një copë fort të madhe pasurie. Gjer atëherë, në daljen në pah të një lëvizjeje të re politike përmbysëse, 20 shkurti si datim historik, ndryshe nga ç’pretendohet prej pozitë-opozitës, nuk gjen përfaqësim. Ajo ditë është rebelim i mirëfilltë ndaj aparateve represive partiake, ndaj trashëgimtarëve politikë, ndaj zotëruesve të jetëve tona. 20 shkurti është ditë e politikës studentore, intelektuale, qytetare. E politikës në rrugë dhe refuzimit për të qenë i nëpërkëmbur. Është ditë e një ere të re, që, duam s’duam, do të vijë ose do ta sjellim.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.
Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.